Poeteka 48: Shqipëria e përjetuar nga jashtë dhe Ballkani
Edicioni më i ri i revistës POETEKA No. 48: 2018, ndodhet sërish në librari dhe në duart e pajtimtarëve. Shtatë rubrikave që revista POETEKA sjell përmes këtij botimi, u paraprin letërsia dhe përkthimet letrare. Në këtë rubrikë gjenden krijime në prozë dhe poezi, përkthime të shkrimtarëve bashkëkohorë nga Shqipëria, Ballkani si dhe autorëve klasikë nga mbarë bota e më gjerë.
Nga Dr. Silvana Leka
Edicioni më i ri i revistës POETEKA No. 48: 2018, ndodhet sërish në librari dhe në duart e pajtimtarëve. Shtatë rubrikave që revista POETEKA sjell përmes këtij botimi, u paraprin letërsia dhe përkthimet letrare. Në këtë rubrikë gjenden krijime në prozë dhe poezi, përkthime të shkrimtarëve bashkëkohorë nga Shqipëria, Ballkani si dhe autorëve klasikë nga mbarë bota e më gjerë.
Luan Rama vjen për lexuesin me shtatë poezi të reja. Gjithashtu edhe poeti Sokol Zekaj sjell 5 poezi të pabotuara më herët. Rubrika e përkthimeve letrare ofron emra të njohur, si Federico García Lorca, me "Ode për Salvador Dali-në", përkthyer nga spanjishtja nga Suadela Balliu, poeti, këngëtari dhe regjisori kanadez Richard Desjardins, prej të cilit Flurans Ilia ka përkthyer poemën e njohur "Natak". Nga letërsia e Ballkanit mbërrijnë në shqip dy emra të poezisë dhe prozës bashkëkohore maqedonase dhe boshnjake, siç janë Jovica Ivanovski, përfaqësuar me 20 poezi të përkthyera nga Daim Miftari dhe Emina Žuna, e cila paraqitet me fragmentin nga romani i saj "Lada", përkthyer nga Ben Andoni.
Pjesë e publikimeve janë edhe vështrimet e këqyrjet në faqet e shtypit të fqinjëve, ku ndeshim panoramën të jetës kulturore të Shqipërisë mes viteve 1930-1940. Jemi ushqyer vetëm me propagandë, e cila na ka ushtruar të besojmë se artikujt e botuar në shtypin e fqinjëve janë vetëm antishqiptare.
Ndaj nuk jemi mësuar ende dhe besojmë pak se në gazetën "Pravda", f.3, më 28 prill të vitit 1934, do të gjenden shkrime që paraqet një Shqipëri në zhvillim, që ka "…përjetuar ndryshime të shumta së jashtmi. Dhe teksa janë të dukshme ndryshimet e jashtme, nuk shihen edhe aq ndryshimet e brendshme, pra në jetën artistike, shpirtërore dhe arsimore, ndonëse ato ekzistojnë", siç shkruhet në faqet e "Pravdës.
Artikulli vëren se "Prej një province të braktisur orientale, të vogël dhe të varfër, përgjatë dhjetë viteve, [Shqipëria] është bërë vend modern, i rregulluar, që lëviz drejt Perëndimit në të gjithë drejtimet. Artikulli vëren gjithashtu se "…puna shkencore në Shqipëri tani ka arritur shkallë të lakmueshme. Kujdesi më i madh u është kushtuar gjurmimeve arkeologjike, sepse kjo është mënyra më e mirë për t'u dëshmuar e kaluara shqiptare.
Përveç shkencëts, theksi vendoset edhe mbi artet, duke nënvijëzuar një tipar të ri, i cili që asokohe nuk është përsëdytur as në formë dhe për më shumë as në thellësinë e përmbajtjes. Është fjala për kujdesin që qeveria shqiptare tregon ndaj ndaj artit, kur çdo talenti të ri në Shqipëri, edhe nëse jeton në skajet më të largëta të vendit, përkrahet nga qeveria. "Shumë të rinjve që kanë talent dhe dashuri për pikturën, skulpturën dhe muzikën, u është mundësuar studimi jashtë shtetit. Ata marrin bursa nga qeveria shqiptare, për të cilat mund t'ua kenë zili bursistët tjerë, sepse qeveria është shumë dorëlëshuar ndaj njerëzve të aftë dhe të talentuar", vërehet në artikulli që vjen në shqip nga poeti dhe studiuesi Salajdin Salihu.
Përveç këtij artikulli, revista POETEKA 48, partnere prej disa vitesh e revistave më të mira europiane të rrjetit EUROZINE, sjell edhe kritikë letrare, recensione e artikuj studimorë mbi letërsinë e Franz Kafka-s, nga Naser Mrahori, tipare të shkrimtarit malazez Vladimir Vojinović, paraqitur nga Dr. Arian Leka, por edhe një vështrim interesant mbi muzikën e filmave shqiptarë, falë paraqitjes së Dr. Blerina Shalarit.
Ribrika "Kujtesë" risjell në vëmendje figurën e Gjergj Kastriotit – Skanderbegut, përmes tekstit të Marin Sirdânit OFM, mbështetur në botimet për disa numra në revistën "Hylli i Dritës", duke filluar nga Vjeti XI, 1935, No 2.
Interes të veçantë paraqenin edhe dy artikuj të botuar në gjuhën angleze në revistën "Poeteka", No. 48. Bëhet fjalë për artikujt e Srdjan Atanasovski-t dhe Jelena Lončar-it, të cilët i drejtohen marrëdhënieve të reja mes Kosovës dhe Serbisë. Artikujt vërejnë praktikat historike dhe bashkëkohore të pelegrinazhit dhe analizojnë faktin se praktikat moderne të pelegrinazheve serbe në Kosovë paraqesin fazën e fundit të "nacionalizimit" të pelegrinazhit, si diçka që tradicionalisht ka qenë lokale dhe që është formuar "prej së poshtmi"…
Gjithashtu, të prekshme janë edhe realitetet mbi besimin dhe identitetin në Kosovë, ku si shtysë merren takimet e grave të Serbisë dhe të Kosovës, përmes së cilave përcillen dy mesazhe të fuqishme. Së pari, gratë e Serbisë dhe të Kosovës nuk pranojnë më që të trajtohen ekskluzivisht si viktima, por si pjesëmarrëse aktive, të interesuara dhe të afta në procesin e ndërtimit të paqes dhe pajtimit. Së dyti, krimet e kryera ndaj grave dhe fëmijëve gjatë luftës, sikurse edhe pasojat e tmerrshme sociale dhe ekonomike të luftës tek gratë shpeshherë po shfrytëzohen si argumente kundër palës tjetër.
Vendin qendror në revistë e zenë artikulli "Paragjykimet ndaj letërsisë bashkëkohore të fqinjëve ballkanas", shkruar nga Dr. Silvana Leka, ku theksohet fakti se letërsinë e mirë nuk duhet ta kërkojë vetëm nga vendet e largëta dhe vetën mes veprave të mirënjohura klasike, por edhe nga vendet fqinjë, prej të cilëve mund të mbërrijnë, siç tanimë edhe kanë mbërritur, disa kryevepra letrare jo thjesht të klasikëve, por edhe të shkrimtarëve bashkëkohore, mes të cilëve Daša Drndić.
Rubrika "Autor i ftuar" në faqet e revistës "POETEKA" 48, i kushtohet krijimtarisë së gjerë dhe të vlerësuar lart (ndonëse paradoksalisht ende jo shumë të njohur në Shqipëri), të shkrimtarit të shquar shqiptar nga Maqedonia Luan Starova. Kjo rubrikë e paraqet autorin e shquar përmes vlerësimeve të kritikës së vendeve ku vepra e tij është përkthyer dhe botuar, përmes fragmenteve të kritikës, por ajo që përbën një risi janë paraqitja e krijimtarisë së Luan Starovës edhe përmes synopseve të çdo vepre që ky autor ka shkruar e botuar apo që është ende në formë shkrimi.
Botimi i revistës "Poeteka", No. 48 shoqërohet nga një koleksion i çmuar prej 12 veprash grafike të piktorit të njohur Stefan Taçi (STEFOS), një pjesë e të clave publikohen për herë të parë dhe që ia shtojnë jo vetëm vlerën, por edhe komunikimin me lexuesin si një ekspozitë brenda revistës. Revista "POETEKA", përveçse pjesë dhe partner me rrjetin e revistave kulturore europiane EUROZINE, është gjithashtu edhe revista kulturore më jetëgjatë dhe më e qendrueshme ndër periodikët kulturorë shqiptarë pas viteve '90.
Me trembëdhjetë vjet qëndresë në skenën letrare, kjo revistë e drejtuar nga Arian Leka, ka ofruar krijimtarinë e qindra autorëve shqiptarë e të huaj, ka sjellë në shqip përmes përkthyesve të njohur dhe më të rinj me dhjetra poetë e prozatorë si dhe ka botuar mjaft artikuj, studime në fushë të albanologjisë, filozofisë, pa përmendur këtu edhe nderimin përmes rubrikave "in memoriam" dhe "ad honorem" të dhjetra emrave të shquar të artit shqiptar dhe atij botëror.
http://www.mapo.al/poeteka-48-shqiperia-e-perjetuar-nga-jashte-dhe-ballkani/