Arian Leka - Takimi i Maks Velos me Daša Drndić
Nuk e vumë re se kishte rënë mbrëmja. Për rreth dy orë Maks Veloja kishte rrëfyer me imtësi mbi vitet e tij në burgun e Spaçit. Interesimit të shkrimtares së shquar kroate, Daša Drndić, ndaj jetës së artistëve shqiptarë në kohën e diktaturës, akuzave të ngritura kundër tyre dhe dëshmitarët, formulimit të pretencave, provave ndaj artistëve në gjyq, implikimeve të tyre dhe ligjeve të kohës Maksi u qe përgjigjur pa shfaqur shenja lodhjeje e padurimi. Përkundrazi.
Si të kishte gjetur, më në fund, njeriun e duhur, të cilit mund t'ia besonte të fshehtat dhe, sikur befas mbi tokë të kishte zbritur krijesa që ai kishte pritur për t'u rrëfyer gjatë gjithë jetës, Maksi fliste duke i ndihmuar fjalët me lëvizje të vrullshme që, më shumë se gjithçka tjetër të sillnin ndërmend një valle primitive. Pëllëmbët dhe krahët çanin ajrin, si për të krijuar kufirin ndarës mes saj që ai kishte jetuar dhe miteve të krijuara më pas, nga njerëz që vazhdimisht shtonin, hiqnin apo përmirësonin diçka nga historia e burgjeve shqiptare. Tema e falsifikimit të historisë, fabrikimi i heroizmit të vonuar a të munguar dhe retushimi i së vërtetës, mbetej çështje së cilës Maksi i rikthehej shpesh, siç iu kthye edhe gjatë asaj mbrëmjeje.
Kureshtja përbënte një nga tiparet e dallueshme të tij. Aq e shprehur ishte ajo, sa nuk do të quhej teprim nëse në pasaportë, te shënimi "shenja të veçanta", kureshtja t'i shënohej si shenjë identifikuese. Për shkak të kureshtjes pra, para se të takoheshim me Daša Drndić në "Friend's Book House", ai kërkoi të dinte diçka mbi "njeriun që do të takonim" dhe me të cilin Maksi do të bisedonte.
Në vend që të përshkruaja personalitetin e Daša Drndić-it, m'u duk më e arsyeshme ta shfaqja atë përmes romaneve të saj. Natyra e Daša-s të bënte ta nderoje e ta dashuroje njëkohësisht, pasi ajo ishte ndër ato raste kur mes veprës dhe krijuesit nuk ka dallime: një njeri i bukur, një grua e fuqishme, që nuk kishte bërë kompromise as në kohë të vështira të regjimeve në ish-Jugosllavi, një autore që ndiqte të vërtetat dhe që të heshturit, ata që mundën, por as shkruan dhe as folën i interesonin po aq sa edhe përgjegjësit e drejtpërdrejtë të krimeve.
Maksi dëgjonte pa folur. Përvoja ndoshta, zhgënjimet sidomos, mund ta kishin detyruar ta mbante nën kontroll entuziazmin ndaj takimeve me të panjohur, për të mos thënë se çdo bisedë e llojit pyetje-përgjigje, nga ato që zhvillonte rëndom me gazetarët, i kujtonte, qoftë edhe së largu, hetuesinë.
Më duhet t'ia kujtoja: – Është shkrimtare, romanciere, jo gazetare, Maks, i thashë dhe, si për t'ia bërë të besueshme, shtova se romani "Sonnenschein" i Daša Drindić, përveçse ishte përkthyer në mjaft gjuhë e së shpejti do të vinte edhe në shqip nga Ben Andoni, i vendoste disa nga ndodhitë e tij në Shqipëri, në Sarandë, Vlorë e Tiranë. Është periudha e pushtimit, Lufta e Dytë Botërore. – E prek temën e kolaboracionistëve? – pyeti. Pastaj heshti sërish. Por, sapo unë përmenda se romani "Belladonna" i kushtohej jetës në burgun e Burelit, Maksi filloi të pyesë, sidomos kur mësoi se disa nga personazhet e romanit të Daša Drndić-it ishin emra realë e të njohur të skenës publike shqiptare. – Takohemi nesër pasdite, atëherë, po këtu? – tha.
Gjatë kohës kur Maksi fliste, Daša mbajti shënime në një bllok. Disa herë më kërkoi të shihja nëse i kishte shkruar saktë emrat që Maksi kishte përmendur: sidomos ata që kishin shkronjat "sh, zh, th, ll". – Jam duke mbledhur fakte për një roman historik mbi Shqipërinë – tha ajo dhe – para se të shkruaj 'fiction', dua që të dhënat të jenë korrekte, që të mos më ndodhë edhe mua si ata që shkruajnë romane nga harta.
Para se të ndaheshim, porositëm konjak "Skënderbeu" dhe kafe, për të saktësuar orën dhe vendin e takimit të nesërm. Maksi na ftoi në shtëpinë e tij. Rruga "Hoxha Tasin", numër… Maksi tha një numër. Unë përktheva. Daša e shënoi në bllok, duke më pyetur: – Do të vish?
Tani, që trupi i Maks Velos e ka një shtëpi dhe shpirti i tij është në udhë, pasi i kthehem rrëfimit të Daša Drndić, shkruar për të, gjatë kohës kur ajo banoi në rezidencën letrare "Tirana in Between" dhe u vu ta gjente vetë se ku banonte ai, më forcohet përshtypja se, edhe atëherë edhe tani, Maks Velo sikur nuk ka dashur të tregojë se ku mund ta gjejmë dhe se ku e ka me të vërtetë shtëpinë.
Mundësitë janë të hapura: Maksi mund ta ketë thënë gabim numrin e shtëpisë së tij, unë mund t'ia kem përkthyer gabim Daša-s, Daša mund vetë ta ketë shënuar gabim ose ashtu kishte qenë e shkruar të ishte. Të mundoheshim për ta gjetur. Njëlloj si tani, kur Maks Velo prehet larg njerëzve, nën një lëndinë, më pranë Dajtit se sa qytetit.
Daša Drndić – Shtëpia e Maks Velos
Unë banoj në rrugicën "Dërhemi" (në një godinë të re), në rruginën e që të nxjerr në Bulevardin "Hoxha Tahsin". Jam duke kërkuar për shtëpinë e Maks Velos që, siç më ka thënë ai vetë, mban numrin 57. Nisem për në fund të bulevardit, fillimisht në anën e majtë: 32, pastaj 167, pastaj 2, pastaj përsëri 2, 2, 2, dhe 1, 1, 1, pastaj vjen 18, me të është edhe 63.
Kaloj në anën tjetër: 47, 220, 13, 18, 74, 33. Futem në një farmaci (në Tiranë, ka shumë të tilla të padukshme, vetëm në këtë udhë, në një largësi prej 300 metrash, ka tri syresh) dhe pyes: Çfarë numri ka kjo farmaci?
S'ia kam fare idenë – thotë farmacisti. Rruga quhet "Hoxha Tahsim".
Si Nasta e çmendura endem lart dhe poshtë Rrugës "Hoxha Tahsin", e atëherë u drejtohem tre njerëzve që janë duke diskutuar diçka (gumëzhima ndalon), ndërsa dikush prej tyre më thotë: – Kam punuar në ambasadën amerikane, mos jeni vallë amerikane? – Nuk e di se ku gjendet numri 57, thotë tjetri. I treti është shurdh i vërtetë. – Po kërkoj Maks Velon. – Ah, Maks Velon! Atje sipër, njëqind metra përtej, ajo shtëpia e bardhë e madhe me çati të pjerrët.
Sikur të jem në Rijekë, në ndërtesat e të cilës vërtetë janë numrat dhe tabelat, por njerëzit nuk ia kanë fare idenë se çfarë shkruhet në to dhe, kur ti i pyet, së pari ata do të përgjigjen "Booh", pastaj nisin të të shpjegojnë (shumë të dobishëm janë me këtë, sjellje, si dhe shqiptarët).
Shtëpia në të cilën jeton Maks Velo është e vjetër, një banesë e rrënuar dykatëshe, me llaçin e saj në rënie, grilat i janë thyer, ballkoni gati sa nuk rrëzohet, nuk shoh se ku është hyrja, dhe mbi të shkruhet: 47…
Pasi është përmbysur garda e vjetër, u përpiluan listat e të dënuarve padrejtësisht, u formua një komitet, dhe ata që qëndruan më gjatë në burgje (kohë që llogaritej mes tetë dhe tridhjetë e pesë vitesh), do të ishin ndër të parët që do merrnin një banesë.
Komisioni për ndarjen e shtëpive tek përdoruesi-kandidat i të ardhmes (fshehtë), i kërkoi secilit zarfin, me të paktën tri mijë euro brenda.
Ata që kishin tri herë më shumë se tri mijë euro, fituan tre apartamente, nga të cilët dy menjëherë (me çmimin e tregut) i patën shitur. Maks Velos i mbeti të jetojë në katin e dytë të shtëpisë së rrënuar të babait të tij, së bashku me motrën e vet, e cila ka një numër të madh macesh.
Nuk është se qeveria e re shqiptare nuk po tregon kujdes mbi kompensimin për viktimat e qeverisë paranojake totalitare të Enver Hoxhës. Kështu u vendos, që për të dënuarit pa të drejtë, rehabilitimi financiar për çdo ditë të kaluar në burg të kishte vlerën e pesëmbëdhjetë eurove, e cila arrin shumën prej 5.500 eurosh në vit.
Edhe pse për shkak të mungesës kronike të fondeve në buxhetin e shtetit, është krijuar një shqetësim në pikëpamjen e pamundësisë së zbatimit së vendimeve parlamentare dhe atyre gjyqësore, megjithatë, me kompromis, është bërë riprogramimi i pagesave në mënyrë që t'i shkojë kursit të kohës (i vogël, e paguar në mënyrë të parregullt) dhe përparësi u jepet të vjetërve, pasi llogaritet se ata së shpejti do të vdesin.
Mund të them, simbolikisht, se po qëndroj me Maks Velon dhe Arian Lekën në bulevardin "Dëshmorët e Kombitˮ (në Bulevardin e Martirëve të Kombit), rrugën madhështore, e cila gumëzhin nga makina dhe përcjell historinë.
Na afrohet një farë Jean-Pierre, belg, i cili u hodh në Tiranë për të "vendosur koordinatat" për "projektinˮ e ardhshëm ndërkombëtar, lidhur me disa punëtori për popullatat shqiptare, që duhet të jenë të arsimuar më parë si duhet, sipërmarrje dhe pastaj demokracisë, të cilat kuptohet se do të drejtohen nga intelektualë vendës me honorare të turpshme për njëqind apo dyqind euro. Jean-Pierre sʼka asnjë ide se ku është, në veçanti sʼka asnjë ide se kush është Maks Velo. Ai është nga zona e Korçës ka lindur në Paris në vitin 1935.
Maksi i përmend Jean-Pierre-it dhjetë vitet e tij në burgun famëkeq të Spaçit, që ndodhet në verilindje të Tiranës, ku ka punuar në një minierë bakri, gërmuar në mes të askundit, ku ende sot e kësaj dite është vështirë të arrihet, ndërsa Jean-Pierre-i tund kokën ngadalë dhe pastaj pyet: Ku mund të gjej diçka për të ngrënë?
Duke pasur parasysh faktin se Jean-Pierre-i, padyshim nuk ka kohë për të vizituar ndonjë gjë, përveç zyrave të së ardhmes së tij, partnerët e ardhshëm dhe ndonjë restorant "fancyˮ, do të doja tʼi propozoja atij që, të paktën të kthehej nga Muzeu Kombëtar i Historisë , i cili me ndërtesën e tij gjigande dhe mozaikun social-realist në krye, në mesin e sheshit të madh qendror "Skënderbeu", godet mu në mes të syve çdo kalimtar, pasi atje, në këtë muze, ekziston i ashtuquajturi "Pavioni i terrorit komunist", terror dyzet e pesëvjeçar, si dhe një botim i shkurtuar, abridged, i ndrydhur në disa mure, vërdalluar në disa vitrina, disa foto nga proceset gjyqësore farsë, ndonjë rrobë e përgjakur e ndonjë të arratisuri të bllokuar dhe dërrmuar dhe "rindërtiminˮ e një qelie burgu (nëse është në këtë masë horrori, në këtë lloj mënyre, mund edhe të rikonstruktohet – e kjo hap një çështje tjetër për prezantimin bashkëkohor të kujtimeve), sepse, ja dhe Shqipëria, shpejt do kapë hapin me botën, dhe do fillojë me zhvillimin e të ashtuquajturit Dark Tourism, atë që të huajt, kryesisht nga Perëndimi, do të vizitojnë vendet e ekzekutimit (në këtë rast, kopje e tyre) e të kapin zemrën dhe klithin: 'Oh, my god, unbelievable! Incroyable! Nicht zu fassen!' e, pas të cilës, shkojnë për në darkë në ndonjë restorant vendës, ku do të shijojnë specialitete kombëtare e të ndjejnë shpirtin e vendit që vizituan.
Asgjë nga këto sʼi kam thënë Jean-Pierre-it. U ktheva me Maksin dhe Arianin në "Friends Book House", në një librari-kafe, për kafe dhe konjak. Këtu jam edhe për dy javë.