Emina Zuna, boshnjakja në gjurmët e Shqipërisë komuniste
Në Tiranë, si kontribut i Poeteka-s, në "Reja-Festival", u zhvillua takimi "Reading Balkans". Kjo veprimtari u konceptua si një bashkëbisedim mes shkrimtarit dhe studiuesit Arian Leka, entnologes dhe historianes Armanda K. Hysa me shkrimtaren, gazetaren dhe psikologen nga Bosnjë-Hercegovina, Emina Zuna. Kjo autore qëndroi gjatë muajit Maj në kryeqytetin shqiptar si fituese e bursës për në Rezidencën letrare "Poeteka – Tirana in Between".
Bashkëbisedimi u përqendrua rreth përjetimeve të përbashkëta mbi nostalgjinë ndaj së kaluarës me ngjashmëritë dhe pangjashmërite e saj dhe se çfarë mund të bëhet me këtë nostalgji. Kishte debat mbi vlerat e shoqërisë së sotme, globalizmit, neoliberalizmit dhe të ardhmes së librit, leximit dhe autorit në epokën e digjitalizimit.
Tema e traumave sociale dhe gjurmët e saj ndikuese në letërsinë e sotme të rajonit mori vëmendjen e të pranishmëve, sidomos kur u fol mbi rolin e shkrimtarit në debatin publik dhe mbi "letërsinë e angazhuar", vitin 1968 të protestave europiane në Pragë, Francë, Itali dhe më gjerë në botë.
Emina Zuna u ndal edhe mbi pikat dalluese e bashkuese mes historisë së Shqipërisë dhe historisë së Bosnjës (Perandoria osmane, Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Botërore, periudha e Enver Hoxhës dhe socializmi shqiptar, socializmi jugosllav dhe Tito, përmes së cilës ajo shpjegoi edhe pse ajo, gjatë qëndrimit të saj ishte e interesuar të ndiqte gjurmët e socializmit e të komunizmit "shqiptar".
Takimi u ndal edhe mbi temat e ndikimit të realitetit ndaj formave të përveçme letrare, si letërsia "horror", "science fiction" apo "speculative fiction" dhe zhvillimet e tyre në letërsinë e rajonit dhe si qëndrojnë këto qasje e forma përballë zhanreve që zhvillohen në botë. Për kënaqësinë e pjesëmarrësve, Emina Zuna lexoi në origjinal fragmente nga proza e saj "Lada", ndërkohë që përkthimi i Ben Andonit nga kjo prozë u lexua në shqip nga Silvana Leka. Në bashkëbisedim u përfshi edhe studiuesi Pandeli Koçi, i cili solli fakte mbi marrëdhëniet letrare Shqipëri-Kosovë, mbi përkthimin e letërsisë shqiptare drejt gjuhëve të rajonit si dhe disa raporte mbi të ashtuquajturin "superioritet" në letërsi dhe paragjykimet mbi "kulturat inferiore" në rajon.
Përveç këtij takimi, Emina Zuna u bë pjesë edhe e veprimtarisë "DitëNetët e Librit", zhvilluar nga datat 16-20 Maj në Tiranë. Në këtë festival-panair të veçantë libri Emina Zuna theksoi paralelet mes asaj që ndodh në Bosnjë dhe në Shqipëri, ku interesi për letërsitë e "gjuhëve të mëdha" është sundues përballë interesit ndaj letërsisë së fqinjëve ballkanas. Steriotipi i paragjykimeve vazhdon duke vlerësuar autorët klasikë të Ballkanit dhe duke patur mosbesim ndaj autorëve bashkëkohorë më të rinj.
Në portalin e njohur "Avangarda", Emina Zuna sapo ka publikuar tekstin e saj të parë me titull "Fascinira brzina kojom se stvari mijenjaju", kushtuar Tiranës, ndryshimeve që po ndodhin në qytet dhe përshtypjeve të saj nga vizitat në qenra kulturore dhe në periferitë.
Emina Zuna lindi në vitin 1981 në Jajcë, Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajo shkruan prozë, ese, dramaturgji dhe artikuj mbi letërsinë dhe kinematografinë. U diplomua në Sarajevë për Psikologji, sudime të cilat i kreu në vitin 2005. Një vit më pas, gjatë vitit 2006 ajo përfundoi studimet edhe për Letërsi Krahasimtare, përfshi edhe Studime mbi Bibliotekat. Në vitin 2004 Emina Zuna u bë fituese e çmimit "Karim Zaimoviç", si meritë për studime të suksesshme në Kolegj. Në vitin 2011 ajo fitoi bursën dyvjeçare Erasmus Master Mundus, falë së cilës kreu studime dhe specializime të thelluara Master mbi Kulturën Letërsinë dhe Europiane, pranë Universitetit të Bolonjës dhe Universitetit të Strasburgut. Emina Zuna ka fituar disa çmime për prozën dhe tekstet e saj skenike. Tregimet e saj janë përkthyer në gjuhën angleze dhe në sllovenisht. Romani "Planjax" (2016) fitoi u bë fitues i konkursit të Fondacionit për Botimet në (2015), duke u cilësuar si një prej dorëshkrimeve më të mira vendase.
Gjatë vitit 2016, krijimtaria e saj u përzgjogj për dy çmime rajonale: "Mirko Kovaç", në kategorinë e autorit të ri dhe çmimin "Mesa Selimoviç, në kategorinë e romanit më të mirë. Romani i saj i dytë, "Njeriu i së Ardhmes", është në përgatitjet e tij përfundimtare përpara botimit. Emina Zuna publikuar shpesh në revista kombëtare dhe rajonale për letërsinë dhe kulturën (Sarajevske sveske, Zarez, Odjek, Tema, Bosna franciscana, Avlija, Behar, Treça, Polja, Zenicke sveske, Idiot, Ne-ma, etj). Ajo është gjithashtu aktive në mjaft revista online apo në portalet në internet (Afirmator, Etna, portal Strane, voxfeminae, e-novine etj), duke bashkëpunuar gjithashtu edhe me emisione radiofonike si Da sam Sejn – Zagreb, Tragovima bosanskog kraljevstva – Zenica, ZabiljeZene – Sarajevo. Emina Zuna punon gjithashtu si psikologe dhe gazetare e pavarur. Pjesa më e madhe e artikujve të saj në gazetari përfshijnë komentet, rishikime mbi median, shqyrtimet letrare dhe filmike.
Programi Reading Balkans 2018 i kushton vëmendje të veçantë atyre shkrimtarëve që si temë qendrore të krijimtarisë kanë rolin e kulturës në shoqëritë pas konfliktit, rëndësinë e dialogut për të luftuar nacionalizmin dhe intolerancën si dhe tema të tjera bashkëkohore që prekin çështje të pajtimit mes vendeve fqinjë. Ky program zhvillohet në Tiranë nga Poeteka, dhe i kushton vëmendje shkrimtarëve që si temë qendrore të krijimtarisë së tyre kanë rolin e kulturës në shoqëritë pas konfliktit, rëndësinë e dialogut për të luftuar nacionalizmin e intolerancën si dhe tema të tjera bashkëkohore që prekin çështje të pajtimit mes vendeve fqinjë. Program i shkrimtarëve në rezidenca letrare "Poeteka – Tirana in Between",mbështetet nga Programi Creative Europe i Bashkimit Europian / Traduki dhe bashkon në një platformë të vetme poetë, eseistë dhe dramaturgë nga Europa Juglindore.