Si duket një europian i mirë?
Tetë autorë europianë tregojnë mbi vendet dhe përvojat përballë lirisë. Vendet nga vijnë përveç nocionit gjeografik kontinental janë po aq të ndryshëm e të largët, në zhvillimet historike, ekonomike, shoqërore e politike, sa edhe letërsitë e tyre. Tanja Dückers nga Gjermania,
Oliver Rohe nga Franca , Arian Leka nga Shqipëria, finlandezja e lindur në Rusi, Zinaida Lindén, Vladimir Arsenejević nga Serbia, gjermani Nasrin Siege i lindur në Iran, francezja
Wilfried N'Sondé e lindur në Kongo dhe gjermani Ilija Trojanow, i lindur në Bullgari janë bërë bashkë në antologjinë më të re letrare "A good Europian" (Europiani i mirë).
Titulli i kësaj antologjie i bëri bashkë këta shkrimtarë të njohur europianë, të cilët janë shprehur mbi vetëdijen europiane dhe mbi konceptin e lirisë, në kuadrin e një projekti të gjerë europian, titulluar "Freiraum".
Shkrimtari shqiptar Arian Leka paraqitet në këtë antologji me tregimin "Paranoja", përkthyer në gjuhën gjermane nga Zuzana Finger. Në këtë tregim nënvizohet ideja se liria ekziston si një premtim, por mungon në jetën e përditshme që kalon nga shpresat në rënie.
Pastaj se nga na mbive edhe ti. Liria vetë. Po. Vërtet. Më dhe liri. Gjoja. Por më ruaje prapëseprapë. Në distancë. Tani nuk më ruan as babai, as vëllai, as ti. Më është qepur vajza. Po, po, vajza jonë, ajo bukuroshja. Ime bijë, tha ajo dhe doli nga banja duke përplasur derën fort. Askush në shtëpi nuk e përdorte fjalën "diktaturë". E kemi zëvendësuar me "dikur" dhe "atëherë"…kështu shprehet një nga personazhet e tregimit të Lekës. Ko ide, se liria ekziston si një premtim, ideal, por mungon në përditshmërinë që ia venit shpresat, theksohet edhe në "Hyrjen" e antologjisë, shkruar nga Cristina Nord e cila, kur merr në shqyrtim tregimin e Arian Lekës thekson se kjo është jeta që, për sa kohë që je i ri, shfaq shumë mundësi përballë teje. Koha shkon dhe sa më shumë vendime merrni, aq më shumë biem, rrëzoheni, mundësitë pakësohen, mbetesh mënjanë dhe, njëlloj si protagonist në tregimin e Arian Lekës "Paranoja", vërejmë se kemi ndryshuar krejtësisht, e kemi humbur atë që kemi pasur, më së shumti lirinë, se jemi rënduar, nuk mundemi të fluturojmë dot si dikur dhe aty ku dikur priteshin të na dilnin flatra ka mbirë lesh i zi. Vazhdon zvarritja. Rënia. Kaloj dorën nga gjoksi në shpinë. Kuptoj. Time shoqe. Në vendin ku duhet të më kishin mbirë flatra, siç i kisha i premtuar asaj, kanë filluar të mbinë qime dhe lesh i zi. E di. Nuk mundem të fluturoj. Jam njeriu që sjell bukë, por që nuk arrin të sjellë edhe gëzim në shtëpi. Ka të drejtë. Makinë që punon me mërzi jam bërë!
Autorët kanë sjellë për antologjinë letrare "Europiani i mirë" tregime, tema kryesore e së cilëve është "Liria në Europë". Tematikat janë të larmishme. Diku çelet një kopsht zoologjik, të cilin në fund e hanë njerëzit, një vajzë ka frikë nga helikopterët, një flirt rinor gjatë pushimeve në Kroaci shndërrohet në një akt akrobatik të së shkuarës dhe nostalgjisë.Autorët, secili zë përfaqësues për kulturën dhe letërsinë e tij, kanë përcjellë përmes larmisë së zhanreve dhe stileve, ç'do të thotë të jetosh në paqe, pasi ke përjetuar luftën dhe a shkojnë sot bashkë respekti për traditën dhe liria për ta jetuar jetën dhe nëse mund të ketë kufij të kapërcyeshëm dhe bashkëjetesë të sigurt. Ky projekt ka bërë bashkë 38 Institute " Goethe" në Europë dhe partnerët e tyre lokalë, për t'u marrë me çështjen e lirisë në qytetet e Europës dhe që adreson pyetje të gjera si ç'do të thotë fjala liri në Europën e sotme? Çfarë vlere ka liria? Ku ndihet më fort kufizimi i lirisë? A është liria në rrezik?
Të shkruarit dhe të rishkruarit rreth lirisë vjen edhe nga për të hedhur sërish dritë mbi këto koncepte në sfondin e një bote në ndryshim të vrullshëm, që ka dekonstruktuar dhe ia ka ndryshuar kuptimin koncepteve klasike. Dikur fjala "liri" ishte e kuptueshme dhe e vetëmjaftueshme, madje përdorej si fjalëkyç për temat mësimore. Kjo më së paku prej Iluminizmit e këtej. Por sot duket sikur kjo fjalë e ka humbur disi shkëlqimin, si për Europën vetë ashtu edhe për vendet e tjera të rajonit, që mëtojnë hyrjen në Europë. Ky ka qenë edhe shkaku që, për hartimin e kësaj antologjie u kërkua zgjerim i spektrit të mendimeve dhe këndvështrime nga shumë anë të çështjes. Pyetja nuk shtrohet më mbi lirinë si vlerë themelore, por se çfarë kuptimi ka marrë sot për ne shprehja "të jesh i lirë".A ka ndryshuar diçka në perceptimin tonë ndaj lirisë apo vetë koncepti i lirisë shfaq vlera të papërputhshme.
Mblidh veten, tha faqosësi e gazetës. Po të tregoj edhe të fshehtën e fundit, që të mbrohesh. Nëse do të jetosh në paqë, bëje pazarin larg shtëpisë. Aty ku nuk të njeh njeri. Edhe qesen e plehrave, bashkoje me qeset e fqinjëve. Flake aty ku nuk e gjejnë dot as evgjitët, as kamerierët, as policët, as lypësit dhe as ndërkombëtarët. E fundit fare! Hiq dorë nga qeset plastike. Bli një trastë lecke, që të mos duket se çfarë ka brenda dhe çfarë çon në shtëpi. Jemi të rrethuar, vëlla! Na survejojnë nga të gjitha anët. Por, por t'ua them të tjerëve më marrin për të çmendur…
Shkruan Arian Leka në tregimin "Paranoja", aq sa kur e përfundon së lexuari e ke kuptuar se paranoja e personazhit kryesor – heroit me tipare krejt të zakonta të një njeriu që nuk u bë dot gjeni, që nuk mundi dot të rritë flatra e të fluturojë jashtë atij kafazi të ndërtuar nga pushteti që rëndon, po aq në mos edhe më shumë se graviteti, që u konformua të jetë pjesë ingranazhi e sistemit që na detyron të përsërisim në pafundësi ( ose të paktën derisa janë të numëruara ditët tona në këtë tokë) detyrat dhe punët që na sigurojnë "bukën" në shtëpi – është ngjitëse…Ose ia kemi ngjitur ne.
https://gazetasi.al/si-duket-nje-europian-i-mire-e-percakton-kjo-antologji-e-re-letrare/