07 January 2019

Tadeusz Różewicz - për herë të parë shqip

Tadeusz Różewicz: Poeti i një brezi të asgjësuar 

Për herë të parë shqip

Tadeusz Różewicz, i ndarë nga jeta në moshën 92 vjeçare ishte një nga poetët e mëdhenj "dëshmitarë" të Europës, jeta e të cilit ishte e prekur drejtpërdrejt nga ngjarjet sizmike të shekullit të 20-të. "Brezi im i asgjësuar është tanimë i shkuar dhe në agoni, i mashtruar dhe i zhgënjyer", do të thoshte ai fill pas rënies së murit të Berlinit. Ai e pa harresën e historisë si një katastrofë "rënien e lotëve në bursë", siç do të shkruante në një poemë, në vitin 1994. 
Ajo gjeneratë, e lindur pak pas Luftës së parë botërore, mes ricaktimit kaotik të kufijve në harta, shkruan poeti dhe përkthyesi George Szirtes, për britanike "The Guardian", dëshmoi rritjen e fashizmit, tmerret e Luftës së Dytë Dotërore ( si Różewicz ashtu edhe i vëllai, Janusz – poet edhe ai –shërbyen në rezistencën polake, Janusz-i u vra nga Gestapoja, më 1944-ën), më pas panë Perden e Hekurt të binte nëpër Europë dhe mbijetuan, nëse ia dolën, Stalinizmit, pa u burgosur apo vrarë për të parë orën të trokiste drejt 1989-ës dhe atë që e konsideronin, me raste, si riinterpretim i rremë i së shkuarës së tyre.

Për herë të parë, për lexuesin shqiptar vjen përmbledhja poetike e autorit tw shquar polak, nga "Botimet POETEKA", në bashkëpunim me Institutin Polak të Librit.
Përveç poezive, të qëmtuara me kujdes dhe që përfaqësojnë faza të ndryshme të krijimtarisë së këtij autori, botimi "Tadeusz Rozewicz – Përmbledhje poezish" shoqërohet edhe nga dy tekste që vihen në ndihmë të lexuesit për të komunikuar më mirë me krijimtarinë dhe për të pasur në duar disa çelësa, pa të cilët zor se mund të hysh brenda poezisë së njërit prej poetëve emblemë për shekullin e 20-të. Teksti i parë është eseja, Fshehur në vetvete: poezia e Rơżewicz-it", me autor Tom Paulin dhe John Osborne, me esenë "Tadeusz Różewicz: Gërsheti". Krijimtaria poetike e Różewicz vjen për lexuesin me shqipërimin e Astrit Beqirajt e Ben Andonit. "Ne e kemi mësuar gjuhën nga mbishkrimet nëpër mure, këta njerëz dhe unë. Ajo ç'ka kam krijuar është poeti për të humburit nga tmerri. Për ata që janë shpënë në kasaphanë. Për të mbijetuarit", do të shkruante vetë Rozewicz për poezinë e tij. Rrëfimi i vetë Różewicz-it për jetën e tij vjen tek "Nëna niset", një vepër pjesërisht memoar, pjesërisht ditar, pjesërisht biseda të regjistruara, pjesërisht poezi, ku na paraqet tablonë e një fëmijërie që nis me një nënë tejet fetare, e cila ka lindur hebreje, por më pas u bë pjesë e komunitetit katolik. Kur lindi Tadeusz-i familja jetonte në një qytezë, por ajo kishte kaluar vite në një fshat dhe përshkrimet e gjalla të jetës fshatare, që ai i evokon në "Nëna niset", i lanë mbresa të forta poetit në të kuptuarit e potencialit njerëzor. Poemat e para të tij qenë fetare dhe kurrë nuk e humbi vështrimin e idesë së të mirës dhe së keqes. Ai pa shumë nga kjo e fundit në jetë. Pasi studioi histori arti në universitetin e Krakovit nisi të botojë poezi dhe drama dhe bëri emër në të dy gjinitë, duke zhvilluar një stil kolazhi tek dramat.

Tadeusz Rozewicz 

Różewicz, i cili u nda nga jeta më 2014-ën, i përket brezit të parë të shkrimtarëve polakë të lindur, pasi Polonia rifitoi pavarësinë, në vitin 1918. Sipas botueses, Silvana Leka, ai mbetet një nga vijuesit më të rëndësishëm të poezisë madhështore polake të shekullit 20-të dhe ndjekës i denjë i rrjedhave letrare ndërkombëtare të avangardës. Emri i tij përmendet shpesh si kandidat për Çmimin Nobel. E nisi krijimtarinë nga viti 1944, duke krijuar 15 vëllime shumë të njohura e të vlerësuara me poezi, të përkthyera në 50 gjuhë të botës. "Ai solli një formë të re poetike dhe ishte gjithashtu mjaft novator në dramaturgji, duke rindërtuar ndjenja e kuptime të tjera mbi jetën në përfundim të tragjedisë së Aushvicit. Sipas Theodor Adorno-s, pas kësaj traume të kryer nga njeriu, zor se kishte më vend për ndjenja delikate, përmendjen vend e pavend të fjalës "humanizëm" dhe thuajse pamundësi për të shkruar ndonjë gjë autentike", shprehet Leka. 

Si poet, u rreshtua me ata që shpërfillnin atë çka pjesa më e madhe e njerëzve e mendonin si "poetike". Ai zgjodhi gjuhë të thjeshtë dhe një teknikë të gjerë moderniste për të kërkuar imazhet e përfundimeve më të errëta. Në këtë kontekst, poezia "tepër të thjeshtë", e Tadeusz Różewicz-it ka stil prej asketi, me mënyra shprehjeje që mund ta kuptojë edhe fëmija. Tekstura e zërit nuk ishte ndryshe nga ato që gjejmë edhe tek poetë të tjerë europianë të brezit të tij, Herbert, Milosz dhe Leopold Staff para tyre, por edhe tek Holub, Popa dhe Enzensberger. Poezia e brezit të tij ishte një burim kundër retorikës, një mënyrë e të folurit, me të vërtetën mes rreshtash, për politikën dhe dhunën. Me fjalë të tjera, Różewicz na kujton objektivistë si Zukofsky, Reznikoff, Oppen dhe Carl Rakosi. Syri i Różewicz-it ishte i pamëshirshëm, por poemat janë plot dhembshuri. "Fëmijëria është si ajo fytyrë e turbullt në një monedhë ari, që tringëllin pastër" shkruante në një poemë. Në një tjetër "Gërsheti", ai konsideron flokët e rruar të grave në kampet e luftës. 

Pasi të gjithë ngarkesës së grave
ia rruan kokat
katër të ngarkuar me fshesa degë mështeknash
pastrojnë
dhe mbledhin tok flokët
Pas xhamave të pastër
dergjen flokët e kufomave
të mbytur në dhomat e gazit
në këtë floknajë
plot gjilpëra me kokë dhe krehra
Floku nuk goditet përmes dritës
as nuk lëviz dot prej puhisë
s'mund ta prekë ndonjë dorë
as shiu apo buzët
Brenda gjokseve të mëdha
retë e flokëve të thatë
të atyre që u mbytën
qëndron një gërshet i venitur
me një fjongo
tërhequr mbase dikur në shkollë
nga djemtë çapkënë

Muzeu – Oshvjençim, 1948

Për poetin dhe kritikun nga Irlanda e Veriut, Tom Paulin, poetë si Różewicz-i flasin së brendshmi për mungesë besimi në shumë doktrina të cilave, në Perëndim, "u përmbahemi gjysmë vetëdijshëm dhe verbazi". Me servirjen e sendeve të rastësishme, të vdekura, indiferente, publike, Różewicz-i i jep lexuesit mundësinë për reflektim, sesi dora e padukshme e pushtetit dhe padrejtësisë vret gjuhën, ngrin të folmen dhe, në vend të shpirtit të gjallë, ofron skemë të vdekur të formës nga penda e Różewicz-it, përfundon Paulin. Różewicz ishte figurë e rëndësishme në poezinë moderniste, por modernizmi i tij kishte pak të bënte me teorinë dhe eksperimentet formale, si të tilla. Ka, në qartësinë e tij të ashpër, diçka përtej, një nuancë të hershme e prej Chagall ndoshta, ku jeta, në fund të fundit ishte e shenjtë, gjykon poeti dhe përkthyesi britanik, George Szirtes.

Poeti dhe dramaturgu i njohur John Osborne, i njohur në Mbretërinë e Bashkuar për sensin e tij kritik ndaj normave të vendosura sociale dhe politike, e sheh poezinë e 
Różewicz-it, si gjurmë amebe mbi xhamin e mikroskopit. "Poetët polakë, mes të cilëve edhe Różewicz-i, shkruanin mu në prag të heshtjes, duke testuar çdo fjalë kundër një realiteti kaq monstruoz. Si pasojë e kësaj kemi një poezi që nuk i beson fiksionit të vet, poezi që mëson gjuhën e respektit për të vdekurit dhe që zbulon etikën në kushtet e mungesës së estetikës", është shprehur ai, duke iu referuar poezisë "Gërsheti". Nëse diçka ekziston vërtet, kjo është poezia, fjalët e të cilës, të zhvoshkura nga iluzionet, flasin përtej nesh dhe për ne, që banojmë interregnum midis gjenocidit dhe shfarosjes së të gjithëve dhe gjithçkaje, midis holokaustit, që është pjesë e së shkuarës dhe diçkaje më shumë rrënuese, të cilën deri tani po mundemi ta vonojmë.

Për t'i shpëtuar regjimit komunist, Różewicz-i u largua nga Polonia në vitin 1950. Rrëfimi i tij hidhur, por gjithë përulësi i drejtohet "së kaluarës bashkëkohore" dhe ilustron dramat e jetës së sotme. Gjuha e poezive të Tadeusz Różewicz-it përputhet me personalitetin e shpërbërë njerëzor, me gjendjen e njeriut të çliruar, por të humbur mes botës formale e të zvetënuar. 
Edhe sot poezia e Różewicz-it tingëllon bashkëkohore, pasi autori shpreh ankthet e trazimet e një brezi, të karakterizuar nga lufta. Ai i shfaq lexuesit një botë të vlerave relative, njeriun e kthyer në objekt dhe të sunduar nga biologjia apo teknologjia.



17 December 2018

Botimet POETEKA sjell në shqip poetin e shquar polak Tadeusz Rozewicz.

"Botimet POETEKA" sjellin për herë të parë për lexuesin shqiptar vepër madhore për poezinë. Është përmbledhja e krijimtarisë së gjerë poetike të autorit të shquar polak Tadeusz Rozewicz.

Përveç poezive të qëmtuara me kujdes dhe që përfaqësojnë faza të ndryshme të krijimtarisë së këtij autori, botimi "Tadeusz Rozewicz – Përmbledhje poezish" shoqërohet edhe nga dy tekste që vihen në ndihmë të lexuesit për të komunikuar më mirë me krijimtarinë dhe për të pasur në duar disa çelësa, pa të cilët zor se mund të hysh brenda poezisë së njërit prej  poetëve emblemë për shekullin XX si Tadeusz Rozewicz. 

Dy emra të njohur në nivel ndërkombëtar, Tom Paulin me esenë "Fshehur në vetvete: poezia e Rơżewicz-it" dhe John Osborne, me esenë "Tadeusz Różewicz: Gërsheti" i bashkohen këtij botimi. Poezitë dhe esetë u përkthyen nga Astrit Beqiraj e Ben Andoni. Botimi u krye nga "Botimet POETEKA" në bashkëpunim me Institutin Polak të Librit.

 

Tadeusz Rozewicz për poezinë e tij. "Ne e kemi mësuar gjuhën nga mbishkrimet nëpër mure, këta njerëz dhe unë. Ajo ç'ka kam krijuar është poeti për të humburit nga tmerri. Për ata që janë shpënë në kasaphanë. Për të mbijetuarit."

 

Silvana Leka: (dy fjalë për autorin) Tadeusz Różewicz (1921-2014) - poet, prozator, skenarist, përkthyes dhe dramaturg - i përket brezit të parë të shkrimtarëve polakë të lindur pasi Polonia rifitoi pavarësinë në vitin 1918. Ai mbetet një nga vijuesit më të rëndësishëm të poezisë madhështore polake të shekullit XX dhe ndjekës i denjë i rrjedhave letare ndërkombëtare të avant-gardës. Emri i tij përmendet shpesh si kandidat për Çmimin Nobel.

Duke e filluar krijimtarinë që nga viti 1944, Tadeusz Różewicz krijoi 15 vëllime shumë të njohura e të vlerësuara me poezi, të përkthyera në 50 gjuhë të botës. Ai solli një formë të re poetike dhe ishte gjithashtu mjaft novator në dramaturgji, duke rindërtuar ndjenja e kuptime të tjera mbi jetën në përfundim të tragjedisë së Auschwitz-it. Sipas Theodor Adorno-s, pas kësaj traume të kryer nga njeriu, zor se kishte më vend për ndjenja delikate, përmendjen vend e pavend të fjalës "humanizëm" dhe thuajse pamundësi për të shkruar ndonjë gjë autentike. Në këtë kontekst, poezia "tepër të thjeshtë", e Tadeusz Różewicz-it ka stil prej asketi, me mënyra shprehjeje që mund ta kuptojë edhe fëmija.

Për t'i shpëtuar regjimit komunist, Różewicz-i u largua nga Polonia në vitin 1950. Rrëfimi i tij hidhur, por gjithë përulësi i drejtohet "të kaluarës bashkëkohore" dhe ilustron dramat e jetës së sotme. Gjuha e poezive të Tadeusz Różewicz-it përputhet me personalitetin e shpërbërë njerëzor, me gjendjen e njeriut të çliruar, por të humbur mes botës formale e të zvetënuar. Edhe sot poezia e Różewicz-it tingëllon mjaft bashkëkohore, pasi autori shpreh ankthet e trazimet e një brezi të përcaktuar nga lufta. Ai i shfaq lexuesit një botë të vlerave relative, njeriun e objektizuar dhe të sunduar nga biologjia apo teknologjia.

 

Tom Paulin: Poetë si Różewicz-i flasin së brendshmi për mungesë besimi në shumë doktrina të cilave, ne këtu në Perëndim, u përmbahemi gjysmëvetëdijshëm dhe verbtazi. Poezia e këtij poeti e ka flakur tej cilësorin "prekëse", çka nga kritikët e vendit tim i është ngjitur poezisë, si tipar i ndonjë bombe të padëmshme, boshe, që ata e admirojnë. Poezia-vazelinë, që u lëngëzon sytë, që të bën të mendosh mirë për shpirtin tënd, për hënën, yjet, rendin e botës – një poezi e tillë nuk do të dilte kurrë.

Me servirjen e sendeve të rastësishme, të vdekura, indiferente, publike, Różewicz-i i jep lexuesit mundësinë për reflektim, sesi dora e padukshme e pushtetit dhe padrejtësisë vret gjuhën, ngrin të folmen dhe, në vend të shpirtit të gjallë, ofron skemë të vdekur të formës nga penda e Różewicz-it.

 

John Osborne: Poezia e delikate e Tadeusz Różewicz-it, ngjan si gjurmë amebe mbi xhamin e mikroskopit. Poetët polakë, mes të cilëve edhe Różewicz-i, shkruanin mu në prag të heshtjes, duke testuar çdo fjalë kundër një realiteti kaq monstruoz. Si pasojë e kësaj kemi një poezi që nuk i beson fiksionit të vet, poezi që mëson gjuhën e respektit për të vdekurit dhe që zbulon etikën në kushtet e mungesës së estetikës. Le të marrim për shembull këtë poezinë "Gërshet", të Tadeusz Rozewicz-it.

 

 

Pasi të gjithë ngarkesës së grave

ia rruan kokat

katër të ngarkuar me fshesa degë mështeknash

pastrojnë

dhe mbledhin tok flokët

Pas xhamave të pastër

dergjen flokët e kufomave

të mbytur në dhomat e gazit

në këtë floknajë

plot gjilpëra me kokë dhe krehra

Floku nuk goditet përmes dritës

as nuk lëviz dot prej puhisë

s'mund ta prekë ndonjë dorë

as shiu apo buzët

Brenda gjokseve të mëdha

retë e flokëve të thatë

të atyre që u mbytën

qëndron një gërshet i venitur

me një fjongo

tërhequr mbase dikur në shkollë

nga djemtë çapkënë

 

Muzu – Oshvjençim, 1948

 

 

Nëse diçka ekziston vërtet, kjo është poezia, fjalët e të cilës, të zhvoshkura nga iluzionet, flasin përtej nesh dhe për ne, që banojmë interregnum midis gjenocidit dhe shfarosjes së të gjithëve dhe gjithçkaje, midis holokaustit, që është pjesë e së shkuarës dhe diçkaje më shumë rrënuese, të cilën deri tani po mundemi ta vonojmë.

 

02 December 2018

Tregimi PARANOJA i shkrimtarit Arian Leka në antolohjinë "A GOOD EUROPEAN", Gjermani

Si duket një europian i mirë?

Tetë autorë europianë tregojnë mbi vendet dhe përvojat përballë lirisë. Vendet nga vijnë përveç nocionit gjeografik kontinental janë po aq të ndryshëm e të largët, në zhvillimet historike, ekonomike, shoqërore e politike, sa edhe letërsitë e tyre. Tanja Dückers nga Gjermania, 
Oliver Rohe nga Franca , Arian Leka nga Shqipëria, finlandezja e lindur në Rusi, Zinaida Lindén, Vladimir Arsenejević nga Serbia, gjermani Nasrin Siege i lindur në Iran, francezja 
Wilfried N'Sondé e lindur në Kongo dhe gjermani Ilija Trojanow, i lindur në Bullgari janë bërë bashkë në antologjinë më të re letrare "A good Europian" (Europiani i mirë). 
Titulli i kësaj antologjie i bëri bashkë këta shkrimtarë të njohur europianë, të cilët janë shprehur mbi vetëdijen europiane dhe mbi konceptin e lirisë, në kuadrin e një projekti të gjerë europian, titulluar "Freiraum".

Shkrimtari shqiptar Arian Leka paraqitet në këtë antologji me tregimin "Paranoja", përkthyer në gjuhën gjermane nga Zuzana Finger. Në këtë tregim nënvizohet ideja se liria ekziston si një premtim, por mungon në jetën e përditshme që kalon nga shpresat në rënie. 
Pastaj se nga na mbive edhe ti. Liria vetë. Po. Vërtet. Më dhe liri. Gjoja. Por më ruaje prapëseprapë. Në distancë. Tani nuk më ruan as babai, as vëllai, as ti. Më është qepur vajza. Po, po, vajza jonë, ajo bukuroshja. Ime bijë, tha ajo dhe doli nga banja duke përplasur derën fort. Askush në shtëpi nuk e përdorte fjalën "diktaturë". E kemi zëvendësuar me "dikur" dhe "atëherë"…kështu shprehet një nga personazhet e tregimit të Lekës. Ko ide, se liria ekziston si një premtim, ideal, por mungon në përditshmërinë që ia venit shpresat, theksohet edhe në "Hyrjen" e antologjisë, shkruar nga Cristina Nord e cila, kur merr në shqyrtim tregimin e Arian Lekës thekson se kjo është jeta që, për sa kohë që je i ri, shfaq shumë mundësi përballë teje. Koha shkon dhe sa më shumë vendime merrni, aq më shumë biem, rrëzoheni, mundësitë pakësohen, mbetesh mënjanë dhe, njëlloj si protagonist në tregimin e Arian Lekës "Paranoja", vërejmë se kemi ndryshuar krejtësisht, e kemi humbur atë që kemi pasur, më së shumti lirinë, se jemi rënduar, nuk mundemi të fluturojmë dot si dikur dhe aty ku dikur priteshin të na dilnin flatra ka mbirë lesh i zi. Vazhdon zvarritja. Rënia.                                   Kaloj dorën nga gjoksi në shpinë. Kuptoj. Time shoqe. Në vendin ku duhet të më kishin mbirë flatra, siç i kisha i premtuar asaj, kanë filluar të mbinë qime dhe lesh i zi. E di. Nuk mundem të fluturoj. Jam njeriu që sjell bukë, por që nuk arrin të sjellë edhe gëzim në shtëpi. Ka të drejtë. Makinë që punon me mërzi jam bërë!

Autorët kanë sjellë për antologjinë letrare "Europiani i mirë" tregime, tema kryesore e së cilëve është "Liria në Europë". Tematikat janë të larmishme. Diku çelet një kopsht zoologjik, të cilin në fund e hanë njerëzit, një vajzë ka frikë nga helikopterët, një flirt rinor gjatë pushimeve në Kroaci shndërrohet në një akt akrobatik të së shkuarës dhe nostalgjisë.Autorët, secili zë përfaqësues për kulturën dhe letërsinë e tij, kanë përcjellë përmes larmisë së zhanreve dhe stileve, ç'do të thotë të jetosh në paqe, pasi ke përjetuar luftën dhe a shkojnë sot bashkë respekti për traditën dhe liria për ta jetuar jetën dhe nëse mund të ketë kufij të kapërcyeshëm dhe bashkëjetesë të sigurt. Ky projekt ka bërë bashkë 38 Institute " Goethe" në Europë dhe partnerët e tyre lokalë, për t'u marrë me çështjen e lirisë në qytetet e Europës dhe që adreson pyetje të gjera si ç'do të thotë fjala liri në Europën e sotme? Çfarë vlere ka liria? Ku ndihet më fort kufizimi i lirisë? A është liria në rrezik?

Të shkruarit dhe të rishkruarit rreth lirisë vjen edhe nga për të hedhur sërish dritë mbi këto koncepte në sfondin e një bote në ndryshim të vrullshëm, që ka dekonstruktuar dhe ia ka ndryshuar kuptimin koncepteve klasike. Dikur fjala "liri" ishte e kuptueshme dhe e vetëmjaftueshme, madje përdorej si fjalëkyç për temat mësimore. Kjo më së paku prej Iluminizmit e këtej. Por sot duket sikur kjo fjalë e ka humbur disi shkëlqimin, si për Europën vetë ashtu edhe për vendet e tjera të rajonit, që mëtojnë hyrjen në Europë. Ky ka qenë edhe shkaku që, për hartimin e kësaj antologjie u kërkua zgjerim i spektrit të mendimeve dhe këndvështrime nga shumë anë të çështjes. Pyetja nuk shtrohet më mbi lirinë si vlerë themelore, por se çfarë kuptimi ka marrë sot për ne shprehja "të jesh i lirë".A ka ndryshuar diçka në perceptimin tonë ndaj lirisë apo vetë koncepti i lirisë shfaq vlera të papërputhshme.

Mblidh veten, tha faqosësi e gazetës. Po të tregoj edhe të fshehtën e fundit, që të mbrohesh. Nëse do të jetosh në paqë, bëje pazarin larg shtëpisë. Aty ku nuk të njeh njeri. Edhe qesen e plehrave, bashkoje me qeset e fqinjëve. Flake aty ku nuk e gjejnë dot as evgjitët, as kamerierët, as policët, as lypësit dhe as ndërkombëtarët. E fundit fare! Hiq dorë nga qeset plastike. Bli një trastë lecke, që të mos duket se çfarë ka brenda dhe çfarë çon në shtëpi. Jemi të rrethuar, vëlla! Na survejojnë nga të gjitha anët. Por, por t'ua them të tjerëve më marrin për të çmendur…

Shkruan Arian Leka në tregimin "Paranoja", aq sa kur e përfundon së lexuari e ke kuptuar se paranoja e personazhit kryesor – heroit me tipare krejt të zakonta të një njeriu që nuk u bë dot gjeni, që nuk mundi dot të rritë flatra e të fluturojë jashtë atij kafazi të ndërtuar nga pushteti që rëndon, po aq në mos edhe më shumë se graviteti, që u konformua të jetë pjesë ingranazhi e sistemit që na detyron të përsërisim në pafundësi ( ose të paktën derisa janë të numëruara ditët tona në këtë tokë) detyrat dhe punët që na sigurojnë "bukën" në shtëpi – është ngjitëse…Ose ia kemi ngjitur ne.


https://gazetasi.al/si-duket-nje-europian-i-mire-e-percakton-kjo-antologji-e-re-letrare/


22 November 2018

Ardian Kyçyky - romani ATI - LIBRI ARTISTIK MË I MIRË I VITIT 2018 - BOTIMET POETEKA

Akademia KULT - ROMANI "ATI" I ARDIAN KYÇYKUT 

LIBRI ARTISTIK MË I MIRË I VITIT 2018

Romani "ATI" me autor shkrimtarin Ardian-Christian Kyçyku, publikuar nga "Botimet POETEKA", shpallet fitues si vepra letrare më e mirë e vitit, në konkurimin mes 5 emrave të tjerë të njohur nga letërsia shqiptare.

Ky roman vjen si një himn kushtuar prindërve, flijimeve të tyre të pafundme dhe heshtjes së përkorë i që shoqëroi, përkushtimit që jo gjithmonë u shndërrua në mirenjohje dhe keqkuptimeve të shumta me shoqërinë dhe kohën në të cilën jetojmë.

(Fragmente nga romani )

...Mbushte plot gjashtëdhjetë pranvera. E shoqja, Irma, dhe i biri, Adriatiku, duhej të kishin kursyer qimet e kokës për t'i blerë një tortë të vogël dhe gjashtëdhjetë qirinj. Ose kishin marrë hua gjëkundi. Më mirë të kishin paguar dritat.
Qirinjtë flakëronin. Kaherë shtëpia nuk pat qenë aq e ndritshme. Si për të dëshmuar se tepria e ndriçimit u bënte keq, Ati u përkul mbi të gjashtëdhjetë qirinjtë dhe u fryu. Me të njëjtin mllef do t'u kish fryrë edhe viteve të vet....

....Meri kishte rënë në dashuri me Atin. E nuk do ta kish marrë vesh njeri atë zjarr shfarosës që iu turr nga brenda banakieres bukuroshe, të mprehtë e gjuhëtrashë, po të mos kish vendosur të mos ia linte më as pronarit, as të shoqit...Tani ishte e dashuruar, nuk kish gjumë, shihte ëndrra të thekura me Atin dhe thurte plane t'i hapej, t'i falte në vetmi qoftë edhe një shkëndijë nga ai zjarr qiellor që e kish bërë tjetër njeri...

Skeda e librit:
Autor: Ardian-Christian Kyçyku
Titulli: Ati
Zhanri: Roman
Botimet Poeteka
Tiranë, 2017
ISBN 978-9928-230-06-5
Çmimi 700 Lekë

Foto: Joan Leka, Xhoel Leka

Erwin Einzinger: Poeti që vjen nga epoka e shkrimit me dorë

Suadela Balliu – Poeti që vjen nga epoka e shkrimit me dorë

Në kabinën e teleferikut që po e çonte për të dytën herë drejt malit të Dajtit, me të ishin edhe dy vajza, që kohën e udhëtimit prej trembëdhjetë minutash e shfrytëzuan të shkrepnin fotografi nga telefonat celularë. I kërkuan nëse mundej të zhvendosej në stolin përballë dhe nëse, mundej gjithaq, t'u shkrepte një fotografi të rejave, që deri atë çast ia kishin dalë vetë, duke qeshur e pozuar me sytë ngulitur tek ekrani i vogël. "Por unë nuk e di si përdoret. Nuk kam parë kurrë një të tillë" , u tha ai, ndërsa vajzat- prej të cilave kishte mësuar se ishin studente dhe punonin për një kompani italiane "call center" – të habitura e pyetën "Nga vjen ti?!" Më shumë sesa vendndodhja gjeografike e të huajit që po bisedonte në gjuhën angleze me to, kureshtja i çonte këto dy të reja, që kishin vendosur ta shfrytëzonin ditën e pushimit me një ekskursion në mal, të kuptonin se nga ç'epokë vinte ky burrë në moshë të mesme, të cilin teknologjia nuk e kishte prekur ende. Kështu rrëfen Erwin Einzinger, poeti austriak që prej një muaji po jeton si banor i Tiranës, në rezidencën e shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë, organizuar nga "Poeteka Albania" në bashkëpunim me ambasadën Austriake në Tiranë, në një vit të shpallur si viti kulturor mes dy shteteve; Austrisë e Shqipërisë. Por nuk është e vetmja ndodhi që ia përforcon pretendimin se, me pajisjet e teknologjisë së informacionit ka një marrëdhënie fare të largët, për të mos thënë asfare. Edhe me celularin e një modeli të thjeshtë, vetëm për të dërguar mesazhe apo për të bërë thirrje, që i dha mikpritësi ditën kur mbërriti në kryeqytetin shqiptar, nuk pati ndonjë farë afërsie. Por, kur i thanë se ishin përpjekur ta telefononin disa herë e nuk kishin mundur ta arrinin, kuptoi se në fakt celulari ishte në gjendjen e heshtur, "silent". Po ku ta dinte ai sesi mund të shtypje butonat, të shkoje tek udhëzimet, t'i ndiqje hap pas hapi për ta bërë më pas atë send të vogël të tingëllueshëm?! Mendoi të shkonte në ambasadën austriake, sigurisht jo për këtë, por për t'u përshëndetur me njerëzit që kishin bërë të mundur këtë vizitë të tij të parën, në shtetin shqiptar. Dikush aty i vendosi një melodi, në mënyrë që saherë ta telefononin ta dëgjonte e të përgjigjej e nuk do të mendonin gjithfarë skenarësh se si i huaj, mund edhe të kishte humbur rrugën, diku.

Erwin Einzinger dhe aktori Vasjan Lami

"Po ecja në shëtitoren e Pazarit të Ri kur dëgjova një zile të lartë telefoni. Mendova se zonjës aty afër po i binte telefoni dhe ajo nuk e dëgjonte. Zilja u bë më intensive dhe ngulmuese. Ktheva kokën nga ana tjetër dhe isha i bindur se do të qe telefoni i zotërisë që po kalonte pranë meje. Pas disa çastesh kuptova se ishte në fakt, telefoni im, të cilin e kisha vendosur në xhepin e mëngës së xhaketës sime", thotë ai, ndërsa e vendos celularin mbi tryezë dhe është i mendimit se opsioni "vibrate" mbase do të ishte më i volitshmi. "Kur u ktheva në shtëpi pashë një mesazh të shkurtër. Ishte ime shoqe, e cila më njoftonte se kishte mbërritur mirë në shtëpi dhe se më kishte telefonuar më parë, por unë, me siguri nuk do e kisha dëgjuar zilen."
Bashkëshortja, shton ai, ndërsa kthen një gotë të vogël me raki shqiptare, që ka marrë ngjyrë të kuqërremë, e ruajtur gjatë në enën e vogël prej druri, në barin "Hemingway", ka vetëm pak ditë që u kthye në shtëpinë e tyre në Micheldorf, pas një udhëtimi disaditor në jug të Shqipërisë. "Vizituam Beratin, Gjirokastrën, Sarandën dhe Vlorën. Peizazhi është i mrekullueshëm", thotë, ndërsa rrëfen sesi dikush nga shtëpia e tij botuese i rekomandoi një restorant të vogël në Berat – "I dërguam një kartolinë nga aty, më pas", jep më shumë hollësi poeti – sesi mësuesi i gjermanishtes në Shkodër e këshilloi të porosiste verë të mbyllur në Gjirokastër – "Porositëm një "Primitivo" italiane. Ishte vërtet e mirë", kujton. 
Kur mbërriti në Sarandë, dy javë më parë, "patëm mundësi të laheshim në det, në një plazh shumë të bukur me rërë të bardhë në Ksamil", shton, ndërsa bashkë me të shoqen ranë dakord se, vitin që vjen do të vijnë sërish në Shqipëri, për të vizituar ndoshta veriun, për të cilin dëgjoi se është po aq i bukur sa edhe riviera.

Einzinger në serën e tij, në Austri

I gjithë ky rrugëtim ishte eksplorim vetjak. Pajtoi një makinë me qira në Tiranë, bleu një hartë dhe bashkë me të shoqen u nis, pa e ditur rrugën. "Hasëm disa telashe me rrugët", thotë "Disa njerëz na këshilluan të mos i binim andej se rrugët ishin të këqija, por në hartë dukeshin në rregull. Isha edhe kureshtar të shihja sesi dukeshin rrugët e këqija. Tani e di", thotë duke qeshur, por përtej infrastrukturës rrugore, që nuk është se i la edhe aq përshtypje të keqe, natyra që i zbulohej teksa kalonte qafën e Llogorasë, ishte përrallore. "Më parë nuk largohesha edhe aq shumë nga shtëpia", thotë, teksa zbulon se pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar duke u mësuar fëmijëve anglisht, në shkollë. "E kam nisur punën në moshën 22-vjeçare, kur isha ende student. Nevojiteshin mësues për lëndën e anglishtes dhe unë udhëtoja nga Salzburgu, ku studioja në universitet drejt Micheldorf-it, që janë 140 kilometra. Jepja mësim tri ditë e më pas kthehesha në Salzburg, tek ime shoqe", atëherë nuk ishin martuar ende, saktëson.  Në moshën 50 –vjeçare vendosi të dalë në pension të parakohshëm për të shijuar ato që i kishte penguar vetes me kalendarin e ngjeshur të punës, ku i duhej të jepte mësim çdo ditë të javës, disa orë në ditë. "Përfitova nga një gjysmë pensioni, por kjo më dha mundësinë të udhëtoj shumë këta 15 vjet", thotë, ndërsa shton se tani i ka mbushur të gjashtëdhjetepestat. "Kam udhëtuar në Japoni, Kinë, Rusi… vende të cilat nuk do të kisha pasur mundësinë t'i vizitoja nëse do të vazhdoja të punoja si mësues". Profesion që, gjithsesi, e ka dashur shumë.

Edhe pse nisi të shkruante poezi në të njëzetat e tij, edhe pse ka të botuara disa libra me poezi dhe në prozë në Austri, ende prezantohet si mësues i gjuhës angleze. "Erwin, harrove të thoshe se je mësues i anglishtes", e ngacmojnë me shaka ata të shtëpisë botuese, gjatë ngjarjeve letrare apo panaireve të librit, sepse e dinë fort mirë se pas emrit, vjen gjithmonë fjalia "jam mësues i anglishtes". "Ti e di se je më shumë sesa aq, je shkrimtar!", i thonë botuesit, por këtë dimension e ka pasur me doza të përmbajtura ( jo në krijimtari, vetëm në prezantim), thuajse të fshehur. "Në vendin tim jam njeri i zakonshëm. Pak njerëz e dinë se jam shkrimtar", thotë dhe më pas kujton ditën kur u njoftoi nxënësve të tij se po dilte në pension. "Po ti je vetëm 50 vjeç!", thanë ata, "Si mund të dalësh në pension? Si mundesh të na lësh? U thashë se përveçse jap mësim, kam edhe një profesion tjetër që, edhe pse nuk më sjell shumë të ardhura, e kam shumë përzemër. Një nxënës më tha: "Unë e di, ti je shkrimtar. Tetoja ime ka një libër, ku lexova emrin tënd në kopertinë"". Pasi u nda me të vegjlit, ata i thanë të shkruante një libër për historinë e tij në shkollë, me nxënësit, "Ai po, që do të jetë një bestseller", më thanë. Më ngrohu vërtet zemrën sjellja e tyre. Edhe kur vjen ndonjë prej tyre në leximet që bëj apo më ndalojnë për të më thënë "A më mban mend?"Janë rritur shumë", thotë pa e fshehur emocionin që i shkakton ajo lidhje e gjatë me nxënësit e tij.

"Në vendin tim jam njeri i zakonshëm. Pak njerëz e dinë se jam shkrimtar", 

Nga gjuha angleze ka sjellë për lexuesin gjermanishtfolës disa shkrimtarë të njohur bashkëkohës, ndër ta edhe John Ashbery, një poet i njohur amerikan, i vlerësuar edhe me çmimin Pulitzer, për të cilin Einzinger rrëfen se ka ushqyer admirim të thellë, si lexues së pari. Kjo e çoi edhe t'i përkthente veprën e plotë në gjuhën gjermane. "Kur kishte diçka rreth së cilës isha i paqartë gjatë përkthimit i shkruaja Ashbery-it letra, ku i parashtroja problemin. Njëherë më tha, më dërgo e-mail dhe komunikojmë aty. Iu përgjigja se nuk kisha asnjë adresë elektronike dhe se, përdorja vetëm postën e zakonshme. Ai ma ktheu: "Po në cilën epokë jetoni ju, në Austri?" I thashë se të tjerët mbase kishin, por unë vetë jo." Edhe Ashbery iu përshtat epokës së Einzinger-it, ndërsa letërkëmbimi mes tyre, me letra të shkruara me dorë prej përkthyesit dhe të shtypura në kompjuter të poetit, u bënë me dhjetëra; një letërkëmbim i çmuar për të – tani që Ashbery ka dy vite që ka ndërruar jetë e nuk do të jetë e mundur t'i shkruajë më – por fatkeqësisht disa prej tyre humbën, kur i dërgoi në një shtëpi botuese, që kërkuan të nxirrnin disa citime prej atyre letrave. Me laps dhe letër nuk shkruan vetëm letrat (ndoshta për postierin ai është banori i asaj qyteze pranë pyllit, të cilin e sheh më shpesh.)

Edhe poezitë e tij ngjizen ashtu, me laps e letër. Mban një bllok të vogël shënimesh në xhep dhe saherë vëren diç të re, të çuditshme, të pahasur më parë, ose me të cilën mund të niste një poezi, shënon mbi të mbresa të vogla, që më vonë, do të shndërrohen në poezi të gjata. Poezitë e Erwin Einzinger ngjajnë shpesh si tregime apo copëza romanësh. Është vëzhgues i hollë i asaj çka e rrethon dhe vargjet e tij rrëzojnë çdo parafytyrim që një lexues mund të kishte rreth përkufizimit të poezisë, si zhanër apo të përmbajtjes së saj. 
Por, nëse dikush duke lexuar titullin "Ode e borës së shkrirë" do të prisnin të pasonin ca vargje lirike për bardhësinë, butësinë apo ndjenjat e ëmbla që të ndjell ky fenomen meteorologjik, pasi t'i ketë shkuar deri në vargun e fundit, do të futet në mendime se përse, kurrë më parë, nuk i kishte vajtur mendja ta shihte ashtu. 

Rrëfen sesa përshtypje i la një burrë, atje në rrugën "Hoxha Tahsin", pranë apartamentit ku po banon këtë muaj, që shqelmonte me këmbë një makinë qepëse të vjetër. "Mendova se ç'e shtynte atë njeri të bënte këtë veprim?! Këto gjëra mbërthejnë vëmendjen time"

Nuk ka shumë për të thënë rreth poezive të mia. Unë shkruaj rrallë dhe çuditërisht atë që shkruaj e bëj për kënaqësinë time, shprehej poeti kur libri i tij i parë me titullin e çuditshëm Gjuhë qengji të paketuara në celofan u vlerësua me çmimin letrar Georg Trakl. 
"Por a do të mjaftonte vetëm çmimi Georg Trakl dhe titulli i çuditshëm i librit për ta bërë lexuesin të kthejë vështrimin nga poezia ndryshe e Erwin Einzinger-it? Çfarë mund të priste lexuesi nga një poetikë si ajo, që braktis rëndësinë dhe seriozitetin e zakonshëm për të sjellë pamje plot humor të befasishëm dhe ndriçimin e tehut të ironisë?", thotë shkrimtari Arian Leka, mikpritës i Einzinger në rezidencën e shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë, këtu në Tiranë, ndërsa ua prezanton poetin austriak gjatë mbrëmjes poetike, në barin "Hemingway", ku një copëz nga krijimtaria e Einzinger lexohet në gjuhën gjermane prej tij dhe në shqip prej tri përkthyeseve dhe aktorit Vasjan Lami.    

Pasi ke lexuar disa poezi nga ai, të cilat i ka përzgjedhur nga periudha të ndryshme të krijimtarisë, ke ndjesinë se ai mund të bëjë poezi nga një realitet aspak poetik. Ai mjaftohet me vëzhgimin, pa dhënë mbresa personale "Nuk ka "unë" tek poezia ime. Nuk janë poezi për të thënë sesi ndihem unë. E shoh të shkëputur nga vetja. Ime shoqe ndonjëherë më thotë "E di se ku e ke parë këtë që ke përshkruar tek kjo poezi." Por unë harroj. Më mbetet vetëm copëza si material burimor dhe ritmi është i rëndësishëm për mua. Kur shoh diçka të re, që nuk e kam hasur më parë…" Rrëfen sesa përshtypje i la një burrë, atje në rrugën "Hoxha Tahsin", pranë apartamentit ku po banon këtë muaj, që shqelmonte me këmbë një makinë qepëse të vjetër. "Mendova se ç'e shtynte atë njeri të bënte këtë veprim?! Këto gjëra mbërthejnë vëmendjen time", thotë. I pyetur nëse ka gjetur ndonjë motiv nga Shqipëria për ta përdorur në poezitë e tij, shton se u trondit nga një libër në gjuhën angleze, që fliste rreth një tragjedie të madhe me humbje jetësh njerëzore, diku pranë aeroportit të Rinasit. Ka lexuar rreth shpërthimit në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec. "Besoj se, kur të kthehem në shtëpi, nga shtëpia botuese apo revista letrare do të më kërkojnë të shkruaj ndonjë ditar udhëtimesh", shton. Në listën e tij gjenden pamjet e përditshmërisë së botës, ku nuk mungojnë njerëz, kafshë, pemë, objekte dhe diçka e padukshme që syri nuk ka mundur ta kapë pa ndihmën e një poeti vrojtues si Erwin Einzinger, mendon Leka. "Pamjet janë aq të rëndomta sa, pas leximit të këtyre poezive nuk na dhimbset më bota, por vetja jonë, që fillon të dallojë se njeriu mbi pirgun e kotësive nuk qenkësh kurrkush tjetër veç tij."Poezisë së Einzinger nuk i përvidhesh dot me një të lexuar të atypëratyshëm, sepse edhe ndjesia që të lë nuk është e tillë. Të shtyn drejt një udhëtimi introspektiv. 

Ajo që të bën edhe më shumë habi, se ky poet- vëzhgues i mprehtë i realitetit që ndryshon çdo ditë me zhvillimet urbane e teknologjike, vetë është thuajse i pa infektuar prej tyre. Pranë një peizazhi kodrash, vë një reklamë rruge për shpëlarës goje apo ca lule plastike…Gjithë çfarë bota konsumeriste ka pranëvënë në natyrë. Ky listim i padobive tona, i mburrjeve, i mendjelehtësisë duket se na tremb. Edhe pamja e pazakonshme një poeti që mban shënim jetën tonë në përfaqësimet e veta të ulëta na tremb. Ai inventarizon ekzistencën në formën më të zbehtë. Erwin Einzinger mban shënim. "Pasi lexova poezitë tuaja, po mendoja se edhe poetët e mëdhenj të shekullit të 19-të apo edhe të 18-të, nëse do të jetonin në këtë epokë do të shkruanin kështu", i them e ndërsa falënderon, shton se ndihet i çliruar kur lexuesit e kuptojnë poezinë e tij kështu, thotë "Sa më shumë kalon mosha, aq më shumë mendoj për poetët e vjetër. Kur isha ri, në universitet isha shumë i interesuar për letërsinë avangarde dhe nuk doja të lexoja rreth Gëtes apo Rilkes. Tani më flasin poetët e kohëve të shkuara. Marcel Proust që shkruan aq gjatë e për gjëra të parëndësishme kam zbuluar se ka mbresa të mrekullueshme dhe bukuria qëndron tek gjuha, mënyra sesi e përdor atë", thotë poeti austriak dhe në atë çast ndërmend disa nga leximet publike të John Ashbery-it dhe sesi ai, me ton serioz, pa mimika apo intonacione të zërit i bënte të qeshnin me zë turmat që mblidheshin ta dëgjonin. "Ishte e pabesueshme çfarë arrinte të bënte ai me gjuhën!"

Gjatë mbrëmjes poetike, të 19 nëntorit, teksa lexon në gjermanisht poezitë e tij -kërkon falje paraprakisht për gjatësinë apo se mund të tingëllojnë shumë të çuditshme –publiku nuk i mban të qeshurat, të cilat vijnë dyfishe; në fillim ata që kuptojnë gjuhën gjermane e më pas, qeshin ata që mbajnë vesh përkthimin në shqip. (Do të kisha dashur t'i thosha atë çast, teksa ai qëndron në gjysmëdritën e skenës së vogël që mirëpret herë pas herë ngjarje kulturore në atë bar të ngrohtë, se ai duket ashtu siç përshkruante më herët Ashbery-in në ato leximet që shkaktonin të qeshura.) Kur e pyesnin Ashbery-in të habitur rreth mënyrës sesi e përdorte ai gjuhën, poeti amerikan do të përgjigjej se ishte njësoj siç një piktor përdor ngjyrat. Piktura herë mund të jetë realiste, herë impresioniste apo abstrakte. "Admira më pyeti për një nga poemat se përse bëhej fjalë. I thashë se është një lloj mbrese surrealiste. Ndonjëherë ndihem se nuk di t'i shpjegoj", thotë Einzinger, ndërsa e ka fjalën për bisedën që pati me përkthyesen në shqip, Admira Poçi, gjatë atyre tri orëve rrugë që bën nga aeroporti i Rinasit drejt Shkodrës, për një lexim në universitet. Rrëfen më tej se kur e shoqja iu bashkua në Tiranë, kishte sjellë me vete edhe një gazetë ku ishte shkruar një recensë për librin e fundit, botuar në muajin shtator në Austri. "Kritiku ishte shumë entuziast. I kishte pëlqyer gjithçka nga libri, por nuk i shpjegonte më tej se për se bëjnë fjalë. Ai u thoshte lexuesve "Duhet t'i vëzhgoni vetë." Isha shumë i lumtur për këtë."

Ime shoqe më ka këshilluar shpesh. Kur shkon për lexime, mos fol shumë! Më mirë lexo dhe kaq. Por ajo nuk është këtu"

Libri i tij i fundit me poezi titullohet "Derri i egër". Einzinger ndan me dëgjuesit historinë pas këtij titulli. "Unë dhe ime shoqe ishim këtu, në Tiranë dhe, vajza kishte marrë gazetën, ku kishte një artikull kritik mbi librin dhe ajo nisi të lexonte "Erein Eizinger, "Derri i egër" …Mbesa, kur e dëgjoi u mërzit nga kjo dhe i tha vajzës sime: "Po mami, gjyshi nuk është derr i egër!"Ndërsa ka dhuruar sërish të qeshura tek audienca, shton "Ime shoqe më ka këshilluar shpesh. Kur shkon për lexime, mos fol shumë! Më mirë lexo dhe kaq. Por ajo nuk është këtu", thotë duke qeshur, "Por unë nuk e kuptoj se po flas shumë". Titulli i parë i librit kishte të bënte me furça rrobash, titull që botuesi nuk e pëlqeu fort. "Botuesi më tha "I dashur Erwin", siç e di libri i mëparshëm titullohej "Njëqind makina qepëse" , duhet ta dish se ne nuk jemi botues të manualeve për pajisje shtëpiake. Kështu që, gjej një titull tjetër!" Ndërsa po vrisja mendjen, më ra në duar një libër me ilustrime, të cilin një shok i imi e çmonte shumë dhe aty pashë figurën e një derri të egër dhe vendosa ta titulloj "Derri i egër i çmendur". Ky titull është më mirë tha botuesi, por ta heqim atë të "çmendur" Derri i egër është mjaftueshëm i çmendur." Është shthurur natyra jonë, realiteti dhe bashkë me të edhe rendi njerëzor, apo mendja e një autori si Erwin Einzinger i bën më të afërta pamje që sytë tanë nuk i rrokin dhe teknika nuk dëshiron të na i sjellë më pranë?

"Një poezi si ajo që shkruan Erwin Einzinger kërkon shumë. Ajo ka harruar se jetojmë në shoqërinë e spektaklit. Ky poet zotëron lëndën poetike që del nga kaosi i jetëve tona", thotë Leka. "Ndihem i lehtësuar nëse njerëzit ndihen kështu sepse gjatë gjithë këtyre viteve, kritikët thonë: është i mirë interesant, por është pak i vështirë dhe kjo është gjëja më e keqe që mund t'i thuash dikujt që shkruan. Nuk ka asgjë të vështirë aty, është pikëpamje ndaj botës. Mbase kanë koncepte të ndryshme të të shkruarit", thotë poeti austriak. Edhe për shkrimtarin shqiptar, Arian Leka, poezia e Erwin Einzinger nuk është aspak e lehtë për t'u shkruar. "Për t'u lexuar jo se jo. Ajo është po aq e vështirë sa edhe profesioni prej mësuesi dhe prej përkthyesi, të cilat ecin prej dekadash së bashku me këtë poet."Si një mozaik mbresash. Kështu e sheh letërsinë e tij. I njëjti stil është edhe në prozë. Romanet janë të gjatë, zbulon, shkojnë deri në pesëqind faqe "Por lidhen me copëza të vogla. Përpiqem të vë bashkë mbresa udhëtimesh. i fundit titullohet "Një histori Perëndimi nga Kirgistani" dhe flet për një njeri që do të ecë më këmbë sa më larg drejt Lindjes për muaj e muaj." Subjekti, pranon ai, është vetëm grepi për të përdorur mbresat nga udhëtime. "Ata që e lexojnë deri në fund thonë se është i mrekullueshëm sepse gjithçka përputhet, por lexuesi mesatar humbet. Janë mësuar me histori normale, që vazhdon. Shkrimi im është i ndërprerë. Shpesh këta lexues më thonë se janë përpjekur ta lexojnë, por u është dukur shumë i gjatë…"

Çfarë tjetër më ka shpëtuar pa u vënë re, mes detajeve të shumta të këtyre poezive me densitetin e një romani të mirë?, pyet Arian Leka …Një koncert me muzikë dhome, ka kohë që ka mbaruar, zonjëzën, që ia ka këputur gjumit duhet ta prekin disa herë mbi sup, të zgjohet apo të mos gërhijë. Pastaj shfaqet një balerinë amatore që, në hutim e sipër, i bie me kokë një dollapi prej xhami. Pastaj shohim këpucë prodhuar prej letre dhe mbetjesh kartoni. Pastaj duket një vocërrak, teksa ecën me një karamele në gojë dhe që mban veshur çizmet me goma të trasha me bateri. Ja edhe një krijesë dembele, femër, me çizmet ngjyrë vjollcë, e cila ndalet mu para syve tanë për të fotografuar lulet e shkelura të një feste. E pastaj…?Në poezinë e Erwin Einzinger-it ka vend edhe për tubat mbajtës në autobusë që janë ngrohur nga duart e nxehta të pasagjerëve edhe për shitës të mallrave me pakicë dhe për një lavanderi të vogël në Shefild, në atë lagje ku kurvat janë shtuar shumë edhe ku çarçafët ndonjëherë mbajnë një aromë kundërmuese të glasave të pulave. Edhe për bastet e garave me kuaj, për shtëpiake, për një fëmijë me papuçe dhe pizhame, djem shakatarë dhe falltarë të fshehtë ka vend. Secili sjell pamjen dhe ndodhinë e tij të vogël. Si përkthyes dhe mësues i gjuhës angleze, rrëfen se nuk është marrë me përkthimin e poezive të tij në anglisht.

"Në universitetin e Teksasit, nuk e di si u kishin rënë në duar poezitë e mia dhe kishin përkthyer disa."Por kur e ftuan në një konferencë rreth poetit Gerard Manley Hopkins, në Irlandë, të vetmet poezi që kishte në gjuhën angleze nuk i pëlqenin më. "I kisha harruar edhe pse i kisha shkruar", thotë ndërsa u përpoq ato ditë të shkruante diçka origjinale, në gjuhën angleze. "U ula në një pub dhe pas dy birrave Guinnes, nisa të shkruaja. U bënë katër apo pesë poezi, të cilat nuk i di ku përfunduan. Ishin vetëm për atë rast." Rrëfen se ajo konferencë qe aq e mërzitshme, ndërsa dëshira e tij për të parë Dublinin më e madhe. "Ishte një kritik letrar italian, që e fliste anglishten aq keq sa nuk arrija të kuptoja përse po fliste. U përvodha nga salla, shkova në stacionin e vetëm të autobusëve të këtij fshati të largët dhe pyeta për oraret. Në orën 11:00, siç më tha edhe biletashitësja autobusi kaloi, ia bëra me dorë, por nuk u ndal. Pyeta sërish dhe më tha se ka qenë plot dhe kur është kështu nuk ndalet. Duhet të prisja tjetrin. "O zot ku jam", mendova. Nëse do të kisha pasur mundësi të kthehesha më herët do e kisha bërë. Ishte përvojë depresive. Edhe në Rusi pata të njëjtën ndjesi, por këtu në Shqipëri nuk jam mërzitur aspak. Njerëzit janë miqësorë dhe të sjellshëm, kudo."

Sjell ndërmend edhe njëherë bisedën me vajzat e kabinës së teleferikut, drejt malit të Dajtit. "Më thanë se ndoshta në veri të Europës njerëzit mund të jenë më inteligjentë, por ne këtu kemi më shumë zemër." Është e vërtetë që këtu njerëzit janë më të ngrohtë, por doja t'u thosha se nuk është e vërtetë se janë më të zgjuar andej."
Biseda rreth telefonave celularë nuk është mbyllur ende. Pandeh se të gjithë ata me ekran të madh, nga ku mund edhe të dërgosh e-mail, janë iPhone. Ende nuk ka dëgjuar për smartphone-ët dhe nuk e di se pajisjet që mbajnë simbolin e mollës së kafshuar, i përkasin thjesht një marke, mes qindrash. Ashtu si edhe veturat, ku si shumë të huajve i shkakton kureshtje të dijë se përse nëpër rrugët e Shqipërisë ka aq shumë makina Mercedes Benz. 
Në fillim të viteve 2000, thotë kur sapo kishte nisur moda e telefonave celularë, në rrugët e Romës – ndodhej për një veprimtari letrare- i dukej se të gjithë ata që mbanin dorën në vesh dhe flisnin me zë të lartë, i drejtoheshin atij. "Po si ia bën të jetosh pa një telefon celular Erwin?", e pyesin. "Ashtu siç kam jetuar përpara se të shpikeshin", u përgjigjet. Letra, megjithëse mund të ketë dalë nga moda, nuk është zhdukur dhe atij i mjafton të hedhë mbi të gjithë ç'i bën habi nga bota përreth, ndërsa shikimi i tij bëhet më i mprehtë se kurrë për të mbërthyer esencën e kësaj epoke, në të cilën jetojmë, shpesh pa e vënë re…

https://gazetasi.al/poeti-qe-vjen-nga-epoka-e-shkrimit-me-dore/

16 November 2018

TAKIM LETRAR ME SHKRIMTARIN AUSTRIAK: Erwin Einzinger

TAKIM LETRAR 
ME SHKRIMTARIN AUSTRIAK ERWIN EINZINGER
E HËNË - 19 NËNTOR 2018
ORA 19
HEMINGWAY BAR - TIRANA

Në program: lexime poezish nga autori dhe përkthyesit e tij, bashkëbisedim me të ftuarit dhe përurim i kartolinës letrare "Nga Austria me dashuri": Franz Nopsca / 2 poezi mbi shqiptarët dhe Shqipërinë.

Erwin Einzinger ka lindur në vitin 1953 në Kirchdorf, Austri. Ai studioi Letërsi Angleze dhe Gjermane në Universitetin e Salzburgut. Ai ka punuar si mësues gjimnazi në vendlindje dhe jeton në Micheldorf.

Duke filluar nga viti 1977 Erwin Einzinger ka botuar shumë vëllime me poezi dhe prozë, mes të cilëve: Das wilde Brot (novelë, 1995), Kleiner Wink in die Richtung, in die jetzt das Messer zeigt (poezi, 1994), Blaue Bilder über die Liebe (prozë, 1992), Tiere, Wolken, Rache (poezi, 1986), Das Erschrecken über die Stille, in der die Wirklichkeit weitermachte (prosë, 1983), Kopfschmuck für Mansfield (novel, 1985), Lammzungen in Cellophan verpackt (poezi, 1977).
Erwin Einzinger është gjithashtu i njohur edhe si përkthyes. Mes autorëve më të njohur që ai ka përkthyer nga anglishtja në gjermanisht janë John Ashbery, James Schuyler, Robert Creeley and William Carpenter. 
Krijimtaria e tij është përcjellë me vëmendje nga kritika dhe ajo është vlerësuar gjithashtu me çmime letrare. 
Erwin Einzinger është e pjesë e programit "Vitit kulturor Austri – Shqipëri 2018". Ai ka marrë pjesë në veprimtari të ndryshme letrare, duke përfshirë një leksion dhe lexime publike në Universitetin e Shkodrës, bashkëpunim me katedrën e gjermanistikës. 
Përveç takimit të ditës së hëne (19 Nëntor, 2018) Erwin Einzinger, në bashkëpunim me Klubin e Leximit të Letërsisë Austriake, do të ketë edhe një lexim publik në Tiranë, më 24 Nëntor, (Biblioteka e vjetër Kombëtare, përballë Parlamentit .

12 November 2018

Erwin Einzinger: Nga Austria me dashuri!

Einzinger: Nga Austria me dashuri!

Ende dëbora e parë nuk ka nisur të bjerë këtë nëntor në Shqipëri, por poeti austriak ka zgjedhur t'i përshëndetë lexuesit shqiptarë me poezinë e tij "Ode për borën e shkrirë". 
Është Erwin Einziger, i cili vjen në kartolinën letrare të muajit nëntor, "Nga Austria me dashuri". Me këtë poezi të përkthyer nga Admira Poçi, kartolina ka nisur rrugëtimin drejt duarve të lexuesve nga mjediset universitare të Shkodrës, në katedrën e gjermanistikës pranë Universitetit "Luigj Gurakuqi" dhe mjediseve letrare siç është Qendra rinore "Arka", po në qytetin veriperëndimor të Shqipërisë. 

 …Ikën ditët e lumtura, sepse një mbulesë bore iu këndua & ajo u përshëndet me thënie gazmore. Janë karnavalet. Burri me kapele me pupla nuk ndihet…

Erwin Einzinger u lind në vitin 1953 në Kirchdorf, Austri. Ai studioi Letërsi Angleze dhe Gjermane në Universitetin e Salzburgut, punoi si mësues gjimnazi në vendlindje dhe jeton në Micheldorf. Nisi të botojë vëllimet me poezi dhe prozë nga viti 1977 , por njihet gjithashtu si përkthyes nga gjuha angleze. Krijimtaria e tij është përcjellë me vëmendje nga kritika dhe është vlerësuar me çmime letrare. Aktualisht, Einziger është autor i ftuar në rezidencën letrare të Tiranës, si pjesë e "Vitit kulturor Austri – Shqipëri 2018". Nëntori e ka gjetur të përfshirë në veprimtari letrare – leksione dhe lexime publike në Universitetin e Shkodrës, bashkëpunim me katedrën e gjermanistikës. Për lexuesit shqiptarë shkrimtari dhe poeti austriak do të jetë i pranishëm në bar Hemingway, mbrëmjen e 19 nëntorit dhe në Bibliotekën Kombëtare, me Klubin e Leximit të Letërsisë Austriake, më 24 nëntor.

Komunikimi i lexuesit shqiptar me autorë të shquar austriakë përmes kartolinave letrare ka filluar prej Mars, 2018.
Nisma, e ideuar dhe e realizuar nga POETEKA, pati vëmendjen dhe mbështetjen e Ambasadës së Austrisë në Tiranë. Kjo nismë ka gjetur përkrahje në mjediset ku ajo ka mbërritur, duke u bërë komunikuese në mjediset publike ku njerëzit takohen, përfshirë edhe mjedise universitare si Fakulteti i gjuhëve të huaja, katedra e gjermanishtes, Universiteti i Shkodrës, Universiteti i Arteve, Tiranë, Universiteti i Korçës dhe i Gjirokastrës.Programi "Poetry Card – Nga Austria me dashuri" ka bërë edhe të pranishme letërsinë austriake në Shqipëri. Ky program botimi i shoqëruar me lexime publike, ka bërë gjithashtu të njohur edhe kontributin e çmuar të përkthyesve shqiptarë që kanë sjellë në gjuhën shqipe këta autorët austriakë, mes të cilëve Arshi Pipa, Lindita Arapi, Admira Poçi, Oriona Kraja Zylja, Majlinda Çullhaj, Irena Nasi, Migena Xoxa, etj.

Më herët kartolinat letrare kanë sjellë ballinën e revistës "Fryma", të vitit 1944, në të cilën u paraqit një poezi e Rainer Maria Rilke-s, përkthyer nga Arshi Pipa, nobelisten austriake Elfriede Jelinek, e më tej me pjesë të krijimtarisë së shkrimtarit dhe gazetarit të austriak, Joseph Roth, veshur me kostum tradicional shqiptar, me krijimtarinë poetike në dy gjuhë të shkrimtarit dhe përkthyesit Ilir Ferra, esenë e artistit austriak Christian Thanhäuser, kushtuar multikulturalizmit dhe arsyeve që e nxisin atë të kthehet vazhdimisht në Shqipëri, me tregimin "Hallë Lulja në Europë" (Tante Lulja in Europa), të autores Andrea Grill, me fragmentin nga krijimtaria e Christine Nöstlinger dhe së fundi, poezinë e Erwin Einzinger. Pjesë e projektit janë edhe dy poezi thuajse të panjohura të albanologut të shquar Franz Nopsca, ku autori paraqitet i veshur me kostum shqiptar. 
Projekti "Kartolina letrare – Poetry Card – nga Austria me Dashuri" do të kurorëzohet në qytetin e Shkodrës gjatë muajit Dhjetor, me paraqitjen e të gjithë këtij cikli prej 10 kartolinash.

https://gazetasi.al/nentori-i-dashurise-vjeneze/


08 November 2018

„Shqipëria në fokus“ - shkrimtarët shqiptarë në Panairin Ndërkombëtar i Librit në Vjenë

„Shqipëria në fokus" - Letërsia shqiptare vjen në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Vjenë, Buchwien 2018, me 8 e 9 nentor, me 4 autorë e përkthyes shqiptarë në bashkëpunim me Traduki. TRADUKI është një rrjet evropian për letërsinë dhe librat, ku marrin pjesë vende të Evropës dhe të rajonit juglindor të Evropës, i cili mbështetet shkëmbimin letrar nëpërmjet një programi përkthimesh nga letërsia, libra eseistikë si dhe libra për fëmijë e të rinj.
Letërsia bashkëkohore shqiptar
- Eseisti i mirënjohur Arian Leka paraqet fragmente tekstesh dhe tregon për zhvillimin e ri letrar në Shqipëri dhe jetën letrare në Tiranë.
- Agron Tufa prezanton tekste të reja dhe dhe flet për trashëgiminë e vështirë të Shqipërisë dhe sfidat për punonjësit e kulturës në vendin e tij.
- „Nga Durrësi në Vjenë"- Shkrimtari shqiptaro-austriak Ilir Ferra paraqet një tekst të ri rreth pritjes së refugjatëve hebrenj në Shqipëri.
- Lindita Arapi lexon pjesë nga romani i saj i cili ka fituar dissa cmime "Vajzat me çelës në qafë", i botuar edhe në gjermanisht "Schlüsselmädchen" dhe bisedon me moderatoren rreth imazhit të Shqipërisë në botën gjermanofolëse.

Lexime nga Nikolaus Kinsky.
Diskutimet moderohen nga kuratorja austriake dhe njohësja e mirë e letërsisë shqiptare, Annemarie Türk.

***
„Focus Albania" - On November 8 and 9 at the International Book Fair in Vienna, #Buchwien 2018, #Albanianliterature will be present with 4 Albanian authors and translators, in collaboration with Traduki. #TRADUKI is a European network of literature and books, involving European and SEE countries, which supports literary exchange through a translation program for fiction, the humanities as well as books for children and young people.

New literature from Albania 
- The well-known essayist, Arian Leka, presents texts excerpts and talks about new literary development in Albania and the literary life in Tirana.
- Agron Tufa introduces new texts and talks about the difficult legacy of Albania and the challenges for the cultural workers of his country.
- From Durrës to Vienna: The Albanian-Austrian writer, Ilir Ferra presents a new text about the welcoming of Jewish refugees in Albania.
- Lindita Arapi reads from her award-winning novel "The girls with the key around their neck", published also in German "Schlüsselmädchen", and talks to the moderator about the image of Albania in the German-speaking world.

Readings by Nikolaus Kinsky.
Discussions moderated by the Austrian curator and the Albanian literature´s connoisseur, Annemarie Türk.

Total Pageviews