Arian Leka botohet në Vjenë
Tregimi i shkrimtarit Arian Leka, titulluar "Prej nga vjen Drita?", botohet në Vjenë, si pjesë e antologjisë "Circle-Surface-Sun: from somewhere in the Mediterranean". Ky tregim, përkthyer në anglisht nga Peter Constantine, nën titullin "Where Does Light Come From?", i bashkohet teksteve të zgjedhura prej 22 autorëve nga brigjet e Mesdheut. Libri prej 224 faqesh shoqërohet me piktura nga Irena Eden dhe Stijn Lernout, të cilët janë dhe editorë të librit që Shtëpia Botuese vjeneze SCHLEBRUGG E.EDITOR publikoi u botua në Maj 2020.
Duke bërë bashkë zëra të ndryshëm letrarë, ky botim është një nga antologjitë më të plota tematike, gjithashtu edhe një bashkim autorësh, që i kapërcen kufijtë jo vetëm gjeografikë, por edhe kufitë e gjinive të artit dhe formave të shprehjes letërsi-grafikë.
Projekti letrar paraqitjet përthyerjet e formave të "Dritës" në histori njerëzore, përkatësisht në kushtet e ndriçimit në Mesdheut. Ai e vendos konceptin "Dritë" në perspektiva të ndryshme, siç ajo shfaqet te secili autor dhe te çdo përvojë që ata ndajnë me lexuesin e gjerë. Përveç teksteve, pjesë e rëndësishme e librit është edhe aspekti vizual, vepër duetit të artistëve vizualë Irena Eden & Stijn Lernout. Këta autorë e kanë pajisur botimin me një seri vizatimesh dhe secilit autor i është kushtuar një paraqitje e veçantë, që komunikon me krijimtarinë e botuar dhe personalitetin krijues të çdo autori.
Libri "Circle-Surface-Sun: from somewhere in the Mediterranean" është një eksplorim i reflektimeve më të parashikueshme të metaforave të Dritës (dhe Errësirës) në hapësirën mesdhetare, përfshirë tokën dhe detin, jetën e njerëzve dhe peizazhin natyror dhe urban. Pjesë e rrëfimeve e bëhen emocionet dhe ngjarjet e jetuara e të përjetuara në këtë hapësirë kaq të rëndësishme për historinë dhe kulturën europiane, si Mesdheu, rreth së cilës lindën. Autorët pjesëmarrës 22 vendet që lagen nga Mesdheu të shkruajnë tekste mbi "Dritën" dhe lidhjen e saj me vendet prej nga secili prej tyre vjen. Botimi, së bashku me një ekspozitë të artit grafik, që i referohet Mesdheut, do përurohej në pranverën e këtij viti por, për shkak të gjendjes së krijuar nga Covid-19, është shtyrë për në korrik.
DATAIZËM MBI DRITË NË DIKTATURË DHE IDELOGJITË E SOTME
Jo dadaizëm, por dataizëm ndeshet në tregimin e Arian Lekës, "Prej nga vjen Drita?". Është pikërisht një ndërthurje e prozës poetike, esesë dhe mendimit filozofik, që e krijon këtë një "dataism". Përmes kalendarit të të dhënave të dikurshme, tre individët e përfshirë në rrëfim (Babai, Gjyshja, Nëna), sjellin kuptimet e tyre rreth asaj që ata kanë quajtur "Dritë" në të shkuarën. Struktura e tregimit përbëhet nga katër kohë rrëfimi dhe një mbyllje. Tre pjesëtarë të famijes, Babai, Nëna dhe Gjyshja rrëfejnë historitë e tyre të pavarur nga njëri-tjetri, por të lidhur nga koncepti Dritë. Prej rrëfimit të këtyre personazheve krijohet kronologjia e tregimit. Ajo zhvendoset nga porti në port, nga njëri institucion besimi në tjetrin (të mbyllur, të sembur a të shndërruar asokohe), nga salla e kinemasë dhe teatrit në sheshet e xhirimit, që u përdorën për filmat e së shkuarës. Të gjithë ata që rrëfejnë janë besimtarë në këndvështrimet e tyre. Ata besojnë te Drita, por drita e secilit është e ndryshme, siç është i ndryshëm edhe vendi prej nga buroi ajo Dritë në jetët e tyre në diktaturë. A kishte Dritë asokohe? Dhe a ishte Dritë, nëse kishte apo nëse e quajtëm ashtu? E kaluara e tyre nuk vështrohet si çast nostalgjik, prej nga prodhohet keqardhje. Koha e katërt e rrëfimit ka si personazh autorin. Rrëfimin e vetës së tretë (Ai/Ajo) autori e zhvendos në regjistrin e vetës intime (Unë).
Pjesa përmbyllese e kësaj proze i kushtohet fabrikimit të optimizmit të rremë, deytrimit për të qenë të lumtur me doemos, përballë asaj që ndodh aktualisht, sot e kësaj dite, në brigjet mesdhetare. Dritat që vërshojnë sot nga realitetet pamore dhe linguistike të specialistëve të ideologjisë dhe "zotat e mediave" dobësojnë pamjet tronditëse, që vijnë nga tragjeditë që ndodhin Adriatik, Jon dhe në Mare Nostrum. Dhe, njëlloj si në kohën e propagandës fashiste e komuniste, hiperrealiteti, fabrikuar si lumturi, u jepet përdoruesve si ushqim i vërtetë. Të gënjyerit vazhdojnë të gënjehen edhe sot.
RRËFIM NË KATËR KOHË MBI HUMANIZMIN DIETIK
Në rrëfimin e parë (tregim me dialog mbi Babanë) rrëfehet se edhe pa qenë magjistar ai shihte ato që të tjerët nuk i shihnin dot. Jetën e kishte kaluar në lundrim, brigjeve të Mesdheut. Kur u pyet se cila kishte gjëja mbërresëlënëse, që ai kishte parë me sytë e tij në Mesdhe, Babai përmendi "dritat e qyteteve-port", që i pa, por nuk shkoi dot. Pas tyre ai përmend "dritat e anijeve", me të cilat u shkëmbyen në lundrim. Qe përshëndetur me to, jo si detari me detarin, por i të ishim ushtarë të flotave kundërshtare. Ndenjën larg. Ruajtën distancën. Kaluan përbri dhe ikën pa i njohur dot, duke i treguar njëri-tjetrit jo se ç'jerëz ishim, por vetëm disa sinjale të koduar me dritë. Pavarësisht "lingua franca-s" që përdorin detarët dhe vendit, kulturës, ideologjisë apo flamurit prej nga vinin, Babai komunikoi me detarët e huaj si të ishin në luftë, përmes një gjuhe të gjymtuar, që nuk shprehte tjetër veç urdhërave, ndonjë urimi të thatë me drita sinjalesh. Mundësi e humbur. Nuk do të shiheshin mê kurrë.
Rrëfimi i dytë i përket Gjyshes, një grua me zemër të rrallë që, mes të tjerave, kishte urtësinë e këshillimit. Njihte Librin e Shenjtë. Prej tij nxirrte thënie e zgjidhte mosmarrëveshje familjare, këshillonte fëmijët, duke besuar se të afërmit ishin drita e syve, por ajo që quhej Dritë, buronte nga Zoti. Gjyshja ruhej mos e merrnin për magjistricë dhe ia përzienin Dritën e Zotit me dritën që prodhonin njerëzit. Nuk dinte hollësitë e dijetarëve mbi fetë monoteiste, që dolën në dritë në Mesdheu. Në fund të jetës, kur krejt pa ndonjë shkak, iu krijua një perde në sy. Gjithë sa mundi të shihte ishte një perde e bardhë si qumësht a si mjegullnajë, prej nga hynte dritë. Gjithë sa tha ishin fjalët: "Koqe meli në fund të detit, jemi, o Zot!"
Pjesa e tretë e tregimit shfaq Nënën, që nuk ishte shenjtore, por besonte se Drita e saj, (ndryshe nga dritat e miqësisë dhe të punës që shihte Babai, ndryshe nga Drita e kulluar e Zotit, që shihte Gjyshja, buronte prej Artit. Ajo e drejtoi të birin drejt teatrit të kukullave, skenave të koncerteve, që të detyronin të ngrije kokën lart, sa herë që mbi skenë shfaqeshin artistët, drejt sheshxhirimeve të filmave, që në Durrës ishin të shpeshtë dhe drejt sallës së errët të kinemasë, ku fasha e dritës zbulonte realitete që përplaseshin: ëndrra përzier me propagandë.
Pyetja mbetej po ajo: – Prej nga buron drita? Nga përtejdeti, siç babai nuk e tha? Zbriti nga qielli, siç kishte besuar gjyshja, që vdiq pa i hequr t perdet nga sytë? Apo nga artet, siç nëna vazhdon të besojë edhe sot?
Ekranet televizive vazhdojnë të projektojnë në çdo mjedis klishe drite prej Mesdheut. Murmurima hipnotike: – Mbyll sytë!! Eja në Mesdhe! Këtu njeriu ringjallet! Njerëz miqësorë. Dritë dielli. Ja dhe ushqimet dietike të detit, që të rinojnë edhe në pleqëri të thellë. Ja rëra e bardhë, ujërat blu, dallgët, shkëmbinjtë, flora dhe fauna, dashuritë e mëdha, legjendat me piratë e, mbi gjithçka, ja ku e papërsëritshmja dritë e këtij deti përrallëtar. Nuk është mirazh. Nuk gjendesh në teatrin e kukullave të qytetit tim dhe as në ndonjë parajsë kinemaje. Njerëzit në ekran nuk janë marioneta. Gjithë sa ndodh, nuk është dramë skenike, por histori luajtur nga aktorë të vërtetë, neorealistë, që bëjnë rolet e tyre prej të mbyturi nën dritën e rrezëllitëse të Mesdheut.
Dritat që burojnë nga ekranet nuk janë ato dritat e ngrohta e të heshtura të anijeve, që im atë i përshëndeti me sinjale nga larg. – I sheh edhe ti nga TV dritat e mekura të varkave me emigrantë klandestinë? I sheh se si shtyhen përmes errësirës së Detit Mesdhe? Ata njerëz na kanë bërë një nder të madh! E kupton apo jo? Nga të gjithë detet e botës ata zgjodhën të mbyten në ujërat e deteve tanë! Zgjedhje e vështirë kjo por të kesh parasysh se sa i shumëllojshëm katalogu u mbytjeve! Ata njerëz mbërritën këtu nga ana e anës për t'u mbuluar nga thellësitë blu të Mare Nostrum. U mblodhën këtu vetëm e vetëm për të pasur fatin të numërohen mes të zhdukurve në Detin Tonë, shndërruar së fundi në një Mare Mortuum dhe në Mare Monstrum, prej nga burojnë fuqishëm, si dikur edhe ideologjitë.
Ia kemi harruar emrin, por jo edhe fytyrën, fëmijës sirian, që u nis bashkë me prindërit nga brigjet turke drejt ishullit grek me emrin Kos. Quhet Alan Kurdi. U mbyt, edhe pse largësia mes dy brigjeve mund të shihet me sy të lirë. U mbyt mes Lindjes dhe Perëndimit, në rripin e ngushtë aziatiko-europiane. – Çfarë do të kenë pasur ndërmend prindërit e tij kur i vunë emrin Alan? I famshëm si aktori Alan Rickman? Mendjendritur si matematikani Alan Turing? I thellë si filozofi Alan Watts apo të çudiste botën si Alan Shepard, amerikani i parë që udhëtoi në hapësirë dhe që eci mbi sipërfaqen e Hënës? Deti ku u mbyt Alan Kurdi ishte më i thellë se çdo mendim dhe rëra e bregut ku ai doli, ishte më e ashpër se e Hënës.
Aparati i fotografes që bëri foton e vdekjes së tij lëshoi dritë, si e vetmja mënyrë për ta ringjallur fëmijën e mbytur në detin tonë. Ai blic dëshmon se, edhe pse i njohur si det i dritës dhe i miqësisë, Mesdheu është shndërruar në një lloj kampi përqendrimi për burra, gra dhe fëmijë të pashpresë.
Jetët e atyre që mbyten nuk i llogarit më kush. Ata nuk do e kishin besuar se do të vinte dita të mbyteshin në këtë errësirë moskuptimi. Ndaj drita që bie mbi sipërfaqen e Mesdheut ngjan më shumë me rrezen e hënës që bie mbi një pllakë varri. – Ia dolëm, më në fund! Mundëm ta shdërrojmë këtë det të bukur bashkëpunimi, kulture e marrëdhëniesh të gjata në një varr mosbesimi ngjyrë blu. – Për shkak të natyrës valore të dritës ndodhi kjo vallë? Së bashku me njerëzit e ngarkuar në varkat e vogla, mbërritur nga qytete pak të njohur në Mesdhe, qytetërimi po mbytet gjithashtu, nën psherëtimën e vet mospërfillëse e cinike.
Ja ku jemi! Së bashku sërish. Mbledhur rreth dritës së diellit. Asaj drite që kërkuesve të kufomave nën det mund t'u duket si drita e projektorit të kinemasë së vjetër të qytetit tim, prej nga vërshonin armiqtë e qytetërimit tonë puritan dhe pa të huaj.
Disi të çoroditur ndihemi, njëlloj si atëherë, kur e ndjejmë, por nuk arrijmë ta përthithim praninë e diçkaje të plotfuqishme e të parrokshme nga ne edhe kur bie fjala mbi drejtimin e erës dhe burimin e dritës, të cilën – Zoti na ruajt!, siç thoshte gjyshja ime shpesh – po e humbasim, ashtu të kapur fort pas vetëdijes sonë të dobësuar nga rreptësia e humanizmit dietik…" , shkruan Arian Leka.
___________
http://gazetashqiptare.al/2020/07/22/arian-leka-botohet-ne-vjene/?fbclid=IwAR0TfpaSuANV56xmNKT8EJ6xftMzrSxbgYThsKGMf8T7_oKY0CsmLZo0kSY