21 June 2019

Fjala e poetit Arian Leka me rastin e marrjes së çmimi ndërkombëtar "Skeprti poetik"

Çmimi ndërkombëtar "Skeptri poetik"

shkon për shkrimtarin shqiptar Arian Leka

Presidenca e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë dhe Juria e ngritur prej saj ka vlerësuar me çmimin ndërkombëtar prestigjioz "Skeptri letrar 2019" poetin Arian Leka, si autorin përfaqësues nga poezia e sotme europiane. "Skeptri letrar" është çmimi më i rëndësishëm i Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë dhe u ofrohet atyre autorëve që në veprën e tyre kanë prurje me vlera të larta estetike. Përveç trofeut, poetit Arian Leka ky çmim i sjell edhe botimin e një libri me poezi të zgjedhura përkthyer në gjuhën maqedonase, në gjuhën angleze, përballë tekstit në gjuhën shqipe. Krijimtaria e Arian Lekës është botuar edhe më herët në gjuhën maqedonase. Në vitin 2016 romani i tij me titull "Gjarpri i shtëpisë" u publikua nga shtëpia botuese e suksesshme "Goten".

Ky botim u shoqërua me një pasthënie nga Akademiku dhe shkrimtari i shquar Luan Starova, i mbajti edhe fjalën ceremoniale në dorëzimin e çmimit "Skeptri letrar 2019", cili mes të tjerave shkruan: "Arian Leka, me veprën e tij poligrafe letrare si poet, tregimtar dhe romancier, eseist, përbën gjeneratën më të re të shkrimtarëve shqiptarë e cila çlirohet në mënyrë radikale nga socrealizmi, duke iu afruar poetikës së romanit modern europian".

Më fort sesa fjalët

Atëherë kur, sipas babait, kisha arritur moshën e duhur për të mbajtur në kyçin e dorës një orë të gjallë – siç babai quante vetëm orët me kurdisje – ai më dhuroi një Zeppelin.
Ishte mekanike. Nga ato që, për t'i dalluar nga orët vetëkurdisëse apo nga orët elektronike, i quajmë sahatë. Kishte një fushë me ngjyrë si prej argjendi. Numra të dukshëm, ku dymbëdhjeta dhe gjashta vërtet mungonte, por data dallohej mirë. Thua se e vetmja gjë e rëndësishme brenda asaj hapësire të përsosur rrethore ajo ditë.
Nuk e bleu. Thjesht e hoqi nga kyçi i dorës së tij dhe ma dha. E vendosa në kyçin tim, duke e mbërthyer fort te pulsi, pa e ditur se me isha futur midis dy kundërshtarëve të fuqishëm: durimit (që dikur sos) dhe kohës (që gjithmonë shkon).
Prej vitesh jam përpjekur të kuptoj domethënien e atyre pak fjalëve që babai tha, në çastin kur e la në dorën time orën e tij. Foli me zë aq të ulët, sa duhet t'i merrja vetë me mend se për çfarë bëhej fjalë:


– Si Zeppelin!
Kaq!
– Si Zeppelini..?!
Thua se Zeppelini nuk ishte një orë dore me akrepa që maste kohën, por ndonjë pelikan me krahë të rëndë prej metali, ndehur mes 9-ës dhe 3-shit për fluturime të largta përmes detit, si ato të babait apo midis 1-shit dhe 2-shit, si kthimet e mia nga shkolla.
Babai nuk foli. Çfarë kishte për të më dhënë ma kishte dhënë. Dhe çfarë kishte për të më thënë ma kishte thënë. Siç dinte ai. Pa shumë fjalë. Mbaj mend se vura veshin mbi orën për të dëgjuar tiktakun si të mos besoja se Zeppelini ishte i gjallë. Akrepat vëriteshin, data ndërrohej, por mekanizmi i brendshëm nuk lëshonte zë.
Kalimi nga zemra e tim eti, që sot nuk rreh më, tek zembereku i Zeppelinit, që vazhdon të punojë për bukuri, duket si fluturim drejt bukurisë mekanike të futuristëve. Por gjithë sa kam kuptuar deri më sot nga heshtja që pllakosi kur im atë më dhuroi orën e vet të fundit / orën time të parë – mund të përmblidhet me fjalët, që i atij shkonin përshtat:
– Ngrihu, po të duash, lart. Bëj ç'ke për të bërë, por pa zhurmë. Dhe mos ia lodh kokën njeriu me fjalë.
Por a është e mundur që, nisur nga kjo epikë e përkorjes, ta shprehësh mirënjohjen përmes fjaleve që nuk bëjnë zhurmë? A mund ta them pa fjalë të bujshme se jam i gëzuar që e ndaj me ju këtë çast vlerësimi dhe që ndodhem në këtë sallë të mbushur me njerëz të dashur dhe ku nga skulpturat dhe portretet e varura në mure na vështrojë sytë e poetëve më të mirë të një vendi fqinj? A mundem ta shpreh përzemërsinë pa fjalë të mëdha, për nderin që Juria më ka bërë, duke i dhënë krijimtarisë sime çmimin ndërkombëtar "Skeptri poetik" për vitin 2019? A vlen ende sot modeli i fluturimit të heshur të Zeppelinit, kur gjithçka është bërë më të zhurmshme, kur gjithkush, siç A.Warhol paralajmëronte, bëhet i famshëm në 15 minuta, duke krijuar rreth vetes gjithmonë e më shumë zhurmë?
Shpjegohem disi po të them se kam lindur në vitin 1966, si pjesë e atij brezi, të cilit i mësonin ta shprehte mirënjohjen heshturazi, me vepra, jo me fjalë. Ky modelim i të shprehurit të kënaqësisë pa fjalë shungulluese krijon në kujtesën time një baticë, e cila përpiqet të fshijë gjurmët e fëmijës, që i lidh përherë kujtimet me emrin e atij qyteti mijëvjeçar, Durrësit, me historinë, me njerëzit dhe me detin e tij.
Çfarë ndodhi një vit pas lindjes sime? Viti 1967 – ateizmi. Viti 1968 – dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës dhe fillimi i izolimit, i mbylljes ndaj prej botës që fillonte nga deti që m'u gjend përballë. Pastaj një heshtje e gjatë. Nga vendasit dhe të huajt mbi atë që po ndodhte brenda kampit të shpallur kopësht i lulëzuar.
Por njeriu e kupton me vonesë se peizazhi përballë ndikon fort tek ai. Në rastin tim peizazhi përballë ishte deti. Deti u bë korniza edhe peizazhi brenda saj. Por shtetet, sidomos ato me fytyrë totalitare, kujdesen për kornizën, jo për peizazhin. Ndaj deti për mua merrte gjithmonë e më shumë formën e tejqyrës që afron pamjet. Ajo që pashë nga ky zmadhim nuk ishte ajo që do të kisha dashur të kisha parë.
Deti im nuk ishte i bukuri i deteve, të cilit poetët i thurnin vargje dhe prozatorët e përshkruar si hapësirë lirie. Deti im ishte ndryshe. Fondi i gjuhës shqipe nuk është i varfër në fjalë që shënjojnë emra me llojet e valëve, por deti i fëmijërisë sime dukej se nuk ishte i zoti të prodhonte as dallgë të fuqishme me kreshta të mëdha dhe as tallaze. Vetëm valë, dallgëzime të vogla e sulavëza mund të krijonte ai. Edhe këto deti im i krijonte heshturazi, pa zhurmë, pa fjalë, sikur dikush i kishte mbyllur gojën duke e kthyer nga gjëmues në vuv apo sikur diçka e pengonte ta nxirrte jashtë klithmën e brengës së një deti pa të drejta, një deti të shndërruar në skllav, që mbante mbi shpinë vetëm maune dhe anije të rënda pune, si hamall.
Michel Foucault gjykon rreptë, por drejtë, kur shkruan se në qytetërimet pa anije, ëndrrat thahen, spiunazhi zë vendin e aventurës dhe policia merr rolin e piratëve. I tillë ngjante deti i fëmijërisë sime. I nënshtruar. Det kokulur dhe fajtor. Det i shfrytëzuar deri në palcë. Det që punoi me tre turne, si prindërit, për të sjellë pak më shumë mirëqenie e gëzim në shtëpi. Prej të njëjtit det kishin mbërritur edhe armiqtë. Ndaj ishte rrethuar me tela gjembash dhe ruhej me ushtarë, sikur deti të ishte kazermë apo repart ushtarak.
Kujtoj një video të Pink Floyd, Louder than Words, ku shfaqet një popull të cilit i ka humbur deti. Mes atij populli gjendet edhe një fëmijë. Mbi letër prindërit i kanë pikturuar një hartë, brenda të cilës duket edhe një pellg me ngjyrë blu. Ngjason me Mesdheun. Mare Nostrum – shndërruar në Mare Mortum nga emigrantët e mbytur gjatë dekadave të fundit, mes të cilëve kanë qenë të shumtë edhe shqiptarët, për të cilët ky det u shndërrua varr. Fëmija zbraz mbi pellgun e pikturuar një grusht me kripë, që pellgu t'i ngjajë detit, të bëhet i hidhur, si lotët që derdhëm për të mbyturit tanë. Mbi këtë det, mbi detin – hartë, të sajuar mbi letër, fëmija lëshon një anije prej prej letre dhe fillon të imitojë lundrimin: aventurën që i ka munguar në jetë.


Fëmija të cilit i ka humbur deti jam unë. Sa herë që e gjej, e tregoj. Më kishe mbetur vetëm një mundësi. Ta rikrijoja. Më vetmi. Në heshtje, sidomos. Një det për vete, për paraardhësit, për pasardhësit dhe për të ngjashmit e mi. Një det pengesë, por edhe një det mundësish. Nisur nga vetja, për të mbërritur drejt fatit të vendit, duhet ta ribëja si hapësirë lirie detin tim të brendshëm.
Prej këtej mund të them se asnjë kulture tjetër detare në Evropë, veç kulturës shqiptare, nuk i është vënë aq shumë në pikëpyetje dhe madje mohuar marrëdhënia si me detin e përgjithshëm ashtu edhe me detin intim. Ja përse venë në det mendimet dhe ja përse kujtimet për këtë det të kyçur, sidomos kujtimet që nuk bëjnë zhurmë, vrasin njëlloj si arma me silenciator, duke të krijuar njëkohësisht ndjenjën e fajit edhe pa qenë fajtor.
Kur më dhuroi Zeppelinin e tij të dorës im atë ndoshta nuk e ka ditur se Lasgush Poradeci, ky poet i mrekullueshëm shqiptar nga bregu përballë liqenit tonë të përbashkët, mendonte se poeti mban përgjegjësi për gjithçka që ndodh. Edhe pse përpiqem t'i shmang ndaj pyetjes "pse shkruaj", ndonjëherë e besoj edhe vetë se mw gjasë shkruaj ngaqë nuk kam kujtesë fort të mirë; se e shkruara e mbron asgjësimin e kujtesës, duke e ruajtur njëkohësisht edhe nga manipulimet e bashkëkohësve dhe të pasardhësve. Nuk dua që të tjerët t'i harrojnë, sidomos disa nga pamjet që pashë në kohën kur fëmija nis të plotësohet si njeri.
Dhe një nga kujtimet e pashlyeshme të asaj kohe lidhet me mungesën e lirisë. Ishin të burgosurit. U shfaqën befas në mes të lagjes ku banoja me familjen, kur unë isha ende 7 vjeçar. I pashë kur hëngrën ushqim. Kërkuan ujë. U dhamë. Pastaj u kthyen për të vazhduar punën, duke kontrolluar se mos kishin plumbçat që tregonin drejtësinë e murit luajtur vendit. Me ato mjete ata sajuan banjat, ndanë dhomat e gjumit nga dhomat e ndenjes, ku ne dhe fqinjët e ardhshëm do uleshin për të parë në ekran lajmet me fitore, me armiq dhe me tradhtarë të atdheut dhe të shtetit. Nga të rriturit dëgjova se ata njerëz kishin rënë. Procesi ishte besueshëm dhe i njëkohshëm. Ata kishin rënë në burg. Unë kisha rënë në i mësime. Kisha rënë për herë të parë edhe në dashuri. I rrethuar nga zhurmat shkruaj, që ta rifitoj heshturazi, nga pak dhe për çdo ditë lirinë e mendjes, në një shoqëri që nuk është çliruar ende nga e kaluara dhe ku e përditshmja nuk ofron shpesh diçka të re.


Ndaj dhe mes tallazitjesh të tilla të kujtesës Skeptri i sotëm poetik më bëhet i afërt me trifurkun e zotit të detrave, Poseidonit, i cili në mitologjinë detare të shqiptarëve njihet si Redon. Me atë skeptër tridhëmbësh zoti i detit krijoi kalin, kalin që shfaqet në Skeptër dhe që nuk ngjan aspak me kuajt e ngrirë në sheshet e parqet e qyteteve ballkanike të mbipopulluar nga kalorësit, por me kalin si simbol universal i shpirtit të lirë, metaforë turfulluese e çlirimit dhe e rendjes së përhershme drejt lirisë.
Veçse ende nuk di se si imazhet e kujtimeve të tilla, së bashku me kujtimin e një biblioteke brenda barkut të një anijeje, u shndërruan në poezitë që ju keni sot në duar, si pjesë e këtij botimi të bukur, ku dy poetë rrinë përballë si totemet e gdhendura në këtë Skeptër. Më shumë sesa me autoritetin apo sundimin, simbolikën e veçantë të një skeptri poetik dua ta lidh me zgjerimit të vetëdijes dhe pranimin e Tjetrit në Ballkan.
Kujtoj gjithashtu edhe mëngjesin e një dite janari, kur Prof. Sonja Stojmenska-Elzeser më telefonoi për të më njoftuar vendimin e Jurisë se isha shpallur fitues i këtij çmimi me domethënie për jetën time si dhe për të më pyetur (siç protokolli i mirësjelljes në raste si ky e kërkon) nëse e pranoja çmimin.


Ndjesia e parë pas këtij komunikimi lidhej me nevojën për ta ndarë me dikë Tjetër lajmin e mirë. Po me kë? A janë ende të shumtë ata që arrijnë të gëzojnë për Tjetrin, sidomos kur ky Tjetri është një l'étranger / overseas – ardhur nga dete të huaj? Tingëllonte sikur përndiqesha nga vargu "sot kam gjithçka, por s'kam me kë e ndaj." Përpiqem të kuptoj. Pasi mezi kanë dalë, por jo edhe shkëputur krejtësisht nga fatet tragjike, për të kapur me mundim ritmin e kohërave moderne, popujt e lashtë të Ballkan e krijuan si vetëmbrojtje një mendësi. Për këta popuj vetëm dhimbja dhe brenga janë të rënda dhe se se për t'i mbajtur e përballuar ato duhen miq dhe dashamirë.
Ndryshe nga sa besohet edhe gëzimi peshon. Madje rëndë. Për ta përballuar edhe gëzimi duhet ndarë në pjesë më të vogla. Gëzimi duhet ndarë. Me ata që gëzojnë për Tjetrin, për të panjohurin, të huajin, të ndryshmin nga ne. Por gëzimi duhet ndarë edhe me ata që nuk e kanë njohur gëzimin për Tjetrin. Gëzimi duhet ndarë me sivëllezër e simotra të besimit se Bukuria mundet ta shpëtojë botën, siç Dostojevski besonte. Në një kohë ku e shkuara po zhduket dhe e ardhmja është larg, na mbetet të çmojmë të tashmen, këtë çast, ditën që po shkon pa zhurmë teksa ne jemi përballë.
Ndaj edhe sot ndihem thellësisht mirënjohës kundrejt fjalëve vlerësuese ndaj poezisë sime dhe veprës së paraardhësve që ngritën ura, që shkrimtari i shquar, Akademiku Luan Starova, i cili më mirë se kushdo tjetër i ka shprehur metaforat e emigrimit dhe mundimeve ballkanike. E ndaj këtë kënaqësi me Robert Alagjozovskin, mikun e hershëm, njeriun mendjehapur, përkrahësin e vlerave dhe bashkëpunimit mes fqinjëve dhe botuesin tim të parë në gjuhën maqedonisht. E ndaj gëzimin me Mirjana Ilieva-Jasharin dhe me përkthyesin e librit të botuar enkas për këtë rast, të nderuarin Resul Shabani. Ky skeptër i përket gjithashtu gjuhës shqipe dhe poezisë shqiptare, që edhe pa zhurmë ia ka dalë të ketë kulme poetike dhe emra të spikatur që, për ju, fat të mirë, i keni përkthyer, duke i bërë pjesë të kulturës suaj.
Shpreh nderim ndaj Lidhjes së Shkrimtarëve të Maqedonisë së Veriut, por veçanërisht ndaj Jurisë që, pa më njohur në rrugë të tjera, veç njohjes përmes poezisë, pati mirësinë të përzgjidhnin krijimtarisë time mes krijimtarisë së poetëve po aq të çmuar ndërkombëtarë. Në fund, si formë lutjeje, sjell nëpër mend një dialog nga eposi ballkanik, ku njëri nga heronjtë e përbashkët kulturorë, lutet që fitorja e tij të mos ketë "lënduar" ndonjë më të mirë se vetë ai.
Për ta mbyllur po me fjalë që nuk bëjnë zhurmë, siç do pëlqente im atë, njeriu që dikur më dhuroi një Zeppelin jo fluturues, perifrazoj në mënyrë të lirë vargun e poetit të romantizmit shqiptar, Naim Frashëri, kur shkruan: Tani jam në mesin tuaj – mos më merrni për një Tjetër: për të huaj! Përmes këtij libri dhe falë lexuesit, do të kem mundësinë të qëndroj pak më gjatë e të kthehem pak më shpesh në këtë qytet.
Faleminderit!


http://www.gsh.al/2019/06/16/cmimi-nderkombetar-shkon-per-shkrimtarin-shqiptar-arian-leka/


Botimi i Antologjisë së poezisë bashkëkohore shqiptare në gjuhën finlandeze

Silvana Berki

ËNDËRRA QË MARRIN FRYMË

 

(Mbi botimin e Antologjisë së poezisë bashkëkohore shqiptare në gjuhën finlandeze)

 

NA ISHTE NJËHERË SHPRESA, që u kthye në realitet nga datat 13 deri më 16 qershori 2019, kur në qytetet finlandeze Tampere dhe Lahti u përurua Antologjia më e re e poezisë shqiptare, përkthyer në gjuhën finlandeze nga Silvana Berki dhe botuar nga "Aviador Kustannus" me asistencën e Aleksanteri Kovalainen dhe kujdesin në botim të Vesa Tompuri-t.

Kjo Antologji, titulluar në mënyrë domethënëse "Olipa kerran toivo", ka bërë bashkë 25 poetë bashkëkohorë shqiptarë, që shkruajnë në gjuhën shqipe pavarësisht nga vendi në të cilin jetojnë. Për ta përuruar këtë antologji në veprimtaritë e organizuara me këtë rast morën pjesë poetja dhe skenaristja Natasha Lako dhe poeti e prozatori Arian Leka.

Në veprimtari, përveç dashamirësve të poezisë morën pjesë edhe emra të shquar të poezisë bashkëkohore finlandeze, si akademikët Kristi Kuuronen, Kari Aaronpuno, Saara Metsäranta, Hannu Luntiala si edhe u zhvillua një bashkëbisedim me porzatorin e njohur finlandez Hannu Salama. Përveç përzgjedhjes mbi kritere profesionale të autorëve dhe shënimeve shoqëruese për çdo autor, Antologjia – Olipa kerran toivo merr vlerë të veçantë edhe për organizimin e lëndës letrare, pasi në të, si rrallë herë më parë, bota poetike e shqiptarëve vjen e unifikuar në një panoramë të gjerë e gjithpërfshirëse, pasi në brendi të saj ka poetë të trevave ku poezia shkruhet shqip, si Shqiperi, Kosovë, Maqedonie Veriut, Mal i Zi dhe Arbëreshët e Italisë.

Antologjia përfshin këta poetë: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Mimoza Ahmeti, Suzana Zisi, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Sokol Zekaj, Gazmend Krasniqi. Adem Gashi, Ndue Ukaj, Sabri Hamiti, Kujtim Shala, Ramadan Musliu, Selajdin Saliu, Eqrem Basha, Xhevdet Bajraj, Anton Gjojcaj, Marg Shilipa, Zef Skiro Di Maxho, Mario Belizzi, Katerina Xukaro, Lindita Ahmeti, Lulëzim Haziri. 

"Çfarë ka të veçantë në këto fakte dhe në këtë Antologji?",- më pyetën gjatë bisedës në një panel me përkthyes. Në pamje të parë duket sikur nuk ka asgjë të veçantë, të gjithë janë shqiptarë me rrënjë dhe të gjithë e flasin gjuhën shqipe dhe e shkruajne atë.

Por dua të theksoj faktin se gjatë procesit të përkthimit të poezive kuptova se nuk isha vetëm një përkthyese nga gjuhët shqip në finlandisht, por edhe shqip-shqip. Kjo për arsye sepse ashtu si jeta edhe gjuha zhvillohet dhe jeton brenda kohës së vet dhe brenda kufijve gjeografik.

Përmes këtyre poezive kupton më thellë larminë dhe dallimet jo vetëm të shqiptarëve me kulturat e tjera, por edhe mes kulturës së vendit ku shqipfolësit jetojnë mes gëzimeve dhe brengave të tyre. Përmes këtij libri kupton edhe pasurinë e madhe gjuhësore të këtyre trevave, ku jo vetem thellësia e mendimit të poetëve, por herë-herë ishin edhe të shorehurit e ndryshëm, ndikimi i dialekteve që edhe pse ma bënin përkthimin pak të vështirë, më pasuronin në të njëjtën kohë, duke më dhanë shumë dhe duke ma pasuruar fjalorin. 

Parathënien e Antologjisë, kuhstuar kryeshisht gjuhës shqipe, historikut të saj dhe poezisê shqipe e ka shkruar poeti dhe studiuesi Gazmend Krasniqi i cili zbardh për lexuesin finlandez momente të spikatura në poezinë shqiptare, që prej fillimeve të saj e deri në ditët e sotme. 

Gjithsesi, nuk dua të lë pa përmendur se, përveç poezisë, pikënisja e këtij projekti ka pasur edhe një dimension human. Kjo nisur edhe prej pozicionit tim si emigrante fillimisht dhe zhvillimet e mia të mëtejshme, ku rol të veçantë ka luajtur këndvështrimi i shkencave sociale (formimi im shkencor) që priret të mbështetesë kombet e vegjël, gjuhët e tyre dhe përhapjen e këtyre kulturave në mbarë Europën, pse jo edhe më tej, në rrang global.

"Kolonializmi gjuhësor" si përshembull, sidomos në kohërat postmoderne, është zgjeruar me anë të teknologjisë. Gjuha angleze, gjuha gjermane dhe ajo ruse, mes të tjerash, duket e kanë kolonializuar kulturalisht pothuajse të gjithë botën. Gjuhët e tjera të kombeve të vogla, si shqipja apo finlandishtja janë thuajse të panjohura në rrafsh më të gjerë dhe pak komunikojnë dhe kontribuojnë si letërsi (të mos ndalemi në faktin se shqipja flitet, madje edhe shkruhet, por mes emigrantëve).

Ndaj me përfundimin e kësaj nisme të bukur gjej të falenderoj institucionin KONE SÄÄTIÖ, që e mbështeti idenë dhe realizimin e këtij projekti poetim dhe kulturor. Përmbushja me sukses e këtij projekti dëshmon se sa nevojë kemi për mbështetjen e institucioneve të tilla që, përveç profesionializmit, promovojnë vlerat mes kulturave, gjuhëve, popujve dhe mbështesin humanizmin. 

Ëndërra ndez ëndërrën. Shpresoj që tani, kur themelet janë hedhur mund të ecim drejt të panjohurave edhe më të bukura, duke menduar për projekte të tjera, edhe më të gjera, duke i dhënë kulturës dhe letërsisë shqiptare edhe më shumë frymëmarrje. 

Falënderoj gjithkënd që ndau me mua këtë përvojë-ëndërr pothuajse trivjeçare, duke më mbështetur që nga çastet e para deri në finalizim.

Kjo ngjarje kulturore që nisi me Antologjinë, e cila mori vlerë dhe domethënie  të veçantë tregon se veç ëndrrës dhe shpresës tani kemi një relalitet të prekshëm. Në katër ditë, qytetet finlandeze Tampere dhe Lahti organizuan veprimtari të shumëllojshme, në të cilat u përfshinë disa nga institucionet kryesore të jetës kulturore të qyteteve përkatëse, të cilat e bënë përurimin e Antologjisë – Olipa kerran toivo

 pjesë të programeve kulturore kombëtare e ndërkombëtare, ku u fol për poezinë shqiptare, ku u dëgjua poezia e shkruar në gjuhën shqipe. 

Përveç veprimtarive të tjera përuruese, Arian Leka mori pjesë si studiues edhe në "Lahti International Writers' Reunion - LIWRE", ku paraqiti punimin e tij mbi temën "Writer's nature".

Tema e artikullit të titulluar "Erasing the Other from the Weather Map", duke u ndalur më së shumti në temat e përjashtimit të "Tjetrit" nga kultura, mbi kulturën e "Tjetërsimi", tezën nacionaliste të eksperimentimit puritan mbi "letërsitë e vogla" dhe "luftën" absurde të spastrimit të gjuhës së "kulluar" letrare nga ndikimet dhe huazimet e çdo forme (oriantalizma, oksidentalizma, globalizma etj), mbi krijimin e një "gjuhe të (s)pastruar" shqipe, përfytyrimine gjuhës si një "kamp përqendrimi", në të cilin nuk ka vend për të ndryshmin dhe të huajin, mbi fjalët klandestine dhe fjalët emirante në trupin e gjuhëve ballkanike si dhe çështje të urrejtjes kulturore dhe armiqësimit të kulturave fqinje. Përveç pjesëmarrjes në bienalen unike "Liwre, 2019" (që, duke filluar nga vitit 1963 ruan reputanionin e një prej forumeve më të rëndëshishëm të letërsisë dhe mendimit europian, në të cilin kanë marrë pjesë më shumë se një mijë autorë, studiues e shkrimtarë, mes tyre disa laureatë të Çmimit Nobel), Arian Leka dha edhe një intervistë për gazetaren Erja Toumaala, e cila u translemua përmes valëve të Stacioni publik të Radios Finlandeze YLE.



https://www.sttinfo.fi/tiedote/albanialaisrunoilijat-arian-leka-ja-natasha-lako-vierailevat-tampereella-ja-lahdessa-kesakuussa publisherId=69817284&releaseId=69859426


https://www.sttinfo.fi/tiedote/runoantologia-olipa-kerran-toivo-albanialaista-nykyrunoutta-kiehtoo-ja-lumoaa?publisherId=69817284&releaseId=69858995


http://runomaraton.fi/tapahtumat/2019-2/runomaraton-2019-japanin-viikot/olipa-kerran-toivo-albanialaista-nykyrunoutta/


https://www.liwre.fi/en/liwre2019-2/participants/arian-leka/


https://www.liwre.fi/wp-content/uploads/2019/06/1ArianLekaENGLANTI.pdf

 

 

19 June 2019

ARIAN LEKA - Lahti International Writers' reunion - Liwre - June 2019.

Për dy ditë, nga datat 14 dhe 15 qershor 2019 autorë nga e gjithë bota, të mbledhur në Lahti (Finlandë) paraqitën pikëpamjet dhe kontributin e tyre në studime letrare, artikuj, ese dhe krijimtari letrare (poezi e prozë). Tema e takimit "Lahti International Writers' Reunion - LIWRE" ishte përqendruar në "Writer's nature" (me fokus mbi Natyrën e shkrimit /Natyrën e Shkrimtarit). 

Duke filluar që nga vitit 1963, më shumë se një mijë autorë, studiues e shkrimtarë - mes tyre disa laureatë të Çmimit Nobel, - kanë marrë pjesë në bienalen unike "Lahti International Writers' Reunion - LIWRE." 
Ky forum i debatit ndërkombëtar mbi letërsinë, fton autorë, studiues, poetë, eseistë e prozatorë, të shkëmbejnë mes tyre dhe të ndajnë me një publik të gjerë dhe aktiv, mendime e ide, duke krijuar dhe zgjeruar kontakte mes kulturave dhe duke ofruar përvoja mbi shkrimin letrar apo mënyrat e studimit të letërsisë bashkëkohore etj.

Shkrimtari dhe studiuesi shqiptar Arian Leka u paraqit në "Lahti International Writers' Reunion - LIWRE" me artikullin "Erasing the Other from the Weather Map", duke u ndalur më së shumti në temat e përjashtimit të "Tjetrit" nga kultura, mbi kulturën e "Tjetërsimi", tezën nacionaliste të eksperimentimit puritan mbi "letërsitë e vogla" dhe "luftën" absurde të spastrimit të gjuhës së "kulluar" letrare nga ndikimet dhe huazimet e çdo forme (oriantalizma, oksidentalizma, globalizma etj), mbi krijimin e një "gjuhe të (s)pastruar" shqipe, përfytyrimine gjuhës si një kamp përqendrimi, në të cilin nuk ka vend për të ndryshmin dhe të huajin, mbi fjalët klandestine dhe fjalët emirante në trupin e gjuhëve ballkanike si dhe çështje të urrejtjes kulturore dhe armiqësimit të kulturave fqinje.

Artikulli është publikuar në finlandisht dhe në anglisht.

https://www.liwre.fi/…/uploa…/2019/06/1ArianLekaSUOMEKSI.pdf

https://www.liwre.fi/…/uploa…/2019/06/1ArianLekaENGLANTI.pdf


LIWRE – ONE OF THE MOST IMPORTANT LITERARY EVENTS IN EUROPE

The Reunion, which is one of the oldest literary events in Europe, is a meeting place for writers, translators, literary critics and scholars from different cultures. In 2019, Lahti International Writers' Reunion will be held for the 29th time.

RIBOTOHET LIBRI "HISTORIA E SHQIPËRISË PËRMES KARIKATURËS"

RIBOTOHET LIBRI "HISTORIA E SHQIPËRISË PËRMES KARIKATURËS" (The history of the Albania in cartoons) 

Libër dy gjuhësh në shqip dhe anglisht nga BEN ANDONI 

BOTIMET POETEKA - një dhuratë e çmuar për lexuesit dhe për ata që u dhurojnë miqve libra. 

Ç'imazh kishin shqiptarët për vetveten me hyrjen në kohërat moderne? Po të tjerët si i shihnin ata? A ngjan Shqipëria me një foshnjeje të vogël, të cilën të rriturit e përkundin në krahë dhe e gënjejnë duke e marrë me të mirë? I ngjan ajo më shumë shpendi krenar apo një kafshëze të pafajshme, të cilën e ndëshkojnë gjithmonë? Apo Shqipëria është ajo zonjësza e bukur, siç e kanë idealizuar të huajt dhe vendasit dhe siç vazhdojnë ta idelaizojnë? 

Ben Andoni ka zgjedhur ndihmën e karikaturës për të udhëtuar në historinë e identitetit shqiptar në 150 vitet e fundit. 
Përveç plotësimeve dhe ripunimeve të tjera, ky edicion i ri i "Botime POETEKA", sjell edhe 5 autorë më shumë se botimi paraardhës dhe veprat e tyre në karikaturë. 

Të mësuar me ikonografi shumë patetike, me simbole të fortësh, që nuk i shkojnë fare përmasave të trupit të vendit tonë të brishtë, e kanë të paqartë vetë identitetin e tyre. Duket se shqiptarët rrallë e kanë parë veten si duhet në pasqyrën e historisë.

_____________
The Albanians being used to high pathetic iconography and the symbols of "the strong" which do not suit their country's fragile body, have a vague image of their own identity. This means that they have rarely viewed their image in the mirror of history.

The author trying to break free from this iconography chose exactly the help of the cartoon to travel in the history of the Albanian identity in the last 150 years. It was a beautiful and extremely difficult journey..

Total Pageviews