25 March 2016

gazeta shqiptare - interviste me Petra Rosandić

Petra Rosandić: Luftërat e humbura të njerëzimit

 

NGA FATMIRA NIKOLLI*


"Dashuria nuk është martesë, nuk është dokument, dashuria nuk është marrëdhënie, nuk është letër, nuk është marrëveshje, as unazë, as fëmijë, është dashuri". Ajo është një njeri letrash, që bart me vete emrin e gurit. Çdo ditë të marsit ka bërë të njëjtën udhë; nga një shtëpizë në rrugën "Derhemi", ka dalë në rrugën "Hoxha Tahsin" e mandej, i është drejtuar qendrës, ku është ulur para Operës, e prej aty, ka parë qytetin të jetojë, të "marrë frymë". "Në fillim të rrugës, shoh përditë një dyqan që shet zogj në kafaz. Është shumë e trishtueshme. Aty është një lepur i bardhë në një kafaz që e lënë jashtë dyqanit. E ledhatoj dhe iki".

Petra Rosandiç ka tri javë në Tiranë. Poetja e re kroate, është mikja e parë e Rezidencës së Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë "Tirana in Between" (themeluar nga Poeteka në bashkëpunim me rrjetin TRADUKI e Ministrinë e Kulturës). I pëlqejnë palmat, i pëlqen "arkitektura" në Tiranë, ndërtimet e gjithfarëllojshme ku asnjë godinë nuk ngjan me një tjetër. "Është gjallëri ky që ju e quani kaos", thotë Petra, ndërsa shton se do të donte të thoshte se i pëlqen natyra, por marsi e ka pritur dhe po e përcjell me shi.

"Kam takuar njerëz të mirë, më pëlqen Blloku, shkoj në 'Hemingway', më pëlqen ushqimi, më pëlqen kafeja, jam përpjekur të flas shqip, por kam ngatërruar theksin ose fjalët dhe kanë qeshur me mua dhe më pas kam qeshur edhe unë". Petra pranon se ka ardhur me paragjykime, "por si shumë të tjerë para meje, kam kuptuar se isha gabim". Poete, koreografe dhe e dashuruar me filozofinë, ajo është krejt ndryshe nga poezitë e saj; nëse ato janë të trishta, ajo është plot gjallëri. Por mbase nuk janë vargjet të trishta, mbase janë realitetet të tilla, nëse i shohim ato në sy.

Në një bisedë për "Gazeta Shqiptare", bihet dakord se njerëzimi ka dështuar ta bëjë botën një vend të mirë, se luftërat e përhershme duhet të kenë fund, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për luftërat me armë. "Kur unë vdiqa", dorëshkrimi i saj në anglisht, shpalos gjendjen e të qenit në mes. Prej aty, me sy të qashtër sheh përtej – para se të provosh lirinë e fundme e atë të plotën. Petra u përgjigjet disa pyetjeve ngritur mbi vargjet e saj.

– Ju shkruani se qyteti është ajo që ndjen mbi lëkurë kur sheh dikë në rrugë. Çfarë ndjen Petra në lëkurë kur sheh dikë në Tiranë?

Vargu ishte për qytetin tim. Kur i qesh dikujt në rrugë dhe nuk të njeh. Është ndjenjë e tmerrshme. Kam takuar njerëz të mrekullueshëm në Tiranë dhe tani pas më shumë se 20 ditësh e ndjej si vendin tim. Jam vërtet e trishtuar që duhet të iki. Kam miq këtu tashmë.

– Ky varg, kur e lexon të bën të mendosh se njeriu është ajo që ndjen – nëse je mirë me veten, je mirë edhe me qytetin.

Jam dakord. Por është këndvështrimi juaj. Secili e sheh ndryshe imazhin tim. Mendoj se gjëja e rëndësishme e të ndjerës, është njeriu që ndjen. Njerëzit janë në mënyrë të barabartë të lumtur e të palumtur kudo. Nuk kam parë këtu më shumë njerëz të palumtur sesa kam parë në vendin tim.

– Poezi, koreografi dhe filozofi, janë tri lamitë ku endeni. Nëse kërcimi është poezi, si i lëviz filozofia të gjitha?

Poezia e koreografia lidhen, siç lidhet çdo art me një pjesë tjetër të vetes. Çdo gjë është mbi lëvizjen, sepse lëvizja është diçka që ndan gjendjen e të qenit i vdekur, me gjendjen e të qenit gjallë.

– Dhe të gjitha nisin nga një mendim, nga një ide?

Po, çdo gjë nis aty. Madje edhe mendimi është lëvizje. Mendimi lëviz protone e elektrone, është ai që i bën lëvizjet, ndaj duhet të mendosh shumë për të shkruar dhe nuk duhet të shkruash çdo gjë që mendon.

– Çfarë po shkruan në Shqipëri?

Kam filluar të shkruaj tregime të shkurtra, gjë që nuk e kam bërë më parë. Në një farë mënyre jam mërzitur duke shkruar librin tim të dytë me poezi, u mërzita me të shkruarin e poezisë.

– Por kjo u ndodh shkrimtarëve kur mbarojnë një libër.

Po, por disi ndihem sikur nuk mund të shkruaj më poezi. Kam menduar se jam poete, por prej disa muajsh unë nuk mendoj dot në termat e poezisë. Më pas kuptova se kam filluar të mendoj në rreshta e fjali tregimesh dhe kam filluar të shkruaj, por do më marrë kohë.

– Ke shkruar se "nuk ka pasur kurrë paqebërës". Ne kërkojmë gjithnjë paqe duke e ditur që nuk ka aq paqebërës për aq kohë sa ka kaq shumë luftëra, gjithnjë luftëra. Jo vetëm luftëra me armë, por luftëra të çfarëdoshme, edhe luftëra me veten.

Këto të tjerat, këto luftërat e tjera janë mbase më të këqija se ato me armë. Ka luftëra të përhershme në planet, që prej përherës, që prej njerëzimit. Nuk është gjë normale, por në një farë mënyre ne duhet të jemi në një luftë, dhe nuk e di pse, ndodh gjithnjë kështu. Është një varg pesimist sepse është një poemë për mua, ose për një njeri në gjendje vdekjeje, kur je në mes të jetës e vdekjes. Njeriu që vdes ndahet tek 7 bilionë njerëz, me të cilën unë nënkuptoj se jemi të gjithë njësoj, dhe nëse unë vdes, çdo gjë do vijojë të jetë njësoj.

– Asgjë nuk ndryshon, në mënyrë të vazhdueshme ne jemi njësoj? Për sa mund të vazhdojë kështu?

Unë flas për Nënën e Madhe që duhet të krijojë një njerëzim të ri, tjetër. Sepse ky njerëzim është i dështuar. Është një mendim pesimist, sepse në kohën që shkrova, po mendoja se si ky njerëzim dhe njerëzit në përgjithësi duhet të shkojnë drejt fundit. Dhe duhet filluar nga fillimi. Këto që po ndodhin po i bëjnë gjërat keq e më keq, dhe mbase do të ishte mirë të ndalonte këtu.

– Kjo po ndodh se ne nuk dimë të jetojmë?

Po, pikërisht. Në një farë mënyre ne nuk e meritojmë të jemi në tokë, nëse vazhdojmë të jemi kështu.

– Por, nëse 'jemi ndarë në 7 bilionë', edhe njerëzimi i ri do jetë si ne?

Kjo ishte çështja në poezi; njerëzit që vijnë pas njeriut që vdes (ikën), janë sërish plot me ankth, urrejtje, lëndojnë veten e të tjerët.

– Duket sikur "rrëzohet" edhe rimishërimi dhe ideja e një shpirti që përmirësohet, jetë pas jete?

Nëse ne do jemi ekzaktësisht kështu, po. Dhe ne në fakt jemi të njëjtët. Nuk mendoj se ne po ndryshojmë për të qenë më të mirë. Jemi të njëjtët njerëz të këqij, si para 1000 vitesh, e ky është shqetësimi im. Siç ju thatë, rimishërimi, është diçka që në teori është një proces për të bërë njerëz më të mirë, por në fakt nuk po ndodh.

– Në këtë pikë, nuk është vetëm dështimi ynë, pra jo vetëm i njerëzimit, por edhe i Nënës Natyrë, edhe i Zotit, edhe i Universit apo i energjisë, i cilësdo që ka krijuar?

Zoti nuk ekziston, mendoj, ose nuk mundet të ekzistojë, është materie. Materia është Zot. Por, po, ka dështuar! Nëna e madhe, Universi ka ndaluar së shqetësuari e së kujdesuri për ne. Mbase Universi na dërgon disa shenja që të thotë se ne duhet të ndryshojmë, pasi në të kundërt s'do jemi më mirë. Do jemi për pak kohë në tokë, ndaj duhet të menaxhojmë sa mundemi kohën tonë, jetën në tokë, praninë tonë në tokë, të kryejmë diçka, të lëmë diçka pas. Por, përtej këtyre duhet të jemi optimistë.

– Megjithatë, ju thoni se "është vonë, kudo të shohësh".

Kudo të shohësh je vonë, sepse gjërat ndodhin edhe nëse je, edhe nëse s'je. Jetët tona janë mbase të pavlera, ne jemi asgjë, jeta ime ka vlerë për mua, por ne nuk jemi të rëndësishëm. Gjërat do ndodhin sërish, edhe nëse je pjesë e tyre edhe nëse jo, ato vazhdojnë. Çdo gjë lëviz e do jesh vonë për diçka që ndodh.

– A ia vlen prapë të përpiqemi?

Po, gjithnjë. Nuk ka problem të jesh pesimist. Është e shëndetshme, në kuptimin që ti po mendon dhe je gjallë, dhe do të thotë se je i ndjeshëm ndaj gjithçkaje përreth. Për disa njerëz që drejtojnë botën, do ishte mirë të kuptonin se ata nuk janë aq të mëdhenj sa mendojnë se janë.

– Ju flisni në vargjet tuaja për "madhërinë e shurdhërisë" dhe për lirinë. Ne e kërkojmë lirinë gjithnjë, jo vetëm lirinë nga burgu, por edhe nga burgjet që i vëmë vetes. A do e gjejmë?

Mendoj se, edhe nëse je në burg, nuk je i ndarë nga bota, se bota është brenda teje. Ti je bota, nuk ndahesh prej saj, jemi pjesë e së njëjtës gjë. Vargu është për njeriun që është në gjendje vdekjeje. Kur vdes, shqisa e fundit që humb është dëgjimi. Sensi i fundit që ke është ai. Nuk sheh, por dëgjon. Liria është fundi, është vdekja. Je i lirë nga ekzistenca jote, nga qenia. Atëherë je tërësisht i lirë, i lirë të lësh trupin e shpirtin. Më erdhi një mendim tani – mbase kjo do të thotë se ndonjëherë është mirë të mos dëgjosh të tjerët, mbase liria është të mos dëgjosh.

– Mbase kështu njeriu mbetet vetëm?

Mbase duhet të jemi vetëm sa të mundemi. Jo ti, jo unë, por njeriu. Shumë njerëz nuk janë mirë me veten dhe nuk e njohin veten, ose kanë frikë të rrinë vetëm, të mbeten vetëm. Ky është problemi, nuk janë të ndërgjegjshëm kush janë, nuk janë familjarë me natyrën e tyre. Nuk duhet të kërkosh të tjerë të të mbushin ty, duhet të ndihesh e plotë me veten.

– "Kur unë vdiqa" shkruani ju. Po çfarë është vdekja?

Është çdo lloj vdekjeje. Fundi nuk ekziston, nuk ke lindur dhe nuk vdes, je pjesë e së njëjtës energji. Një pjesë jeton gjithnjë. Trupi nuk jeton gjithnjë. Ajo poemë e ndarë në pjesë është trishtimi i tërë botës.

-Milan Kundera përmes personazheve të tij flet për trupin pas vdekjes, të lësh trupin me njerëz të panjohur. Ne mendojmë për vdekjen si për jetën, për trupin e vdekur si për trupin e gjallë, për trupin me shpirt si për trupin pa shpirt. Ju keni tjetër këndvështrim?

Kjo është në kulturën tonë. Ndonjëherë mbase jemi egoistë dhe duam të jemi të lidhur me të afërmit tanë, përmes një vendi ku u vëmë lule. Por unë shpesh pyes: pse na duhet varri?

– Si një vend ku mundesh sërish të takosh atë që ke humbur. Për t'i folur, për t'i treguar, për të thënë që ke mall?

Shpesh njerëzit që kanë humbur dikë në luftë, e trupi i të cilit nuk është gjetur kurrë, nuk janë në paqe, sepse nuk e dinë se ku është trupi. Unë mendoj se jemi egoistë. Kur vdes, nuk ke pse shqetësohesh për trupin; pse duhet ta bësh?!

– As për duart me të cilat shkruan, apo ndjen lëkurën tënde, prek fytyrën tënde?

E vlerësoj trupin tim, por nuk kam menduar ndonjëherë për trupin tim si diçka që është aq i rëndësishëm. Nuk është zgjedhja ime ky trup – unë mund të kisha pasur tjetër pamje. Është gjenetike, ose është si një kuti çokollate: nuk e di asnjëherë se çfarë ka brenda. Trupi është 'maska' jote. Si kërcimtare, për mua trupi ka rëndësi, por komandohet nga shpirti, nga energjia. Mund të kërcej me trupin tim, por nëse nuk komandohet nga energjia, nuk është më kërcim, është lëvizje, por nuk është art. Trupi është diçka që e përdor për të treguar diçka tjetër.

– Ju ironizoni masonët në një poezi tuajën. Pse?

Ishte një ëndërr në fakt, dhe e kam përshkruar siç e kam parë. Është sarkastike; kam bërë shaka me ta dhe me inteligjencën e tyre, dhe me veten time, se si jam një njeri 'askushi', që nuk "arrij nivelin e tyre të inteligjencës".

– Cilët janë masonët, sipas jush?

Një apo 2% e njerëzimit që kontrollojnë botën. Masonët mund të zëvendësohen me këdo që drejton botën. Ata janë zotët tanë – ata na bëjnë të besojmë që jemi të rëndësishëm, që duhet të blejmë sa më shumë, e të besojmë çdo gjë që shohim në TV, çdo gjë që lexojmë. Është si filmi me Jim Carrey "Truman Show", ose "Big Brother". Është një "Big Brother" dhe shumë njerëz s'e dinë që janë pjesë e "Big Brother".

– Ju keni shkruar për "Vita Minima" në një kohë që ishit dhënë shumë pas filozofëve Emile Cioran dhe Antonin Artand. A mendoni se të mosditurit të bën të lumtur, për aq sa një njeri, një qenie mund të cilësohet e lumtur?

Nuk jam kaq pesimiste në jetën e përditshme. Unë shijoj çdo çast të të qenit unë, dhe jam e lumtur që jam gjallë. Nuk rri në shtëpi të urrej këdo. Ka një lumturi të atyre njerëzve që nuk dinë asgjë. Mungesa e informacionit, e dijes, është shpesh lumturi për disa njerëz. Ata janë të 'lumtur', kanë informacione të servirura prej të tjerëve dhe mendojnë për gjëra që nuk janë të komplikuara.

– Kjo, a do ishte mënyra e duhur e të jetuarit?

Për ata. Unë nuk do e doja kurrë. Nuk do isha askush tjetër përveç vetes.

– Në shumë prej poezive tuaja nuk lexova për dashurinë, për dashurinë si eros, për dashurinë për një burrë. Pse? Kjo dashuri, a e bën njeriun më të mirë?

Dashuria, nuk ka qenë kurrë tema ime. Mbase jam poliamore, unë nuk mund ta ndaj atë entitet dashurie; dashuri burrë-grua, dashuri nënë-fëmijë, apo dashuri miqsh. Është e gjitha dashuri. Dashuria është diçka që duhet të ekzistojë falas. Nëse e do dikë, është ta duash të jetë i lumtur. Pikë. Nuk ka një "por". Është të duash të tjerët të jenë të lumtur, jo të duash ta kesh pranë e ta shohësh çdo 'tani e pastaj' që do. Ka miq që i sheh rrallë, por i do sërish njësoj. Dashuria nuk është martesë, nuk është dokument, dashuria nuk është marrëdhënie, nuk është letër, nuk është marrëveshje, as unazë, as fëmijë, është dashuri.


http://www.balkanweb.com/site/petra-rosandic-lufterat-e-humbura-te-njerezimit/


(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

23 March 2016

Petra Rosandić: - MAPO - INTERVISTË

Petra Rosandić: Poezia që vallëzon jetën


Gjuhëtare, koreografe, aktore, piktore  e poete… Petra Rosandić, mikja e parë e Rezidencës së  Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë në Tiranë rrëfen marrëdhënien me poezinë, letërsinë e angazhuar me problemet që shqetësojnë shoqërinë dhe lidhjet me artet e tjera,  që për të janë një rrjetë e madhe në shërbim të së tërës. Rosandić zbulon edhe jetën e një shkrimtareje të re në Kroaci…

 

Nga Suadela Balliu 

 

19 Mars 2016

 

http://www.mapo.al/2016/03/petra-rosandic-poezia-qe-vallezon-jeten

 

 

Lëvizja, ajo çka ndan jetën  nga ata që kanë reshtur së marri frymë.  Edhe kur është në formën e saj më delikate, në fëshfërimën e gjetheve, të një dege peme apo një fijeje të hollë bari, bëhet objekt magjepsjeje për poeten, e cila mund të rrijë me orë të tëra duke kundruar këtë shfaqje të natyrës së gjallë. Imazhe dhe ndjesi që përkthehen në vargje …ose në vallëzim. Është pikërisht lëvizja, ku  Petra Rosandić –poetja  e re kroate, mikja e parë e Rezidencës së  Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë "Tirana in Between" –gjen  pikëtakimin e poezisë me koreografinë, së cilës i ka kushtuar kohë dhe punë.

Poezinë nisi ta shkruajë kur ishte 8-vjeçe, atëherë kur i hidhte vargjet pa e ditur  ende se ç'do të thoshte poezi. Kuptimin ia mësoi pasi kishte bërë një copë rrugë duke shkruar . "Isha  19 vjeç kur ndjeva se isha lodhur duke shkruar . Mendova se nuk do të shkruaja më. Isha e frustruar"- kujton ajo, ndërsa citon një shprehje të shkrimtarit gjerman Thomas Mann, i cili e përkufizon shkrimtarin si dikush për të cilin të shkruarit është më i vështirë sesa është për njerëz të tjerë.

Kështu e ndjeu asokohe  poetja kroate, autore e dy librave me poezi "Ako dugo držiš usta otvorena" që në shqip do të përkthehej "Nëse do ta mbaje gojën hapur për një kohë të gjatë"  dhe "Antikrishti i tretë" , i cili do të botohet së shpejti në Kroaci dhe Serbi.

Ishte koha kur zbuloi pasionin për vallëzimin dhe iu kushtua vallëzimit dhe koreografisë si show dance choreographer . "Nuk kam studiuar koreografi, sepse në Kroaci nuk kemi një shkollë për koreografi, siç mësova që ka në Shqipëri. Kështu që e kam mësuar vetë" –rrëfen  Petra, ndërsa zbulon se ka punuar disa vjet si koreografe.

Lirikat janë  ato çka Petra Rosandić përkthen në lëvizje dhe figura koreografike në rrymën e kërcimit  modern "Lyrical Jazz dance", që në thelb ka pikërisht përshkrimin e tekstit të një kënge , të çfarëdolloj rryme, me anë të lëvizjeve trupore.

"Sigurisht që muzika është e mrekullueshme, por tekstet, lirikat janë ato çka më tërheqin shumë për t'i kthyer në vallëzim" – shton ajo. Por, ende nuk e ka bërë këtë me poezitë e saj. Ndoshta ngase marrëdhënia me krijimet e saj është diç e çuditshme. Një tëhuajësim që i ndodh me të përfunduar së shkruari. "Të shkruarit është betejë me veten. Shkruaj kur kam diçka për të thënë, por me t'i përfunduar… "nuk i shoh më si të miat. U them: tani bëni ç'të doni, nuk më përkisni!" – thotë duke qeshur.

Më 2014-ën, vit kur u botua libri i saj i parë, një përmbledhje me poezi të shkruara në dhjetë vite, mendoi se kishte diçka për të thënë, një kumt që nuk ishte krejt ai që lexonte në poezitë e shkruara në vite. "I mora, i rishkrova dhe aty pastaj e ndjeva se ishin të miat", thotë ajo, ndërsa  shton se ky libër i parë nuk kishte një fill pas të cilit do të ndërtonte mesazhin e saj poetik, siç ndodhi me librin e dytë "Antikrishti i tretë". Aty poetja mes vargjesh sjell fundin e këtij qytetërimi, pasi kjo botë dhe mbarë njerëzimi është bërë shumë i keq. "Ishte rraskapitëse ta shkruaja. Në fund u ndjeva e çliruar por edhe e zbrazur, pasi kisha thënë atë çka doja të thosha. Ndoshta edhe për shkak të mesazhit që mbartte. E gjitha është një poemë e gjatë, e ndarë me kapituj që janë numra. Njerëzimin e shoh si një të tërë"- thotë ajo, ndërsa shton se pas këtij libri të dytë me poezi, prej disa muajsh  ndjen se nuk mund të shkruajë më poezi, porse prozë.

"Të më thoshin para do kohësh që do të shkruaja prozë, do të thosha: "Jo! Unë do të shkruaj gjithmonë poezi. Aty jam unë.  Mendimet e mia vijnë në trajtë të shkurtër, të përmbledhur si vargje". Por ja që prej disa muajsh e kam të pamundur të shkruaj poezi dhe kam nisur me prozë"- thotë, ndërsa zbulon pak prej subjektit të tregimit të shkurtër, duke theksuar se është vetëm në fillim e ku i dihet deri në fund mund të marrë trajtë tjetër. Personazhet dhe temat që  Rosandić janë ato ku morali vihet në diskutim. Nga njëra anë mendon se personazhet bëjnë gjëra të gabuara, por  në të njëjtën kohë, nisur pikërisht nga ky moral nuk mundesh t'i gjykosh nëse veprimet e tyre janë të drejta a të gabuara. Është ky kurth i dyshimit, ku Rosandić dëshiron t'i drejtojë lexuesit e saj.  Janë temat e forta, ato të një angazhimi social, që tërheqin vëmendjen e saj, duke e kapërcyer kufirin e artit vetëm për art.

Për Petra Rosandić, një poet a shkrimtar duhet të jetë i informuar mbi çka ndodh në botë, në vendin tënd, në qytetin tënd… "Duhet të njohësh politikën, qeverinë, qeverisjen, të dish ç 'ndodh me emigrimin, si për shembull ajo që po kalon këto kohë populli sirian…Këto nuk mund të të lënë indiferente. Nëse je njeri i ndjeshëm, padrejtësitë që ndodhin do të të inatosin e kështu do të prodhosh diçka" – thotë ajo, ndërsa zbulon se të jesh një shkrimtar i ri në Kroaci, nuk është aspak e lehtë. "Qeveria aktuale, e krahut të djathtë nuk e mbështet aspak kulturën në vend"- pohon ajo, ndërsa merr shembull  librin e saj të parë, i cili fillimisht u botua në Serbi. "Për t'u botuar në Kroaci, duhet të kalojë përmes Shoqatës së Shkrimtarëve, e cila ka mosmarrëveshje me qeverinë për shkak të pikëpamjeve të majta që ka, ndërsa qeveria është e djathtë. Me shumë gjasa ata nuk do të marrin asnjë financim nga shteti këto kohë dhe nuk e di si do të shkojë kjo punë" – zbulon ajo, ndërsa shton se pavarësisht vështirësive, shkrimtarët apo artistët e rinj duhet të ecin përpara me punën e tyre dhe të mos presin mbështetjen nga shteti, e cila mund të mos vijë kurrë. "Arti mendoj se e gjen gjithmonë rrugën. Mund të zgjedhësh; të humbasësh kohë për të gjetur fonde a mbështetje apo të bësh art".  Edhe kur të bërit art bëhet shkatërrues edhe për vetë artistët. E pranon  sa e vështirë është të  botosh në këto ditë. "Ta pranojmë, se sot askush nuk lexon. Vetëm 10 për qind e të rinjve në shkolla lexojnë letërsi" –thotë  ajo e bindur pasi e ka njohur panoramën në shkolla ku ka dhënë mësim në gjuhë dhe letërsi për dy vite. "Askush nuk do t'ia dijë për artistët" – pohon ajo, por pa u dëshpëruar, pasi edhe ky frustrim, kjo parehati e bën të krijojë. Ky është bekim-mallkimi i krijuesve, për të mos qenë kurrë në paqe.

Procesi i krijimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për të shkruarit e një poezie- të cilat ajo i hedh  me fragmente apo vargje të shkëputura në celularin e saj – i duket edhe një rast i mirë për të analizuar veten dhe mendimet e saj në momentin kur ka hedhur një varg. "Nuk do të thotë që të shkruash një poezi, duhet ta bësh patjetër  menjëherë. Mua më ndodh të hedh një varg tani dhe jam e lumtur që më ka ardhur ky varg…pastaj një ditë tjetër një tjetër varg , derisa të bëhet e plotë poezia. Jo gjithçka që mendon duhet patjetër ta hedhësh në letër. Jo mes morisë së asaj çka të kalon ndërmend zgjedh më të mirën, që ti e di cila është. Një nga arsyet pse shkruaj është edhe të di se ç'kam menduar atë kohë. Më ndodh që kur i lexoj, nuk i kuptoj të gjitha ato që kam shkruar. Ka njerëz që ku lexojnë poezitë e mia  më pyesin se ç'kam dashur të them dhe më ndodh që kur i lexoj as unë nuk e di. U them ta  gjejnë vetë një kuptim. E nëse e gjejnë, cilido qoftë, atëherë ia kam arritur qëllimit përse shkruaj" – rrëfen Petra, e bindur se edhe në krijimtari letrare ajo çka është e rëndësishme është të ushtruarit. Ashtu si në çdo lloj tjetër arti. Disiplinën e njeh mirë prej vallëzimit, të cilin e ka ushtruar edhe si balerinë edhe si koreografe, por edhe prej pikturës të cilën e ka studiuar dhe ushtruar, por edhe aktrimit…rrëfen se dy vite ka punuar si aktore në teatër. Të gjitha këto shpalosje artistike pasqyrojnë elementët e tyre në poezinë e saj. Poezia herë vjen si art i gjuhës, herë si lëvizje koreografike e herë si një tablo e madhe…ose të gjitha të përziera njëherësh.

Një mbrëmje ku gërshetohen të gjitha talentet e saj dhe një lexim publik e bashkëbisedim  ka projektuar të realizojë në një nga kafenetë letrare në  Tiranë,  qytet me të cilin thotë se ka rënë në dashuri, fill pasi kaloi hutimi i  ditëve të para. Kjo është rezidenca e parë , për të cilën aplikoi në rrjetin Traduki dhe fitoi  dhe të gjithë përvojën njëmujore do ta hedhë në letër.  "Më pëlqen Tirana për ngjyrat, arkitekturën e larmishme, njerëzit miqësorë. Mund të them se në standard jetese nuk ka asgjë ndryshe nga Kroacia. Duket qytet i gjallë, po aq edhe i qetë, ku mund të ecësh netëve vetëm pa asnjë problem. Është interesante sesi nisemi gjithnjë me paragjykime për vendet që nuk i njohim. Miq të mitë në Kroaci më thoshin që është vend shumë i varfër, por nuk e shoh të jetë më i varfër sesa ne. Edhe fakti që ne tashmë jemi pjesë e Bashkimit Europian nuk ka sjellë ndonjë ndryshim. Nuk  na ka bërë më të pasur, përveç përfitimit të mos qëndrojmë në radhë në aeroport por të kalojmë në çdo portë ku shfaqet flamuri i BE-së. Kaq"- thotë ajo, ndërsa duke qeshur shton se kur të kthehet do të shkruajë një tregim të  shkurtër për gjelin që  netëve këndon çdo orë, pranë apartamentit ku po jeton, diku pranë Rrugës "Hoxha Tahsin" në kryeqytet. Si turiste letrare , vëzhguese e ngeshme e jetës në qytet,  por edhe si studiuese e gjuhëve,  shqipja  jo vetëm që i tingëllon e vështirë, por shqiptimi nga një njeri te tjetri i duket krejt i ndryshëm. "Nuk gjej dot dy njerëz të ma thonë një fjalë të shqiptuar njësoj" – thotë , duke bërë shaka. Në Tiranë nuk ka gjetur vetëm material për të shkruar letërsi – ndërsa një grua e re rome me një  foshnjë në krah avitet për të lypur në tavolinat e kafenesë-librari "Friend's book house" i lind ideja se mund të shkruajë  një tregim mbi atë çka mendon një grua që vendos të lindë shumë fëmijë, kur nuk ka me ç't'i ushqejë dhe si të kujdeset për ta –ka gjetur edhe njerëz për të ndarë eksperienca në fusha të tjera si aktrim, pikturë a koreografi, ndërsa ka ndjekur disa leksione në Akademinë e Arteve. "Vallëzimi është fantastik"- thotë ajo- "por poezia është arti për të cilën nuk të duhet asgjë tjetër për ta realizuar. As hapësirë, as kohë, as njerëz…", përfundon ajo, duke e parë poezinë si ajo lëvizja që bën të vallëzojë jetën.

Kurrikulum poetik 

 

Petra Rosandić (Split, 1985) është poete dhe koreografe e diplomuar në Fakultetin e Filozofisë në Split, ku studioi për gjuhë kroate, gjuhë angleze dhe letërsi.

Krijimtaria e saj e hershme letrare u botua në përmbledhje dhe antologji të ndryshme botuar në Kroaci, Bosnjë dhe Serbi. Ajo ka publikuar shpesh edhe në revista kulturore dhe letrare të njohura dhe të vlerësuara të rajonit, si në "Zarez", "Tema", "Poezija", "Agon", "Split Mind", "Kolaps, "Ulaznica", "Rukopisi 36", "Young Ex-Yu" – antologji poetike e botuar nga 'Meko tkivo' – Fakulteti i Filozofisë në Zagreb, "Ex-Yu underground poetry Collection" botuar nga Poezin, etj. Libri i parë me poezi i Petra Rosandić, me titull 'Ako dugo držiš usta otvorena' (Presing, Mladenovac – Serbi) u botua në vitin 2014. Ndërkohë që dorëshkrimi e saj në anglisht, titulluar "'Why I died" u përzgjodh si një nga 25 gjysëmfinalistët për Çmimin ndërkombëtar "Tomaž Šalamun 2015", akorduar nga revista letrare amerikane 'Verse'. Petra Rosandić është editore ekzekutive e "Kritična masa", një faqe letrare që botohet në tri gjuhë (kroatisht, anglisht, gjermanisht) lektore letrare në profesion të lirë dhe lektore universitare.

 

*****

ALESSANDRO MARCELLO:

 

Koncert për oboe në re minor

 

Mjalti pikoi mbi kurorën e pemëve

kurdo mund të zbres në Jug

rrugët e verdha gjithnjë t'i picërrojnë sytë

të sjellësh gjëra me mend, shpesh çlodh

Mërzitem kaq shumë që nuk do mundem kurrë

Të ulem në timon

Veç nëse bëjmë edhe një xhiro tjetër

Nuk mërzitem

Disa prej miqve kanë mbijetuar

Dua që makinës t'i japë

Dikush me të cilin s'kam ç'bisedoj

Ata premtojnë të më tregojnë

Një burrë fiks si Van Gogh

kur shohim tabelën Santa Maria di Leuca

të cilën e kishim humbur

më ngushëllojnë shumë gjëra

çdo gjë do të heshtë në ditët që do vijnë

Do ia ngul sytë pjatave bosh

Ende e qeshur prej festës

Do të jem edhe më e qetë

Shpeshherë dëgjoj vetëm trenat

Që fishkëllejnë mbi binarë

Të ngrohtë e të madhërishëm

Siç gulcon oboisti pranë daljes në pension

Natyra kujdeset gjithnjë

që të mirët

të vdesin në gjumë

Mund të zbres në Jug kur të dua.

 

*Përktheu: Silvana Leka

Total Pageviews