01 August 2015

POETEKA: "Tirana in Between" - Dan Coman

Dan Coman
Shkrimtari rumun Dan Coman është fituesi i katërt i bursës për Rezidencën e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve letrarë “TIRANA IN BETWEEN - 2015”, organizuar nga POETEKA dhe mbështetur nga TRADUKI, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë.
Ai do të qëndrojë në Tiranë gjatë muajit Gusht, ku do të realizojë projektin e tij letrar lidhur me një lloj të veçantë të krijimtarisë: poezi-portretet. Ndërkohë ai do të krijojë lidhje dhe komunikim me shkrimtarët dhe artistët e kryeqytetit, do të përfshihet në procesin e përkthimit me prani të autorit si dhe realizojë intervista e lexime publike në në qendrat ku përurohet kultura e leximit: Friend’s Book House, Epër7shme, Hemingway Book Bar.
Dan Coman (1975, Rumani) ka studiuar dhe është diplomuar në filozofi, pranë universitetit Cluj Napoca, Rumani. Krijimet e tij të para u shfaqën në revistën "Minerva", 1993, për të vijuar më pas me revistat letrare më të rëndësishme në Rumani. Libri i tij i parë me poezi u vlervsua me Çmimin kombëtar „Mihai Eminescu”. Krijimtaria e tij, poezitë kryesisht, janë përkthyer dhe botuar si libra më vete dhe në revista letrare në gjuhët gjermane, suedeze, frënge, në anglisht, sllovenisht, serbisht dhe hungarisht.

Dan Coman është autori i tre libra me poezi:

- anul cîrtiţei galbene (The year of the yellow mole) Timpul Publishing House, Iaşi, 2003;
- Ghinga, Vinea Publishing House, Bucharest, 2005;
- Dicţionarul Mara, ghidul tatălui 0-2 ani (Mara Dictionary - father guide: 0-2 years), Cartier Publishing House, Chişinau, 2009;

Ai është gjithashtu autori i dy romaneve:

- Irezistibil (Irresistible) Cartea Românească Publishing House, 2010;
- Parohia (The Parish), Cartea Românească Publishing House 2012.

Krijimtaria e tij është përfshirë në mjaft antologji dhe është vlerësuar me disa çmime të rëndësishme letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, mes të cilëve përmenden:

- Çmimi i Lidhjes së Shkrimtarvve të Rumanisë, 2004
- Çmimi “Mihai Eminescu” (Opera Prima) 2004
- Çmmi kulturor “Radio Romania”, 2010
- Çmimi “Crystal” - Festivali ndërkombëtar i Vilenica-s, Slloveni, 2011

Krijimtaria e këtij autori është paraqitur edhe në disa antologji të botuara jashtë Rumanisë, të tilla si:

- Om jag inte får tala med någon nu: 27 poeter från Rumänien, Bokförlaget Tranan, Suedi, 2011
- „Anthologie de la poésie roumaine contemporaine” (Paris), 2008
- « Iz Novije Rumunske Poezije” – Serbi, 2009
- “Pesniki, Cakajoci na angela” - Ljubljana, Slloveni, 2010
- "Szabadulas a gettobol"- Hungari
- Začetek (11 poezi në sllovenisht), Študentska založba, Ljubljana, 2012, përkthyer nga Ales Mustar.

Në vitin 2010 ai fitoi grantin e Akademie Schloss Solitude, ku anëtar jurie ishte edhe shkrimtari i mirënjohur rumun Mircea Cărtărescu. Në vitin 2012, antologjia Ghinga e botoi këtë autor në Edition Solitude, Stuttgart, përkthyer në gjermanisht nga Georg Aescht.

Tre vjet më parë Dan Coman nisi projektin e poezive - portret kushtuar poeteve të vendeve që autori viziton dhe me të cilët shoqërohet apo i shndërron në objekt të kundriit estetik. Në Tiranë ai do të vijojë këtë projekt. Kjo krijimtari përbëjn një kapitull të veçantë në librin poetik të titulluar “Nume şi ascunzişuri” (Emra dhe vende të fshehur), ku do të vendosen poezi - portretet e disa poetëve bashkëkohorë të Bullgarisë, Sllovenisë, Malit të Zi, Serbisë, Hungarisë, Kroacisë, Moldavisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë.


VIZION PLUS -INTERVIEW
https://www.youtube.com/watch?v=UHxa79Ssl6M

TV KLAN - INTERVIEW
https://www.youtube.com/watch?v=VDO3teBF9Kk





27 July 2015

Wake Up 27.07.2015 - Një ditë vizitor në Shtëpinë e Shkrimtarit

Për pak ditë bëhen një muaj që shkrimtari serb Bojan Krivokapic është në Tiranë si fituesi i rradhës i bursës për Rezidencën e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve letrarë.Në Tiranë, Bojan nuk është ndjerë i huaj por si një vendas që dëgjon rreth tij të flitet në një gjuhë tjetër. Falenderime per Aida Tuci!





26 July 2015

Bojan Krivokapić: Jugosllavia e re? Ajo kulturore

Foto nga Siniša Sunara
Shkrimtari në Rezidencë
Jo e njëjta Jugosllavi sërish, të lutem! Por nëse më pyet rreth ndonjë bashkimi, mendoj se jemi më të afërt me njëri-tjetrin, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Kroaci, sesa Suedia e Shqipëria apo Serbia e Gjermania. Kemi histori dhe karakteristika të ngjashme dhe në këtë kuptim do të isha i lumtur nëse në të ardhmen do të shiheshim pa gjuhë urrejtjeje, pa tendenca.

Shkrimtari i ri serb nuk ka frikë t’i thotë ca gjëra me emrin që kanë.  Ai shkruan në serbisht, gjuhë malazeze, kroatisht e boshnjakisht, ndërsa personazhet ndajnë të njëjtën të shkuar dhe fate, lexuesit e tij ndajnë të njëjtin mendim: kjo letërsi është me shije jugosllave, por të një Jugosllavie të re, të pasluftës. Një valë e re letrare për të luftuar nacionalizmat. Ai beson te një bashkim kulturor

Nga Suadela Balliu
A është ende ekzotike të shohësh në rrugët e Tiranës një turist serb, cili nuk e ka menduar se pikërisht gjatë muajit të qëndrimit të tij, në kryeqytetin e nxehtë nga temperaturat ‘afrikane’ të korrikut, atmosfera do të nxehej edhe më nga vendimi i gjykatës ndërkombëtare CAS që i  dha Shqipërisë  tri pikët e lëna pezull pas ndeshjes  së famshme disa muaj më parë në Beograd, ku ajo çka duhej të ishte një ndeshje tipikisht futbolli mes dy vendeve ( Shqipëri- Serbi) do të zgjonte edhe njëherë gjakun e nxehtë ballkanas mes nacionalizmave dhe gjuhës së urrejtjes dhe një të kaluare jo edhe aq të largëta të shkruar me dhimbje e dhunë? …Këto të fundit mundohen ndoshta të zbuten nga politikat ndërkombëtare, më e fundi vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në të dy vendet,  ndodhi pikërisht në këtë muaj që turisti serb shëtiste nëpër Shqipëri…
A do të ishte i pamenduar vendimi i këtij turisti serb të vizitonte  Prishtinën fill pas “dronit” të famshëm që shtiu frikë te të pasigurtët për ndonjë konflikt të ri?
“Sa u përket armiqësive mes dy vendeve tona, mendoj se politika zyrtare është një gjë, por jeta është krejt ndryshe. Ndaj zgjedh jetën dhe jo politikën zyrtare të servirur nga qeveritë tona”- thotë Bojan Krivokapić, një shkrimtar i ri  nga Serbia, i cili këtë muaj po  jeton dhe shkruan në Rezidencën e Shkrimtarit,  dhe Përkthyesve letrarë “Tirana in between – 2015”, organizuar nga POETEKA, mbështetur nga TRADUKI dhe Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë.
A do të ishte i pamenduar vendimi i këtij turisti serb të vizitonte  Prishtinën fill pas “dronit” të famshëm që shtiu frikë te të pasigurtët për ndonjë konflikt të ri?
“Sa u përket armiqësive mes dy vendeve tona, mendoj se politika zyrtare është një gjë, por jeta është krejt ndryshe. Ndaj zgjedh jetën dhe jo politikën zyrtare të servirur nga qeveritë tona”- thotë Bojan Krivokapić, një shkrimtar i ri  nga Serbia, i cili këtë muaj po  jeton dhe shkruan në Rezidencën e Shkrimtarit,  dhe Përkthyesve letrarë “Tirana in between – 2015”, organizuar nga POETEKA, mbështetur nga TRADUKI dhe Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë.
“Është hera e parë në Shqipëri, nuk e njoh gjuhën, por ndjej se kam qenë këtu disa herë të tjera. Ndjehem mirë” – thotë i ulur në një nga tavolinat jashtë të klubit “Hemingway”, atmosfera dhe temperaturat i ndërmendin aromën mesdhetare, që sipas tij kryeqyteti shqiptar e ka me shumicë.
“Ndoshta nuk është  e udhës të thuash se njerëzit  mes dy vendeve tona janë  shumë të ngjashëm, por shoh atmosferë të njëjtë në Shqipëri që e gjej në Serbi, Kroaci e Mal të Zi. Ja për shembull, në fytyrat e gjysheve  këtu  nëpër rrugët e  Tiranës shoh të njëjtat histori, jetë të gjatë e të vështirë  në fytyrat e tyre  me ato të shumë gjysheve  në vendet e ish-Jugosllavisë”.
Gjyshet janë  subjekt  i mahnitjes së tij këto kohë, pasi  projekti, për të cilin ka ardhur të punojë një muaj në Tiranë, lidhet pikërisht me gjyshet.  “Është një tekst rreth fëmijërisë dhe familjes,  por me disa momente neorealizmi, dokumentare…nis pas luftës së Dytë Botërore dhe është  histori e një familjeje me shumë gjyshe nga anë të ndryshme të Jugosllavisë; Mali i zi,  Kroacia e Vojvodina. Është një familje tipike nga ato anë dhe ka lumturi e trishtim tipik.  Tani po përpiqem të nxjerr këto lidhje të fshehura njerëzore dhe të shkruaj pyetje të hapura rreth trishtimit, vetëvrasjes, fëmijëve të palumtur, edhe pse nga jashtë gjithçka duket në rregull. Këto janë jetë të shkatërruara, të cilat përpiqem t’i rindërtoj dhe t’i lidh mes njëra-tjetrës.”. Edhe pse projekti i tij letrar  nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë,  ai flet me sigurinë e dikujt që di se  lexuesi gjen diçka të lidhur me këto troje.  “Jam i sigurt, kjo është atmosfera e historive të vogla,  por të forta të njerëzve  të zakonshëm, nëse mund t’i quajmë edhe të padukshëm”. Ky është libri i tij i tretë ku po sprovon veten në prozën e gjatë. “Në këtë muaj në Tiranë jam përpjekur të gjej një koncept për një roman të shkurtër, por ende nuk jam i sigurt, sepse shkruaj në fragmente dhe këto fragmente mund të jenë tregime të shkurtra, por nuk dua t’i shkruaj ashtu. Dua t’i lidh këto fragmente e t’i jap strukturën e një romani”. Nuk është e rastësishme që zbulon një detaj më shumë nga subjekti; gjyshet e tij, të krijuara nga një përzierje  prej realitetit dhe imagjinatës letrare, flasin në dialekte të ndryshme  të vendeve të ish- Jugosllavisë; Mali i Zi, Kroacia, Serbia, Bosnje Hercegovina…
Në librin e tij të parë me tregime të shkurtra “ Vrapo Lilith, demonët pengojnë”, të përkthyer edhe në gjuhën italiane për italishtfolësit e Kroacisë, mes trishtimit dhe tëhuajsësimit që lexuesit kanë ndjerë prej prozës së tij, janë shprehur se aty kanë gjetur Jugosllavinë. Atë të një kohe të re, moderne, një Jugosllavi paslufte. “ “Është shumë jugosllave por në një mënyrë ë ndryshme. Nuk dimë ta shpjegojmë,  por mund të ndjejmë që nuk është vetëm serbe, vetëm kroate, vetëm boshnjake”, kështu  më janë shprehur lexuesit. Kam vendosur të shkruaj jo vetëm në serbisht,  por edhe në kroatisht dhe disa dialekte. Ishte vendimi im, vendimi im politik që të mos ishte vetëm në një vend, në një gjuhë, në një komb”, rrëfen ai.
Në Ballkan, në vendet e ish-Jugosllavisë  ka disa shkrimtarë që kanë zgjedhur të shkruajnë në disa dialekte, duke krijuar kështu sipas Krivokapić-it një valë të re letërsie, një lloj neo-jugosllavizmi, një bashkim që vjen në kontekstin kulturor. Është e rëndësishme të këmbëngulim në këtë lloj programi: jo serb, jo kroat, jo boshnjak, jo i ndarë dhe i vetëm dhe më pas ta shohim këtë në një kontekst kulturor që përfshin përvojën jugosllave. Mund ta imagjinoj se kjo nuk është e lehtë pas luftërave, por ne ecim përpara”.
Ta nisim nga Tirana. A e gjete këtu materialin për projektin tënd letrar? Çfarë po shkruan aktualisht?
Në Tiranë ka diçka mesdhetare e në Prishtinë nuk e ndjeja këtë- si ta them- duhet të jem i kujdesshëm sepse nëse mund të them se ishte diçka serbe apo jugosllave mund të keqkuptohet. Në Kosovë e Serbi mungon klima mesdhetare.
Nuk ka ende një Tiranë në tekstin që po shkruaj.  Është një tekst rreth fëmijërisë dhe familjes,  por me disa momente neorealizmi, dokumentare dhe nis pas luftës së Dytë Botërore. Historia e një familjeje me shumë gjyshe nga anë të ndryshme të Jugosllavisë; Mali i zi, Kroacia e Vojvodina. Është një familje tipike nga ato anë dhe ka lumturi e trishtim tipik. Po përpiqem të nxjerr këto lidhje të fshehura njerëzore…Kam një protagonist; një djalë që bëhet një burrë, parë nga perspektiva të ndryshme kohore. Është një përmbledhje historish të ndryshme, jo vetëm rreth tij. Këto gjyshe janë shumë të rëndësishme për mua. Ndihem i magjepsur nga gjyshet dhe rrëfenjat e tyre, një gjyshe është 85 vjeç dhe mund të dëgjosh prej saj  rrëfenja nga thuajse 5 breza; nga Lufta e Dytë Botërore socializmi, dhe tani brezi im, interneti dhe facebook-u. Mendoj se e ardhmja është të gjyshet. Ato dinë gjithçka. Gjyshet janë të rëndësishme, jo gjyshërit, për shkak të pozicionit në familje; janë  gra, nëna,  pastaj puna e vështirë, mbijetesa… Është një këndvështrim feminist,  prandaj gjyshet janë të rëndësishme.
A ka elemente autobiografikë në prozën tënde? 
Mund të them se shkruaj prozë rreth temës së familjes, fëmijërisë, të mbushur plot me gjyshe, familje të shkatërruara, kriza identiteti. Mund të ngjajë si “prozë e errët”, por nuk mendoj se është e tillë. Janë tregime rreth vetes sonë, rreth këtyre anëve, Ballkanit, por kryesisht pjesa jugosllave e Ballkanit. Mund të them se është një lloj proze e errët me shumë humor brenda. Gjyshet  flasin në dialekte të ndryshme. Për mua është interesante të bëj kërkime rreth gjuhës e të shkruaj në vetë të parë. Gjyshet që flasin  në ato dialekte të vjetra…nuk është  e lehtë.  Më  është dashur të mësoj shumë. Fokusi në këtë tekst është më shumë te personazhet gra, jo te burrat në  pikëpamjen heteronormative.  Nëse është prozë autobiografike,  mund të them po edhe jo. Në një farë mënyre gjithçka që shkruajmë është një lloj autobiografie, sepse ne zgjedhim çështjen, tematikën apo problemin që duam të hapim dhe në fund është gjithmonë zgjedhja  jonë.
A mund të tregosh diçka më shumë rreth temave për të cilat zgjedh të shkruash në letërsinë tënde?
Shkruaj për marrëdhëniet në shoqëri, varfërinë; pse disa janë shumë të varfër e të tjerë jo dhe pse nuk mund të flasim për gjithçka që dëshirojmë dhe mendoj se këto tema janë politike.
Nuk ka të bëjë me soc-realizmin, por mund të ketë diçka të tillë. Dua të lëviz perspektivat, të shkruaj rreth familjes, të qëmtoj  familjen dhe të shoh ç’ka brenda. Mendoj se të gjithë –nuk  jam i sigurt për Shqipërinë por mund ta imagjinoj –jemi  në një lloj heshtjeje dhe nuk mund të flasim për gjithçka. Nuk e di cili është problemi, na kanë  thënë se jemi të lirë, dhe mund të flasim për gjithçka, por shoh rreth meje shumë heshtje dhe njerëz të frikësuar.
Shkruan për gjëra që nuk janë thënë?
Jo fare, po për gjëra që nuk tregohen lirisht. Më pëlqen të shkruaj për çështje të forta, të errëta, në stilin e përditshëm, është e nevojshme në shoqëri të thyera, me identitete problematike, me familje të shkatërruara. Ne  jetojmë me këto lloj çështjesh dhe nuk duam të flasim rreth këtyre dhe pyetja ime është: pse. Nuk mendoj se këto tekste janë letërsi e madhe, por jam përpjekur të them gjëra sipas mënyrës sime, disa i pëlqejnë,  disa të tjerë jo. Nuk jam pretencioz. Është interesante të shoh se pas thuajse gjashtë  vjet pas tekstit tim të parë, ka njerëz që i lexojnë.
Kur ka nisur karriera jote si shkrimtar ?
Nuk ka shumë kohë. Ndoshta përpara pesë apo gjashtë viteve. Tregimet e para të shkurtra i kam botuar në antologjinë “Lapis Histriae antology”, në Umag, Kroaci më 2010-ën. Ju thashë që nuk më pëlqen Letërsia krahasuese dhe kjo është gjithashtu pse disa prej nesh janë të frustruar, sepse kjo mënyrë e të lexuarit të letërsisë dhe e të menduarit rreth saj, ishte anti-krijuese, politikisht problematike dhe e dhunshme. Pasi kreva studimet në Letërsi Krahasuese  u ktheva te letërsia, për të lexuar e për të shkruar ngadalë. Nisa të dërgoj tregimet e shkurtra dhe poemat disa recensentëve në disa konkurse dhe gjëra të ngjashme dhe pas disa viteve botova librin tim të parë, më pas të dytin e tani po shkruaj një tjetër.
Pas Prishtinës, Sarajevës dhe Istrias, si ndihesh në këtë stacion të Rezidencës së Shkrimtarëve ?
Më pëlqen shumë rezidenca. Është një mundësi e mirë për të lëvizur nga konteksti yt i përditshëm dhe jeta e çdo dite. Besoj se lëvizja është shumë e rëndësishme për të shkruarit. Dhe nuk ka të bëjë shumë nëse duhet patjetër të shkruash rreth këtij qyteti, apo këtij fshati, apo vendi ku ke ardhur – por për t’u fokusuar tek idetë dhe te progresi i punës;  është shumë i rëndësishëm për procesin e krijimit, hapësirën e punës, kostot e udhëtimit të mbuluara, nëse ke një pagë për jetesë normale dhe njerëz rreth vetes, nuk ke kohë të jesh nervoz apo i stresuar dhe mund të fokusohesh në punën letrare, mund të krijosh.
A shkrove diçka kur ishe në Prishtinë?
Shkrova diçka, por ishte fazë vëzhgimi. Të njihja Prishtinën. Në ’99,  kur nisi lufta isha në shkollë fillore, u ktheva nga shkolla dhe pyeta mamanë: “Ç’probleme, kemi me Kosovën? Është vend tjetër”.  Ime më ishte: të lutem mos e thuaj më këtë me zë të lartë. Kosova ka edhe jugonostalgji  mendoj.
Si ishte atmosfera që gjete në Kosovë?
Ishte shumë mirë, nuk pata fare probleme.  Përshtypja  e parë imja ishte një qytet i madh dhe gjithçka dukej mirë. Isha në rrugët kryesore e gjithçka ishte shkëlqyeshme,  glamour… pastaj isha në Prizren dhe kishte shumë ndryshim, shumë varfëri.  Më  duket se njerëzit atje nuk ishin shumë të lumtur…shumë njerëz që largohen në emigracion duke kërkuar azil në Europë.
A ka mbetje të Jugosllavisë, sipas syrit tënd në Kosovë?
Nëse flet me brezin e mesëm po dhe në disa vende të caktuara, por jo në brezin e ri. Është pak si shumë demonizimi i Jugosllavisë. I di shumë nga problemet e Jugosllavisë, e di  se nuk ka qenë njësoj për shqiptarët, serbët e kroatët, por mendoj se nuk ishte aq keq. Është ndjesia ime, por them se nuk është e drejtë që sot flasim vetëm për të këqijat.
Ke qenë edhe në Sarajevë. Marrëdhëniet e serbëve me boshnjakët dhe kosovarët janë ende të mbushura me dhimbje nga e shkuara…
Fillimisht shkova për të studiuar dhe kalova një vit e gjysmë në Studime Gjinore;  ishte e rëndësishme të jetoja dhe të studioja atje. Vij nga një familje e heshtur serbe, në kuptimin se në shtëpinë tonë ne kurrë nuk kemi folur dhe rrëfyer rreth luftërave. Im atë nuk ishte në luftë e as të afërmit e mi. Për  familjen time ishte në rregull  të mjaftohej me fjalinë se  nuk kemi qenë, por më pas më lindën pyetje: Çfarë ndodhi?  Pse kemi refugjatë?  Pse nuk lexojmë libra kroatë? Pse nuk shkojmë në det?  Pse duhet të shkojmë çdo vit në Mal të zi?  Ç’ka  ndodhur me Kosovën?  Prindërit e mi nisën të flisnin se kishte luftë, por jo shumë. Nisa të mësoja vetë e në vitin 2003 nisa të shkoj në disa programe e seminare, fillimisht në Bosnjë, Kroaci. Pastaj vendosa se do të studioja dhe do të jetoja në Sarajevë,  sepse ishte mënyra më e mirë për të mësuar më shumë në Sarajevë. Javët e para ishin një lloj jete e re,  sepse lexoja disa libra rreth luftës, rrethimit ushtarak dhe kjo ishte 25 vite më parë dhe kjo ishte faza e para në Sarajevë; të zbuloja.
U trondite nga ajo çka zbulove?
Nuk ishte tronditje,  por nuk e dija sesi ishte e mundur që nuk dija. Nuk ishte normale të ishe i huaj. Të mos dije çfarë  kishte ndodhur, edhe pse kam qenë fëmijë. Askush, kurrë nuk më ka treguar diçka të tillë. Ishte  e çuditshme sepse kam jetuar  100 km larg nga kufiri me Kroacinë, Bukovarin. Kishte shumë histori lufte rreth meje dhe askush nuk fliste.
U ndjeve i mbrojtur apo i përjashtuar?
Në një moment isha i inatosur dhe i thashë prindërve pse jam aq i përjashtuar dhe pastaj nisa të kuptoj se si prindërit donin të më mbronin dhe e kupton në nivelin njerëzor, por në një mënyrë politike për mua ishte një problem. Ishte një fazë zbulimi, studimi, jetese. Disa nga tregimet e shkurtra i kam shkruar atje. Njerëzit që i  lexuan librat thanë: “Është libër shumë me aromë Sarajeve. Ndjehet atmosfera”.
The se po shkruan në shumë dialekte. Njerëzit që lexojnë librin e ndjejnë se është një lloj modern i Jugosllavisë. Ishte i qëllimshëm ky vendim apo të doli gjatë rrugës?
Po doja, për shkak të politikës nacionaliste  jo vetëm në Serbi.  E  njëjta është edhe në Kroaci dhe Bosnje. Gjithçka është aq nacionaliste, dhe pas luftërave gjuha serbo-kroate. Është e njëjta gjuhë, por tani është e ndarë në serbisht, gjuhë malazeze, kroatisht dhe boshnjakisht. Është praktikisht e njëjta gjuhë, me dialekte të ndryshme. Ishte  mënyra ime për të thënë se ishte e njëjta gjuhë dhe ne e kuptojmë. Mund të jem i jashtëm nga Serbia dhe mund të shkruaj në kroatisht, mund të jesh i jashtëm nga Bosnja dhe mund të shkruash në gjuhën malazeze dhe nuk është shumë e vështirë dhe aq e ndryshme.
Mendon apo ndjen se këto vende mund të bashkohen në një lloj mënyre, mbase nga ana letrare apo kulturore?
Jo e njëjta Jugosllavi sërish, të lutem! Por nëse më pyet rreth ndonjë bashkimi mendoj se jemi më të afërt, me njëri-tjetrin, Serbia,  Shqipëria, Mali i Zi Kroaci sesa Suedia e Shqipëria apo Serbia e Gjermania. Kemi histori dhe karakteristika të ngjashme dhe në këtë kuptim do të isha i lumtur nëse në të ardhmen do të shiheshim pa gjuhë urrejtjeje, pa tendenca. Jemi nëntë autorë dhe po krijojmë një hapësirë të re për artin, jo vetëm në letërsi, dhe jemi një lloj vale e re.  Ballkani mund të jetë hapësirë për bashkim. Të jetojmë bashkë. Mendoj  se nuk është e vërtetë se njerëzit urrehen. Ndoshta media thotë se jemi ende në luftë, por shkoj çdo muaj në vende të tjera nga Sllovenia në Shqipëri askund nuk e kam ndjerë atë urrejtje për të cilën flitet. Mendoj se politika zyrtare e prodhon. Ajo situata me dronin në Serbi ishte si Lufta e Tretë Botërore dhe pas kësaj isha në Prishtinë dhe njerëzit që më thoshin: a je në terezi? Kur flisnim për dronin me shqiptarë nga Prishtina kemi qeshur. Shumica e njerëzve janë miqësorë.
Kur e ke njohur për herë të parë letërsinë shqipe?
Është e çuditshme sesi nuk kemi pasur në shtëpi libra të autorëve shqiptarë. Nuk kisha dëgjuar kurrë për Kadarenë deri para pak vitesh kur nisa të bëja kërkimet e mia. Nuk dija shumë për letërsinë shqiptare pasi as në shkollë e as në universitet nuk i kemi lexuar autorët shqiptarë.  Por  jeta e vërtetë është jashtë atyre dyerve, kështu që në vitet e fundit kam lexuar prozë dhe poezi nga disa autorë shqiptarë si;  Luljeta Lleshanaku, Arian Leka, Eljan Tanini, Ismail Kadare… falë disa projekteve të mira si “Smal box” në Serbi ku gjeta të përkthyer poezinë e Luljeta Lleshanakut, apo nga web portali ‘booksa.hr’ me tekstet e disa autorëve shqiptarë. Nuk është shumë,  por mund të them se di diçka. Tani duhet të vazhdoj më tej, të kërkoj dhe të lexoj më shumë. Do të ketë ndoshta më shumë përkthime mes letërsive tona, shpresoj që po. Kjo është shumë e rëndësishme. Ne duhet ta lexojmë njëri-tjetrin.
Je diplomuar në Letërsi Krahasuese në Novi Sad, që do të thotë se  për ty të shkruarit nuk është diçka e udhëhequr vetëm nga pasioni. A mund të themi se jetohet me letërsinë?
Studimet e mia nuk lidhen shumë me punën time, në fakt, sidomos Letërsia Krahasuese, sepse këto studime i shoh shumë tradicionaliste në kuptimin e keq, me shumë pikëvështrime problematike politike, ide nacionaliste, etj. Pas diplomimit kam studiuar Studime Gjinore në Sarajevë. Ishte më mirë, jo shumë më mirë, por më mirë. Çështjet gjinore i shoh shumë të rëndësishme çështje rreth pushtetit në shoqëri: kush ka pushtetin dhe ç’do të thotë…a nuk është e rëndësishme?
Ne jetojmë në një botë kur çdo ditë shumë njerëz vuajnë, ku ka shumë dhunë, shumë njerëz vdesin… Nuk është normale, e zakonshme. Duhet të analizojmë pse është kështu, pse disa gra janë të shtypura, pse disa burra duhet të luajnë një rol për të qenë “burra të vërtetë”.
Është një çështje gjithashtu rreth heteronormativës. Shoqëritë tona janë shumë patriarkale, dhe mendoj se ka ardhur koha ta rimendojmë këtë. Shkrimtari jugosllav Danilo Kiš shkruante: “Jeta, Letërsia. E shihni, mes të dyjave ka vetëm një presje”. Puna letrare është një lloj pune dhe duhet të njihet si e tillë dhe të vlerësohet si e tillë. Nuk është një hobi, është një punë me përgjegjësi. Për shkak të saj, jam i lumtur se disa njerëz më njohin si një person i rëndësishëm dhe mbështesin në këtë mënyrë punën time
Shërimi i së shkuarës nis fillimisht nga shkrimtarët?
Nga disa shkrimtarë po. Në Serbi, Kroaci e Bosnjë kemi disa çështje të hapura nëse je apo jo politikisht i angazhuar në letërsi. Para  disa vitesh njerëzit e mohonin, por shoh shumë të rinj që janë të përfshirë në këtë.
Je aktivist i përkushtuar i lëvizjeve kulturore në Serbi, a mund të na thuash diçka më shumë rreth angazhimit tënd?
Qysh prej shkollës së mesme jam përfshirë në disa aktivitete artistike, së pari kundër dhunës, më pas kam qenë performues në teatër alternativ me emrin “Pasqyra”. Kam punuar në çështje të ndryshme si;paaftësitë, pozicioni i të rinjve në shoqëri, pozicioni i gruas në shoqëri, feminizmi por gjithashtu rreth pozicionit të alternativave në shoqëri. Kanë qenë kohë të mira, rreth pesë  a gjashtë vjet. Kam mësuar shumë dhe kjo më ndihmon sot të mendoj e të shkruaj. Ky teatër nuk ekziston më dhe ky është një shembull sesi është situata me kulturën alternative ne Serbi dhe me kulturën politike. Në te vitet e f undit në qendrën rinore CK13, me punë të lidhura me programe letrare dhe trajnime mbi shkrimin krijues. Kjo qendër është e vetmja alternative. Politikat e saj janë të orientuara majtas, feministe me ide antifashiste. Dhe kjo nuk është shumë e lehtë n një vend të orientuar djathtas… Jam i përfshirë  në organizimin e mbrëmjeve letrare. Çdo muaj kemi bashkëbisedim me autorë nga vendet e ish-Jugosllavisë. Është e rëndësishme të këmbëngulim në këtë lloj programi: një lloj neo-jugosllavizëm, jo serbe, jo kroate, jo boshnjake, jo e ndarë dhe e vetme dhe më pas ta shohim këtë në një kontekst kulturor që përfshin përvojën jugosllave. Mund ta imagjinoj se kjo nuk është e lehtë pas luftërave, por ne ecim përpara.

Gazeta Mapo

Total Pageviews