
                              Sot në Shkodër: KAREN KÖHLER 
    Pas veprimtarisë së suksesshme në Tulla Center, shkrimtarja  gjermane  KAREN KÖHLER është sot  pasdite në qytetin e Shkodrës.
    Veprimtaria zhvilohet në Qendrën Rinore ARKA.
    Dr. 19 tetor 2015, ora 19.00
    Rr. Gjuhadol, 27
    _____________
    Në program do të lexohen fragmente nga vëllimi me tregime  "Ne kemi kapur raketa me grep" (Botimet 'Dudaj', 2015 përktheu Sokol  Mici) si dhe bashkëbisedim me lexuesit.
    Karen Köhler është fituese e bursës së qëndrimit në  Rezidencën e Shkrimtarit dhe Përkthyesit letrar "TIRANA IN BETWEEN",  si pjesë e programeve "Tetori gjerman", realizuar me mbështetjen e Ambasadës së  Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë dhe në bashkëpunim me projektin  POETEKA.
    _____________
    KAREN KÖHLER dëshironte shumë të bëhej kozmonaute. Ka mësuar  të hidhet me parashutë dhe ka studiuar për aktore në Zvicër. Pas dy vjetësh  punë në teatër, ajo tani shkruan prozë dhe pjesë teatrale. I pëlqen matematika  dhe hapësira."Wir haben raketen geangelt" / "Ne kemi kapur raketa me  grep" është libri i saj debutues. Ai është publikuar në Gjermani nga shtëpia e  njohur botuese "Hanser", ndërsa në shqip nga "Dudaj". Libri u mirëprit nga  lexuesi dhe u vlerësua lart nga kritika. Më pas, ky libër u bë fitues i disa  çmimeve letrare në Gjermani.
    Nëntë tregimet e Karen Köhler janë shkruara në formë  kartolinash, në formë ditari, si miniatura apo letra të thjeshta, si copëza të  ndryshme universi brenda të njëjtës kornizë. Tregimet e saj, megjithëse  kryesisht trajtojnë aspekte dramatike të jetës, si vdekja, abuzimi seksual apo  vetëvrasja, janë sa tragjik aq edhe të mbushur me humor e ngrohtësi.
    Ajo është përkthyer në holandisht, nga Gerrit Bussink dhe  botuar nga shtëpia botuese "Podium", nga shtëpia botuese "Actes Sud".
    
Çmime  Letrare:"Schubart" të qytetit të Aalen në 2015
    Çmimi Letrar  "Rauris", 2015
    Çmimi  "Otfried Preußler", 2013
    Çmimin  Letrar të qytetit të Hamburgut,  në  2011
    Pjesa  teatrale "Pornorama. Ein Männermärchen" ka marrë cmimin e Ministrisë  së Artit dhe Kulturës së Austrisë, në 2011.