13 June 2018

Arian Leka - DEBATE ON EUROPE

Europa dhe regjistri i të mbyturve tanë

Shkrimtari dhe studiuesi Arian Leka merr pjesë në veprimtarinë "Debate on Europe -2018", që u mbajt në Shkup, nga datat 7 deri më 9 qershor.
Që nga viti 2012, Deutsche Akademie für Sprache und Dichtung, S. Fischer Stiftung, Allianz Kulturstiftung dhe TRADUKI, që me këtë rast shënon kulminacionin e aktiviteteve të saj në Europën juglindore me rastin e 10 vjetorit të saj, organizuan diskutime vjetore ndërkombëtare mbi çështjet e rëndësishme aktuale në Europë dhe rreth ndikimit të mundshëm të 'Artit dhe Kulturës në ndryshimin e Kohës', pjesë e të cilëve u bënë studiues dhe autorë nga Gjermania, Austria, Zvicra, Bullgaria, Maqedonia, Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Serbia etj....

Nga Arian Leka

Dhe arsyeja përse ruaj ndjeshmëri ndaj temës detare dhe ndaj tragjedive që ndodhën në det është e lidhur jo thjesht me mua dhe me profesionet e familjarëve të mi, por me faktin e trishtë të mijëra shqiptarëve, të cilët i vështroj si naufragus historik.

Për shekuj me radhë dhe, veçanërisht gjatë 20 viteve të fundit, qindra shqiptarë humbën jetët e tyre në Otranto. Ky regjistër i ftohtë, ky regjistër i lëngshëm dhe i dëndur me kripë, i jep gjithkujt të drejtën të mendojë se një Shqipëri tjetër, veç asaj që rri mbi brigje dhe rrëzë maleve, është mbytur dhe është fundosur historikisht nën det.

Sado patetike të tingëllojë sot, vargu i John Donne, mbi njeriun (që është i gjithë njerëzimi), bën që shqiptarët e varfër, bujqit, barinjtë dhe të pasurit atyre 550 vjetëve moteve më parë, njëlloj si shqiptarër e mbytur pas viteve '90, të jenë afrikanët e sotëm që mbyten në Mesdhe. Ata janë po aq naufragus sa dhe heronjtë kulturorë të letërsisë europiane të kohëve të shkuara, që deti nuk i nxjerr vetëm në brigjet tona, por edhe mbi dallgët e letërsisë që fëmijët tanë studiojnë në shkolla.

Pavarësisht vendit ku ndodh, në ujë të ëmbël apo të kripur, vdekja nuk është kurrë e ëmbël. Gratë e reja që pinë ujë të njelmët dhe humbën jetët e tyre në mënyrë dramatike në "Mesdheun  mizor", në mes të Egjeu, nëpër Adriatik, në Detin Tirren, në detin Jon, në gjirin e Korintit apo të Mesinës, janë  njëlloj të mbytur dhe poa naufragus sa edhe Ofelia e Shakespeare-it. Burrat, që u mbytën duke luftuar me dallgët, kanë të njëjtën dilemë me Javert i Hugo-it. Fëmijët e mbytur, që dallga i solli me lodra në dorë deri në gjiret detarë ku ne bënim plazh, janë Pinocchio në barkun e peshkut të madh. Ata janë të ngjashëm me Jonah, siç e shohim në muralen e bazilikës së 40 Shenjtorëve në Sarandë, që u hodh në det për të shpëtuar anijen në stuhi dhe që kishte mision të njoftonte banorët e një qyteti me vlera të bjerra, si Niniva se qyteti do të shatërrohej për shkak të keqqeverisjes sjelljeve të tyre johumane. Emigrantët në brigjet tanë mbyten njëlloj si poeti kinez Li Po. Çdo i mbytur në brigjet e Ligurias është poeti Percy Bysshe Shelley, i cili humbi jetën gjatë një stuhie në gjirin pranë Livornos, pasi kishte shkruar Në detin e thellë të mjerimit. Vajzat e mbytura në detin tonë janë Virginia Woolf, e cila u fundos pasi mbushi xhepat me gurë.

Si u rikthyen sërish mes nesh fjalët "Kamp", fjala "Kufi" dhe togfjalëshi "Tel me gjemba", me të cilin na kërkojnë ta lidhim veten sërish? Në mënyrë therëse, ironike, janë emigrantët ekonomikë, ata që ikën Ballkanit 28 vjet më parë për shkak të luftrave ndëretnike, ata që sot ngrenë kampe për emigrantët që ikin prej luftës në Siri…

I rikthehem dhe kujtimit të fuçive detare, me të cilat dikur mbushëm brigjet për të penguar veten të mbërrinte larg. Kjo fjalë mbart kujtime të trishta në Ballkan. "Ballkani-fuçi baruti për Europën". Ishte, vërtet Otto von Bismarck-u, ai që e artikuloi thënien që e mendonin të gjithë? Përmes fuçive lundruese në det, Shqipëria e dikurshme nuk i lejoi shtetasit e saj t'i bashkoheshin Europës. Edhe sot diçka e ngjashme me fuçitë na pengon: mendja jonë, që herë shndërrohet në një fuçi shpërthyese dhe herë në një fuçi që na ndalon të shkojmë larg. Njëlloj siç bregdeti u mboll me qindra kupola bunkerësh, që ngjasonin me koka të qethura,  mendja sot është mbjellë me të tilla fuçi këshilluese-kërcënuese, që pengojnë.

Nga një urë mes vetes dhe kontinentit, ne e shndërruam në pengesë detin tonë. Po ashtu edhe mendjen tonë, që pengohet, mëdyshet dhe vonohet pa shkak. Më shumë se modelin e një ure, Mesdheu i sotëm ofron modelin e një fuçie shpërthyese dhe të një mine detare, që shpërthen po ta prekësh dhe t'i kalosh pranë. Emigrantë që urrejnë emigrantët. Prej bijve e bijave të emigrantëve italianë të një shekulli më parë, sot dëgjohen thirrje të egra populiste kundër emigrantëve që mbërrijnë nga brigje të tjerë. Për ta u tha madje se do ishte edhe më mirë sikur t'i linim emigrantët të mbyten në det, duke shqiptuar edhe kërcënime se nëse Europa nuk na ndihmon…

Me çfarë mund apo duhet të na ndihmojë Europa sot? Me koncentrat individualizmi, federalizmi, ekzistencializmi, futur në pilula pa efekte anësore? Do të na ndihmojë duke sjellë ekspertë për kurse kundër analfabetizmit ndaj vlerave të ngjashme europiane? Do të ndajë me ne sinergjinë kundër autoritarizmit dhe instikteve demagogjike, që i kundërvihen parimit europian të zgjerimit dhe dyerve të hapura për "emigrantët europianë" nga Ballkani Perëndimor?

Mar Portuguese dhe fjalët e Ferndando Pessoa-s për ujërat e kripur, që "janë lotët e vendit tim dhe çdo atdheu tjetër". A janë fuçitë, klonet, muret transparente të telave me gjemba, me të cilat e kushtëzojnë praninë tonë në kontinent, simbolet e Europës së Re?, bëj retorikë me veten, teksa kujtoj Walter Benjamin dhe për të kuptuar më mirë kohën kur ai shkroi, duke theksuar se jo larg nga sot, më shpejt se sa Moskën, e kemi njohur Berlinin (lindor) përmes Moskës.

Duke "Rimenduar Europën", e përfytyroj Mare Nostrum si një brez shpëtimi, që ndihmon të humburit në det. Mendoj njerëzit që e kanë shndërruar veten në fuçi shpërthyese nëpër aeroporte, nëpër sheshe publike, në metro dhe në koncerte. Për ta besuar edhe vetë, por për ta përkufizuar më mirë kohën në të cilën jetojmë, si një kohë të ndërmjetme, tranzitore, "in between", vërej se njerëzit e kësaj kohe, në dallim të kohëve të mëparshme, gjithashtu aspak shembullore, ia behin në redaksitë e revistave dhe gazetave jo me penë, për të marrë autografë nga autorët, por me kallashnikovë në dorë, për t'u marrë autorësi mbi krime.

Dikush e ka humbur fillin. Shoqëria? Institucionet e saj? Lartësia e Tij, Zoti vetë, që nuk shqetësohet nëse njerëzit mbyten në Mesdhe nuk e lodh kokën nëse minjtë në anije i zë deti, siç qesëndis dervishi oriental te Kandidi optimiost i Voltaire-s. Qenkam kthyer sërish dhe krejt pa dashjen time në epokën satirike të Iluminizmit, ku detyra përfundon duke përqeshur të keqen, kur deti ishte vetëm i bukur dhe ku përjetuam rilindjen e marrëdhënieve mes kulturave, etnive dhe njerëzve!?

Sarkazma – si shprehja më të ulët e mprehtësisë, por forma më të lartë të inteligjencës – nuk është më një mjet i mjaftueshëm stilistik. Sarkazma nuk do të na e lehtësojë dhimbjen dhe ca më pak do të na shpëtojë. Po në fund të udhëtimit, le të kujtojmë mjeshtrin e verbër, jo për Homerin, por Borgesi-in. Në tekstin e tij ai na rikujton një hero europian të humbur në labirint. Në njërën dorë ai mban shpatën dhe në tjetrën një fill, dhuruar nga një tjetër heroinë kulturore e kontinetit europian. Një fill për të mos humbur udhën.  Pas mijëvjeçarësh qytetërim, shpata duket sikur i ka humbur argumentet, si çdo formë e dhunës. Filli udhërrëfyes është tretur gjithashtu. Edhe labirinti me korridoret e tij të pafundme është mpakur aq shumë sa më qartë duhet në hartat turistike sesa në realitet. Janë të shumtë ata që e kuptojnë se, ndonëse ecim dhe zhvillohemi, kemi ngecur  sidoqoftë  në një labirint. Po a lidhet e përditshmja jonë me farkëtimin e besimit se nëse ky labirint ekziston, bashkë me të duhet të ekzistojë edhe filli që do të na ndihmojë për të gjetur rrugëdaljen sërish? Frika ndaj të tjerëve i ka zgjeruar kufijtë, duke krijuar mes nesh një det të ri: nuk është Det i Zi. As Det i Kuq dhe as Det i Bardhë. Është det mosbesimi, ky që kemi vendosur mes nesh- in between. Këtë det mosbesimi nuk do e gjejmë të shënuar mbi asnjë hartë tjetër, përveç asaj harte që éndet në mendësinë tonë, sa herë që ditët zymtohen dhe në vend të zgjidhjeve, hapjeve, zgjerimit, shohim telat me gjemba si rrugëalje. Sidomos në një epokë si kjo, të sunduar më shumë se kurrë jo nga kultura, por nga njoftimet, nga përciptësia, nga lajmet e papjekura e të këqija, nga mesazhet e nxituara e të gabuara që nisim me cinizëm ndaj njëri-tjetrit, si të ishin këto përligjje e dëshpëruar ndaj asaj që Heinrich Heine i druhej aq shumë, kur te Gjermania, një përrallë dimri, shkruante se "ajo liria praktike, e jashtme, fort shpejt ka për ta zhdukur idealin, që ne e përkundnim thellë në gji…"

fjalorth empirik mbi europianët

Përmes sendeve që sillte në shtëpi im atë dhe përmes atyre që mezi mbërrinin prej Europës në rrugët tona, fillova të krijoj përfytyrimet e para empirike mbi europianët: Gjermanët janë të fortë! Po italianët? Italianët kanë shije të holla! Francezët? Francezët janë elegantë! Holandezët, futbollistë shtatlartë! Jugosllavët, liberalë! Anglezët, udhëtarë! Anija ku punonte im atë, "Tirana", ishte ndërtuar dhe ishte blerë e re fringo në Gdanjsk. Por ikona  në qytetet shqiptare ishte Polski Fiat 125.

Deri në mes të viteve '70 kjo makinë shfaqet jo rrallë në sekuencat e filmave shqiptarë të llojit aksion. Profili i veturës polake zë një vend më urban në mjedisin social në filmat e zhanrit dramë në viteve '80. Subjektet ku kjo veturë shfaqet, sillen zakonisht rreth Sigurimit, që ndjek agjentët e huaj me Polski Fiat 125. Por gjenden gjthashtu edhe skena filmi, ku titullarë të ndërmarrjeve socialiste nuk udhëtojnë me makina perëndimore, si Peugeot apo Fiat italian, por me Polski Fiat 125.

Pas objekteve që importonim duhet të përfytyroja europianët. Ata ishin "të huajt" për ne. Po ku ishin, ku gjendeshin ata, në ç'kontinent? Ishin larguar?Kishte ndodhur njëlloj si në baladat shqiptare, ku gjendet një përmasë hiperbolike, që cilësohet "tre dete kaptuar larg". – Si janë europianët, mësuese, që t'i njohim nëse guxojnë të vijnë në brigjet tona, pyesnim në orën e letërsisë? – Europianë të vërtetë jemi ne, me gjuhë dhe kulturë unike të lashtë. – Ne jemi ilirë! – Ne jemi pellazgë! – Ne kishim teatro kur ata ishin në shpellë… – Kanë pamje të shpifur, si Balozi i Zi, i legjendës, na qetësonte mësuesja e letërsisë. E dimë përmendësh këngën e kreshnikëve, apo jo? – Poooo!

Atëherë do e keni të lehtë! Europianët do i njihni nga kërkesat e tyre poshtëruese: "taksë për çdo shtëpi; javë për javë do djegin nga një krahinë me bazat e tyre ushtarake; nga çdo familjeje do kërkojnë një vajzë të re për ta marrë me vete në qytetet e tyre me drogë e krim dhe ditë për ditë do të vrasin nga një fatos, derisa të mbetemi një vend frikacakësh pa nder. Kuptuat, fëmijë? – Poooo!

Më kishin trembur që herët me imazhin e katallanit të përrallës. Nëse nuk bëhesha "djalë dhe nxënës i mirë", katallani rikthehej për të më rrëmbyer dhe për të më çuar në vendin e tij, ku "njeriu për njeriun është ujk". Homo homini lupus est! – Përsëriteni, të dashur studentë! – Homo homini lupus est!Homo homini lupus est!

Kjo ishte fraza e parë që më mësuan në Universitet. Jo në orën e latinishtes. Të filozofisë politike. Pastaj: Luftë. Bellum omnium in omnes. Të gjithë kundër të gjithëve. Partia në krye! Udhëheqësi në ballë! Mendja trillonte skena se si kapitalistët katallanë të Perëndimit mund të na i merrnin sërish djemtë nizamë, për të luftuar jo në Jemen dhe në Qabe, por në divizionin e FC Barcelonës në Camp Nou. Edhe Bajlozi i Zi, mund të ofronte vende pune për ushtarë në trupat paqeruajtëse të NATO-s, ku duheshin luftëtarë të paguar-stratiotë, farkëtarë armësh, kuzhinierë dhe zhvillues të turizmit erotik. Kaq. Deri këtu. Edhe imagjinata duhet të ketë limite. Edhe përfytyrimet është mirë të kenë tri radhë fuçish…Po gjithsesi më kishte mbetur mister se çfarë do të bënte Europa me Shqipërinë nëse do të vinte pas viteve '80. Do të na sulmonin? Për të na grabitur? Do të përdhosnin idealin kulluar të the new brave man?

I pritëm, por europianët nuk erdhën. Na kishin harruar, me sa dukej. Edhe kur dikush, vetëm pak vite para shembjes së Murit të Berlinit mbërriti për të ofruar dalje nga izolimi, siç kujtohet rasti i  vizitës së kryeministri bavarez Franz Josef Strauss në vitin 1984 (gjithashtu një "turist politik", që më bën të kujtoj G. Orwell) bashkë me rikthimin e tij në vitin 1986, ne e thelluam vetizolimin. E shndërruam vetminë tonë në një mall, duke e kthyer dhembjen në "sadisfaksion moral", siç u tha. Me këtë refuzim parandaluam tradhtinë që mund t'i bënin shqiptarët kauzës së përbashkët "në kurriz të Gjermanisë Lindore"!, siç u shqiptua në deklaratën qeveritare pas largimit duarbosh të Strauss-it. Ishim sërish të vonuar. Por vinim kushte. Kërkonim nder dhe dëmshpërblim ndaj Gjermanisë Perëndimorë (alias naziste). Ndërkohë që e dinim mirë se gjatë Luftës së Dytë Botërore ushtarët gjermanë kishin ardhur në Shqipëri nga të dyja gjermanitë. Por qeveria komuniste e vuri dëmshpërblimin si parakusht për të rihapur marrëdhënie diplomatike vetëm Gjermanisë Perëndimore.(Me Gjermaninë tjetër ishim, camarades, dy vende socialiste mike). Sidoqoftë diçka ka mbetur ende e paqartë për akademikët edhe sot e gjithë ditën: ushtari gjerman, ai që u largua i fundit fare prej vendit tonë, gjë që simbolikisht shënoi çlirimin e Shqipërisë prej nazi-fashizmit, ishte prej Gjermanisë Federale apo prej Gjermanisë Demokratike? Pas asaj kohe, e kuqja, ngjyra e Shqipërisë, e kishte humbur rëndësinë për Perëndimin europian. Madje edhe për të na pushtuar na harruan. Kryetalentet tona ishin shfaqur sërish, si në këngët e kreshnikëve. Talenti numër një: të humbnin raste. Talenti dytësor: të bënim armiq. Shumë kishim duruar nën diktaturë, por edhe të tjerët e kishin duruar shumë heshtjen tonë. A thua e kishin menduar europianët se për ne ishte më mirë të rrinim, siç ndenjëm, të mbyllur, të izoluar, një vend kaotik, në tranzicion të përhershëm, në udhëkryq, një urë lidhëse-ndarëse mes Lindjes dhe Perëndimit, një kanal trafikimi dhe një parajsë artificiale në trup të Europës Juglindore? Vetëm që të mos kishim bazat e Bashkimit sovjetik? Për kaq? George Orwell kishte krijuar "Fermën" letrare për të demonizuar shoqëritë komuniste, por Shqipëria ishte mishërimi i kësaj ferme në gjendje të egër dhe të lirë. Janë të shumtë ata që pyetën: Mos vallë rasti shqiptar u përdor si ilustrim nga Perëndimi? Ishim përdorur ne si një lloj anti-tabele, përmes së cilës Perëndimi prodhoi jo vetëm imazhin se si mund të ishte një shtet komunist, por dhe si ishte shoqëria komuniste vetë? Mos donte që përmes nesh të trembte dhe të kanoste të tjerët, duke u treguar fytyrën e produktit të vrazhdë të kopshtit socialist? A kishte shërbyer një shtet dhe një popull i tërë si parulla e qytetit tim të fëmijërisë? Heshtja e radiove, e televizioneve dhe e gazetave europiane gjatë viteve të persekutimit, të vrasjeve, terrorit dhe burgosjeve politike në Shqipëri a bëhet pjesë e këtij argumenti, në kohën kur një vendi europian nuk i kishte mbetur as zë për të klithur apo për të kërkuar ndihmë?

guidë turistike: Perëndimi artificial dhe fals-Europa

Një ditë Europa mbërriti, sidoqoftë. Por gjatë kohës që Europa mungoi, gjatë periudhës së gjatë kur Shqipëria ruajti fare pak dhe vetëm simbolikisht marrëdhënie me Perëndimin, shteti komunist u kujdes dhe mund te thuhet se edhe ia doli, të krijonte përshtypjen se nuk ishim mbetur pa Europë. Përkundrazi! Ne shqiptarët kishin privilegjin të takonim pjesën më të zgjedhur të europianëve. Sigurisht që duhej një strategji për të përligjur se nuk kishim mbetur vetëm. – Kush tha se  europianët nuk e pëlqenin Shqipërinë? – Kush tha se nuk kishim turistë? – Janë shpifje dashakeqëse, që nxijnë realitetin dhe errësojnë traditën mikpritëse të shqiptarit! Ndaj dhe në fund të viteve '60 u stisën ndodhí të denja për a speculative fiction që çoroditën njerëzit derisa u kuptua se ç'ishin dhe se çfarë përfaqësonin ato grupe të rinjsh nga Perëndimi, që ia behën  në Shqipëri gjatë atyre viteve. Mbërritën nga Gjermania, nga Franca dhe Italia, nga Portugalia, Anglia, Belgjika, Spanja, Austria, Holanda, Danimarka dhe Zvicra. Kishte mes tyre madje edhe të rinj nga SHBA dhe Australia. A ishte kjo hapja e dëshiruar ndërkontinentale e Shqipërisë?!Ç'duhej më, përveç kësaj?! Perëndimi i afërt dhe Perëndimi i largët kishte mbërritur! Na kishin zbuluar, më në fund…! Veçse për habinë tonë të madhe dhe ndryshe nga ç'e kishim përfytyruar dhe nga sa prisnim, perëndimorët që mbërritën në qytetet tanë dukeshin krejt të ngjashëm me ne. Ishin të rruar paq. Ishin të qethur shkurt. Nuk kishin mustaqe mbi buzë. Nuk kishin baseta poshtë veshit dhe as flokë të gjatë, si të hipive. Përkundrazi. Perëndimorët që mbërritën te ne ishim të sjellshëm, të përshëndesnin,nuk shfaqën asnjë shenjë të të qenit snob dhe menefreghiste, siç kishim dëgjuar se ishin. Por mbi të gjitha perëndimorët tanë nuk manifestonin "shfaqje të huaja", tipike të botës së kapitalit, siç shfaqeshin rëndom perëndimorët në klishetë e karikaturave të revistave tona.

Ata nuk kishin veshur as objektet kult të Perëndimit! Nuk kishin madje as blue jeans të ngushtë, që të plotësonin së paku njërin nga parakushtet të stereotipit ndaj europianit, siç nuk kishin as T-shirt me figura dhe emra të stampuar përsipër. Të shpenguar? Jo. Nuk ishin të shpenguar dhe shpërfillës. Ishin miqësorë. Sa herë që shfaqej rasti ata na përshëndesnin me duar. Ishin thuajse njëlloj si kinezët e qeshur e të sjellshëm, që do të shfaqeshin më vonë. Ishte zhgënjyese për ne. Nuk e dinim se përveç tyre ekzistonte edhe një tjetër Europë, siç ekzistonin edhe europianë të tjerë veç tyre. Si ta dinim se grupet e të rinjve që u shfaqën atëherë ishin europianë që shteti ynë i kishte importuar për të na magjepsur. Imazhi i lirisë europiane, ashtu siç e përfytyronim dikur ne, përmes tyre kishte mbërritur jo vetëm me vonesë, por edhe i trukuar. Nuk u desh shumë kohë ta marrë vesh se turistët "perëndimorë" që mbërritën asokohe në Shqipëri nuk ishin Perëndimi i vërtetë. Ata jetonin në Perëndim, por Perëndimi nuk përfaqësohej prej tyre. Megjithëse harresa ka bërë punën e vet gërryese, duhet të ketë qenë jo pak zhgënjyes çasti kur të gjithë e morën vesh se "turistët tanë" të parë nuk kishin qenë thjesht turistë në punë të tyre. – Doni europianë? – Ja europianët. Por ata kishin qenë grupe të rinjsh me bindje të marksist-leniniste. Ishin komunistët europianë, nga ata që, në vend posterave të Beatles, Jim Morrison apo Rolling Stones, mbanin në dhomat e tyre portretet e Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit dhe të Enver Hoxhës. Nëse u përvishje llërët, atyre europiano-perëndimorëve të klonuar, mund t'u shfaqej Che Guevara, drapri me çekan dhe ylli i kuq. Sërish të gënjyer. Këtyre grupeve polit-turistike iu bashkuan vite më pas edhe anëtarët e atyre partive dhe organizatave simotra marksiste, të cilat morën ndihma nga i ashtuquajturi "Fondi i solidaritetit" shqiptar. Vakanca politike. Pushime ushtarake pa pagesë. Qindra-mijëra dollarë të dhëna pa asnjë dokument u shpenzuan çdo vit për marksist-leninistët e rinj perëndimorë. Shqipëria e varfër paguante për imazhin dhe PR e saj strategjik të komunikimit. Ajo vetëtaksohej për ta ruajtur të paprekshme figurën e saj prej "kështjelle të pamposhtur" dhe "fanari ndriçues", duke mbajtur gjallë kauzën ortodokse të "komunizmit botëror".  Por as marksist-leninistët dhe as anëtarët e partive komuniste nuk ishin të vetmit që përfituan për më shumë se 30 vjet nga "Fondi revolucionar i zhvillimit". Ky fond mbështeti edhe grupet e "lëvizjeve çlirimtare" nga e gjithë bota mbarë, që mbërrinin për t'u përgatitur ushtarakisht në Shqipëri. Në trip advisor-in e kohës, nëse do të kishte ekzistuar një i tillë, Shqipëria do të ishte shënuar si destinacioni i parë i hartës së turizmit ideologjik. Në të nuk mund të mungonin revolucionarët nga Amerika Latine (Brazili, Bolivia, Peruja, Kolumbia, Kili dhe Ekuadori) dhe as ushtarakët nga Afrika (Sudan dhe Kongo), siç tashmë janë bërë të njohur nga artikujt investigativë të gazetarëve. Mes tyre ka patur madje edhe asish që arritën të bëhen lider dhe udhëheqës të vendeve të tyre. Veçse pjesa më cinike e kësaj kronike të çuditshme turistike, mbetën grupet e të rinjve marksistë nga Perëndimi. Nëse të tjerët erdhën, u përgatitën dhe ikën pa e kthyer kokën pas, grupet e të rinjve marksistë nga Perëndimi mbërritën për të na gënjyer, për të zgjatur agoninë tonë, duke na thënë se edhe pse të izoluar, ne ishim në rrugë të drejtë, më të mirët qëndrestarë mes dallgëve të historisë, të cilëve u ishte paracaktuar misioni i madh i shpëtimit të botës: ne, Mesia ideologjik i kombeve! Përmes këtyre grupeve turistikë, kishim humbur sërish edhe një shans. E pamë Europën përmes plasës së derës, të asaj dere që do të na hapej më vonë se të tjerëve dhe me çelësa falsë.

11 June 2018

Botohet edicioni më i ri i revistës POETEKA - No. 48: 2018

Edicioni më i ri i revistës POETEKA No. 48: 2018, ndodhet që sot në librari dhe në duart e pajtimtarëve. 

Në 7 rubrikat e saj revista POETEKA sjell...:

- krijime në prozë dhe poezi, përktime të shkrimtarëve bashkëkohorë nga Ballkani dhe autorëve klasikë nga mbarë bota;

- vështrime e këqyrje të shtypit të fqinjëve të jetës kulturore të Shqipërisë mes viteve 1930-1940;

- kritikë letrare, recensione e artikuj studimorë mbi letërsinë e Franz Kafka-s, Vladimir Vojinović, dhe muzikën e filmave shqiptarë;

- një kujtesë nga figurës së Skanderbegut, përmes tekstit të Marin Sirdânit, mbështetur në revistën "Hylli i Dritës"; 

- dy artikuj në anglisht të Srdjan Atanasovski-t dhe Jelena Lončar-it mbi marrëdhëniet e rejames Kosovës dhe Serbisë ( ku analizohet fakti se praktika moderne të pelegrinazheve serbe në Kosovë paraqesin fazën e fundit të "nacionalizimit" të pelegrinazhit si diçka që tradicionalisht ka qenë
lokale dhe që është formuar "prej së poshtmi"...; dhe... Religjioni i identitetit në Kosovë: praktikat historike dhe bashkëkohore të pelegrinazhit; Na ndiqni - Takimet e grave të Serbisë dhe të Kosovës, ku bartin dy mesazhe të fuqishme. Së pari, gratë e Serbisë dhe të Kosovës nuk pranojnë që të trajtohen ekskluzivisht si viktima, por si pjesëmarrëse aktive, të interesuara dhe të afta në procesin e ndërtimit të paqes dhe pajtimit. Krimet e kryera ndaj grave dhe fëmijëve gjatë luftës,sikur edhe pasojat e tmerrshme sociale dhe ekonomike të luftës tek gratë në negociata shpeshherë po shfrytëzohen si argumente kundër palës tjetër, derisa të njëjtit akterë pas ndërprerjes së konfliktit edhe më tej i margjinalizojnë
dhe i përjashtojnë gratë). 

Vendin qendror në revistë e zenë artikulli i Dr. Silvana Leka, kushtuar paragjykimet e dikurshme dhe të sotme ndaj letërsisë bashkëkohore të fqinjëve ballkanas dhe disa propozime sesi mund ta lehtësojë letërsia daljen nga ky qerthull. 

Rubrika "Autor i ftuar" i kushtohet krijimtarisë së gjerë, ndonëse ende jo shumë të njohur në Shqipëri, të shkrimtarit të shquar Luan Starova, paraqitur përmes vlerësimeve të kritikës së vendeve ku vepra e tij është përkthyer dhe botuar, fragmenteve nga kritika shqiptare si dhe përmes synopseve të çdo vepre që Luan Starova ka shkruar apo që është ende në formë shkrimi.


Përmbajtja dhe rubrikat

Status
Fq. 4 Silvana Leka - Paragjykimet ndaj letërsisë bashkëkohore të fqinjëve ballkanas

Letërsi
Fq.10 Luan Rama - 7 poezi
Fq. 24 Federico García Lorca - Ode për Salvador Dali-në
Përktheu Suadela Balliu
Fq. 29 Jovica Ivanovski - 20 poezi
Përktheu Daim Miftari
Fq. 49 Richard Desjardins - Natak
Përktheu Flurans Ilia
Fq. 52 Sokol Zekaj - 5 poezi
Fq. 61 Emina Žuna - LADA
Përktheu Ben Andoni

Artikuj – Studime - Albanologji
Fq. 74 Salajdin Salihu - Arti dhe jeta artistike në Shqipërinë moderne të viteve '30 (vështrim përes syrit të "Tjetrit". Botuar në gazetën "Pravda", f.3, më 28 prill të vitit 1934.)
Fq.78 Blerina Shalari - Muzika e filmit shqiptar si model krijimi

Kritikë Letrare - Recensione

Fq.84 Arian Leka - Një ëndërrimtar zgjedh ecjen në vend të fluturimit
Fq. 87 Naser Mrasori - Mendime të përgjithshme rreth veprës së Franc Kafkës

Autor i ftuar – Luan Starova

Fq. 94 Saga ballkanike e Luan Starovës
Fq. 98 Luan Starova - Shënime kritike mbi 18 romanet e Luan Starovës

In Memoriam

126 Marin Sirdâni - Në Shka Fajiset Skanderbegu? – në përkujtim të 550-vjetorit të vdekjes

Balkanology
167 Srdjan Atanasovski - Religion and Identity in Kosovo
171 Jelena Loncar - Follow us

Veprat grafike të këtij numri janë përzgjedhur nga krijimtaria e Stefan Taci (STEFOS).

Ky numër i revistës Poeteka botohet me ndihmën e Ministrisë së Kulturës.

Poeteka është pjesë dhe partner e rrjetit të revistave kulturore europiane "EUROZINE". Viti i trembëdhjetë i botimit. Editor: Arian Leka

Total Pageviews