Rezidenca e Përkthyesit Letrar në Tiranë e fillon edicionin e vet të dytë me përkthyesin dhe studiuesin e njohur Rigels Halili. Ai është fitues i bursës ndërkombëtare të Programit Translation in Motion (TiM), për qëndrim në kryeqytetin shqiptar, si pjesë e Projektit Creative Europe, mbështetur nga BE dhe realizuar nga "Poeteka".
Në fushën e përkthimeve Rigels Halili është i njohur për sjelljen në shqip të disa prej autorëve më të njohur të poezisë polake të shekullit të 20-të, mes të cilëve Miłosz, Szymborska, Różewicz, Herbert si dhe të eseve nga Krzysztof Czyżewski. Ai ka përkthyer në shqip, me bashkautor, poezi nga poeti i mirënjohur lituanez Tomas Venclova.
Përveç këtyre, Rigels Halili është i njohur edhe për përkthimet nga shqipja në polonisht, gjuhë në të cilën ai ka botuar përralla të zgjedhura popullore shqiptare, fragmente të Kanunit të Lek Dukagjinit (Krasnogruda, vëll. 15, 2003) si dhe edhe krijimtari nga Ervin Hatibi, Parid Teferiçi dhe Gentian Çoçoli.
Gjatë qëndrimit të tij në Rezidencën e Përkthyesve Letrarë në Tiranë, Rigels Halilii do të përqendrohet në punën për mbledhjen e materialit, takimeve me autorë dhe përkthimin e eseistikës së shkrimtarëve bashkëkohorë shqiptarë, me synimin e një hartimit të një antologjie të eseistikës shqiptare të shkruar pas vitit 1990 dhe botimin e këtyre teksteve në gjuhën polake. Paralelisht me këtë projekt Rigels Halili do të përmbyllë, të plotësojë parathënie, me shënime e shpjegime Kanunin e Lek Dukagjinit, të përkthyer në gjuhën polake prej tij.
Ai do t'i bashkohet gjithashtu edhe veprimtarive të ndryshme kulturore e shkencore të formatit kombëtar e ndërkombëtar, duke u bërë pjesë e Konferencës së 50-të Ndërkombëtare të Studiuesve të Baladës (1-5 shtator, 2022) dhe veprimtarive të tjera me karakter teorik e praktik që kanë në vëmendje përkthimin e letërsisë shqiptare në gjuhët e BE-së.
Rigels Halili është antropolog kulture, me fokus në rajonin e Ballkanit dhe Europës Qendrore. I lindur në Gjirokaster, ka kryer studimet në degët filologji dhe antropologji kulturore pranë Fakultetit të Filologjisë polake, në Universitetin e Varshavës. Njëkohësisht ai ka kryer edhe studimet për marrëdhënie ndërkombëtare në Fakultetin e Gazetarisë dhe Shkencave Politike në po të njëjtin universitet.
Studimet e doktoraturës Rigels Halili i kreu në Shkollën Pasuniversitare të Kërkimeve Shoqërore, pranë Institutit të Filozofisë dhe Sociologjisë në Akademinë e Shkencave të Polonisë. U doktorua në Universitetin e Varshavës me disertacionin me temë "Kombi dhe këngët e tij. Gojorja, e shkruara dhe këngët epike ndër shqiptarë dhe serbë".
Gjatë viteve 2004-2005 ka qenë Teaching Fellow in Albanian Studies pranë School of Slavonic and East European Studies në Londër. Po aty ka mbajtor postin e Nash Fellow in Albanian Studies gjatë viteve 2007-2010.
Në periudhën 2010-2015 ka ligjëruar në Institutin e Studimeve Ballkanike në Universitetin Nikolla Kopernik në Toruń, ku krijoi dhe drejtoi në vitet 2012-2015 Laboratorin për Kërkimin mbi Kujtesën Kolektive në Europën Paskomuniste. Nga viti 2015 e këtej punon si pedagog në Qendrën për Europën Lindore në Universitetin e Varshavës, ku drejton seksionin e studimeve ballkanike.
Veç punës së përditshme akademike, Rigels Halili lektoron në aktivitete joakademike, apo në shkolla verore. Ai është autor i një monografie, bashkëredaktor i gjashtë librave shkencorë, si dhe i dhjetëra artikujve. Animator i përhapjes së kulturës shqiptare në Poloni, Rigels Halili është nderuar me titullin Ambasador i Kombit dhe Urdhërin Naim Frashëri, kl. II.
#CreativeEurope4Books
#PoetekaAlbania
#TranslationinMotion
#Everything is translation!