Jasna Šamić – Bosnjë - Hercegovinë
POETEKA / TRADUKI - Writer in Residence Programme
QYTETI I LINDJES
Duket sikur çdo gjë kalbet
Dhe mendja jote rëndon
Thithur nga kujtesa
E qytetit të transformuar
Në një pus ku
Dukatët e hajdutëve dhe
Lakenjtë e së keqes shkëlqejnë
Ku martirët krekosen
Për burgun e tyre të dhimbjes
Shpirtra të përgjakshëm
Kqyrin në heshtje
Lakenjtë e së Keqes
Dhe dukatet e tyre
Duket se çdo gjë kalbet
Përveç:
Lakenjve e së Keqes
Dhe dukateve të tyre
(Sarajevë)
URA
Para se të ishte e bardhë, ishte gri
Para se të ishte e fortë, ishte si një valë
Përa se të ishte një ylber, ishte një shteg i dallgëzuar mes dy fortesash
Dhe shtatëmbëdhjetë shtëpi ku jetuan
Një beqar dhe Mostari
Sulltani i ofroi qytetit një urë -
Një ylber -
francezi tha: Është më madhështore se Harku i Triumfit
italini: Është më e fortë se Rialto
turku: Është më e lartë se një minare
Dhe arabi tha: Kjo është një deve e bardhë
Poeti shkroi: Kjo është një mjellmë me qafë të përkulur
Një pulëbardhë me krahë të hapur
Mali me borë
Mbi lumë
Për shekuj me radhë pulbardhat ulen
Në shpinën e devesë, ngjyra e borës,
Për shekuj pulëbardhat ngrihen
Nga shpina e devesë drejt Narentas
Përkunden nën devenë e bardhë
qetë dhe etshëm
Ngjyrë nefriti
Kur barbarët e sulmuan
Ylberi u bë pasqyrë e thyer
Shpina e devesë - anije e mbytur
Harku – pishtar akulli
Krahët e pulëbardhave - dy duar të prera
Midis dy anëve:
Një plagë
RAPSODIA E NJU JORKUT
Gjatë asaj vjeshte
Nju Jorku u spërkat
Nga zjarri
Dhe ketrat në Central Park
U pagëzuan nga ndryshku
Ndërsa po shkoje në pelegrinazhin
E Bukurisë
Ti po zbuloje të shkuarën tënde -
Natyrën tënde, të cilën tashmë e njihje-
dhe që e kishe shtypur me këmbë.
Gëzimi derdhet nga pemët
Zhytur në flakë
Dhe shpërndahet si një ylber mbi qiell
Mbi degët dhe mbi
Shtigjet e Parkut
Njëlloj si një urë përmes oqeanit
Dhe kohës
Si Gruaja me të Zeza e
John Singer Sargent
Ti ishe shekullore
Ndezje zjarre teksa ecje
Mbytur mes gjethesh të thara si
si mbi qilimin e butë të lutjes
Kalimi përmes shtegut
Kur shkuat në pelegrinazh
Për t'ju përulur
Bukurisë
Dhe për të takuar
Rioshin Bronzino
Para se t'i bashkohej ishullit Böcklin
Ndërkohë që Mezzetin këndonte
Serenatën e tij për ju mbi një stol
Duke vështruar qiellin blu
Dhe Louise de Broglie ishte
Veshur me të njëjtën blu
Duke të t'vështruar ngado që shkoje
Nëse ke qenë vetëm
Apo me mikun tënd
- Që gjithashtu dukej
i larë me zjarr -
Nëse je në West Village
Apo në East Village
Duke darkuar së bashku
Nën flakën dridhëruese
Të qiririt
Magjia ju mëkon me gji
Qumështi i saj
Pikuar nga perëndimi shumëngjyrësh
Edhe sot ndonjëherë
Kur je e vetmuar
Ti thith kujtimin e
Rapsodisë së Nju Jorkut
Të cilën ai ta kushtoi ty,
Me sytë e tij të trishtë
Ti përhap muzikën e tij
Në vende të fshehta të
Ditës
Duke menduar fytyrën e tij
Të hollë si një shpatë dhe
Përkëdhel me sytë tu
Sytë e tij
Mbushur me dëshirë
Nën flakën drithëruese
Të qiririt
Kur prerja e mjegullës
Me këmbët tuaja
Pamjen e Parisit
Rishfaqen para teje
PARISI
Paris ndonjëherë të kujton
një lak të padukshëm
fshehur pas perdeve
të ndjesive të trazuara
e buzëqeshjeve të brishta
Vërtetë shpirti im
është dënuar nga kjo?
Ndonjëherë është burg
me porta të hapura
drejt vetmisë
drejt erërave të gjuhëve
që ulërijnë si çakejtë.
Dhe shirat që shfryjnë si erërat
teksa një fjalë e ashpër
krijon oden e trishtimit.
Shkojnë (kalojnë) fantazmat e të vdekurve të mi
përgjatë deteve imagjinare
para syve gjysmë-mbyllur
si veliera
të zymta e të qelbura
rënduar nga shpresa të rreme
duke më kujtuar qytetet antike
dhe jetët e mia të shkuara.
A ka gjë më të trishtë se të sjellësh ndërmend gëzimet?
Më imazhet e gëzimit përzihet
ajo e djaloshit me qafë të prerë
e një gruaje me trupin e coptuar
e një njeriu që si një buall ripërtyp
jashtëqitjen e tij
Ky planet
kjo anije mostrash
këndon psalme funebre
dhe këlthet si një zog grabitqar.
Qytete e mia janë në zi
Parisi herë është burg
e herë harè
që thyen zinxhirët e trupit
dhe harbon
Herë bëhet ëndërr
mes goditjes së kambanave
si një tufë e macesh të lagura në lumin
mbushur me fekale.
QYTETI DHIMBJE
Në të dy anët e qytetit dhimbje
ngrihen
dy shkurre gjigande
e mes gardheve të gjelbër
të zgavrave pa sy janë shtëpitë
Një plak një burrë një qen dhe një nuse plot nur
e thërrmojnë dhimbjen
për të bërë përpara
Papritur dëgjohet
një e qeshur
E qeshura e ndonjë të huaji
larë më lotët
e të masakruarve
(në kujtim të Srebrenicës, 2016)
Përktheu Silvana Leka
___________________
Rezidenca e autorëve "POETEKA – Tirana in Between" mirëpriti gjatë muajit korrik 2017 një autore të vlerësuar dhe një mike të veçantë: Jasna Šamić, shkrimtare, studiuese, autore e 16 librave në frëngjisht, e 11 librave në gjuhën boshnjake, realizuese e 10 filmave dhe dokumentarëve si dhe e mjaft dramave e cila, prej vitit 1977, jeton midis Sarajevës dhe Parisit, mes kulturës perëndimore dhe asaj orientale, mbi të cilat edhe ka kryer studime të thelluara dhe mes letërsisë e filmit si krijimtari
Programi i qëndrimit të Jasna Šamić në Rezidencën e shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë (i cili mbështet autorë nga rajoni dhe Europa dhe zhvillohet prej 5 vjetësh në Tiranë dhe qytete të tjerë të Shqipërisë, vjen si bashkëpunim me rrjetin TRADUKI, me Ministrinë e Kultures dhe disa prej Ambasadave të shteteve të ndryshme me qendër në Tiranë) i ofroi edhe kësaj autoreve mundësi të gjera për t'u përpërfshirë në jetën kulturore të kryeqytetit shqiptar dhe të disa qyteteve të tjerë, që kanë tërhequr vëmendjen e kësaj autoreje lidhur me traditat kulturore, të tillë si Durrësi, Berati, Kruja, si dhe përfshirjen në veprimtari të tilla si "Hemingway's Day (ku Jasna Šamić ndau me publikun e gjerë përvojat e saj gjatë vizitave në Kubë dhe tekstet që ajo ka shkruar mbi Hemingway-n) apo Festivalin e Jazz-it.
Veprimtaritë e Jasna Šamić lidhen me specifika e shkrimeve, studimeve dhe filmave të realizuar nga ajo, që nga shkrimi i një romani epistolar e deti tek një teks mbi suveniret dhe shkrimtarët. Interesa të autores janë gjithashtu trashëgimia artistike dhe joartistike e totalitarizmit apo gjurmët. Përpos këtyre në interes të saj ishin historia e besimeve dhe e kulteve, tema e mistikës dhe e sufizmit (për këtë ajo ka vizituar dhe krijuar kontakte me Muzeun Kombëtar si dhe me Muzeun Bektashian, Tiranë, Sari Salltik që ndodhet në malin mbi Krujë.
Gjatë qëndrimit të saj në Tiranë sna Šamić ka botuar në portale të rëndësishme dy artikuj e reportazhe ne tematikën e Shqipërisë (BEKTAŠIJSKA TEKIJA TIRANA; TIRANA I TIRANI) , të cilat do të jenë pjesë e librit më të ri të saj, që është në proces botimi.
Jasna Šamić ka lindur në Sarajevë (1949), qytet ku dhe ajo ka filluar shkollimin e më pas ka kryer studimet e larta në sistemin liceum, konservator, shkollë muzike dhe në vijim në Universitetin e Sarajevës, ku studioi gjuhë dhe literaturë orientale: gjuhë dhe letërsi perse, arabe dhe turke.
Më pas ajo ka kryer specializime dhe teza pasuniversitare për Gjuhësi të Përgjithshme dhe Turkologji, duke u thelluar me mbrojtjen e tezës doktorale pranë Fakultetit Filozofik të Sarajevës (1977), në Universitetin e Parisit - Sorbonne Nouvelle, ku ajo paraqiti Doctorate d'Etatès Lettres (1984) me temën e saj mbi Sufizmin dhe Historinë.
Jasna Šamić ka qenë Profesor i Letërsisë Orientale në Universitetin e Sarajevës (përjashtuar pa arsye bindëse nga Fakulteti në vitin 1992). Në vitin 1992 ajo ushtroi detyrën si Drejtor i Kërkimeve Shkencore lidhur me CNRS (Qendra Kombëtare Franceze e Kërkimit) dhe më pas si Profesor i Gjuhëve, Letërsisë, Historisë dhe Qytetërimit të Ballkanit pranë Universitetit "Marc Bloch" të Strasburgut, ku dhe bashkëpunoi me programet e Radios franceze: "Radio France Internationale" dhe "France Culture".
Që nga viti 1974 Jasna Šamić ka qenë anëtare e Bashkimit të Shkrimtarëve të Bosnjës. Duke filluar nga viti 1996 ajo është gjithashtu anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Francës. Në vitin 2006 ajo u pranua anëtare e Klubit Ndërkombëtar PEN për Bosnjën dhe Hercegovinën.
Në të shkuarën dhe sot Jasna Šamić ka bashkëpunuar me revista letrare të njohura në rajonin tonë dhe në Europë, ka marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare në shumë qendra studimore të botës dhe ka dhënë leksione në mjaft universitete të ish-Jugosllavisë dhe Europës. Jasna Šamić është Drejtor i Književna sehara (www.balkan-sehara.com) për shqyrtimet letrar.
Si autore e shumë librave (poezi, romane,) ajo ka botuar në gjuhën frënge dhe në gjuhën boshnjake. Shkruan gjithashtu edhe filozofi dhe ese.
Në vitin 2008 Jasna Šamić fitoi Çmimit Letrar "Stendhal" (Lauréate du program Missions Stendhal). Në vitin 2014 fitoi Çmimi "Gauchez-Pillippot". Gjatë viteve 2014 dhe 2015 ajo është vlerësuar me Çmimin e Botuesve Boshnjakë.