09 April 2019

Botimet POETEKA sjell në shqip romanin "E PËRDHUNUARA" nga JUTTA TREIBER

- Një libër me një titull të rëndë..., por kush tha se jeta është e lehtë? Ajo që i ndodh Frankës në këtë roman, mund t'i ndodh kujtdo në këto kohë kaq pak të sigurta. Franka mund të ishte vajza ime, mund të jetë motra apo shoqja jote e klasës. Franka është secila prej 17 vjeçareve të ditëve të sotme.

E, Franka në roman, përjeton tmerrin e përdhunimit... Ç'mund t'i shkojë më keq në jetë një vajze 17 vjeçare, të dashuruar me jetën, e lirshme, e sigurtë dhe që gëzon e jeton çdo ditë?!

Miq, shkollë, festa, herë pas here edhe ndonjë punë, për t'i treguar prindërve që është e zonja. - Pra, jeta normale e një vajze të moshës së saj...., deri në çastin kur, një mbrëmje, teksa kthehej nga puna, një i panjohur e sulmon dhe e përdhunon.

Deri në këtë pjesë të librit shkrimtarja Jutta Treiber përdor të gjithë energjinë që mund të përcjellin fjalët për të treguar natyrën e shpenguar e të gjallë të Frankës. Por, pas përdhunimit, Franka nuk ka lidhje me vajzën e dikurshme.

Në këtë pjesë të librit janë prindërit e saj ata që marrin të gjithë situatën në dorë. Një nënë sa e ndjeshme, aq edhe e fortë. Një baba i tronditur nga dhimbja, por i kthjellët për të kuptuar se çfarë është më e rëndësishme në një situatë të tillë. Natyrisht, përballimi i asaj që ndodhi dhe kthimi i të bijës në normalitet mbetet gjëja më e rëndësishme.

Në këtë roman me një histori tronditëse, autorja nuk fokusohet tek gjetja e fajtorit, madje, për të, ai është periferik. Dhimbja e ndjenja e fajit nuk i verbojnë prindërit e saj, për të harruar vajzën dhe të rendin në kërkim të fajtorit.

Është e vështirë të lësh pas krahëve një ndodhi të tillë, por Franka ja doli falë prindërve të saj. 

Ky libër është i përshtatshëm për adoleshentët dhe të rriturit.

Franka është vajzë e guximshme, plot energji dhe vetëbesim. Franka ecën përpara me këmbëngulje. Franka hedh hapa të pjekur dhe energjikë. Frankës nuk i intereson shumë se çfarë ndodh përreth. Franka jeton vetëm jetën e saj, takimet me miqtë, shkolla, vallëzimi dhe një punë si dado-kujdestare fëmijësh. Gjithçka duket normale deri kur një natë, Franka 17 vjeçare, sulmohet dhe përdhunohet nga një i panjohur në rrugën e shtëpisë së saj. Prej asaj dite asgjë nuk do të jetë si më parë...

Tërheqëse dhe jashtëzakonisht e ndjeshme në rrëfim, Jutta Treiber përshkruan efektet e përdhunimit të një vajze. Shkrimtarja nuk e shmang kërkimin e fajtorit dhe të shkaqeve të përdhunimit, por ajo përqendrohet tërësisht te Franka dhe prindërit e saj, si dhe te fazat e ndryshme shpirtërore që ajo kalon pas përdhunimit, si dhe vështirësitë e kthimit në "normalitet".

 Me një stil energjik dhe mjaft bindës, shkrimtarja e njohur austriake Jutta Treiber i jep rëndësi në mënyrë të veçantë jetës dhe gjendjes shpirtërore të viktimës, duke treguar qartë se sa e vështirë është ta fitosh luftën e kthimit në "normalitet".

Shkrimtarja e njohur austriake Jutta Treiber ka shkruar romane për të rinj e të rritur, libra për fëmijë, poezi, drama dhe tregime. Krijimtaria e saj është nderuar nga Bashkia e Vjenës me Çmimin Libri më i mirë për Fëmijë si dhe Çmimin Libri më i mirë për të Rinj. Ajo është nderuar edhe Çmimin mbarëaustriak për Librin më të mirë për të Rinj.

 "Krijimtaria e shkrimtares Jutta Treiber e ka pasuruar ndjeshëm letërsinë në gjuhën gjermane dhe ka kontribuar shumë në vendin kulturor që zë Austria në botë", është shprehur Presidenti Federal Dr.Heinz Fischer. Deri më sot librat e Jutta Treiber janë përkthyer në 25 gjuhë të botës. Romani "E përdhunuara" u publikua nga "Botimet POETEKA" në bashkëpunim me rrjetin TRADUKI.

Skeda e botimit:

Jutta Treiber

E përdhunuara  - roman
përktheu nga origjinali: Admira Poçi
Redaktoi dhe përgatiti botimin: Silvana Leka
Faqe 200
Çmimi 1000 lekë
Botimet POETEKA, Tiranë, prill 2019

ISBN 978-9928-230-28-7

Titulli i origjinalit: "Vergewaltigt"

Letërsi austriake

Total Pageviews