Mbrëmje leximesh: POETEKA - TRADUKI
27 May 2017
- Mirupafshim- Doviđenja - Goodbye: Jasna Dimitrijević >>> Erina Çoku
Mbrëmje leximesh: POETEKA - TRADUKI
25 May 2017
“Qelia prej letre” i Arian Lekës botohet në Berlin
Është hera e tretë në pak vjet që proza e shkrimtarit Arian Leka zë vend disa prej antologjive europiane. Së pari, kjo krijimtari është botuar në "BEST EUROPEAN FICTION", 2011, (London, Illinois). "Vëllezër në brisk" (Brothers of the Blade) titullohet tregimi i përkthyer nga Sara Lynn Smith, përzgjedhur dhe edituar nga shkrimtari Aleksandar Hemon, me parathënie nga romancieri irlandez Colum Mçann.
Letërsinë "e lirë", të përkthyer nga Haxhimihali i burgosur, regjimi i përdorte si propagandë, duke e dërguar madje edhe në Panairet Ndërkombëtarë të Librit në Europë. Pas lirimit, menjëherë pas rënies së regjimit, Haxhimihalit, tashmë të liruar nga qelia, i vjen propozimi për të hartuar dhe përkthyer një antologji letrare, ku shkrimtarëve të dikurshëm, t'i bashkonte autorët e ndaluar, ata që nuk e kishin parë kurrë jo dritën e botimit, por as të diellit, shkrimtarë që kishin hyrë në burgje, por jo në ndonjë antologji.
Këtu fillojnë dilemat e përkthyesit-prift Haxhimihali: A ishte e drejtë të ishin bashkë, në të njëjtën antologji, ata që iu hap gjoksi nga plumbi në zemër, me të tjerët që gjokset iu shpuan nga vrimat e medaljeve të praruara? Si do të ndiheshin në të njëjtin libër, ata që u lidhën me litarë dhe ata që librat i patën me lidhje speciale dhe të qepur me pe?
Të tria antologjitë, ku është botuar krijimtaria e Arian Lekës janë shoqëruar me recenca dhe shënime vlerësuese.
Mbi "Vëllezër në brisk", Peter Byrne, nën titullin "Nonstandard Tales From The Real Europe", shprehet se "Leka na trondit me rrëfimin e tij, tek na përball me peshën e përgjegjësisë, që mund të rëndojë mbi familjen shqiptare. Veçse një barrë e atillë rëndon po aq edhe në një mori vendesh të tjera europiane. Është interesant portretizimi i ndjerë i anoreksisë nga Hilary Mantel, që vëzhgon një familje britanike në kahun "perëndimor" të Europës, ndërkohë që familja te tregimi i Arian Lekës është e njësuar dhe nënkupton "edukim prindëror", ndërsa në Shqipëri, ajo merr kuptimin e "detyrimit fisnor".
Ndërsa Brandon Wicks, shkrimtar dhe studiues letrar, duke shkruar rreth antologjisë "Best European Fiction" në "Art & Literature" nënvijëzon: "Vëllimi përfundon me një tekst të shkurtër, ngarkuar me tension të pabesueshëm, me tregimin elegant "Vëllezër në brisk" i autorit Arian Leka, ku si në një ritual, personazhi është i detyruar rruajë fytin pa qime të të vëllait në ditën që atë do ta bëjnë dhëndër – një çast i vogël domethënës, i ngarkuar me ankth dhe me dëshira sublime".
Në fund për tregimin "Qeli prej Letre", Alida Bremer sqaron se, "A si alfa dhe A si Albania. A është Alfa e kontinentit tonë, ndoshta atje, në rrugën e Otrantos, përpara bregdetit shqiptar të Mesdheut, ku ka pasur kaq shumë histori? A edhe si Antologjia". Ajo shton se në gjermanisht e "quajmë Antologji (Blütenlese), në latinisht ajo quhet Florilegium, në greqisht Anthologia dhe është kjo antologji, që mbledh përgjigje për pyetjen mbi imagjinatën për një botë më të mirë. Buqeta me lule e priftit dhe përkthyesit të dikurshëm Haxhimihali nga tregimi i Arian Lekës shënon fillimin e një Ere të Re në Shqipëri – një detyrë e vështirë kjo".
Për Michael Krüger: "Shqipëria, ky është vendi i shqiptarëve, është një vend i shkundur fuqishëm nga ideologjitë totalitare të shekullit XX. "Si mundi Zoti të lejonte që ne të qeshim dhe të qajmë me të njëjtët lot?", pyet veten Haxhimihali. Lindin pyetjet mbi rolin e fesë, që edhe pas fundit të ideologjive ende nuk kanë gjetur përgjigje".
Arian Leka: autori që ka një det për të jetuar dhe një qiell për të vdekur
24 May 2017
POEZI nga Daim Miftari - shkruar në Rezidencën lerare "POETEKA - Tirana in Between", prill 2017"
Autori që çeli veprimtaritë në Rezidencën letrare "POETEKA - Tirana in Between - 2017" ishte poeti shqiptar nga Maqedonia, Daim Miftari.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, ky autor u bë pjesë e takimeve latrare të kryeqytetit, krijimtaria e tij është lexuar nga studentët e Fakultetit të dramaturgjisë, ndërkohë qënë Universitetin e Arteve Daim Miftari ka ndarë dy orë leksioni me shkrimtarin Arian Leka mbi temat e identitetit kulturor mes shqiptarëve.
Në vijim po publikojmë poezi që ky autor shkroi gjatë qëndrimit të tij në Rezidencën letrare në muajin prill. Krijimtaria e tij poetike u botua në suplementin letrar "Milosao", e cila i kushtoi një faqe të veçantë, shoqëruar me kometin "prurja poetike e Daim Miftarit përcjell frymën urbane dhe ndjesinë e Tiranës. Një pjesë e poezive janë shkruar në Tiranë dhe i janë dedikuar asaj." Revista "Poeteka No. 43", pranverë 2017, botoi gjithashtu një profil tjetër të këtij autori, studimin letrar me titull "Eufonia në poezinë e Xhevahir Spahiut." Ndërkohë Daim Miftari realizoi intervistën me titull "Historinë e jetës sime, ta shkruante Cvajg", dhënë gazetares Alda Bardhyli për "Shqip". Qëndrimi dhe veprimtaria e tij në këtë Rezidencë u pasqyrua në shtypin shqiptar Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës.
DAIM MIFTARI
POETI
nëna e kishte larë
me lot
të vogëlin
foshnjën e saj
që dot vajin
s'kishte mundur t'ia ndalë
kishte qarë
bashkë me të
o Zot
ç'profeci
Tiranë, 13 prill 2017
NËNË E BIR
mbylle atë derë për të
të thanë
mbylle atë derë të mallkuar
atë zjarr të çmendur në zemër
shuaje për të
mos u gëzo për të
mos vajto për të
mos jeto për të
mos vdis për të
as emrin mos ia përmend
harroje o harroje
t'u hakërryen
ai nuk është biri yt
nënë e tij s'je ti
e urrejmë këtë fëmijë
të thanë
që na qëlloi në prag
ai ka vdekur
e vramë
ja duart tona me gjakun e tij
të thanë
ah mynxyrat që panë sytë e tu nëna ime
mynxyrat që panë sytë e mi
më vjen të qaj Shqipëri
unë qaj
qaj
Tiranë, 17 prill 2017
NATË
natë është
flenë të gjithë
dhe sytë e mi ç'shohin
ç'dëgjojnë veshët e mi
e gjatë
pafund
kjo natë
Tiranë, 14 prill 2017.
(Në rezidencën e shkrimtarëve "Poeteka")
ELEGJI E TRETUR
nga malli për nënën si cigare e harruar ndezur digjem
për nënën si cigare e harruar ndezur digjem
si cigare e harruar ndezur digjem
e harruar ndezur digjem
ndezur digjem
digjem
Në Rezidencën e Tiranës, 9 prill 2017
LAKMI
lakmi ia kam
vetes sime
nganjëherë sidomos
si mund të jetë
aq e qetë
ndërsa mua
më vjen të ulërijë
Tiranë, 10 prill 2017
PO TAKOHEM ME TY SHQIPËRI
po takohem me ty Shqipëri
si ai që për herë të parë
nënën takon
i bërë burrë tashmë
mbushur fije të bardha kokën
në fytyrë gjurmët që vuajtja i ka lënë
dhe veten e pyet ashtu kot
vallë mendoi ndonjëherë për të
a thua ndjeu dhimbje në kraharor
dhe përrenj lotësh derdhi
çdoherë kur e solli ndërmend
kush i qëndroi mbi kokë kur u sëmurë
dhe ia ledhatoi ballin
a thua ç'emër i kanë lënë
kur filloi të ec
kush në këmbë e ngriti kur u rrëzua
dhe qau
sa është rritur
kujt i ngjan
kujt i thotë nënë
Në rezidencën e shkrimtarëve "Poeteka", Tiranë, 5 prill 2017
E DIEL
është e diel
në ballkon
taketukja e stërmbushur e duhanit
kundërmon aromë mendimesh të djegura
të një nate që shkoi
fëmijët kanë hapërdarë lodrat
nëpër dhomë
i shoh si lozin ata
dhe mallëngjehem për motrën time të vogël
loznim edhe ne kështu njësoj
dhe për nënën
për nënën që s'është më
që dheu e treti pamëshirë
ah nëna ime
zemra ime s'duron më dhe ia plas vajit
valë valë ngriten flakët
dhe plagët që m'i hapin
gjuhët e flakëve
o Zot ç'dhimbje
e diel është
përjashta bën mot i mirë
nëpër rrugën e përgjumur
e mbi qelqin e dritares
zgjaten rrezet ledhatuese të diellit
të dalim pak thotë gruaja
unë mendoj sa para i kam në xhep
duhet ta lyejmë apartamentin
thotë
janë zverdhur muret
tavani
i ka mbjështjellë myku dhomat
më kujton për gjërat që mungojnë
ushqimet që duhet blerë
fëmijët
kujtojnë atë që u ke premtuar mbrëmë
unë mendoj për një poezi që dot s'e shkruaj
dikush i bie ziles
ushqimi ftohet mbi tavolinë
unë nuk kam uri
Shkup/ Tiranë, mars/ prill 2017
http://www.kultplus.com/?id=5&l=20603
http://gazeta-shqip.com/lajme/2017/05/09/historine-e-jetes-sime-ta-shkruante-cvajg/
http://lajmpress.com/poeti-daimi-miftari-nje-muaj-ne-rezidencen-e-shkrimtareve-ne-tirane/
https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=145837
Jasna Dimitrijević - POEZI - Rezidenca letrare "POETEKA - Tirana in Between": TRADUKI
Jasna Dimitrijević
Shkrimtar në Rezidencën letrare "POETEKA - Tirana in Between" - gjatë muajit Maj 2017 ishte tregimtareja dhe kritikja letrare nga Beogradi, Jasna Dimitrijević.
Gjatë qëndrimit të saj në Tiranë Jasna Dimitrijević u përfshih në veprimtari dhe lexime publike, dha intervista për mediet dhe u bë pjesë e takimeve me studentë të Universitetit të Arteve. Jasna Dimitrijević (1979), ka studiuar Letërsi të Përgjithshme dhe Teori Letërsie. Ajo është kritike letrare dhe autore tregimesh të cilat janë publikuar në revista dhe antologji të botuara të rajonit tonë dhe Europës (Liceulice, Poučak o nizovima, Booksa, Beton, Ulaznica, Zarez, Beležnica, Novi kaos, Arteist, Urbani vračevi, Literatura, Lichtungen). Tregimet e Jasna Dimitrijević janë shpallur fitues në konkurse të ndryshme të prozës së shkurtër (në Vranac, Beležnica, Ulaznica), ndërkohë që libri i saj me tregime "Prepoznavanja" (Recognitions, 2015) u botua pasi u shpall fitues i vendit të parë në konkursin e krijimtarisë në dorëshkrim, organizuar nga Biblioteka "Karlo Bijelicki" (Sombor), si dhe u përzgjodh në shortlist-ën e librave më të mirë që konkuronin për çmimin kombëtar "Biljana Jovanović" dhe "Dušan Vasiljev" (2015). Prej këtej libri u bë fitues i çmimit "Mirko Kovač" për shkrimtarët e rinj ( në hapësirën e ish- Jugosllavisë).
Jasna Dimitrijević është bashkëorganizatore e konkursit të parë "Biber", mbi tregimin më të mirë shkruar rreth temës së pajtimit, konkurs i organizuar për tregimet e shkruara në gjuhën shqipe, maqedonase, boshnjake, malazeze, kroate dhe serbe. Ajo është bashkëhartuese e përmbledhjes shumëgjuhëshe me tregime të zgjedhura. Qëndrimi i saj në Rezidencën letrare "POETEKA - Tirana in Between", u mbështet nga rrjeti europian për letërsinë dhe librat - TRADUKI, në të cilin marrin pjesë Austria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Gjermania, Kosova, Kroacia, Lihtenshtajn, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Zvicra.
ç'ka ka dashtë me thanë motra
që kam diçka në flokë
që mundem me ndejt edhe pak
që n'mëngjes i ka hapë sytë e ka pyet për mua
që s'ka ndryshime
që dyshemeja asht e lagun dhe me u kujdesë kur të dal
që me sjellë nji këmishë të pastër nate
që po i vjen keq
që kam vathë t'bukur
që mos me e harru çadrën
që vizita është për dhjetë minuta
që mos me ardhë kur s'asht koha për vizita
që me ia shiku kambët
janë ba mavi
s'janë ba mavi
që kemi buzë t'njajta, hundë, vetulla t'njajta
që s'kemi shumë kohë
që s'ka me u zgju
që ka me u zgju
që asht e kënaqun
që ka besu gjithë kohën
që mos me pasë frikë
që ma mirë po dukem me flokë t'shkurta
që me luftu
që mos me heqë dorë
që me e lanë duhanin
që me e skenu pasaportën kur dal jashtë
që ka pritë e ka pritë
e që s'ka me mbërri
që asht lodhë
që nuk varet prej saj
që kostumi asht n'dollap
që udhëzimi asht në këpucën e majtë
kamba hyn ma lehtë kur futet n'qese t'plastikës
falemnderit
krejt këto ka mujt me i thanë motra
n'korridorin e spitalit
në mes të tetorit
në mes të shiut dhe heshtjes
por veç m'ka shiku
m'ka matë e ka ngurru
e unë kam ikë
që krejt këto gjana
me qenë prapë të munduna
çka po dridhet mas murit
frigoriferi i markës obodin
flaka e qiriut me e thithë tymin
rrobat që thahen
zani i një gruaje kur pyet ku je
ku ke qenë
gishtat e burrit që po e kallë cigaren
e mas saj edhe nji tjetër
dridhet heshtja e tij
dridhet syni i tij i majtë
dridhet buza e saj e poshtme
dridhet gota e xhamit n'tavolinë
se atij po i k'cen gjuni
e po i k'cen dora e djathtë
e mbase ka me fluturu
nëse e pyet edhe nji herë
po ndij se krejt po dridhet
e prapë po flej thuajse është veç
frigoriferi i markës obodin
çka ndodhi sa isha në gjumë
terroristët sulmuan brukselin e bagdadin
bota ndryshoi
bota mbeti e njëjtë
dikush vdiq e dikush u lind
miqtë më braktisën
erdhën sejmenët
disa morrën vesh që i tradhtova
disa morrën vesh që s'vlej të humbin kohë me mua
erdhën faturat e ujit të telefonit të internetit
në frigorifer u prish djathi
një diktator u lajmërua nga lokacioni i sigurtë
mijëra njerëz vrapuan mas pokemonëve
e unë po rri kot
e ngathët
e palënduar
e panevojshme
çka kam n'duar
dy decilitra ujë t'ftohtë për me u zgju
nji palë çorape të lame
filxhanin e palamë ku e mbushi edhe nji kafe
lapsin dhe letrën për porosi
çelësin dhe syzet
dorezën n'dalje
ma shumë s'mundem me mbajt
krejt të tjerat ma të mëdha se këto
e nëse më mpihet muskuli
nëse mas nji ndeshjeje t'randësishme
mas vallëzimit a vrapimit mas fatit
muskuli përnjiherë nalet
kam me e fërku derisa të zbutet
kam me e ledhatu
kam me i tregu përralla
kam me u frikësu
e nëse edhe atëherë nuk e ndij pulsin
kam me e qitë n'dritare
që me zbritë zogjtë
me e çukit e me e ndukë
që macet me e rrokullisë n'oborr
që qentë me e gropu mas shtëpisë
me e dënu
derisa t'zgjohet
derisa t'përgjigjet
kam me e shiku botën në sy
kam me e pyet veten a ka ndryshu diçka
kam me kuptu se kurrgja s'ka ndryshu
kam me u kthy n'anën tjetër
kam me u ba thuajse kurrë s'e kam pasë
ku me e çu kartolinën
mbase në atë adresë ku e kam tavolinën me pajisje shkollore
me pasaportën e parë dhe emna t'skalitun përjetësisht n'drrasë
ku vij për pushime verore
me lujt letra e me e shajt pushtetin
apo në adresën e spitalit n'dritaret e s'cilit
gratë n'korniza ia tregojnë botës shamitë
pembe dhe mavi
apo në adresën e shkollës me g'shtenja n'oborr
dhe me hymjen në anën e gabume
e vonohemi edhe kur mbërrijmë me kohë
apo me e lanë dikush në park
ndërmjet bankës dhe çesmes
ku i gjuanim duqat e parë
apo në adresën e sh'pisë n'cep t'qytetit
ku nji plakë
me xhemper jeshil e me çorape të thuruna
me shami t'arnume n'kokë dhe me kaçik pule n'pjatë
po vdes n'këtë moment
fillikat vetë
kohëve të fundit u përmend veç për kokëfortësi
apo atje ku s'asht ma kurrkush
se unë jam n'rrugë
apo n'atë adresë në atë ndërtesë me portretin e aktorit të ndjerë
me fasadën socialiste
te vendi për heronjtë
ku asnjiherë nuk kam hy
por mrenda zemra po m'rrahë
dhe e pyes veten qysh po ndihet
njimend
ku të shkon mendja kur thua
shkruaji sh'pisë
Përktheu nga origjinali serbisht Qerim Ondozi