22 June 2020

Skënderbeu - Vepra 4 e ETËHEM HAXHIADEMIT

ETËHEM HAXHIADEMI - Vepra 5: "Skënderbeu" - tragjedi me 5 akte, Botimet POETEKA, 2020 - së shpejti në duart e lexuesit...

"Skënderbeu" - Vepra 5 e Etëhem Haxhiademit: - tragjedi me 5 akte, sikurse të gjitha veprat e këtij autori të shquar të letërsisë shqiptare, që ishte "i pari ndër ne që ban tragjedija me vlerë e me teknikë", siç shkruan Aleksandër Xhuvani në vitin 1936 dhe që "me "Skënderbeun" hyri në histori", siç shkruan Vangjel Koça më 1937, vjen në këtë paraqitje sipas publikimin të Shtypshkronjës "Kristo Luarasi", viti 1935. 

Përveç tekstit autorial, 84 faqe në botimin fillestar, edicioni i vitit 2020 nga "Botime POETEKA" sjell 36 faqe të reja, duke e paraqitur veprën e Haxhiademit në 120. Kjo paraqitje zgjon edhe më shumë interesimin e lexuesit të gjerë dhe të studiuesve jo vetëm se kthehet pas 85 vitesh me shijen e origjinalit, por edhe sepse botimi sjell edhe hulumtime të reja. 

Rishtas dhe enkas për këtë botim publikohen 16 skanime profesionale nga botimi i parë i vepës (1935). Po ashtu botohen edhe 5 artikuj kritikë nga emra të shquar të kohës, mes të cilëve Aleksandër Xhuvani, Branko Merxhani, Bardhi Shtylla (Behar Shtylla), Gjergji Kuka, Jup Kastrati e Vangjo Nirvana (Vangjel Koça), botuar në revistat më të njohura të viteve '30. Botimi sjell edhe 18 faksimile nga revistat "Illyria", "Leka", "Revista Letrare", "Rilindja", "Shkëndija", "Përpjekja shqiptare", të cilat kanë shkruar mbi personalitetin krijues të Etëhem Haxhiademin dhe tragjedisë së tij "Skënderbeu". 

Në rubrikën "GALERI" botimi sjell dokumente autentike nga këto revista, përfshi këtu edhe faksimile nga njoftimi i botuar në "Rilindja", No. 32, viti 1936, ku bëhet e ditur se Shoqëria e nxënësve me emrin "Naim Frashëri", pranë shkollës Normale të Elbasanit, do të vërë në skenë tragjedinë "Skënderbeu" të Etëhem Haxhiademit. 
Po në këtë rubrikë, krahas fotografisë së autorit Etëhem Haxhiademi me trupën teatrore, që vuri në skenë tragjdinë "Skënderbeu" dhe emrat e aktorëve pjesëmarrës, lexuesit i paraqiten edhe faksimile nga posterit-bileltë, që njofton vënien në skenë të tragjedisë "Skënderbeu" të Etëhem Haxhiademit, më 2 Janar 1937, ku nënvijëzohet se qëllimi i shfaqjes është sjellja e eshtrave të Naim Frashërit në Shqipëri, dokumente këto që i paraqiten publikut për herë të parë. 

Mbi frontespicin e vëllimit Etëhem Haxhiademi: "Skënderbeu" – Vepra 5, Botimet POETEKA, 2020, gjendet kushtimi i autorit Etëhem Haxhiademi për të birin, Eminin, lënë në 16 dhjetor 1935, si kujtim në përvjetorin e lindjes.

Edhe ky botim, si i gjithë opusi letrar i Etëhem Haxhiademit, u përgatit nga Hortensia Haxhiademi Pellumbi, Dr. Silvana Leka dhe Dr. Arian Leka.

Gjerdani i plotë i veprave të Etëhem Haxhiademit, përmban tragjeditë, krijimtarinë poetike, përkthimet dhe kritikë letrare, si pjesë e botimeve "Klasikët e letërsisë shqiptare".

Letërsia e Kujtesës: Tadeusz Różewicz - nga Botimet POETEKA

Nga Dr. Silvana Leka: Tadeush Ruzheviç: Poeti që shkroi në prag të heshtjes

Tadeush Ruzeviç i përket dhe ishte pjesë rëndësishme e më të shquarve poetë-dëshmitarë të Europës, që u shfaqën pas Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në gjysmën më pak me dritë të shekullit XX-të, por që shkruan për anën më tronditëse të asaj periudhe, përfshi këtu edhe produktin më makabër, që njeriu prodhoi gjatë atij shekulli.
Nuk ishte periudha në të cilën jetoi dhe as jetëgjatësia e tij aspekti kryesor që ky të bëhej një nga zërat më të fuqishëm të atij brezi të mashtruar dhe të zhgënjyer. Ishte talenti i jashtëzakonshëm, qëndresa dhe vetëpërmbajtja për të mos i zgjedhur me kujdes të veçantë manierist fjalët, për t'i mbajtur nën kontroll metaforat dhe për të qenë pro estetikës së ashpër të së vërtetës së hidhur.

Ai ishte nga poetët e fundit të atij brezit që njohu dhe shkroi për luftën dhe për Europën që në vend që të punonte më fort kundër humbjes së kujtesës, zgjodhi të ngulte gozhdën e fundit mbi kujtesën historike.

Tadeusz Ruzeciç, i cili u nda nga jeta më 2014-ën, i përket brezit të parë të shkrimtarëve polakë të lindur, pasi Polonia rifitoi pavarësinë, në vitin 1918. Ai mbetet një nga vijuesit më të rëndësishëm të poezisë madhështore polake të shekullit 20-të dhe ndjekës i denjë i rrjedhave letrare ndërkombëtare të avangardës.
Emri i tij përmendet shpesh si kandidat për Çmimin Nobel. E nisi krijimtarinë nga viti 1944, duke krijuar 15 vëllime shumë të njohura e të vlerësuara me poezi, të përkthyera në 50 gjuhë të botës. "Ai solli një formë të re poetike dhe ishte gjithashtu mjaft novator në dramaturgji, duke rindërtuar ndjenja e kuptime të tjera mbi jetën në përfundim të tragjedisë së Aushvicit.

Sipas Theodor Adorno-s, pas kësaj traume të kryer nga njeriu, zor se kishte më vend për ndjenja delikate, përmendjen vend e pavend të fjalës "humanizëm" dhe thuajse pamundësi për të shkruar ndonjë gjë autentike".
Tadeusz Ruzeciç është lloji i poetit që nuk vajton dhe nuk derdh lot, por drithërohet si letër gazete, por jo njëtrajtësisht. Pjesë e kolazheve të tij në poezi dhe në dramat e mirënjohura, janë gjithçka intime dhe publike që ndodh, të parëndësishme në dukje, si kartolinat, një hartë, emra rrugësh e hotelesh, por që marrin rëndësi në penën e tij që gjen formën më shprehëse te poezitë mbi çnjerëzimin, që kulmon me holokaustin dhe përndjekjet.

Nuk duhet të ketë qenë e lehtë për një autor që njohu luftën e zjarrtë dhe luftën e Ftohtë, nënshkrimin e armëpushimit, paqen, superfuqitë, stalinizmin, ngritjen, shembjen e Murit të Berlinit dhe "rënien e lotëve në bursë", siç e ndeshim në një nga poemat e vona të Ruzeciç-it.
Poezitë e këtij autori të shquar, mes të shquarve të tjerë të poezisë polake të shekullit XX, vijnë për herë të parë për lexuesin shqiptar nga "Botimet POETEKA" si fryt i bashkëpunimit me përkthyesit Astrit Beqiraj e Ben Andoni dhe me mbështetjen e Institutit Polak të Librit dhe të Ambasadës së Polonisë në Tiranë.
Përveç poezive, të qëmtuara me kujdes dhe që përfaqësojnë faza të ndryshme të krijimtarisë së këtij autori, botimi "Tadeusz Rozewicz – Përmbledhje poezish" shoqërohet edhe nga dy tekste që vihen në ndihmë të lexuesit për të komunikuar më mirë me krijimtarinë dhe për të pasur në duar disa çelësa, pa të cilët zor se mund të hysh brenda poezisë së njërit prej poetëve emblemë për shekullin e 20-të.
Jo rastësisht teksti poetik i Rozewicz-it është vendosur mes dy rekomandimesh në prozë. Teksti i parë, që shërben edhe si ftesë hyrëse universin plot vrima të zeza të këtoj autori, është eseja, "Fshehur në vetvete: poezia e R??ewicz-it", me autor Tom Paulin.
Teksti i dytë, me autor John Osborne, përmes esesë me titull "Tadeusz Ruzeciç: Gërsheti", përdor një poezi të vetme si pishtar për të ndqiçuar pak më shumë aktin vetmitar të leximit nëpër labirintin e krijimtarisë së R??ewicz-it dhe të autorëve të tjerë të së njëjtës qasje dhe të së njëjtin këndvështrim në poezi.
"Këta njerëz dhe unë, shkruan R??ewicz-i, e mësuam gjuhën nga mbishkrimet mbi mure." Por ajo ç'ka kam krijuar, ngulmon të qartësojë ky autor, nuk është vetëm poezi, por edhe figura e poetit që shkruan për të humburit nga tmerri. "Për ata që janë shpënë në kasaphanë. Për ata që mbijetuan", do të shkruante vetë Rozewicz kur u shpreh për poezinë e tij.

Në poezinë e Ruzeciç-it gjenden, mes të tjerash, edhe shumë detaje autobiografikë. Aty shfaqet nëna "aq e vockël sa mund ta mbaje ndër duar", e qetë, ndoshta e lodhur, që e thërret nga dritarja të kthehet në shtëpi, babai, që "mbjell gështenja ballë shtëpisë" e që dremit ndanë sobës pas gjashtë ditësh punë dhe vëllai, të cilit i dërgon një kartolinë me ujvarë.
Por më dukshëm elementet biografikë shpalosen në formë rrëfimi te "Nëna niset". Ky tekst ndërtohet si ditar, pjesë e të cilave janë kujtimet, copëza bisedash të kapura në ecje dhe diku edhe disa vargje nga ajo që quajmë poezi. Tekst shfaq para lexuesit pamjet e konvertimit. Një fëmijë me nënë thellësisht fetare, e lindur hebreje në besim, që bëhet pjesë e komunitetit katolik.
Mbi të gjitha këto rri figura e Zotit të plotfuqishëm, qe nuk qesh, që "përzien hidhësinë me ëmbëlsinë" dhe që "i pikturuar aq keq, rri varur pa shpresë mbi mur", siç e shohim në poezinë "Gështenja.
Me fjalë të kursyera vijnë fakte që, përtej përgjithësimit, mund të trajtohen edhe si vargje autobiografike mbi jetën jashtë mjediseve urbane të familjes së poetit. Prej atyre ai mësoi se e Keqja ekziston njëlloj si e Mira dhe se individi jeton jo vetëm mes koncepteve religjioze, motivet e së cilave gjenden dendur në krijimtarinë e hershme të Rozewicz-it, por edhe midis humanes dhe çnjerëzores së krijuar nga vetë njeriu.
Si poet Rozewicz-i u rreshtua me ata që shpërfillnin atë çka pjesa më e madhe e njerëzve e mendonin si "poetike". Ai zgjodhi gjuhë të thjeshtë dhe një teknikë të gjerë moderniste për të kërkuar imazhet e përfundimeve më të errëta.
Në këtë kontekst, poezia "tepër të thjeshtë", e Tadeusz Ruzeciç-it ka stil prej asketi, me mënyra shprehjeje që mund ta kuptojë edhe fëmija. Tekstura e zërit nuk ishte fort ndryshe nga ato që gjejmë edhe tek poetë të tjerë të brezit të tij, Zbigniew Herbert , i njohur për të ashtuquajturën "disidencë estetike" apo dy qendrat e tjera të poezisë polake Czes?aw Mi?osz dhe Wis?awa Szymborska. Poezia e këtij brezi i kishte shpallur luftë retorikës patetike, duke artikuluar atë mënyrë ligjërimi që kuptohej mes rreshtash.
Ndërsa Herbert-i cilësohet si poet anti regjimit, por i sofistikuar, vargjet e të cilit, sidomos me Zotin Cogito, nuk dalin haptazi kundër dogmave e klisheve politike, te Ruzeciç-i gjuha poetike ështe publike, e pamëshirshme dhe e drejtperdrejtë, ndonëse vargjet e tij janë plot dhimbje. Gjuha e poezive të Tadeusz Ruzeciç-it përputhet me personalitetin e shpërbërë njerëzor, me gjendjen e njeriut të çliruar, por të humbur mes botës formale e të zvetënuar.
Këto tipare vihen re sidomos në poezitë ku ka një grua apo një fëmijë, "të vetmit banorë qiellorë mbi tokë", siç quan poeti te "Regio" apo fëmijët e mëvonshëm, "lindur pa dhimbje në klinika, pjekur në diskoteka çjerrë nga drita artificiale dhe tingujt me gojët hapur para ekraneve TV, që nuk dinë të bisedojnë me pemët", siç përshkruhen te Prerja e drurit.

Kulm i padyshimtë i krijimtarisë së tij është poezia "Gërsheti":

Pasi të gjithë ngarkesës së grave
ia rruan kokat
katër të ngarkuar me fshesa degë mështeknash
pastrojnë
dhe mbledhin tok flokët
Pas xhamave të pastër
dergjen flokët e kufomave
të mbytur në dhomat e gazit
në këtë floknajë
plot gjilpëra me kokë dhe krehra
Floku nuk goditet përmes dritës
as nuk lëviz dot prej puhisë
s'mund ta prekë ndonjë dorë
as shiu apo buzët
Brenda gjokseve të mëdha
retë e flokëve të thatë
të atyre që u mbytën
qëndron një gërshet i venitur
me një fjongo
tërhequr mbase dikur në shkollë
nga djemtë çapkënë

Muzeu – Oshvjençim, 1948

Vlerësime ndaj kësaj poezie vijnë nga John Osborne, i cili poezinë e
Ruzeciç-it e sheh si gjurmë amebe mbi xhamin e mikroskopit. "Poetët polakë, mes të cilëve edhe Ruzeciç-i, shkruanin mu në prag të heshtjes, duke testuar çdo fjalë kundër një realiteti monstruoz. Si pasojë e kësaj kemi një poezi që nuk i beson fiksionit të vet, poezi që mëson gjuhën e respektit për të vdekurit dhe që zbulon etikën në kushtet e mungesës së estetikës", shprehet Osborne duke marrë në shqyrtim poezisë "Gërsheti".

Për kritikun Tom Paulin, poetë si Ruzeciç-i flasin së brendshmi për mungesë besimi në shumë doktrina të cilave, në Perëndim, "u përmbahemi gjysmë vetëdijshëm dhe verbazi". Me paraqitjen e objekteve të rastësishme, të vdekura, indiferente, vetjake dhe publike, Ruzeciç-i i jep lexuesit mundësinë për reflektim. Ai vëren se dora e padukshme e pushtetit dhe padrejtësisë e vret përfytyrimin, gjuhën, ngrin të folmen dhe, në vend të shpirtit të gjallë, ofron skemë të vdekur të formës nga penda e Ruzeciç-it, përfundon Paulin.
Edhe për lexuesin e sotëm poezia e Ruzeciç-it tingëllon bashkëkohore. Kjo pasi përmes saj autori shpreh ankthet dhe trazimet e një brezi që tiparin kryesor ka luftën dhe rezistencën ndaj holokaustit dhe çdo regjimi që i kundërvihet njerëzores.
Shembull i kësaj bëhet poezia "I mbijetuari", në të cilën poeti njëzet e katër vjeçar qe i mbijetoi thertores, shqetësohet se "e vërteta dhe gënjeshtra, e bukura dhe e shëmtuara, trimëria dhe frika, virtyti dhe vesi peshojnë njëlloj." Një poet si ai i shfaq lexuesit një botë të vlerave relative, njeriun e kthyer në objekt dhe të sunduar nga biologjia apo teknologjia.
Por Ruzeciç-i mbetet poet modern, edhe pse krijimtaria e tij i rri larg eksperimentimeve formale. Në vend të tyre ai pëlqen të mbetet "i pagdhendur". Ai vazhdon të shkruajë vargje ku "sinqeriteti nuk tingëllon fals". Kjo pasi poeti e ka bërë të tijën moton e J. Keats, për të cilin 'bukuria është vërtetësi / vërtetësia është bukuri'.
Ruzeciç-i u largua nga Polonia në vitin 1950, për t'i shpëtuar regjimit komunist. Rrëfimet e tij të hidhura në poezi dhe drama, mbeten gjithë përulësi kur i drejtohen "së kaluarës bashkëkohore", që ilustrojnë gjithë sa ndodh edhe sotme.
Si një rekuiem apo përcjellje e denjë për të vijnë vargjet e poezisë "Ribashkimi", shkruar më 22 Nëntor të vitit 1992. Mund të quhet edhe kthimi i vështrimit ndaj lirikës, së cilës poeti nuk i kushtoi vëmendje sa do të kishte dashur.

Në temën e tij të preferuar, kujtesën, Ruzeciç-i përpiqet të sjellë ndërmend mënyrat sesi mund të bëhesh poet. Ai rreket të kujtojë se kur kishte qenë poet për herë të fundit dhe e gjen përgjigjen duke shkruar se poet mbetesh edhe kur e ul penën poshtë, për të vështruar me sytë mbyllur pemët e zeza, stuhitë e reve, gjethet e verdha dhe ikjen e zogut, që largohet bashkë me poetin, që ka ikur.

"Por unë po qëndroj
dhe po shkruaj këto fjalë."

Kështu përfundon kjo poezi.


http://gazetashqiptare.al/2019/01/13/tadeusz-rozewicz-poeti-qe-shkroi-ne-prag-te-heshtjes/?fbclid=IwAR3sldqo2T4rKkWYWFvXwZP6Qlr5E_Qj0nK4Mdu1q98X_USVXioN74tcvIs


Tadeusz Różewicz - nga BOTIMET POETEKA

BOTIMET POETEKA - Tadeusz Różewicz - poezi mbi POEZINË. "Poezia-vazelinë, që u lëngëzon sytë lexuesve, që të bën të mendosh mirë për shpirtin tënd, për hënën, yjet, rendin e botës – një poezi e tillë nuk do të dilte kurrë nga penda e Różewicz-it." (nga Tom Paulin) 

- Poezia ime

shpjegon asgjë
sqaron asgjë
nuk sakrifikon
nuk i përmbledh fare të gjitha
nuk përmbush asnjë shpresë
nuk krijon rregulla të reja loje
nuk merr pjesë në ndonjë lojë
ka një vend të përcaktuar
që duhet ta zërë
nëse nuk është një gjuhë e kriptuar
nëse nuk flet pa origjinalitet
nëse nuk mbart ndonjë surprizë
qartësisht mbetet ashtu si duhet të jenë
e bindur në vetë nevojën
vargun e vet dhe kufizimet
ajo humbet kështu edhe ndaj vetes
nuk i zë hapësirën një poezie tjetër
as edhe nuk ia merr një tjetre
e hapur për të gjithë
por i mungon misteri
e ka shumë detyra
të cilat s'do t'i bëjë dot kurrë


* * *
kur mbaron poezia
fillon
pafundësia
dëgjoj me kujdes
është shndërruar
për të falurit
tek Zoti
për poetin
një hon hapet
e jeta
vithiset
drita
e heshtur e hënës
dergjet në fund
mbyllur brenda vetë
poetit
një objekt
i vendosur mënjanë
nga ndërtuesit
e urdhrit
të ri
do jetë e pamerituar
balta
pluhuri dhe toka
e hequr
një gur nga qielli
një meteor
i munguar zjarrit


- Lindja e një poezie të re

Dy poezi
nguten nëpër natë
kapur te
njëra-tjetra
format e këtyre poezive
janë moderne
dhe precize
interiorët ndriçohen
përshtatshëm dhe eksperimentalisht
ato bien mbi njëra-tjetrën
të verbra
imazhet
e caktuara
të plasura
të tendosura
pluhurzuar
ndërfutur
forma të shuara
thyejnë linjën
i zënë frymën
ndrydhin tej fjalët
e tresin tej karakteristikat
një përplasje
një poezi e re
poezia e tretë
e lindur në agoni
rrjedh tani përmes
ujërave të fetusit
të njerëzimit
i sapolinduri
me një buzëqeshje misteri
të fshehur
duket i helmuar për rritjen
e krejt - papritur.


- Përshkrimi i një poezie

U përpoqa ta kujtoj
atë poezi
të përkryer
e të pashkruar
gati të pjekur
e formuar natën
e prekshme
ajo zhytej
dhe tretej në dritë të diellit
ajo nuk
ekziston
kohërave kur e ndjeja
mu në majë të gjuhës
e me ankth
ulesha me penën
në dorë
duke pritur me durim
derisa të bindesha
se ishte thjesht iluzion
dhe largohesha tutje
poezia ndoshta ish
një poezi për vetveten
si një perlë
që flet për perlat
dhe një flutur për fluturat
nuk ishte poezi dashurie
as elegji
nuk vajonte
as lavdëronte

nuk përshkruante
as gjykonte
ajo poezi
që më shmangte në dritë të diellit
fshihej tek vetvetja
vetëm ngandonjëherë
ndjej hidhësinë e saj
dhe ngrohtësinë e brendshme
por unë nuk e heq nga
honi i errët e i thellë
mbi bregun e sheshtë
të realitetit
e palindur
ajo mbush boshësinë
e një bote të çakorduar
me një gjuhë të panjohur


- Mbi sipërfaqe dhe brenda një poezie

Pirg i bardhë kripe
mbi pjatëzën e xhamtë
gishtërinjtë gjurmojnë
rrëpirën e hijeve
xixëllimat e kristaleve të imta
Kripa e bardhë
mbi pjatëz
gishtërinjtë e gropojnë
hijezojnë
lëbyrjen (e dritës)
kripa
mbi pjatëz
gishtërinjtë gjurmojnë
dritat e hijeve
shkëlqimin
në hirtore
(bojë-hiri) freskuar mirë
qëndrojnë sasi hiri
verdhëreme e t'bardha
zhubrosen
vërtiten me
fund - cigare
gjurmë të buzëve
në hirtore
turma të hirit gri
shuhen
verdhëreme - të - bardhë
një fund-cigare
thërrmuar me një gisht
aty-këtu gjurmë të buzëve
në hirtore
gunga të ftohura
të hirit
një fund - cigare e bardhë
gishtërinjtë - thërrmuar
gjurmë buzëkuqi
qyp i mbushur me reçel
tufë e roztë
me lagështinë e errët
të së brendshmes
anët transparente
bimët e errëta
përgjatë anëve
lagështia djersit
gungën në qypin jeshil
pikëza drite
fara të dobëta të errëta
mbi një pjatë
të bardhë kineze
mbas një limoni me pore
një vezë
dy domate e mbulojnë
brenda një lëkurë të kuqe tendosur
mbi një pjatë të bardhë
një vezë (e zbehtë) e lëmuar
një limon me një brendësi transparente
dy domate të kuqe
një gotë zbrazur prej çaji
në lugën e xhamtë
nikel - shkëlqyes
në fund të gotës
llumi i një çaji të zi
një gotë
një lugë metali
kafe të lagësht
gjethe çaji
rast spektakli
blu
ditar xhepi
mbishkrim të bardhë
1970
Një mizë mbi një (shkrepëse -)
e pastron kutinë
me krahët e vet transparentë
termusi kinez
gri - bardhë me shenjat e çuditshme
të germave
kontrata e një natyre të qetë
të vockël resht
kuron
sendet për gjumë
miza rregullisht
prek xhamin
pika mban gurin
mbi një pjatë të vockël
kërpudha

kapela të ngrohta kafe
rrënjë të ashpra
spërkatur me tokë
gjysma e vogël e
natyrës - të - qetë në dritë
tjetra pjesë në hije
miza prek dritaren
pas të cilës qëndron
nëna e madhe natyrë
me një grumbull pemësh
një rrugë
dhe një postier
që vjen fare pranë
tek mua
(kah shtëpisë)

- Me ikjen e poetit dhe një treni pasagjerësh

                                            Për Jerzy Lisowski-n
Ai nuk e dinte
sesi do dukej poezia e tij e fundit
as edhe
si do ishte dita e parë
në një botë pa poezi
ndoshta do të binte shi
ndoshta do kishte shfaqje të Shekspirit
dhe një supë domatesh për drekë
apo supë pule me kokërrza
pas një shfaqje të Shekspirit
dhe shiut
muzat nuk i japin as edhe një garanci
se bashkë me frymën e tij të fundit
ai do nxjerrë një mendim të frymëzuar
të kthjellët
shumë më të ndritshëm dhe kështu me radhë
në të gjitha rastet
ai do largohet
tamam si
një tren pasagjerësh
që i ikën koha
prej nga Radomsko deri në Paris
përmes Zebrzydowice


Përkthyen: Astrit Beqiraj dhe Ben Andoni


ALEKSANDRI - Vepra 4 e ETËHEM HAXHIADEMIT

ETËHEM HAXHIADEMI - Vepra 4: "Aleksandri" - tragjedi me 5 akte

Edhe 3 vepra të tjera të tragjedianit të shquar shqiptar-atit të tragjedisë në gjuhën shqipe, Etëhem Haxhiademi, në duart e lexuesit shqiptar. 

Tragjeditë "Aleksandri" - Vepra 4; Skënderbeu - Vepra 5; Diomedi - Vepra 6  i shtohen publikimit të mëhershëm të "Lyra"- Vepra 1; "Pirrua"- Vepra 2; "Abeli" – Vepra 3, sjellë për lexuesit nga "Botime POETEKA" si pjesë e gjerdanit të botimeve "Klasikët e letërsisë shqiptare". 

Vepra 4 - "Aleksandri" - tragjedi me 5 akte, botuar më 1931, sikurse të gjitha veprat e Etëhem Haxhiademit në këtë paraqitje, vjen sipas publikimin e tyre të parë. 

Përveç tekstit autorial, 72 faqe në botimin fillestar, edicioni i vitit 2020 nga "Botime POETEKA"sjell 32 faqe të reja, duke e paraqitur veprën e Haxhiademit në 104 faqe. Kjo paraqitje  zgjeron interesimin e lexuesit të gjerë dhe të studiuesve jo vetëm se kthehet pas 89 vitesh me shijen e origjinalit, estetikën, stilistikën dhe gjuhën e veçantë të këtij autori të shquar, por edhe sepse botimi sjell edhe hulumtime të reja, duke publikuar rishtas 15 skanime profesionale të vitit 1931, 4 artikuj kritikë dhe bibliografi nga Branko Merxhani, Jup Kastrati e Vangjo Nirvana (Vangjel Koça), 8 faksimile nga revistat letrare të kohës ("Leka", "Rilindja", "Përpjekja shqiptare"), që kanë shkruar mbi Etëhem Haxhiademin dhe tragjedinë "Aleksandri", pamje nga posteri, bileta e premierës së tragjedisë "Aleksandri", paraqitur në Konkursin Filodramatik, Tiranë, 1930 si edhe autografë e dedikime të autorit, kushtuar të bitit, Eminit, të cilat i paraqiten publikut për herë të parë. 

Përgatitën botimin: Hortensia Haxhiademi Pellumbi,  Dr. Silvana Leka dhe Dr. Arian Leka.

Total Pageviews