JOVAN NIKOLAIDIS - SIMETRIA BALLKANIKE E KLEROFASHIZMIT
Jetoj mes intelektualëve faqezi e mjeranë, të cilëve kryetari Milo Đukanović u ka bërë favore si pakkush. Deri sa Milo Đukanović është nisur për në betejë, shumë lëpirës të tij sot tkurren, heshtin, përgjojnë nga fundi, maten dhe mezi pëshpërisin. Besoj dhe e di se ai do e fitojë betejën, sepse ata që mbesin vetëm janë trima!
Sikur të kisha vdekur para ndonjë dekade nuk do ta dija se mes nesh ka kaq shumë intelektualë-bishtpërdredhës e mjeranë. AASHMZ, AASHD, OJF të fuqishme, ndonjë britmë e rastësishme vjen nga e ledhatuara e pushtetit - Vatra malazeze, PEN-i, Universisteti, pothuaj të gjithë ata, që e kanë për detyrë e që në mënyrë të vet t'i dalin zot me dinjitet Malit të Z: Fitimtarit nga e gjithë kjo çmenduri.
Për shkak të këtyre bastardëve të lidhur pas dere të mbërthyer në mornica prej tre dekadash, flas hapur për të gjitha ligësitë e të ashtuquajturit populli heroik si dhe për gabimet e pushtetit. Me theks në fushën e kulturës dhe emancipimit të malazezëve në përgjithësi.
Prej zhurmës së çetnikëve dhe fanatikëve të çartur, sot, malazezëve u ka mbrritur puna deri aty sa që nuk dihet më ku është fundi e ku mesi i lëmshit. Po kur ka filluar të shpështillet kjo gjë? Këtë e dimë të gjithë: që nga momenti kur fitimtarët filluan të përkëdhelin humbësit. Madje edhe t'u lëpihen...
I besoj të vërtetës së përhershme, parimit të Ciceronit: Sa herë që mbretërit bëjnë marrëzira, akejtë paguajnë. Me fjalë tjera: Sa herë që prijësit gabojnë, populli e vuan. E drejta, që e zotërojnë dhe mbajnë udhëheqësit, nuk duhet të jetë asgjë më shumë se detyrimi i tyre. Përgjegjësia e prijësve shihet në kënaqësinë e popullit...
...Kemi mundur që, për 14 vjet pavarësi, ta rregullonim sipas një plani shtetin tonë të vogël, duke e lulëzuar dhe bërë më të mirë jetesën për qytetarët dhe kështu do kishim ngritur edhe reputacionin e Ballkanit. Kurse ne, në të vërtetë, u lëshuam në gara se kush do të bëhet – milioner.
Po sikur të më pyes dikush: e çfarë tani?, lehtë do ia jepja përgjigjen. Nëse është e vërtetë se Mali i Zi ka afro shtatëdhjetë milionerë (mëdyshja më pëshpërit: i ka, o poeti naiv, madje edhe më shumë) si është e mundur që nga të dyja anët edhe ata që sulmojnë edhe nga ata që mbrojnë, përballen vetëm dy milionerë: krimineli Amfillohije, i cili do të shkatërrojë, përballë mbrojtësit, Kryetarit të shtetit, për të cilin thonë se, poashtu, është milioner. Ku kanë mbetur milionerët tjerë të Malit të Zi?
Mos janë edhe intelektualët tanë milionerë? Apo ndoshta milionerët ua kanë mbyllur gojën me diçka e kështu që kanë mbetur pa fjalë? Unë nuk pata kurrë vështirësi të zgjedh një anë: si gjithmonë – jam për shtet multikulturor, demokratik, me kishën e ndarë nga shteti dhe me pasaportë të pranueshme europiane. Jam shkrimtar malazez, i përçmuar nga inteligjenca malazeze, sepse i njoh "si xhepin tim". Megjithatë, sërisht do ftoja pavarësistët, elitën dhe akademikët tanë, mendimtarët e blerë e të stërpaguar, që të ngrejmë zërin së bashku. Le të çohen edhe pakicat etnike me zërin dhe qëndrimin e tyre e le të thonë se janë për ruajtjen e bashkëjetesës mes popujve e kështu, të gjithë së bashku, ta ruajmë Malin e Zi.
...Dhe po e përsëris, së bashku me intelektualët, të cilëve ua kanë mbyllur gojën. Detyrë jona është të mbrohet shtetësia e Malit të Zi, e këtij vendi në Ballkanin perëndimor, nga milioneri Amfillohije, i cili i ruan me çdo kusht milionat e vet, duke synuar ta poshtërojë, ta përulë dhe ta shkatërrojë shtetin.
Paraja është lodër e rrezikshme, kërkon lojtarë të jashtëzakonshëm. Të tjerëve, të gjitha paratë dhe pasurinë, do ua marrë djalli – nuk ishin të denjë për milionat që kishin... E për Zotin!? Kush nuk mbolli qepë, nuk i shijoi! Nëse për momentin kthejmë kokën kah vetja – edhe vetë Zoti do habitej me marrëzirat tona, duke parë te ne besimatarë të devotshëm, që nuk kanë shërim. Të gjithë shetitës e shkuar shetitësit, analfabetë ortodoks.
Përktheu nga origjinali: Gazmend Çitaku
Fragment nga artikulli - RUAJU DORËS QË VEPRON NË HIJE
© Copyright: Revista POETEKA, No. 54, Maj 2020