01 December 2021

Autorë shqiptarë përkthyer në gjuhën maqedonase

LAJM I MIRË - Përkthime të autorëve shqiptarë në gjuhët e fqinjëve: 
Shqipëria është vendi në fokusin letrar të numrit të porsabotuar të revistës së mirënjohur maqedonase "Knizevni Elementi". 
Ky numër publikon prozë dhe poezi të autorëve Ben Andoni, Bashkim Shehu, Olimbi Velaj, Manjola Nasi, Arian Leka, Maklena Nika, Eleana Zhako. 

Në po këtë numër botohen gjithashtu të përkthyer në gjuhën maqedonase edhe autorë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut e Kosova,  si Daim Miftari, Nurie Emrullai, Adil Olluri, Blerina Rogova Gaxha, Jeton Nezirajt. 

Në vijim të partneritetit dhe bashkëpunimit me Poeteka, gjatë vitit 2022 revista "Knizevni Elementi", e drejtuar nga shkrimtari dhe kritiku i njohur letrar Sasho Ognenovsk, do të publikojë në formë antologjie, që i brendashkruhet botimit, edhe autorë të tjerë të gjuhës shqipe, të cilët do të vijnë në gjuhën maqedonase nga përkthyes të njohur. 

29 November 2021

Fwd: TRASNLATION in MOTION: Eleana Zhako - veprimtari në Departamentin e Gjuhës Greke

TRASNLATION in MOTION: Në kuadrin e qëndrimit të saj në Rezidencën e Përkthyesit letrar në Tiranë, në datën 26 nëntor 2021, Eleana Zhakoorganizoi  një seminar dhe workshop me studentët e Departamentit të Gjuhës Greke, pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja (Universiteti i Tiranës).

Tematika e dhe praktikat përkthimore në këtë veprimtari u bashkëndanë mes përkthyeses Eleana Zhako, Prof. Maklena Nika - gjithashtu përkthyese e njohur nga greqishtja - dhe studentëve, që sapo kanë krijuar përvojat e para në përkthimtari.

Qëllimi i seminarit ishte njohja e studentëve pjesëmarrës me teoritë bashkëkohore të përkthimit dhe bashkëbisedimi mbi rolin e përkthyesit si ndërmjetësues mes autorëve shqiptarë dhe lexuesit të gjuhës greke.

Gjatë seminarit, përkthyesja Eleana Zhako u ndal në përvojat e saj në përkthimin e autorëve shqiptarë, që tashmë janë botuar në greqisht. Ndërkohë,  workshop-i shërbeu për të bashkëpunuar me studentët mbi çështje se si mund të trajtohen, zgjidhen  dhe kapërcehen vështirësitë jo thjesht të përkthimit të fjalëpërfjalshëm, por edhe të karakterit kulturor. Si ilustrim Eleana Zhako solli shembuj nga praktika e saj në procesin e përkthimit të autorëve Mitrush Kuteli, Gëzim Qëndro, Fatos Lubonja, Elona Gjergo, Arian Leka, Ardian Vehbiu, Jeton Neziraj, Ylli Demneri, Elvira Dones etj.

Në fund të takimit përkthyesja Eleana Zhako paraqiti për të pranishmit projektin e saj lidhje me autorët shqiptarë që shkruajnë eseistikë dhe përfaqësimin e tyre përmes librave të veçantë apo një antologjie të eseistikës përkthyer në gjuhën greke.


#CreativeEurope4Books

#PoetekaAlbania

#TranslationinMotion

#Everything is translation

 


28 November 2021

HAMID GJYLBEGAJ - Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike

Dr. ARIAN LEKA: "Nënshtresa mistike në krijimtarinë e Hamid Gjylbegajt - vendtakimi i origjinave të përbashkëta të besimeve politike dhe fetare". (Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike, Tiranë, 26 Nëntor 2021).

...HAMID GJYLBEGAJ përfaqëson prirjen unike të një pasardhësi të shkollës së misticizmës shqiptare, që në jetë praktikoi vetëmohimin dhe që, përmes dialogut ndërfetar dhe termave heterodoksë që ai përdori, besoi në mundësinë e shkrirjes dhe bashkimit me të përjetshmen....Brenda kësaj rrjedhe Hamid Gjylbegaj ka një zë të veçantë në qasjen e tij prej teisti liberal që, përmes mënyrës se si jetoi ashtu edhe përmes veprës, kërkoi përligjien e një identiteti kombëtar të pasuruar me vlera etike, me "ndjenjat e Detyrës dhe Korrektësisë", ku Virtyti, e Vërteta dhe e Drejta vihen në rend të parë. Këtyre u shtohet edhe fakti se në krijimtarinë e larmishme të këtij autori gjenden të depozituara dëshmi të dualizmit dhe panteizmit kozmik, që "shkrinë tek misticizmi, besimin kombëtar dhe folklorin, në një sufizëm që është mjaft i ndryshëm nga ai në rajonet e tjera të botës myslimane". (Fragment nga kumtesa)

Total Pageviews