07 August 2023

Jovan Nikolaidis - recension mbi "Hartë memece për të mbyturit"

Publikohet edhe në gjuhën kroate recensioni i Jovan Nikolaidisit mbi „Hartë memece për të mbyturit" me rastin e përkthimit të librit në serbisht nga Prof. Merima Kriezi, botuar nga "Treći Trg". Në brendësi ballinat e botimeve në gjermanisht - përkthyer nga Zuzana Finger, në greqisht - përkthyer nga Andrea Zarballa dhe maqedonisht - përkthyer nga Ilir Ajdini. Më herët, në kroatisht është botuar edhe Morski Aushvic (përkthyer nga D. Brajović dhe B. D. Biletić). Shih "Nova Istra", nr. 3-4, Pula, 2022, f. 187-203. (Op. red.)

JOVAN NIKOLAIDIS - Mbi martirët e Otrantos

 

Mora nga miku im, Arian Leka përmbledhjen me dorëshkrimet e poezive të tij. Shumica janë shkruar për të shpëtuar nga harresa viktimat e panumërta të refugjatëve shqiptarë, të cilët, kohë më kohë, duke ikur nga atdheu i tyre i pavëmendshëm, donin të gjenin shpëtimin për veten dhe të dashurit e tyre në Perëndim. Jo në Lindje, por në Perëndim, në Evropë e më tej, ndonëse shumica syresh kishin atëbotë në mendje veç shtysën më të rëndësishme, më të fortë: të arratiseshin me det drejt lirisë, kudo të ishte e mundur, sa më larg mbetjeve të Shqipërisë postkomuniste. Për t'i shpëtuar kaosit që, pas shembjes së sistemit totalitar, ishte përhapur në të gjithë vendin si një epidemi e rëndë sociale; shembja e gjithçkaje që deri dje kishte qenë një kështjellë ideologjike... Mjerisht! Edhe atëherë, edhe tani, edhe më tej, njerëzit do të vijojnë t'i ikin atdheut të tyre.

Miku im fisnik, në këtë kurorë poezish ka hedhur edhe shënime të shkurtra nga shtypi (të cilat janë zgjedhur me mjeshtëri intermezzo-je, për të përforcuar përshtypjen e asaj që po këndohet - qofshin lajme specifike nga media, apo të krijuara për të rritur përshtypjen e tragjedisë për të cilën po këndon), të gjitha këto skicime kanë vendin dhe mesazhin e tyre: ngritjen e një monumenti të vuajtjes njerëzore.

Në homazh të atij martirizimi u përftua një kantilenë fjalësh të urta, një lojë mjeshtërore post mortum në vargje të pasura me mendim. "Post mortem nihil est", ka shkruar Seneca. Arian Leka këndon ndryshe: pas kaq vdekjesh të njerëzve të pafajshëm, unë jam ende për jetën që ripërtërihet mbi det, sepse deti është atdheu ynë i përjetshëm. Përpara lexuesit lind një epope mitologjike e një lartësie antike; vargje të një shkëlqimi jokalimtar për martirizimin e popullit shqiptar. Sot është e qartë (siç ndodh rëndom kur të urtët këndojnë për popullin e tyre) se POEZITË E ZGJEDHURA të Arian Lekës janë një koleksion testamentar.

Ata që vdiqën, u mbytën, të afërmit dhe miqtë e tyre, shqiptarët e humbur kujtojnë shumë, siç e dinë tashmë njerëzit që janë munduar nga jeta. Dinjiteti njerëzor dridhet mbi gjithë atë kantatë. Dhe në të (dinjitoz pavarësisht gjithçkaje), Arian Leka është një mjeshtër i punës së tij, një njeri me parime të larta. 

Arian Leka nuk këndon, por vajton me tekstet e tij. Por ama kurrë nuk dëshpërohet dhe ankohet; klithma dhe psherëtima e tij poetike nga thellësia e shpirtit bëhet dokument arti për krijesat gnomike, për të cilin poezia është fillimi dhe fundi. (Shpërthime të tilla mjeshtërie poetike zbukurojnë shumë nga veprat e kësaj rapsodie moderne të gjuhës shqipe). Metaforë origjinale, ironi e qetë, riafirmim i vuajtjes njerëzore në hiperbolë, trashëgimi folklorike, simbol i shkathët me sens të plotë përdorimi, pasazhe retorike të ritregimit konciz që janë plot kumt - cilësi e parë poezie. Ka aq shumë vargje të arrira sa lexuesit nuk i mjafton fryma! - me lirikën mesdhetare të së cilës poeti prodhon bizhu nga atdheu i tij bregdetar.

Ajo që e forcon veçanërisht përshtypjen pas leximit të këtyre poezive është që lexuesi nuk dorëhiqet nga ky mjerim i madh, mbytje dhe vdekje të pafajshme. Fatkeqësia kolektive e të kënduar zgjon sfidën dhe shpresën tek lexuesi. 

Ka shumë për të fajësuar për këto vdekje, por për një kohë të gjatë (na inkurajon qëndrimi emocional i poetit, fuqizuar mjeshtërisht me hiperbolë) nga thellësitë e Otrantos do të dalë bukuria e pathyeshme e të vuajturit, heroit-refugjat, e gjitha në lavdinë e tij. Poeti beson: nuk duhet dëshpëruar. 

Dhe ka shumë kujtime të përjetshme. Vërshimi i kaq shumë njerëzve: gra, fëmijë, pleq dhe shtëpiakë të dëshpëruar (sepse secili syresh nxitonte drejt jetës) bëhet, përveç paralajmërimit, edhe besim për jetën njerëzore. Dhe lexuesi mendon: një ditë ata të mbytur do të dalin nga thellësitë blu, do të qëndrojnë përballë një njeriu, memec, por me sy të hapur dhe do të drejtojnë gishtin në largësi, drejt tokës. Dhe duan të thonë: Shqipëria juaj dhe jona mbetet ende atje.

 

Përktheu nga origjinali: Astrit Beqiraj

 

https://www.stav.com.hr/naslovi/360/jovan-nikolaidis-odabrane-pjesme-o-golgoti-i-vaskrsnucu-o-martirima-otranta-arian-leka/

 

https://www.tacno.net/kultura/o-martirima-otranta/


https://fokalizator.me/o-martirima-otranta/

Total Pageviews