"Ballkani nga ballkoni"/ Roli i letërsisë në mpakjen e keqkuptimeve ndaj tjetrit
Fatmira Nikolli – Një ndalesë te roli letërsisë dhe i përkthyesve letrarë në ngushtimin e mosnjohjes dhe keqkuptimeve ndaj "Tjetrit", aq shpesh të përmendura në kontekstin ballkanik. Po sikur të shohim nëse letërsia na bashkon dhe na bën të kuptojmë sa ngjajmë, na vetëdijëson se keqkuptohemi, se njihemi pak e njihemi keq, se ka më shumë gjëra që na afrojnë se na largojnë? Në takimin e djeshëm "Një copëz Ballkan nga Ballkoni i Botimeve POETEKA" – Ditënetët e librit", Muzeu Historik Kombëtar, për rreth dy orë u bisedua mbi shkrimtarët e Ballkanit dhe përkthimet e tyre në gjuhën shqipe, mbi përkthyesit shqiptarë dhe rolin e tyre jo vetëm në sjelljen e letërsisë bashkëkohore në gjuhën shqipe, por edhe në përkthimin e shkrimtarëve shqiptarë në gjuhet e "vogla" të Ballkanit. E ftuara e veçantë e kësaj veprimtarie ishte prozatorja, gazetarja dhe psikologia nga Bosnje-Hercegovina, Emina Zuna. Ajo do të qëndrojë gjatë muajit maj në Tiranë, si fituese e bursës për në Rezidencën letrare, "Poeteka-Tirana in Between", pjesë e programit "Reading Balkans, 2018" dhe që prej 6 vjetësh zhvillohet në kryeqytetin shqiptar me mbështetjen e rrjetit TRADUKI, Ministrisë së Kulturës, Creative Europe, Ambasadës gjermane dhe Ambasadës austriake.
Shkrimtari Arian Leka bashkëbisedoi me përkthyesit e spikatur të letërsisë ballkanike në gjuhën shqipe, Milena Selimi dhe Ben Andoni, rreth rrugës dhe përvojave që ata kanë pasur në përballjet e tyre me letërsinë e vendeve të Ballkanit. Një copëz Ballkan nga ballkoni i botimeve "Poeteka", nën logon "Balkan from the balcony", pasi shqyrtoi përvojat pozitive që janë arritur, që nga fillimet, duke trajtuar edhe problemet që hasen në sistemin e fragmentarizuar që ndeshen ku lexuesi përballet me shkrimtarët e rajonit, cilësia e përkthimeve, mungesën e këshillimit letrar, domosdoshmërinë që kjo letërsi të përfshihet në kurrikulat shkollore e sidomos në vëmendjen që duhet treguar në përgatitjen përkthyesve të rinj nga shkolla e gjuhëve të huaja. Në bashkëbisedim u përfshinë edhe përkthyeset e njohura Dorota Horodyska, përkthyesja Maria Roces Gonzales, Mimoza Hysa dhe gazetarja Violeta Murati.
PËRSHËNDETJE, JAM FQINJI!
Ligjëratën kryesore me titull "Paragjykimet ndaj letërsisë bashkëkohore të fqinjëve" në takimin "Ballkani nga ballkoni" e mbajti Dr. Silvana Leka (drejtore e "Botimet Poeteka"), e pjesë prej asaj ligjërate po boton "GSH" sot.
Është vërejtur nga të gjithë se panjohuria më e madhe letrare nuk vjen nga "letërsitë e largëta" mes tyre. Panjohuria apo mosdijenia në shkallë të lartë vjen mes fqinjëve. Ky fenomen i vërejtur sidomos mes kulturave kufitare nxit debatin nëse me të vërtetë letërsia dhe përkthyesit kanë ndonjë rol a mision në sheshimin e disa tabuve dhe klisheve, që mbahen ende në këmbë dhe që ekzistojnë jo vetëm mes njerëzve të thjeshtë, por edhe mes atyre që janë të përfshirë në fushën e kulturës.
Një nga stereotipat më të zhvilluara është ai i mosbesimit se nga letërsitë "e vogla" të rajonit tonë dhe sidomos nga letërsitë e fqinjëve, mund të priten zhvillime pozitive, hapje dhe mbi të gjitha kryevepra të reja ballkanike.
Ndeshen dy forma paragjykimi. Serbët, kroatët, maqedonasit, malazezët, boshnjakët, sllovenët apo edhe më gjerë bullgarët, rumunët apo grekët zor se besojnë se prej Shqipërisë mund të vijë kryevepra të pritshme. Deri ku e në ç'masë qëndron kjo e vërtetë? A kanë ata dijeni se çfarë po ndodh sot në arenën letrare shqiptare? A janë në kontakt me botues, me çmimet, me autoritetet që mbështesin kulturën e shkruar apo dhe me autorët vetë?
Po ashtu, edhe prej Shqipërisë vjen i njëjti mosbesim. Kryeveprat e fqinjëve janë bërë dikur dhe një herë e një kohë. Sot nuk ka të njëjtin nivel dhe të njëjtin vijim. Ato që shkruhen sot duhet të maten me kryeveprat e dikurshme dhe të ngjasojnë me llojin dhe modelin e veprave të Boris Pahor, Vladimir Bartol, Mirko Kovaæ, Ivo Andriæ, David Albahari, Meša Selimoviæ, Danilo Kiš, Luan Starova, Drago Janèar, Blaze Koneski, Odisea Elitis, Niko Kazanzaqis, Mircea Eliade, Lucian Blaga, Nikolay Haytov, Valeri Petrov etj. Ky është pak a shumë modeli i "bukurisë klasike" me të cilin ushqehet lexuesi shqiptar. Nëse nuk ngjason me këta shkrimtarë dhe nëse nuk shkruan stilistikisht si ata dhe me temat e tyre "të mëdha", letërsia që vjen prej këtyre vendeve shpërfillet dhe nënçmohet.
Por a kanë paragjykim botuesit dhe prej tyre edhe lexuesit shqiptarë se edhe prej letërsisë së re të rajonin nuk pritet diçka e re? Po në të vërtetë çfarë po ndodh? Mund të mjaftohemi sot vetëm me modelin e "bukurisë klasike" që vjen nga Ballkani? A është i vetëmjaftueshëm "klasicizmi ballkanik" edhe për kohërat në të cilat jetojmë? A mund të mbulojë kjo letërsi klasike edhe ato që ndodhën pas shpërbërjes ish-Jugosllavisë? A janë aty luftërat e reja të fundit të shekullit XX? A janë aty rizgjimet e nacionalizmave, lufta për identitete të reja, si identiteti për gjuhë apo format e etnocentrizmit dhe urrejtjeve të Ballkanit të ri? Sigurisht që jo. Përtej vlerave të tyre të pamohueshme e të gjithëkohshme, bukuria klasike e letërsisë ballkanase e ka të pamundur t'i përgjigjet çdo ndryshimi që ka ndodhur në strukturën sociale, shpirtërore dhe kulturore të ballkanasve të shekullit të ri. Atëherë duhen kthyer sytë se çfarë ofron letërsia më e re. Por a janë ata në të njëjtën hulli, duke shkruar me mjete dhe qasje të tjera kryeveprat e tyre? Sigurisht që po. Këtë e dëshmojnë sukseset ndërkombëtare të mjaft shkrimtarëve më të rinj nga Ballkani, që po publikohen nga botues seriozë në Gjermani, Francë, Itali, Britani, Spanjë. Pra kemi hyrë në një zonë kur letërsia më e re nga rajoni ynë po konformohet, krahas traditës letrare. Por a kemi hyrë edhe ne, me editorinë shqiptare në rrjedhat e letrave moderne dhe bashkëkohësinë ballkanike?
Nëse e marrim të mirëqenë faktin se kontaktet janë zgjeruar, duhet të shtrojmë pyetjen se nga e merr informacionin lexuesi shqiptar? Kush e zotëron "të drejtën" dhe përgjegjësinë e rekomandimit letrar. Botuesit? Kritika letrare? Revistat e specializuar. Qarqet e katedrave dhe bota akademike? A e kanë kryer ata këtë?
Me gjithë disa zhvillime, duket se ende jo. Po a janë ata vetë vërtetë të informuar se çfarë ndodh, sesi po zhvillohet dhe a ndiqen me interes e pa shpërfillje zhvillimet me të fundit që po ndodhin të letërsinë ballkanike? Jo. A ka dikush dijeni se sa përkthyes të kualifikuar kemi nga gjuhët e fqinjëve? A janë këta përkthyes vetëm "marrës", nga ata që vetëm përkthejnë nga gjuhët ballkanike drejt shqipes apo janë edhe "tejçues", që mund të marrin përsipër edhe iniciativa më të mëdha, siç është përkthimi i veprave të autorëve shqiptarë në gjuhët e fqinjëve. Nga një statistikë e botuar vetëm dy muaj më parë, në mars të vitit 2018, vërejmë me kënaqësi disa, për të mos thënë se pjesën më të qenësishme të autorëve që u shpallën si më të mirët me librat e tyre të botuar që nga viti 2000 në hapësirën e ish-Jugosllavisë janë sjellë në shqip nga "Botimet Poeteka".
Mes tyre janë emrat e Tomaz Salamun, Daša Drndiè, Andrej Nikolaidis, Georgi Gospodinov, Srdjan Valjareviæ, Nikola Madzirov, Faruk Šehiæ, Emir Imamoviæ Pirke, Aleksandar Hemon, Renato Baretiæ, Miljenko Jergoviæ, Abdulah Sidran, Lejla Kalamujiæ etj janë botuar nga "Poeteka". Madje, disa prej tyre, si Daša Drndiè, Andrej Nikolaidis, Nikola Madzirov, Emir Imamoviæ Pirke, Renato Baretiæ apo Lejla Kalamujiæ kanë ardhur dhe qëndruar në Tiranë. Falë festivalit "Poeteka" apo falë rezidencës letrare "Poeteka – Tirana in between", që sot numëron vitin e vet të gjashtë të themelimit dhe që në sajë të bashkëpunimit me institucione të rëndësishme, si Ministria e Kulturës, Traduki, Creative Europe, Ambasada e Austrisë, Ambasada e Gjermanisë Instituti "Goethe" apo së fundi edhe Programit "Reading Balkans", ka mundur të sjellë me qëndrim një mujor në Tiranë 35 shkrimtarë nga rajoni dhe Europa, të cilët kanë lënë mbi 400 faqe krijimtari, ditare, poezi apo vepra të nënshkruara në rezidencën e Tiranës, pranë rrugës "Dërhemi", që tashmë ka filluar të jetë një destinacion. Sigurisht që një ndihmesë dhe një gjendje të veçantë në afrimin mes kulturave letrare të fqinjëve ka dhënë dhe vazhdon të japë "Rezidenca europiane të shkrimtarëve dhe e përkthyesve letrarë 'Poeteka-Tirana in Between'. Në këtë gjerësi dhe valë është edhe revista "Poeteka", partnere me "Eurozine", e cila sapo ka botuar numrin e vet të 47 në 13 vjet qëndrueshmëri në skenë kulturore shqiptare…