Zuzana Finger është përkthyesja fituese në Rezidencën Letrare "POETEKA-Tirana in Between"". Përvoja e saj profesionale lidhet si me përkthimin letrar ashtu edhe me lektorimet universitare.
Ajo ka studiuar gjuhët sllave dhe ballkanologjinë në Universitetin e Berlinit. Teza e saj doktorale mban titullin "Komunikimi i komunitetit Sllovako-Hungarez". Që nga viti 2010 Zuzana Finger është kuratore e historisë dhe trashëgimisë së Sudetëve gjerman. Për tre vjet me radhë (2013, 2014 dhe 2015) ajo ka lektoruar mbi Albanologjinë pranë Universitetit "Ludwig Maximilian" në Munih, në auditoret e të cilit ka mbajtur ligjërata të shumta. Përkthen në gjermanisht nga gjuha shqipe, serbishtja, gjuha slovake dhe ajo çeke.
Zuzana Finger është në lidhje të vazhdueshme me letërsinë shqipe, me skenën letrare dhe kulturore të Prishtinës dhe të Tiranës, duke ndjekur gjithashtu edhe jetën botës akademike. Ajo mbetet nga kontributorët e përkthimit të letërsisë shqipe drejt gjuhës gjermane. Gjatë këtyre viteve ajo ka sjellë në gjermanisht mjaft autorë të gjuhës shqipe si, Jeton Neziraj, Doruntina Basha, Xhevdet Bajraj, Ervina Halili, Arben Idrizi, Ballsor Hoxha, Halil Matoshi, Eqrem Basha, Shpetim Selmani, Arian Leka, Parid Teferiçi, Luljeta Lleshanaku e të tjerë.
Kjo krijimtari është botuar në libra më vehte, është publikuar në revista, antologji të ndryshme letrare apo është në proces botimi në Gjermani e Austri.
Përveç qëndrimit në Rezidencë, ajo do të marrë pjesë edhe në edicionin e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsise "POETEKA dadaEAST - dadaDAYS", që organizohet në Tiranë në datat 26 - 30 shtator 2016.