01 July 2020

ETËHEM HAXHIADEMI - Vepra 6: “Diomedi” -

ETËHEM HAXHIADEMI - Vepra 6: "Diomedi" - 
tragjedi me 5 akte, Botimet POETEKA, 2020 - së shpejti në duart e lexuesit...

"Diomedi" - Vepra 6 e Etëhem Haxhiademit - sikurse të gjitha veprat e këtij autori të shquar të letërsisë shqiptare, të cilin Branko Merxhani, në "Përpjekja shqiptare", No. 1, 1936, e quan "një nga punëtorët e paktë që përpiqen me zor' e me qëndrim të na çelën një shteg drejtë një qendre të tillë mendore shqiptare" e që "ka çelë një rrugë krejtësisht të vet dhe vazhdon vijën e tij pa u trumbulluar aspak nga poterret zhurmonjëse t'andrallës s'onë të sotshme" - vjen në këtë paraqitje sipas publikimit të Shtypshkronjës "Kristo Luarasi", viti 1936. 

Në 96 faqet e këtij botimi, veç tekstit autorial, edicioni i vitit 2020 nga "Botime POETEKA" sjell për lexuesin dhe të studiuesit e këtij autori dhe të dramaturgjisë shqiptare në përgjithësi, shijen e origjinalit, që rikthehet pas 84 vitesh, por edhe mjaft hulumtime të reja. 

Rishtas për këtë botim bëhen të njohura 22 skanime profesionale nga botimi i parë i veprës (1936). Po ashtu botohen edhe 16 fragmente të zgjedhur nga artikujt kritikë të kohës kur vepra u botua. 
Emra të shquar, mes të cilëve Branko Merxhani, Jup Kastrati, Vangjo Nirvana (Vangjel Koça), Robert Elsie, Ernest Koliqi, Bardhi Shtylla, Sterjo Spasse, Kudret Kokoshi, Namik Resuli, Jani Lili, Hekuran Lumi (Vedat Kokona), Muhamet Bala, Elvira Tarro, Gjergj Kuka etj., janë shprehur me vlerësime të larta e analizë të thellë mbi "Diemodin" e Haxhiademit. 

Botimi sjell edhe 9 faksimile nga revistat e viteve '30-'40, ku u shkrua mbi personalitetin krijues të Etëhem Haxhiademit dhe rreth tragjedisë së tij "Diomedi", e cila është një nga veprat për të cilat kritika është shprehur më shumë e më gjerë. 

Mbi frontespicin e vëllimit Etëhem Haxhiademi: "Diomedi" – Vepra 6, Botimet POETEKA, 2020, gjendet kushtimi i autorit Etëhem Haxhiademi për të birin, Eminin, lënë më 30.12.1936, që është edhe një dëshmi e dorëshkrimit të autorit.

Edhe ky botim, si i gjithë opusi letrar i Etëhem Haxhiademit, u përgatit nga Hortensia Haxhiademi Pellumbi, Silvana Leka dhe Arian Leka.

Gjerdani i plotë i veprave të Etëhem Haxhiademit, përmban tragjeditë, krijimtarinë poetike, përkthimet dhe kritikë letrare, si pjesë e botimeve "Klasikët e letërsisë shqiptare".

Total Pageviews