Shkrimtar në Rezidencën letrare POETEKA - Tirana in Between '07
Autori që çel veprimtaritë në Rezidencën letrare "POETEKA - Tirana in Between - 2017" është poeti shqiptar nga Maqedonia, Daim Miftari.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, ky autor do të bëhet pjesë e veprimtarive me lexime publike, përfshirjes në diskutime e bashkëpunime me mediet dhe katedrat universitare.
Daim Miftari lindi në Gostivar, (1979). Ka studiuar në degën e Gjuhës dhe Letërsisë shqiptare në Fakultetin Filologjik "Bllazhe Koneski" në Shkup, ku edhe ka magjistruar me temë: "Individualiteti poetik i Xhevahir Spahiut". Ka punuar si gazetar, përkthyes dhe mësimdhënës në shkollë të mesme. Jeton në Shkup.
Botime: "Tingujt e heshtjes", (Qendra për Kulturë ASNOM, 2007), "As ëndrra për nesër", (Shkup , 2010) "Zemjata na zborot/Toka e fjalës", botim në maqedonisht dhe shqip (Shtëpia Botuese "Silsons", Shkup, 2011), "Vetëm" (Logos A, Shkup, 2013), "Përtej mureve", "Shkup, 2016.)
Për krijimtarinë e Daim Miftarit kanë shkruar studiues dhe krijues si Ahmet Selmani, Shqiptar Oseku, Lindita Ahmeti, Salajdin Salihu. Sipas akademikut Ali Aliu, ky poet është njëri ndër më të talentuarit në poezinë e sotme shqipe.
Poezi e këtij autori janë përfshirë në antologjitë: "Letërsia shqipe" (Maqedoni, 2008), Antologjinë e poetëve "A Dangerous Metod", (Albas, Tiranë 2015.) Dai Miftari ka qenë i ftuar në manifestime letrare si "Shkupi lexon", 2016, në "Mbrëmjet poetike të Strugës", n 2009, ku poezi janë përfshirë në botimet e këtij evenimenti, në shqip, maqedonisht dhe anglisht, etj.
Rezidenca letrare "POETEKA - Tirana in Between" e zhvillon veprimtarinë e saj prej 5 vjetësh, si një bashkëpunim mes rrjetit TRADUKI, Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Ambasadës Gjermane dhe Ambasadës Austriake në Tiranë.