24 May 2017

POEZI nga Daim Miftari - shkruar në Rezidencën lerare "POETEKA - Tirana in Between", prill 2017"

Autori që çeli veprimtaritë në Rezidencën letrare "POETEKA - Tirana in Between - 2017" ishte poeti shqiptar nga Maqedonia, Daim Miftari. 

Gjatë qëndrimit në Tiranë, ky autor u bë pjesë e takimeve latrare të kryeqytetit, krijimtaria e tij është lexuar nga studentët e Fakultetit të dramaturgjisë, ndërkohë qënë Universitetin e Arteve Daim Miftari ka ndarë dy orë leksioni me shkrimtarin Arian Leka mbi temat e identitetit kulturor mes shqiptarëve.

Në vijim po publikojmë poezi që ky autor shkroi gjatë qëndrimit të tij në Rezidencën letrare në muajin prill. Krijimtaria e tij poetike u botua në  suplementin letrar "Milosao", e cila i kushtoi një faqe të veçantë, shoqëruar me kometin "prurja poetike e Daim Miftarit përcjell frymën urbane dhe ndjesinë e Tiranës. Një pjesë e poezive janë shkruar në Tiranë dhe i janë dedikuar asaj." Revista "Poeteka No. 43", pranverë 2017, botoi gjithashtu një profil tjetër të këtij autori, studimin letrar me titull "Eufonia në poezinë e Xhevahir Spahiut." Ndërkohë Daim Miftari realizoi  intervistën me titull "Historinë e jetës sime, ta shkruante Cvajg", dhënë gazetares Alda Bardhyli për "Shqip".  Qëndrimi dhe veprimtaria e tij në këtë Rezidencë u pasqyrua në shtypin shqiptar Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës.  


DAIM MIFTARI

 

POETI

nëna e kishte larë
me lot
të vogëlin
foshnjën e saj
që dot vajin
s'kishte mundur t'ia ndalë

kishte qarë
bashkë me të

o Zot
ç'profeci


Tiranë, 13 prill 2017


NËNË E BIR

mbylle atë derë për të
të thanë
mbylle atë derë të mallkuar
atë zjarr të çmendur në zemër
shuaje për të

mos u gëzo për të
mos vajto për të
mos jeto për të
mos vdis për të
as emrin mos ia përmend
 

harroje o harroje
t'u hakërryen
ai nuk është biri yt
nënë e tij s'je ti

e urrejmë këtë fëmijë
të thanë
që na qëlloi në prag

ai ka vdekur
e vramë
ja duart tona me gjakun e tij
të thanë

ah mynxyrat që panë sytë e tu nëna ime
mynxyrat që panë sytë e mi

më vjen të qaj Shqipëri
unë qaj
qaj

Tiranë, 17 prill 2017

NATË

natë është
flenë të gjithë

dhe sytë e mi ç'shohin
 
ç'dëgjojnë veshët e mi
 

e gjatë
pafund
 
kjo natë

Tiranë, 14 prill 2017.

(Në rezidencën e shkrimtarëve "Poeteka")

 

ELEGJI E TRETUR

nga malli për nënën si cigare e harruar ndezur digjem
për nënën si cigare e harruar ndezur digjem
si cigare e harruar ndezur digjem
e harruar ndezur digjem
ndezur digjem
digjem

Në Rezidencën e Tiranës, 9 prill 2017


LAKMI

lakmi ia kam
vetes sime
nganjëherë sidomos
si mund të jetë
aq e qetë
ndërsa mua
 
më vjen të ulërijë

Tiranë, 10 prill 2017


PO TAKOHEM ME TY SHQIPËRI

po takohem me ty Shqipëri
si ai që për herë të parë
nënën takon
i bërë burrë tashmë
mbushur fije të bardha kokën
në fytyrë gjurmët që vuajtja i ka lënë
dhe veten e pyet ashtu kot
vallë mendoi ndonjëherë për të
a thua ndjeu dhimbje në kraharor
dhe përrenj lotësh derdhi
çdoherë kur e solli ndërmend
kush i qëndroi mbi kokë kur u sëmurë
dhe ia ledhatoi ballin
a thua ç'emër i kanë lënë
kur filloi të ec
 
kush në këmbë e ngriti kur u rrëzua
 
dhe qau
sa është rritur
 
kujt i ngjan
kujt i thotë nënë

Në rezidencën e shkrimtarëve "Poeteka", Tiranë, 5 prill 2017

 

 

E DIEL

është e diel
në ballkon
taketukja e stërmbushur e duhanit
kundërmon aromë mendimesh të djegura
të një nate që shkoi

fëmijët kanë hapërdarë lodrat
 
nëpër dhomë
i shoh si lozin ata
dhe mallëngjehem për motrën time të vogël
 
loznim edhe ne kështu njësoj
dhe për nënën
 
për nënën që s'është më
që dheu e treti pamëshirë
ah nëna ime
zemra ime s'duron më dhe ia plas vajit
 
valë valë ngriten flakët
dhe plagët që m'i hapin
gjuhët e flakëve
o Zot ç'dhimbje

e diel është
 
përjashta bën mot i mirë
nëpër rrugën e përgjumur
e mbi qelqin e dritares
zgjaten rrezet ledhatuese të diellit
të dalim pak thotë gruaja
 
unë mendoj sa para i kam në xhep
duhet ta lyejmë apartamentin
thotë
janë zverdhur muret
tavani
i ka mbjështjellë myku dhomat
më kujton për gjërat që mungojnë
ushqimet që duhet blerë
fëmijët
kujtojnë atë që u ke premtuar mbrëmë
unë mendoj për një poezi që dot s'e shkruaj
dikush i bie ziles
ushqimi ftohet mbi tavolinë
unë nuk kam uri

Shkup/ Tiranë, mars/ prill 2017

http://www.kultplus.com/?id=5&l=20603


http://sh.time.mk/c/70becdb7db/poeti-daimi-miftari-nje-muaj-ne-rezidencen-e-shkrimtareve-ne-tirane.htmlhttp://sh.time.mk/c/70becdb7db/poeti-daimi-miftari-nje-muaj-ne-rezidencen-e-shkrimtareve-ne-tirane.html


http://gazeta-shqip.com/lajme/2017/05/09/historine-e-jetes-sime-ta-shkruante-cvajg/



http://lajmpress.com/poeti-daimi-miftari-nje-muaj-ne-rezidencen-e-shkrimtareve-ne-tirane/


https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=145837


http://time.ikub.al/Lajme/17-03-16-Poeti-Daimi-Miftari-nje-muaj-ne-Rezidencen-e-Shkrimtareve-ne-Tirane.aspx




 

 

Total Pageviews