06 May 2020

BOTIM I RI: Ekonomia Ekologjike dhe Shoqëria Harmonike nga "Botimet "POETEKA"

"Botimet POETEKA" sapo kanë publikuar dhe hedhur në qarkullim librin "Ekonomia Ekologjike dhe Shoqëria Harmonike", përkthyer nga Silvana Leka. 


Libri është pjesë e serisë "Lexime shkencore dhe enciklopedike". Ai publikohet sipas marrëveshjes me Akademinë e Shkencave Sociale, si përkthim i autorizuar nga botimi në gjuhën kineze. Autorët e librit, Futian Qu, Ruomei Sun, Zhongxing Guo dhe Fawen Yu, janë studiues të mirënjohur të fushave përkatëse.


Në 322 faqet tij, libri trajton çështje të mprehta dhe aktuale, që kanë të bëjnë me teorinë, politikat dhe studimet empirike në fushën e ekonomisë ekologjike, të cilat jo vetëm shtjellohen me hollësi, por edhe sugjerojnë zgjidhje për perspektivën, duke parashtruar teza dhe hapur debat me specialistët, studiuesit dhe studentët e këtyre fushave të dijes dhe zbatimit të praktikave. 


Libri është kompozuar në katër njësi. Pjesa e Parë i kushtohet teorisë dhe metodologjisë së ekonomisë ekologjike. Pjesa e Dytë shtjellon çështje të veçanta të ekonomisë ekologjike. Pjesa e Tretë sjell studime empirike mbi ekonominë ekologjike. Pjesa e Katërt paraqet vlerën e shërbimeve të ekosistemit dhe kompensimin ekologjik.  


Më hollësisht artikujt trajtojnë si metodologjinë e ekonomisë ekologjike ashtu edhe ecurinë e kësaj ekonomie, ndërlidhur me politikat që e mbështesin atë. 


Studimet ofrojnë gjithashtu një panoramë të gjallë të zhvillimit ekologjik në Kinë e, po ashtu, edhe çështje të ndryshimeve, që kanë ndodhur në këtë vend gjatë tri dekadave të fundit në këtë fushë.


Pjesa teorike e librit hulumton sistemin e disiplinës së ekonomisë ekologjike. Në pjesën e studimeve empirike, të dhënat mbi Kinën janë përdorur për të shqyrtuar hipotezën themelore të kërkimit në fushën e ekonomisë ekologjike.


Libri trajton në hollësi tema të tilla si evolucioni dhe problemet e politikave të ekonomisë ekologjike në industritë pyjore, ekonomia ekologjike në tokat kullotë, ekonomia ekologjike në zonat moçalore etj.


Duke ndërthurur me sukses teorinë, zgjidhjet dhe udhëzimet konkrete e

praktike, libri ofron një burim të vlefshëm dijesh dhe informacioni për të

gjithë ata që janë aktivë në këtë fushë, që po zhvillohet me ritme mjaft

dinamike.

Total Pageviews