17 January 2022

Së shpejti publikohet studimi "Letërsia Shqiptare – përkthime në gjuhët e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor.

Publikohet studimi me titull "Letërsia Shqiptare – përkthime në gjuhët e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor".  Në 124 faqe të formatit akademik, studimi sjell të dhëna, vëzhgime, analiza, autorë, përkthyes, botues, libra dhe revista letrare, të cilat shqyrtojnë letërsinë shqiptare në kornizën e viteve 2015-2020. Përgatitës i lëndës është Prof. Univ. Dr. Ardian Kyçyku, ndërkohë që publikimi është realizuar në Shqipëri nga "Poeteka", në kuadër të projektit me titull në origjinal "Balkan Translations Collider". Ky  studim, i pari i kësaj forme dhe trajtimi, botohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, bashkëfinancuar nga Programi "Europa

Krijuese" e BE-së.


Studimi kushtuar letërsisë së shkruar në gjuhën shqipe e të përkthyer drejt gjuhëve të vendeve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor mëton të ofrojë një panoramë, pasqyrë apo hartë arritjesh dhe problematikash të vërejtura që, nga njëra anë vëzhgojnë procesin dhe, nga ana tjetër, shfaqin perspektivat se si mund të mbërrihet tek një audiencë e re lexuesish përmes përkthimit dhe cilat janë dhe mund të jenë rrugët drejt suksesit.


Nga pikëpamja e gjeografisë së kërkimit, ky studim prek hartën kulturore të 25 shteteve të kontinentit europian, duke shqyrtuar 19 gjuhë të gjeozonës. Për efekt lehtësie në shfrytëzimin e lëndës, studimi i shqyrton si zë më vete përkthimet e autorëve nga Kosova

në gjuhët e vendeve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor, por duke i konsideruar këta autorë si pjesë e qenësishme dhe kontribuese e letërsisë së shkruar në gjuhën shqipe.


Organizimi i lëndës drejt gjuhëve pritëse zhvillohet nën termat e dendësisë së shkëmbimit, prej nga veçohen 3 zona përkthimore: I. zona e shkëmbimit të lartë – gjuhë me frekuencë të lartë në përkthim; II. zona e shkëmbimit të mesëm – gjuhë me frekuencë të moderuar në përkthim; III. zona e shkëmbimit të ulët – gjuhë me frekuencë të ulët në përkthim.


Kriterit të dendurisë në shkëmbim, studimi i bashkëngjiti edhe kriterin e intensitetit në shkëmbim, duke mbërritur drejt termave më të kodifikuar: I. letërsi e mirënjohur (referuar letërsisë shqiptare të zonës së shkëmbimit të lartë); II. letërsi e njohur (referuar letërsisë

shqiptare të zonës së shkëmbimit të mesëm); III. letërsi pak e njohur (referuar letërsisë shqiptare të zonës së shkëmbimit të ulët). 


Prej këtej, termat "letërsi të vogla", "letërsi të mëdha", "gjuhë minore" apo edhe "literaturë e njohur / e panjohur" paraqiten si referenca dhe kodifikues ndërkombëtarë për të identifikuar se nga dhe si ndryshon në thelb një "letërsi e madhe" prej një "letërsie të vogël" dhe ku janë dallimet mes një letërsie të shkruar në një "gjuhë të vogël" dhe asaj të shkruar në një "gjuhë të madhe".

Total Pageviews