16 November 2018

TAKIM LETRAR ME SHKRIMTARIN AUSTRIAK: Erwin Einzinger

TAKIM LETRAR 
ME SHKRIMTARIN AUSTRIAK ERWIN EINZINGER
E HËNË - 19 NËNTOR 2018
ORA 19
HEMINGWAY BAR - TIRANA

Në program: lexime poezish nga autori dhe përkthyesit e tij, bashkëbisedim me të ftuarit dhe përurim i kartolinës letrare "Nga Austria me dashuri": Franz Nopsca / 2 poezi mbi shqiptarët dhe Shqipërinë.

Erwin Einzinger ka lindur në vitin 1953 në Kirchdorf, Austri. Ai studioi Letërsi Angleze dhe Gjermane në Universitetin e Salzburgut. Ai ka punuar si mësues gjimnazi në vendlindje dhe jeton në Micheldorf.

Duke filluar nga viti 1977 Erwin Einzinger ka botuar shumë vëllime me poezi dhe prozë, mes të cilëve: Das wilde Brot (novelë, 1995), Kleiner Wink in die Richtung, in die jetzt das Messer zeigt (poezi, 1994), Blaue Bilder über die Liebe (prozë, 1992), Tiere, Wolken, Rache (poezi, 1986), Das Erschrecken über die Stille, in der die Wirklichkeit weitermachte (prosë, 1983), Kopfschmuck für Mansfield (novel, 1985), Lammzungen in Cellophan verpackt (poezi, 1977).
Erwin Einzinger është gjithashtu i njohur edhe si përkthyes. Mes autorëve më të njohur që ai ka përkthyer nga anglishtja në gjermanisht janë John Ashbery, James Schuyler, Robert Creeley and William Carpenter. 
Krijimtaria e tij është përcjellë me vëmendje nga kritika dhe ajo është vlerësuar gjithashtu me çmime letrare. 
Erwin Einzinger është e pjesë e programit "Vitit kulturor Austri – Shqipëri 2018". Ai ka marrë pjesë në veprimtari të ndryshme letrare, duke përfshirë një leksion dhe lexime publike në Universitetin e Shkodrës, bashkëpunim me katedrën e gjermanistikës. 
Përveç takimit të ditës së hëne (19 Nëntor, 2018) Erwin Einzinger, në bashkëpunim me Klubin e Leximit të Letërsisë Austriake, do të ketë edhe një lexim publik në Tiranë, më 24 Nëntor, (Biblioteka e vjetër Kombëtare, përballë Parlamentit .

12 November 2018

Erwin Einzinger: Nga Austria me dashuri!

Einzinger: Nga Austria me dashuri!

Ende dëbora e parë nuk ka nisur të bjerë këtë nëntor në Shqipëri, por poeti austriak ka zgjedhur t'i përshëndetë lexuesit shqiptarë me poezinë e tij "Ode për borën e shkrirë". 
Është Erwin Einziger, i cili vjen në kartolinën letrare të muajit nëntor, "Nga Austria me dashuri". Me këtë poezi të përkthyer nga Admira Poçi, kartolina ka nisur rrugëtimin drejt duarve të lexuesve nga mjediset universitare të Shkodrës, në katedrën e gjermanistikës pranë Universitetit "Luigj Gurakuqi" dhe mjediseve letrare siç është Qendra rinore "Arka", po në qytetin veriperëndimor të Shqipërisë. 

 …Ikën ditët e lumtura, sepse një mbulesë bore iu këndua & ajo u përshëndet me thënie gazmore. Janë karnavalet. Burri me kapele me pupla nuk ndihet…

Erwin Einzinger u lind në vitin 1953 në Kirchdorf, Austri. Ai studioi Letërsi Angleze dhe Gjermane në Universitetin e Salzburgut, punoi si mësues gjimnazi në vendlindje dhe jeton në Micheldorf. Nisi të botojë vëllimet me poezi dhe prozë nga viti 1977 , por njihet gjithashtu si përkthyes nga gjuha angleze. Krijimtaria e tij është përcjellë me vëmendje nga kritika dhe është vlerësuar me çmime letrare. Aktualisht, Einziger është autor i ftuar në rezidencën letrare të Tiranës, si pjesë e "Vitit kulturor Austri – Shqipëri 2018". Nëntori e ka gjetur të përfshirë në veprimtari letrare – leksione dhe lexime publike në Universitetin e Shkodrës, bashkëpunim me katedrën e gjermanistikës. Për lexuesit shqiptarë shkrimtari dhe poeti austriak do të jetë i pranishëm në bar Hemingway, mbrëmjen e 19 nëntorit dhe në Bibliotekën Kombëtare, me Klubin e Leximit të Letërsisë Austriake, më 24 nëntor.

Komunikimi i lexuesit shqiptar me autorë të shquar austriakë përmes kartolinave letrare ka filluar prej Mars, 2018.
Nisma, e ideuar dhe e realizuar nga POETEKA, pati vëmendjen dhe mbështetjen e Ambasadës së Austrisë në Tiranë. Kjo nismë ka gjetur përkrahje në mjediset ku ajo ka mbërritur, duke u bërë komunikuese në mjediset publike ku njerëzit takohen, përfshirë edhe mjedise universitare si Fakulteti i gjuhëve të huaja, katedra e gjermanishtes, Universiteti i Shkodrës, Universiteti i Arteve, Tiranë, Universiteti i Korçës dhe i Gjirokastrës.Programi "Poetry Card – Nga Austria me dashuri" ka bërë edhe të pranishme letërsinë austriake në Shqipëri. Ky program botimi i shoqëruar me lexime publike, ka bërë gjithashtu të njohur edhe kontributin e çmuar të përkthyesve shqiptarë që kanë sjellë në gjuhën shqipe këta autorët austriakë, mes të cilëve Arshi Pipa, Lindita Arapi, Admira Poçi, Oriona Kraja Zylja, Majlinda Çullhaj, Irena Nasi, Migena Xoxa, etj.

Më herët kartolinat letrare kanë sjellë ballinën e revistës "Fryma", të vitit 1944, në të cilën u paraqit një poezi e Rainer Maria Rilke-s, përkthyer nga Arshi Pipa, nobelisten austriake Elfriede Jelinek, e më tej me pjesë të krijimtarisë së shkrimtarit dhe gazetarit të austriak, Joseph Roth, veshur me kostum tradicional shqiptar, me krijimtarinë poetike në dy gjuhë të shkrimtarit dhe përkthyesit Ilir Ferra, esenë e artistit austriak Christian Thanhäuser, kushtuar multikulturalizmit dhe arsyeve që e nxisin atë të kthehet vazhdimisht në Shqipëri, me tregimin "Hallë Lulja në Europë" (Tante Lulja in Europa), të autores Andrea Grill, me fragmentin nga krijimtaria e Christine Nöstlinger dhe së fundi, poezinë e Erwin Einzinger. Pjesë e projektit janë edhe dy poezi thuajse të panjohura të albanologut të shquar Franz Nopsca, ku autori paraqitet i veshur me kostum shqiptar. 
Projekti "Kartolina letrare – Poetry Card – nga Austria me Dashuri" do të kurorëzohet në qytetin e Shkodrës gjatë muajit Dhjetor, me paraqitjen e të gjithë këtij cikli prej 10 kartolinash.

https://gazetasi.al/nentori-i-dashurise-vjeneze/


Total Pageviews