22 May 2018
Bottomed POETEKA & Reading Balkan: Do we know much about the contemporary literature of our neighbouring countries
Botimet POETEKA: DEBAT - Sa e lexojnë ballkanasit letërsinë e njëri tjetrit?
19/05/2018, 10:10
Sa lexojnë njëri tjetrin ballkanasit? Një takim ku janë përfshirë shkrimtarja, gazetarja dhe psikologia nga Bosnje-Hercegovina, Emina Žuna, e cila është fituese e bursës së Rezidencës letrare, "Poeteka-Tirana in Betëeen, përkthyeset e njohura Dorota Horodyska, përkthyesja Maria Roces Gonzales. Pse letërsia shqipe nuk po funksionon jashtë kufinjve? Kur Kosovë Shqipëri janë 6 milionë shqiptarë, pse vazhdon të botohen libra me vetëm 300 kopje?
Nga Violeta Murati
Në vitet '700, në një të premte, në Bibliotekën Mbretërore të Pallatit të Shën Xhejmsit në Londër u bë një nga betejat më të përfolura mbi librat; beteja mes klasikëve e modernëve.
Rrëfimi i kësaj ngjarjeje që përplasi dijet, epokat, letërsinë, artin, shkencëtarët ka hyrë në këtë erë të letrave si nyjë historike duke u pasqyruar nga Jonathan Suift në librin "Beteja e librave", e sjellë edhe në shqip, nga botimet "Zenit", përkthyer nga Azem Qazimi. Ky debat i shumëpërfolur përmbi dijen e lashtë e moderne mbante kontekstin e mecenatizmit politiko-aristokratik dhe pedantizmin bizantin të akademikut.
Epika rilindase, tragjedia neoklasike, disa forma lirike, si odet dhe satira (si në vargje, ashtu edhe në prozë), e shpallin hapur borxhin e tyre – natyrën e tyre si imitatio dialektike – ndaj pararendësve grekë dhe latinë. Ishte krejt e ligjshme të pohoje se letërsitë në gjuhët popullore, që lindën si rrjedhojë e së tatëpjetës së communitas-it helenistiko-roman, s'ishin veçse shtojca të Homerit dhe të Virgjilit, të Senekës dhe të tragjikëve grekë, të Pindarit, të Horacit dhe të Juvenalit. Megjithatë, ekzistonin përjashtime, që përbënin në vetvete një sfidë: në veçanti, toskanishtja popullore, që Dantja e zgjodhi si gjuhë të Komedisë, apo të folmet që përdorën Miltoni dhe Marini. Veçse ndjeshmëria mbizotëruese ngelej thelbësisht postklasike dhe përtëritëse – këto fjalë janë të George Steiner që shoqëron parathënien e "Beteja e librave". Polemika midis të lashtëve dhe modernëve mori vrull të ri dhe magnetizoi kërshërinë publike falë tri lëvizjeve shpirtërore, shkruan Steiner. E para qe përhapja e shkencave post-galileane dhe post-karteziane. Nëse natyra "fliste" vërtet gjuhën e "matematikës", siç mëtonte Galileu, ajo e folme, sado thellë që të ishte e rrënjosur në gjenialitetin e Euklidit a të Arkimedit, qe de facto në zhvillim, me të tjera fjalë, shumë më e përparuar sesa shëmbëllesat më largpamëse të antikitetit klasik. Frensis Bekoni, figurë me ndikim madhor, kish shpallur botërisht se shtëpia e shkencës kishte dhoma ende të kyçura, që shikonin drejt botësh fare të pashkelura, drejt një novum organum-i teorie e praktike, të cilin as të lashtët dhe as skolastët aristotelianë nuk e rroknin dot.
Nuk mjaftonte vetëm gjenia e Homerit apo e Ovidit që i bënte veprat e tyre shembullore dhe ideale. Bri tyre, thotë Steiner gjithçka që qe shkruar më vonë dukej kalimtare dhe e përkohshme. Por tani, me ngadhnjimin e gjuhës frënge dhe me njohjen e "klasikëve" ndërkombëtarë si Shekspiri dhe Servantesi, ajo pabarazi nuk ishte më gjithaq e dukshme. Edhe Moderniteti ishe në gjendje të prodhonte kryeveprat e veta të qëndrueshme dhe mëtuesit e tij për majat e Parnasit. Kurora e dafinës kishte kaluar nga Virgjili te Dantja, nga Dantja te Tasoja dhe nga Aristofani te Molieri. Mos vallë La Fonteni ishte më pak "klasik" se Ezopi? Ky është një rast se si çështjet letrare krijojnë debatet më të mëdha, ekzistencialë si ky rrëfim i Suiftit, ndërsa duke u zhvendosur sot në Ballkan kur kantonet politike kanë zgjeruar hartën e komunikimit kulturor, jemi në një "konflikt" letrar: klasikët apo bashkëkohorët?! Ja çfarë ndodh në Ballkan në një tryezë modeste me një grusht përkthyesish pa nismë zyrtare, por në vullnete për të zbuluar e njohur, cilët janë autorët e Ballkanit, sa lexohen nga njëri tjetri.
Përkthyesit e Ballkanit, klasikët apo bashkëkohorë?
"Bisedojmë jo për 'klasikët' dhe 'emrat e mëdhenj', por për letërsinë më të re, letërsinë bashkëkohore të Ballkanit" me këtë qasje është hapur një debat që shkon në një pikë nevralgjike, që deri sot e ka penguar politika. Njohja e letërsisë mes vendeve të Ballkanit në një moment rreh të hapë sytë se çfarë është shkruajtur, e sidomos çfarë shkruhet sot në rajon. Pse kemi mbetur në klasikët e gadishullit? Duket sikur ky është problem i secilit vend, dhe flitet për izolim të rajonit ndër vete. Por takimi i mbajtur në festivalin "Ditënetët e librit", të sigluar "Një copëz Ballkan nga "Ballkoni i Botimeve Poeteka – Balkan from Balkony" vuri përballë shkrimtarët, përkthimet dhe përkthyesit e tyre duke parë rolin e botimeve nga "gjuhët e vogla" të gadishullit, që, edhe pse muret formalë janë rrëzuar, vazhdojnë të mos komunikojnë mirë mes tyre. "Besohet se rekordet janë vendosur dikur dhe gjithë sa shkruhet sot nga autorët bashkëkohorë nuk matet dot me kryeveprat e Boris Pahor, Vladimir Bartol, Mirko Kovać, Ivo Andrić, David Albahari, Meša Selimović, Danilo Kiš, Luan Starova, Drago Jančar, Blaze Koneski, Odisea Elitis, Niko Kazanzaqis, Mircea Eliade, Lucian Blaga, Nikolay Haytov, Valeri Petrov etj. Ky është pak a shumë muri i pakalueshëm i "bukurisë klasike" me të cilin ushqehen stereotipet e botuesit dhe lexuesit shqiptar. Nëse shkimtarët e rinj të rajonit nuk ngjasojnë me "dinozaurët letrarë" dhe nëse më të rinjtë nuk shkruajnë stilistikisht si ata, duke iu drejtuar temave të tyre "të mëdha universale e kombëtare, letërsia e tyre nuk vlen dhe nuk meriton vëmedje.", ndan Silvana Leka në ligjëratën e saj, "Paragjykimet ndaj letërsisë bashkëkohore të fqinjëve", si shkas në nxitjen e bisedës, në rreth dy orë për përkthimet në gjuhën shqipe, mbi përkthyesit shqiptarë dhe rolin e tyre jo vetëm në sjelljen e letërsisë bashkëkohore të Ballkanit në gjuhën shqipe por edhe në përkthimin e shkrimtarëve shqiptarë në gjuhët e "vogla" të Ballkanit. Moderuar nga Arian Leka, i cili bashkëbisedoi me përkthyesit Ben Andoni dhe Milena Selimi, kontributorë të spikatur të letërsisë ballkanike.
"Nuk kemi hekurudha, s'kemi komunikim të lirë, gjërat i bëjmë vonë, dhe ka shtete që nuk duan të jenë pjesë e Ballkanit, duke thënë se kemi një këmbë në Evropë", thotë Arjan Leka, moderator i bisedës mes përkthesve Ben Andoni dhe Milena Selimi, kontrobutorët më të spikatur në vite të fundit të letërsisë ballkanike.
Leka ka folur për një përvojë konkrete se si botimet "Poeteka" dhe rezidencat letrare të iniciuar prej tij, prej gjashtë vitesh kanë mundësuar njohjen e autorëve ballkanas me Shqipërinë, letërsinë e saj. Kur në anën tjetër "kthimi në shtëpi" i këtyre autorëve është shoqëruar me dedikime shqiptare, duke dhënë ndihmesë për njohjen e letërsisë shqipe, dhe në kalimin e mureve të komunikimit mes vendeve.
Në shqetësimin e shkrimtarit që shkruan në këtë kohë, dhe fatit të letërsisë bashkëkohore, Leka thotë se perceptimi i krijuar mbi letërsinë e fqinjit është e mbyllur me klasikët, ndaj në bisedë orientimi mbeten autorët bashkëkohore, njohja e tyre.
Referuar përkthyesve prezentë, përvojat e tyre flasin për kushte të vështirë të veprimit të tyre jashtë Shqipërisë, sidomos kur bëhet fjalë për njohjen e letërsisë shqipe, pa përmendur gjuhët "tradicionale" prej nga dolën përkthyesit më klasikë si nga gjermanishtja, gjuha italiane apo frënge. Në këtë ironi Leka shprehet se "po bëjmë luftë për lexues të huaj, por kemi humbur lexuesin tonë, ku librat dalin me 300 kopje". A është mosbesimi se nuk ka letërsi të re? Përkthyesja nga gjuha bullgare, ndër më kontribueset, Milena Selimi, duke treguar përvojën e saj, në intesitetin e përkthimeve të fundit, flet për letërsinë e mirë, por edhe të vështirë bullgare, por sheh me optimizëm sistemin e krijuar në përkthim, referuar sidomos programeve të Tradukit, apo Creative Europë, ku cilësisht letërsia bashkëkohore ballkanase ka gjetur "strehë"edhe në shqipe.
Përkthyesja e njohur, me një përvojë 30 vjeçare në përkthimet e shqipes, e cila ka përkthyer Kadarenë, Kongolin, Lleshanakun, Lubonjën dhe Aliçkën është shfaqur e rezervuar për fazën ku është letërsia bashkëkohore sot, dhe komunikimin e saj së paku në gjuhën polake, duke u bashkuar me vështirësitë që kanë shtëpitë botuese në këtë marrëdhënie të re.
E ndodhur në këtë ballafaqim, shkrimtarja, gazetarja dhe psikologia nga Bosnjë Hercegovina, Emina Zuna, e cila është fituese e bursës së Rezidencës letrare, "Poeteka-Tirana in Betëeen", pjesë e programit "Reading Balkans, 2018", ka pasur një mbërritje interesante në Tiranë. Në ironi, ka treguar se për të ardhur në kryeqytetin shqiptar i është dashur të kalojë transit nga Vjena. "Jemi kaq afër dhe nuk munda të vij në Tiranë, vetëm ta kaloja transit nga Vjena", thotë Emina. Në këtë metaforë të njohjes, shkrimtari Arjan Leka është ndalur të kujtojë se "ndihma" e ardhur nga BE, apo operacionet letrare si Traduki një ditë mund t'i shterojnë paratë, dhe sërish do gjenden vetëm. Për ta shfrytëzuar këtë periudhë si një mundësi të të ushtruarit, në njohjen e njëri tjetrin, kjo dorë përkthyesish e kuptojnë sa ironike është distanca, sa të afërt në kufinj, e sa të pamundur për t'u njohur.
Shkrimtarja boshnjake, e interesuar për vijën komuniste në Shqipëri, thotë se të njëjtat probleme janë edhe në Bosnjë, ku interesi për letërsinë anglisht folëse është më i madh, duke pasur të njëjtin perceptim për letërsinë ballkanase. Referuar problemit të shumëzimit të mediave sociale Emina thotë se steriotipi për shqiptarët është ajo e kohës së Enver Hoxhës, ashtu siç kthen vështrimin nga boshnjakët e saj kur thotë se të ndodhur në luftën e klikimeve, steriotipi për to vazhdon të jetë mbi autorët klasikë të Ballkanit si Mesa Selimoviç, Ivo Andriç dhe Ismail Kadarenë dhe jo tek autorët bashkëkohorë.
Rasti shqiptar është atipik, thotë shkrimtari Arjan Leka, duke iu referuar botimeve shqiptare, se si ka humbur dhe copëzuar lexuesi, ndërsa letërsia shqiptare, e vogël, në përpjekje për të kapërcyer kufinjtë, funksionon ende e mbyllur.
Nëse vendet e tjera të Ballkanit, sidomos ato sllave kanë një lexues më të gjerë, dhe tregu i librit ruan konstanten e saj, Leka thotë se në këtë moment kur askush nuk na pengon të shkojmë në Kosovë, dhe shqiptarët janë bërë 6 milionë libri vazhdon të shitet me 300 kopje. "Ne nuk komunikojmë me librat tanë shqip, ne vazhdojmë të botojmë të ndarë nga njëri tjetrit". Në këtë ironi eufemike, Leka ndalet në sistemin arsimor, e botën akademike në krahasim me numrin e mësuesve, e pedagogëve (si blerës të mundshëm), librat dalin vetëm me 300 kopje. Ndaj pyetja është vetiu një "karmë", pse nuk lexohet?
Përkthyesja e njohur Dorota Horodyska tregon përvojën e lexuesve polakë, me të njëjtat probleme me letërsinë ballkanike, krahasuar me letërsinë angleze, kur flitet për globalizmin: "Librat shqiptar në këtë moment duhet të jenë pesëfish më të mirë, se sa librat komercialë anglezë. Në Poloni, ne kemi probleme edhe me Kadarenë. Ka ikur moda e letërsisë klasike, po botohen nivele mesatare nga letërsia botërore".
Maria Roces Gonzales, e njohur me Shqipërinë qysh në fillim të viteve '80-të, pasardhëse e përkthyesit të shqipes, Ramon Sanches, tregon se letërsia shqipe hyn në gjuhën spanjolle nga Franca, dhe së fundi për rritet numri edhe nga botimet italiane. Gonzales ka folur se është e vështirë për botuesit pranimi i letërsisë ballkanike, pasi edhe atje lexohet pak. Ajo ka përkthyer Kongolin dhe tani Bashkim Shehun, ndërsa ka treguar se ka në dorë Epikën legjendare shqiptare, por rrëfen se është shumë vështirë. Me përkthimin e saj të fundit nga Kadare, "Mëngjeset në Kafe Rostand", Gonzales shpreh se janë botuesit që e rekomandojnë çfarë të përkthejë, edhe pse dëshirë e saj do ishte të përkthente nga Kuteli apo Poradeci.
E gjithë kjo hartë e Gonzales vjen pas viteve '90-të, pasi tregon se në Spanjë kishte problem, pasi nuk kishte asnjë përkthyes nga letërsia shqipe, dhe në bibliotekat e tyre, në ironi, ekzistonin vetëm veprat e Enver Hoxhës.
Ndërsa biseda mbyllet me përcjelljen, respetimin e letërsisë së Ballkanit kur vetë shkrimtarët apo botuesit bëhen pengesë të njëri tjetrit duke vazhduar të botohet letërsi nekrofile. Një pamje e zymtë, për një debat ende të panisur, por të prekur edhe pse mundësia shqiptare për lexuesin e madh është realitet. Hapi është konkret: paraqitet e para antologji poetike në gjithë gjuhët e ballkanit, të përkthyer nga Shkëlzen Maliqi.
Pse ballkanasit nuk besojnë se nga Shqipëria mund të vijnë kryevepra?
Ndeshen dy forma paragjykimi. Serbët, kroatët, maqedonasit, malazezët, boshnjakët, sllovenët apo edhe më gjerë bullgarët, rumunët apo grekët zor se besojnë se prej Shqipërisë mund të vijë kryevepra të pritshme. Deri ku e në ç'masë qëndron kjo e vërtetë? A kanë ata dijeni se çfarë po ndodh sot në arenën letrare shqiptare? A janë në kontakt me botues, me çmimet, me autoritetet që mbështesin kulturën e shkruar apo dhe me autorët vetë?
Po ashtu, edhe prej Shqipërisë vjen i njëjti mosbesim. Kryeveprat e fqinjëve janë bërë dikur dhe një herë e një kohë. Sot nuk ka të njëjtin nivel dhe të njëjtin vijim. Ato që shkruhen sot duhet të maten me kryeveprat e dikurshme dhe të ngjasojnë me llojin dhe modelin e veprave të Boris Pahor, Vladimir Bartol, Mirko Kovaç, Ivo Andriç David Albahari, Meša Selimoviç, Danilo Kiš, Luan Starova, Drago Janèar, Blaze Koneski, Odisea Elitis, Niko Kazanzaqis, Mircea Eliade, Lucian Blaga, Nikolay Haytov, Valeri Petrov etj. Ky është pak a shumë modeli i "bukurisë klasike" me të cilin ushqehet lexuesi shqiptar. Nëse nuk ngjason me këta shkrimtarë dhe nëse nuk shkruan stilistikisht si ata dhe me temat e tyre "të mëdha", letërsia që vjen prej këtyre vendeve shpërfillet dhe nënçmohet.
Por a kanë paragjykim botuesit dhe prej tyre edhe lexuesit shqiptarë se edhe prej letërsisë së re të rajonin nuk pritet diçka e re? Po në të vërtetë çfarë po ndodh? Mund të mjaftohemi sot vetëm me modelin e "bukurisë klasike" që vjen nga Ballkani? A është i vetëmjaftueshëm "klasicizmi ballkanik" edhe për kohërat në të cilat jetojmë? A mund të mbulojë kjo letërsi klasike edhe ato që ndodhën pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë? A janë aty luftërat e reja të fundit të shekullit XX? A janë aty rizgjimet e nacionalizmave, lufta për identitete të reja, si identiteti për gjuhë apo format e etnocentrizmit dhe urrejtjeve të Ballkanit të ri? Sigurisht që jo. Përtej vlerave të tyre të pamohueshme e të gjithëkohshme, bukuria klasike e letërsisë ballkanase e ka të pamundur t'i përgjigjet çdo ndryshimi që ka ndodhur në strukturën sociale, shpirtërore dhe kulturore të ballkanasve të shekullit të ri. Atëherë duhen kthyer sytë se çfarë ofron letërsia më e re. Por a janë ata në të njëjtën hulli, duke shkruar me mjete dhe qasje të tjera kryeveprat e tyre? Sigurisht që po. Këtë e dëshmojnë sukseset ndërkombëtare të mjaft shkrimtarëve më të rinj nga Ballkani, që po publikohen nga botues seriozë në Gjermani, Francë, Itali, Britani, Spanjë. Pra kemi hyrë në një zonë kur letërsia më e re nga rajoni ynë po konformohet, krahas traditës letrare. Por a kemi hyrë edhe ne, me editorinë shqiptare në rrjedhat e letrave moderne dhe bashkëkohësinë ballkanike?
Dr. Silvana Leka
(Fragment nga ligjerata e mbajtur në takimin "Një copëz Ballkan nga "Ballkoni i Botimeve Poeteka – Balkan from Balkony")
Përurim: "Historia e Shqipërisë përmes karikaturës"; Ben Andoni (Botimet Poeteka, 2018) - bashkëbisedim mbi historinë e karikaturës shqiptare
Intervistë me përkthyesja e mirënjohur Janka Trifonova Selimi - Botimet POETEKA -
Zonja e nderuar dhe përkthyesja e mirënjohur Janka Trifonova Selimi, që për "Botimet POETEKA" solli në shqip vepra të shkëlqyera, si "Hotel Grand", të shkrimtarit kroat Renato Baretić, "Roman natyral", të shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov, esenë "Tespihet prej qelibari", të shkrimtarit nga Mali i Zi, Jovan Nikolaidis dhe së fundi edhe "Fëmijët e Hansenit", të autorit Ognjen Spahić, vjen me një rrëfim të rrallë për jetën dhe përvojat e saj njerëzore e profesionale në Shqipëri. Nderim.
Bashkëbisedim me gazetaren e kulturës Fatmira Nikolli, stenda "Botimet POETEKA". Në "Ditënetët e Librit"
Për më shumë në faqet e "Gazeta shqiptare", 21 Maj, 2018
Janka Trifonova: Përkthimi e jeta ime me Skënder Selimin, e lumtur që nuk e braktisa më 1960
Fatmira Nikolli – Romani "Hotel Grand" i shkrimtarit të njohur kroat Renato Baretiæ merr shtyse nga ndodhitë e gjysmës së parë të viteve 90 të shekullit të XX, kur ish-Jugosllavia fillon të shthuret dhe "Hotel Grand", nga një "shtëpi e zakonshme", shndërrohet në një çerdhe prostitucioni. Autori vë në qendër një familje dhe fëmijë, që rritet në atë mjedis, pranë nënës dhe babait, që tek merren më këtë "biznes" të fshehtë rreken të ruajnë një imazh të rregullt.
Romani në fjalë i sjellë në shqipe nga 83-vjeçarja Janka Trifonova- Selimi bëhet shkas për një bisedë me përkthyesen. Ajo thotë se "e kam përkthyer me kënaqësi, e në momente të veçanta e kam lënë dhe nuk e kam vazhduar, sepse jam emocionuar ose jam tronditur nga ngjarjet e tij".
Mandej, vetë jeta e Trifonovës, i ngjet një romani. Ishin vitet 1950 kur vajza e re bullgare shkoi për studime në Moskë. Që në vit të parë, u njoh me një shqiptar, Skënder Selimin. Të rinjtë, u dashuruan dhe vendosën të ndërtonin jetën në Shqipëri. Me t'u kthyer, Skënder Selimi vë në skenë baletet e para në Filarmoninë e Shtetit dhe Teatrin e Operës, si "Zarena e humbur", "Zhurale Fadeta", "Laurensia", "Sheherezada", "Anusha" etj. Njëherit, Janka punonte në Radio Tirana- në qytetin që u kthye në shtëpinë e saj të dytë të vetme, kur Shqipëria vendosi të izolohej nga bota.
Në intervistën e saj për "GSh" gjatë festivalit "Ditënetët e librit" (që u mbajt në Muzeun Kombëtar nga KlikEkspo Group 16-20 maj) 83-vjeçarja Janka Trifonova- Selimi rrëfen jetën me baletmaestron shqiptar deri kur ai u nda nga jeta, nisur që nga vendimi i vitit 1960, për të mos e braktisur atë.
Trifonova – Selimi, ka sjellë nën logon "Botime POETEKA", katër shkrimtarë të njohur shquar të Ballkanit "Hotel Grand", të shkrimtarit kroat Renato Baretiæ, "Roman natyral", të shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov, "Tespihet prej qelibari", të shkrimtarit nga Mali i Zi, Jovan Nikolaidis dhe "Fëmijët e Hansenit", të autorit Ognjen Spahiæ. Rrëfimi i mëposhtëm, nis me përkthimin.
-Cilën kohë të Shqipërisë ju kujton "Hotel Grandi", trazirat e 1997-ës?
Më kujton disi trazirat, sepse sollën shumë të këqija. Libri sjell në vëmendje ndarjet e shteteve, ka shumë dhimbje- edhe pse ishte një kënaqësi e mëvetësisë së këtyre vendeve, kishte edhe dhimbje për shkak të shkëputjes nga diçka që e ke jetuar. Personazhi kryesor i romanit rritet në një hotel, ku ndodh diçka e rëndë- hoteli është edhe shtëpi. Ata e edukojnë fëmijën, por në hotelin-shtëpi ka krim, korrupsion, prostitucion. Fëmija njihet po aty me botën tjetër, atë që prindërit nuk ia kishin prezantuar. Sheh vetë gjithçka që ata ia kishin fshehur, njeh trupin e tij dhe bëhet dëshmitar në skena të rënda.
-Pse e sollët në shqip "Romanin natyral"?
Është një vepër postmoderniste, por edhe klasike. Kur historia personale e njeriut shkatërrohet, atij nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëhet mbledhës historish të huaja dhe të kthehet në pjesë të atyre historive. Një tekst shumë i thjeshtë… Një roman që nuk është e lehtë ta klasifikosh në asnjë kategori, një rrëfim i ëmbël dhe i pamëshirshëm, sa i errët, po aq dhe me humor, siç cilësohet nga botimi i tij në frëngjisht, është njëkohësisht "një kryevepër e vogël dhe e plot hijeshi rrëfimi dhe stilesh, të cilat kanë ndikuar që libri të botohet në 17 gjuhë me një sukses të plotë.
-Për të përkthyer "Fëmijët e Hansenit", çfarë ju ngacmoi?
Përmes metaforës brilante komunizëm-lebër, në veprën e tij të mirënjohur, "Fëmijët e Hansenit", shkrimtari malazez Ognjen Spahiæ, sjell me elegancë, por edhe pa mëshirë, pamjet e një bote që lexuesi i ka ndeshur me përmbysjen e regjimeve totalitare: frikën për ta thënë deri në fund të vërtetën, trishtimin, humorin dhe horrorin në kohë krizash. Është fundi i viteve 1980. Europa është gati të ndryshojë
përgjithmonë. Ndodhitë zhvendosen në një cep të humbur të Rumanisë, ku dy burra presin që realiteti dhe fati i lebrozit, që u ka rënë për pjesë, të ndryshojë. Romani, është një tjetër dhimbje e madhe, sepse ka të bëjë me izolimin. Izolimi ka horror e dhimbje, e dëshirë për të shpëtuar, e kur më në fund shpëton, del se je i vetëm, askush nuk të afrohet më.
-A janë shqiptarët e sotëm?
Nuk janë doemos shqiptarët e sotëm, sepse është kohë që jetuam brezi im. Por, nga ana tjetër, ne sot nuk pranohemi. Kemi dalë nga izolimi, por kudo që shkojmë na shohin me sy tjetër, jemi ende brenda spitalit të lebrozëve.
-Sot, 83 vjeçe, sa kujtimet keni lënë pas?
83 vjeçe, doni të thoni që kam jetuar izolimin? Do thosha që kam jetuar kohën time. Më ka rënë për hise, por e kam nisur me një ideal. Me besimin e madh në një ideal. E di se sot të rinjtë nuk besojnë më në asgjë, por ne aq besonim e aq ishim të frymëzuar nga ideali, aq ishim të lumtur. Nuk e di nëse mund të ketë një lumturi të tillë apo jo më, as sikundër nuk e di nëse mund të ketë një zhgënjim të tillë më. Sepse lumturia qe e madhe, por po aq zhgënjimi. Po aq shumë qenë momentet që duhej të mbijetoje edhe pse ishe i zhgënjyer dhe duhej të ecje drejt, të ruaje veten. Unë që isha e huaj duhet të ruaja ende më shumë emrin tim, pikërisht se isha e huaj. Rrugës, dëgjoja që shpesh herë të thoshin, "ajo, bullgarja".
-E vuanit? Ju shihnin si spiune apo thjesht e vuanit ju?
Jo, nuk më shihnin si spiune. Unë kam pasur fat, kam punuar në Radio Tirana dhe atje kam shkuar mirë me kolektivin, edhe pse Albert Minga thoshte se "ne ju shihnim, por nuk ju afroheshim". Nuk na afroheshin vërtetë.
-Kur keni ardhur në Shqipëri?
Unë kam ardhur më 1958 dhe sivjet bëj 60 vjet në Shqipëri.
-Me bashkëshortin u njohët në Moskë. Kur erdhët në Shqipëri, 2 vite më pas, Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Lindjen. E menduat ndonjë moment të iknit?
Më 1961 kur ikën gratë ruse me të cilat unë kisha shumë miqësi, sepse i njihja që nga Moska, një prej shoqeve të mia më tha: a do vish? Avioni po niset dhe ka një vend bosh. Në asnjë çast nuk e mendova që të ikja.
-Po bashkëshorti çfarë ju tha, të rrinit?
Nuk ma tha asgjë. E vendosa vetë. Mund të them se çasti më vendimtar ka qenë më 1961, kur shkova në Bullgari. Im shoq më bëri një telegram ku më thoshte: Nisu sa më parë, se kështu është puna. U thashë prindërve, që duhet të iki. Im atë më kërkoi të mendohesha duke më bërë me dije se "do bëhet njësoj si me Jugosllavinë, do të mbyllen kufijtë". Unë isha me djalin e vogël me vete. U mendova gjatë dhe i thashë: "Nuk kam të drejtë të lë djalin pa baba". Nuk vura veten në plan të parë, nuk mendova për veten. Thjesht nuk doja që djali im, të humbte të atin, siç e kishte humbur im shoq.
Kur arritëm në Tiranë, im shoq më tha se ma kishte nisur telegramin, pasi e dinte që do mbylleshin kufijtë.
-Si e përjetuat ju Shqipërinë, si të vetmin fat tuajin?
Ka qenë e vështirë vitet e para. Më 1962, 1963, 1964 kam vuajtur jashtëzakonisht. Mendova se do mbetesha përgjithmonë jashtë dhe larg njerëzve të mi. U dobësova shumë dhe më mundonte mendimi se do mbetesha këtu, do vdisja këtu.
-Kishit dilema?
Po. Por më pas me kalimin e kohës, çdo gjë shqiptare mu bë e imja.
Im shoq ishte balet-maestro dhe bënte ekspedita, kthehej e më tregonte çfarë bënte. U mësova me çdo gjë.
-Si ka qenë jeta juaj me Skënder Selimin? Ai ishte i njohur e i vlerësuar, por si ishte në raport me ju?
Unë jam e lumtur që kam qenë pranë tij. Nuk kam asnjë peng, asnjë peng për ato vite. Ne, që kur jemi takuar, kemi vendosur të jemi bashkë dhe kemi qëndruar bashkë deri në fund, duke qenë e lumtur për çdo ditë që kam qenë pranë tij.
-Kur vendosët të rrinit me të e jo të ktheheshit në Bullgari, a ju tha bashkëshorti që bëtë gabim? A ndjehej fajtor që qëndruat këtu për të?
Ne kemi pasur lidhje të tillë, sa asnjëherë nuk e kemi vënë në dyshim nëse ai është fajtor, apo unë. Nuk mundesha të bëja atë fajtor, sepse ashtu mund të thuhet edhe se unë isha fajtore për jetën e tij, sepse e çuan pesë vite në Koplik.
-Prej jush?
Mua nuk më lëvizën, por lëvizën tim shoq. Unë punoja në radio dhe jepja mësim në një kurs për gjuhët e vogla siç quhej atë kohë. Skënderi që e çuan në Koplik, u përpoq të bënte çfarë mundej edhe atje. Bënte ekspedita në Malësinë e Madhe, krijoi një grup si ansambël dhe mbrojti disertacionin "Lirika koreografike".
-Ju kërkonte ndihmë Selimi për punën e tij?
Më kërkonte më shumë literaturë për temat që po trajtonte. Për çdo balet që vinte në skenë, unë kërkoja bibliografinë për të mësuar më shumë mbi arkitekturën e epokës, historinë, kostumet, e jo vetëm. I ndante me mua idetë e konsultohej. Por ai nuk kënaqej asnjëherë me atë që bënte.
-Kur u rikthyet në Bullgari?
Një herë pas 12 vitesh më 1972. Më pas më 1981 dhe pas 1990-ës. '90-ta ishte shumë e dhimbshme, sepse na u tha që mund të bëni kërkesë për pasaportë. Ikëm bashkë, unë me tim shoq dhe me djalin. Djali kishte lindur në Bullgari, por tani që do shkonte atje, do të vizitohej, se ishte i sëmurë. Unë e humba atje djalin, e u ktheva pa të.
-Kur keni filluar të përktheni?
Kur ishim në radio përkthenim pjesë letrare si "Kështjella" e Kadaresë. Kur kishte përvjetore poetësh e shkrimtarësh, e drejtori Thanas Nano na jepte 'viston' për përkthimet e leximet e ndryshme që duheshin bërë. Ndërsa, pas 1990-ës qe krijuar një kënd në një revistë për letërsinë ballkanike dhe nisa të përktheja tregime.