Të nderuar lexues!
"Letërsia shqiptare, përkthyer në gjuhët e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor, (të dhëna, vëzhgime dhe analiza: 2015-2020)" është titulli i studimit të botuar së fundmi nga POETEKA, me mbështetjen e BE-së, në kuadër të projektit Balkan Translations Collider, bashkëfinancuar nga Programi Creative Europe (European Union in Albania).
Si çështje e debatit shkencor, studimi mbi përkthimin e letërsisë shqiptare në gjuhë të huaja e vë theksin mbi procesin përkthimor, përkthyesit, letërsinë e migracionit dhe atë të dygjuhësisë, për të krijuar panoramën e funksionimit të kësaj letërsie në kultura të tjera.
Përmes kësaj synohet të bëhen të dukshme arritjet dhe problemet e hasura gjatë procesit si dhe mungesat apo vështirësitë me të cilat ballafaqohet letërsia shqipe gjatë përkthimit.
Studimi nuk mëton të jetë shterues, por paraprijës dhe fillesë e një rrugëtimi më të gjatë, që do të pasurohet dita-ditës me zgjerimin e zonës së kërkimit dhe elemente të tjerë më gjithpërfshirës.
Nga pikëpamja e gjeografisë së kërkimit studimi prek hartën kulturore të 25 shteteve të kontinentit europian, duke shqyrtuar 19 gjuhë të gjeozonës. Organizimi i lëndës zhvillohet nën termat e dendësisë së shkëmbimit, duke veçuar: I. Zonën e shkëmbimit të lartë; II. Zonën e shkëmbimit të mesëm; III. Zonën e shkëmbimit të ulët.
Këtij kriteti i bashkëngjitet edhe ai i intensitetit në shkëmbim, duke veçuar: I. Zonën - letërsi e mirënjohur; II. Zonën - letërsi e njohur; III. Zonën letërsi pak e njohur. Prej këtej, termat "letërsi të vogla", "letërsi të mëdha", "gjuhë minore" apo edhe "literaturë e njohur / e panjohur", paraqiten si referenca identifikuese.
Veç tekstit, studimi ofron edhe tabela të veçanta për Shqipërinë dhe Kosovën, lidhur me frekuencën e përkthimeve shqiptare drejt gjuhëve të shqyrtuara të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor si dhe grafikë përgjithësues e lista emërore të autorëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, që kanë libra të dhe botime publikuar në organe shtypi gjatë viteve 2015 – 2020.
Me nderime, POETEKA