22 November 2018

Ardian Kyçyky - romani ATI - LIBRI ARTISTIK MË I MIRË I VITIT 2018 - BOTIMET POETEKA

Akademia KULT - ROMANI "ATI" I ARDIAN KYÇYKUT 

LIBRI ARTISTIK MË I MIRË I VITIT 2018

Romani "ATI" me autor shkrimtarin Ardian-Christian Kyçyku, publikuar nga "Botimet POETEKA", shpallet fitues si vepra letrare më e mirë e vitit, në konkurimin mes 5 emrave të tjerë të njohur nga letërsia shqiptare.

Ky roman vjen si një himn kushtuar prindërve, flijimeve të tyre të pafundme dhe heshtjes së përkorë i që shoqëroi, përkushtimit që jo gjithmonë u shndërrua në mirenjohje dhe keqkuptimeve të shumta me shoqërinë dhe kohën në të cilën jetojmë.

(Fragmente nga romani )

...Mbushte plot gjashtëdhjetë pranvera. E shoqja, Irma, dhe i biri, Adriatiku, duhej të kishin kursyer qimet e kokës për t'i blerë një tortë të vogël dhe gjashtëdhjetë qirinj. Ose kishin marrë hua gjëkundi. Më mirë të kishin paguar dritat.
Qirinjtë flakëronin. Kaherë shtëpia nuk pat qenë aq e ndritshme. Si për të dëshmuar se tepria e ndriçimit u bënte keq, Ati u përkul mbi të gjashtëdhjetë qirinjtë dhe u fryu. Me të njëjtin mllef do t'u kish fryrë edhe viteve të vet....

....Meri kishte rënë në dashuri me Atin. E nuk do ta kish marrë vesh njeri atë zjarr shfarosës që iu turr nga brenda banakieres bukuroshe, të mprehtë e gjuhëtrashë, po të mos kish vendosur të mos ia linte më as pronarit, as të shoqit...Tani ishte e dashuruar, nuk kish gjumë, shihte ëndrra të thekura me Atin dhe thurte plane t'i hapej, t'i falte në vetmi qoftë edhe një shkëndijë nga ai zjarr qiellor që e kish bërë tjetër njeri...

Skeda e librit:
Autor: Ardian-Christian Kyçyku
Titulli: Ati
Zhanri: Roman
Botimet Poeteka
Tiranë, 2017
ISBN 978-9928-230-06-5
Çmimi 700 Lekë

Foto: Joan Leka, Xhoel Leka

Total Pageviews