Nga Luan Starova
Arian Leka: Shpëtimi i njerëzores te 'Gjarpri i shtëpisë'
- me rastin e botimit të librit në maqedonisht
Pjesë e gjeneratës që do të bënte kthesën dhe do ta çlironte Shqipërinë nga ky makth i paparë, është edhe Arian Leka i cili, përmes letërsisë që shkruan, jo vetëm shlyen llogaritë me të kaluarën socrealiste, por edhe punon për ta kthyer vendin në rrjedhat kulturore dhe estetike të Evropës, që i takoi dhe i takon.
Muzeu ateist dhe Deti si metaforë e hapësirës së frikshme dhe thirrje drejt lirisë
Ndodh që kur shkruhet për tjetrin, autori të zbulojë vetveten! Kjo më ndodh dhe mua, kur shkruaj për shkrimtarin Arian Leka. Edhe pse të dyve në jetë na ndan një periudhë kohore prej çerek shekulli (unë i lindur në 1941, ndërsa ai në vitin 1966), fati deshi të njihemi në Tiranë, në pranverë të vitit 2014, përmes asociacionit ndërkombëtar "Traduki", i themeluar me qëllim që të nxisë krijimtarinë letrare në vendet e Evropës Juglindore.
Edhe pse i lindur në Shqipëri edhe kur pothuajse tërë jetën e kisha kaluar në Maqedoni, unë e përjetova si "kthimin" e vërtetë në vendin tim të lindjes. Ndaj edhe përmes këtij kthimi dhe përmes krijimtarisë së Arian Lekës, vendosa që, me tërë sinqeritetin dhe emocionet e natyrshme, të ndërlidh këtë shënim edhe me udhëtimin tim të parë në Shqipëri, në pranverën e vitit 1979, kur unë si shkrimtar, së bashku me një grup aktorësh mbërritëm në Shqipëri (pa e ditur paraprakisht se vendi festonte 100 vjetorin e Stalinit) për të përzgjidhur një shfaqje për dramën shqipe në "Teatrin e kombësive" në Shkup, në shenjë të "kontributit modest në ngrohtësimin e raporteve të ftohta shqiptare – jugosllave".
E tërë vizita asokohe varej nga "diktati" i mikpritësve (kush e di se kush ishin të tjerët, përkrah aktorëve?) që të përzgjedhej një shfaqje e vrazhdë socrealiste dhe provokative. Kjo gjë, në asnjë rast nuk mundi të më detyrojë të bëj kompromis me të kuptuarit tim për letërsinë, qoftë edhe për faktin se prej kohësh isha i çliruar nga kanonizimet socrealiste e të stalinizmit të të gjitha formave tek ne, në Jugosllavinë e atëhershme. Apoteoza ishte e planifikuar në Muzeun ateist në Shkodër, ku duhet të vinte deri te faza e fundit e "shplarjes së trurit" të vizitorëve si ne, gjatë së cilës kuptova se isha shënjestër e një sërë provokimesh gjatë tërë udhëtimit.
Muzeu ateist në Shkodër, më ngjante si një metaforë e të keqes globale, që në mënyrën më të mirë dëshmonte për "mendjen e robëruar" të diktatorit që e (ç)udhëhiqte vendin me të bindurit dhe të dëgjueshmit e vet ideologjikë. Duke mos u pajtuar deri në fund me diktatin e mikpritësve që të "stalinizohemi në përzgjedhjen e dramës dhe në sjelljen tonë", as vetë s'e di se si dola "shëndoshë e gjallë", nga vendlindja, pas një rrëmuje të vërtetë në pak ditët e udhëtimit nëpër Shqipëri.
Si revansh, jo thjesht ndaj regjimit dhe ideologjisë, as ndaj vendit dhe popullit të munduar, por ndaj fatit, prej Kolegjit të përkthyesve në Arles të Francës, ku gjendesha asokohe, shihja në ekran sesi Papa Gjon Pali II shenjtëronte viktimat dhe faltoren e Shkodrës, që ndodhej pranë Muzeut të dikurshëm ateist. Dhe, në njëfarë gjendje transi dhe katarsisi, si në një lloj të ushtruari, e çlirova nga vetja romaninMuzeu ateist, që u botua edhe në Francë në vitin 1999, (Le musee de l'atheisme, Fayard, Paris).
Pjesë e gjeneratës që do të bënte kthesën dhe do ta çlironte Shqipërinë nga ky makth i paparë, është edhe Arian Leka i cili, përmes letërsisë që shkruan, jo vetëm shlyen llogaritë me të kaluarën socrealiste, por edhe punon për ta kthyer vendin në rrjedhat kulturore dhe estetike të Evropës, që i takoi dhe i takon.
Udhëtimi në Shqipëri, nga njëri skaj në skajin tjetër të vendit, nga Shkodra veriore deri tek qyteti jugor antik, Butrinti, padyshim nën shoqërimin e agjentëve të "Sigurimit", i theksuar edhe në romanin Muzeu ateist, me inicialet X.X, në udhëtimin e skëterrshëm "në vendin parajsor të komunizmit", një mesdite pranvere të vitit 1979 sa solli në Durrës, në vendlindjen e shkrimtarit Arian Leka, asokohe 18 vjeçar. Këtu, në bregun e detit, në prag të lirisë, Arian Leka do ta ndjejë tragjizmin e popullit të vet, pasojat e izolimit total në kufijtë më hermetikë me fqinjët, futur në një labirinthin absurd të shtatëqind mijë bunkerëve.
Kështu herët në jetën e Arianit, në qytetin e tij të lindjes me zulmë antike, më vonë edhe përmes veprës së tij poetike dhe të tregimit, deti do të funksionojë jo vetëm si metaforë e gjithëpranishme për hapësirën e frikshme që e izolon njeriun dhe mendimin e tij, por edhe si thirrje drejt lirisë.
Megjithatë, deti për Arian Lekën do të jetë edhe një rrëfim përmasë e përballjes me veten, me historinë, me fatin e izolimit në kohë dhe hapësirë, me ideologjinë ndërhyrëse dhe izoluese. Por, deti ia tregon autorit rrugën drejt katarsisit të pashmangshëm personal dhe kolektiv, rrugën drejt lirisë…
Motivet paralele të ekzilit dhe kthimit
në Muzeun ateist dhe te Gjarpri i shtëpisë
Takimi me Arian Lekën, i cili më vonë dhe në mënyrë të veçantë do të realizohej në veprat tona letrare, në kthimin tim të vonuar në vendlindje, paraqitur në romanin Muzeu ateist, veçanërisht në episodin e bregdetit Adriatik të Durrësit dhe me autorin e Gjarpri i shtëpisë.
Letërsia e ka fuqinë që t'i ndërlidh nëpër gjenerata të ndryshme, elementet e thelbit të jetës së pandashme, në mungesën e njerëzve dhe praninë e të tjerëve.
Këtë ndjenjë pata, kur lexova së pari poezitë, tregimet dhe romanin e Arian Lekës. Ishte sikur në to ndodhej edhe barra ime e lënë buzë detit, por që tek ai vinte e shpalosur, e zgjeruar, me përvojën e tij, me rininë e tij, historinë e shtëpisë së tij, me bastionin patriarkal buzë detit, të krijuar nga emocionet familjare, nga lidhja e mëmësisë me fëmijët, nga lidhja me odiseadën e babait – detar, i cili nuk e arrin Penelopën e vet dhe që përjeton avarinë në breg, në shtëpinë stërgjyshore, i dëbuar prej të birit dhe nuses së tij, në shtëpinë e pleqve të verbër. Duke parë këtë krijimtari të Arian Lekës, ndjeva se ata më rikthyen diçka të fuqishme që më ishte marrë gjatë takimit tim të parë me vendin.
Të dy sikur të ishim përfshirë nga pasojat e një ekzili: ekzili i tij ishte i brendshëm, ndërsa i imi gjeografik, por thelbi ishte paradoksalisht i njëjtë.
Babai im, përjetësisht i munguar në familje, në kërkim të fatit të tij dhe harmonisë, vazhdimisht i kafshuar nga sindromi i kthimit, që asnjëherë nuk mund të jetë i vërteti, përveç në përqafimet e familjes, kthim që përjetësisht e priti.
Ndërsa babai i Arianit, gjëgjësisht i narratorit në Gjarpri i shtëpisë, ishte detar i anijeve lundruese tejoqeanike prej çerekshekulli. Kthimi i tij në tokë, në bregun e detit të Durrësit mitik, ishte një lloj kthimi në asketizëm, që do të kulminojë me dëbimin nga shtëpia e lindjes, i kultit të familjes, si vend i ëndërruar pas lundrimeve të gjata.
Në familjet shqiptare të bazuara në traditën patriarkale, në periudha të caktuara si në rastin e Durrësit buzë detit, premtues i të gjitha lundrimeve të rëndësishme nga vendi i izoluar, do të mbizotërojë matriarkalitet i caktuar. Gjyshet dhe nënat do të jenë shtyllat e shtëpive, personalitete të fuqishme, mburojat e familjes.
Edhe në familjen time dhe atë të Arianit u kënduan këngët shqiptare të trizëshme polifonike, tri zëra njëri pranë tjetrit në kërkim të harmonisë së vetme, në ikjekthimet e ndryshme, si himne të heshtura, që shënuan edhe çastet e gëzuara të jetës, këngë-lehtësuese, këngë – atdhe në dhe të huaj, kode të identitetit kundrejt pasigurisë dhe harresës, për ta përballuar më lehtë atë që njerëzit e kishin më të vështirë, himne të ikjes së pasigurt dhe kthimit traumatik, kur asgjë nuk është si dikur.
Në dyvargëshin e tij unë përherë shkoj, asnjëherë nuk kthehem, Arian Leka shpreh situatën paradoksale jo vetëm të ekzilit të vet, por edhe të popullit shqiptar, si edhe të atij universal… Duke lexuar dhe dëgjuar Arian Lekën në dialogjet tona pafund, në shoqërinë e përbashkët të spirancës së detit në breg, sikur përmbusha diçka, një kohë të gjatë të paarritshme, të humbur, të grabitur kur u gjenda në Durrësin e tij, "fanarin ballkanik universal", në kohën e izolimit të madh të Shqipërisë, nën presionin e regjimit komunist – stalinist të vitit 1979.
Pavarësisht, nëse ishte ose jo fëmijë i kësaj shtëpie, nëse ishte ndonjëherë i pranishmi / i munguar, trembëdhjetëvjeçari Arian Leka, me të cilin ka gjasë të jem përshkuar buzë linjës detare në Durrës, shkrimtari Arian Leka, e ngriti me superioritet muret e kështjëllës së tij letrare mes detit dhe bregut, si dëshmi e tragjizmit të një kohe, e që është fanar drejt detit të lirë dhe të hapur prej kuçedrës shumëkokëshe.
Me krijimtarinë e vet Arian Leka paraqet mitologjinë e vendit të tij të lindjes, Shqipërinë, të ndërlidhur me simbolet detare, fatin e njerëzve dhe jetës, duke mbajtur parim lëvizës në veprën e tij letrare. Deri në romanin Gjarpri i shtëpisë, ky autor krijon një opus poetik brilant, boton libra dhe tregime, që më në fund të dëshmojë pjekuri të lartë të krijimtarisë, duke u shërbyer me teknikat më të reja të romanit, këmbëngulës në zotërimin e kompleksitetit të trajtimit të ngjarjeve në kohën e një kthese, siç ishte Shqipëria para rënies së komunizmit dhe më pas.
Robërimi i detit dhe shpëtimi i
njerëzores në situata të skëterrshme
Romanin Gjarpri i shtëpisë në gjuhën shqipe, dhe versionin e sukseshëm në gjuhën maqedone nga Mirjana Ilieva – Jashari (Botimet "Goten") , e përjetova si plotësim të vonuar të një ngjarjeje që më kishte ndodhur para shumë vitesh buzë detit në Durrës, në kohën e izolimit total të Shqipërisë, kur pak kush besonte se vendi do të dalë nga ai izolim, ndoshta njëri ndër të rrallët, si i talentuari Arian Leka, i cili e dëgjonte dhe zbulonte kodin çlirues të dallgëve. Në frymën e prozës së Arian Lekës, thënë metaforikisht, Gjarpri i shtëpisë fiton mbi kuçedrën detare. Rrënjët e Arian Lekës në jetë dhe në krijimtari janë atje, në Durrës, përgjithmonë mes bregut dhe detit, por më shumë në det se sa në breg. Atje ai i përjeton çastet parajsore të fëmijërisë, por edhe ferrin e rinisë për shkak të mosqasjes në det në të gjitha dimensionet e tij. Siç edhe gjendet dendur edhe në tekstet e tij, Arian Leka kujtohet se regjimi, në një periudhë e "robëroi detin", e bëri të rrezikshëm për njerëzit, vendosi atje tre kufij në ujëra, deri në barrierën e parë, përkatësisht kufi prej qindra metrash ku nuk mund të notohej lirisht, dhe ku rrallëkush guxonte të arrinte deri tek i treti, ndërsa nëse hynte tek i treti bëhej pre e sigurt e "Sigurimit", i cili e priste viktimën si kuçedër e fshehtë shumëkokëshe. Por, më të fuqishmen për kohën, ndërmjet bregut dhe detit, më shumë të bregut se sa të detit, Ariani do ta përjetësojë me shumësinë kuptimore të metaforës në poezinë e tij – Shpina e detit: Njerëzit e mi ia kthyen shpinën detit / Dhe unë kam të njëjtën dobësi / i mbys anijet / i shpoj në brinjë dhe iki larg / aty ku retë më kujtojnë peshqit / çdo varr është fllugë me velë të bardhë / atje ku çdo pemë rrit pemët në bark dhe anije / ikin anijet / njerëzit e mi i kthyen shpinën detit / dhe nxjerrin zorrët / veç nga e ëmbla bukë e tokës / dhe nga pijet. Me veprat paraprake në prozë Arian Leka jep dëshmi të çmuar se si komunizmi stalinist dhe regjimi politik mund t'i deformojnë njerëzit, por dhe si të tjerët patën sukses, përkundër torturës së fuqishme, ta shpëtojnë njerëzoren në vete në situata të skëterrshme. Ai të kujton në atë që thotë Edgar Moren në romanin autobiografik se "regjimet ideologjike bëjnë nga shërbetorët e tyre të bindur, të gatshëm të jenë gjakpirës dhe kriminelë".
Nivele të komunikimit prani / mungesë në romanin Gjarpri i shtëpisë
Në romanin Gjarpri i shtëpisë, realizimi qendror dhe kulminant i Arian Lekës, në plan të parë është babai, edhe pse libri nuk ka karakter të ashpër autobiografik. Autori simbolikisht e emërton romanin e vet Gjarpri i shtëpisë, megjithatë në libër në asnjë situatë nuk përmendet gjarpri i shtëpisë. Natyrshëm lind pyetja, pse autori u përcaktua pikërisht për këtë titull të romanit? Megjithatë, prezenca e gjarprit të shtëpisë bëhet më emociones në mungesë të tij, kur ardhja e tij është proces i vazhdueshëm, akt i vazhdueshëm kërcënues që shfaqet, dhe njëherësh e ruan shtëpinë nga shkatërrimi. Ekziston besimi se gjarpri nuk guxon të vritet në shtëpi, madje dhe është zakon që atij t'i ofrohet qumësht si anëtar i familjes.
Romani Gjarpri i shtëpisë është i strukturuar kryesisht rreth plakut, babait të narratorit, thuajse tërë kohën e punës si lundërtar detar, si një motërzim ballkanik i Plaku dhe deti nga Hemingway, si plaku dhe gjarpri, plaku i mundur pas triumfeve në lundrimet e lira. Për të, zotërimi i skeletit të peshkut të gjuajtur, mishin e të cilit e kanë ngrënë peshkaqenët, janë anijet e lundrimit të babait – detar.
Disfatën e fundit e përjeton në breg, si zogu albatros, i pafuqishëm në breg, por princ në gjerësitë detare, kur do të jetë përfundimisht i dëbuar ng vlerat e tij kyçe, të cilat e lidhin me jetën: shtëpinë, familjen, qytetin. I ndalur përfundimisht në breg, plaku përpiqet ta kuptojë jetën pa ikjet e tij, daljet nga labirinthi i vendit të izoluar, me kufij të mbyllur dhe mijëra bunkerë, i pakuptueshëm dhe i papranueshëm nga të shtëpisë: i biri, nusja e të birit, të tjerët. E pranon jetën e re me durimin stoik, si përfitues i lundrimeve të gjata, por edhe pesimizmin e pamposhtur. Shpresa e mbledhur nga lundrimet e gjata, se në brg do ta presë përqafimi i familjes, humbet si dallgët në rërën e bregut në Durrësin e vendlindjes së dashur, në limanin e përhershëm të jetës dhe zhdukjes së tij. Afër komunikimit me veten, i mbeten lidhjet shpirtërore me babain e tij të humbur. Prania e tij në mungesë, si shtyllë patriarkale e familjes, si krijues i marrëdhënieve harmonike të familjes, tek plaku – marinar do t'i ndjejë si masë e sjelljes së të birit ndaj tij, do ta mbajë iluzioni se gjithçka do të jetë si dikur, por nuk do të jetë! Niveli i tretë i komunikimit të plakut zhvillohet me të birin, me fqinjët, deri në aktin kur do të jetë i dëbuar nga i biri, i verbër dhe i pafuqishëm, dhe i dërguar në shtëpinë e pleqve të verbër. Shtëpia e lindjes për plakun detar bëhet burg emocional, komunikimi me të birin është i varfër dhe i mundimshëm. Në atmosferë reale në romanet e Saramagos, ballafaqohemi me verbërinë e plakut, i cili beson se në fund, larg shtëpisë së lindjes ku e kafshoi gjarpri i shtëpisë, do të gjendet në shtëpinë e të verbërve ku ndjehet tragjikisht i lumtur, ndoshta i shpëtuar nga plaga e shkaktuar e gjarprit të shtëpisë…
* * *
Është thënë se ndoshta letërsia për disa nuk paraqet asgjë, por nuk ka asgjë tjetër që aq mund të përfaqësojë. Është fat që përkthimi dhe botimi i romanit Gjarpri i shtëpisë i Arian Lekës, nga ana e botuesit të suksesshëm "Goten", përmasë e cila matet me publikimin e veprave të rëndësishme, dhe paraqet jo vetëm ndërlidhje të traditës së bukur të veprave cilësore dhe kulmore nga letërsia shqipe në Maqedoni, por edhe mundësi të veçantë për hapjen e rrugëve të reja për qarkullim të letërsive të gjeneratave të reja, në kushte të hapjes dhe mirëkuptimit ndërmjet dy popujve të afërt, të çliruar nga kufijtë izolues dhe kufizues të së kaluarës. Arian Leka, me veprën e tij poligrafe letrare si poet, tregimtar dhe romancier, eseist, përbën gjeneratën më të re të shkrimtarëve shqiptarë e cila në mënyrë radikale do të çlirohet nga socrealizmi me prerje radikale, duke iu afruar poetikës së romanit modern evropian.
(Fragmente nga pasthënia e botimit në gjuhën maqedonase. Titulli i origjinalit: "ËNDRRA DETARE E BREGUT".Teksti u përkthye nga Daim Miftari.
http://www.mapo.al/2017/06/arian-leka-shpetimi-i-njerezores-te-gjarpri-i-shtepise/1