07 November 2024

EVELYN BUBICH: Libri u shpall i vdekur

EVELYN BUBICH – në rezidencën letrare "POETEKA – Tirana in Between" – Nëntor, 2024

 

 „Nganjëherë jeta dhe puna me librat është për mua diçka që dëshiron të më kujtojë një qetësi të çuditshme në mes të detit me stuhi"


„Puna e librit është si puna e lugës, e çekiçit, e rrotës apo gërshërës: Me t'u shpikur, nuk ke se ç't'u përmirësosh më.„ Kështu e shprehu Umbero Eco para rreth dhjetë vjetësh me këmbëngulje pa ekuivoke dashurinë e tij për librin, kur shkrimtari francez Jean-Claude Carrière i kërkoi mendim për jetëgjatësinë e mediumit libër në kuadër të një projekti të përbashkët. 

E përnjëmend të krijohet pak përshtypja (subjektive) se libri para një dekade u shpall i vdekur, gati-gati me vendosmëri shumë më të madhe sesa ç'duket sot dhe kjo, pavarësisht rënies së xhiros me 6% në tregun gjerman të librit sipas vlerësimit të përgjithshëm (2009-2017).  E po të shikosh vlerësime të tjera statistikore si p.sh. ato që marrin parasysh libraret dhe librarët në Gjermani, vetëm lajme miqërose ndaj librit që nuk gjen: Në vitet 2012-2017 numri i tyre ra me 20% duke shkuar në 29,6 milionë. Kështu, në vitin 2017 vijonin të blinin ende libra 35% e gjermanëve, kurse 53% e 1024 austriakeve dhe austriakëve të pyetur në vitin 2018 deklaruan se gjatë vitit të fundit kishin blerë së paku një libër.      

Një ballafaqim me këto shifra dalluese statistikore të kësaj lamie për shkak të profesionit, të cilat shpallin një rënie të vazhdueshme të interesit të përgjithshëm për librat (dhe këtu nuk bëhet fjalë për asgjë më pak sesa perceptimi social i mediumit libër), ndikon më fort negativisht, në varësi të natyrës së individit, edhe në perceptimin personal.

Kështu që le ta afrojmë edhe njëherë përshtypjen subjektive të përmendur pak më lart në dritën e fanarit ndriçues që të mund të kthehemi në bregun e optimizmit, paçka se pak të fshikulluar nga valët: Një strategji mbijetese, që njeriu e përshtat vetë si „njeri i librave", qëndron ndër të tjera edhe në atë që t'i qasesh pesimizmit mbizotërues të kësaj fushe me një përshatje jete (post)moderne prej Don Kishoti kundër mullinjve të erës, në mënyrë që fakteve negative t'u vësh përballë edhe disa pozitive. 

Dhe atëherë librat nuk i kanë punët edhe aq keq – e as bota që i krijon, sepse ndërkohë që libri prej pothuajse gjashtë shekujsh na rrëfen histori/historira në këtë formë, një model konkurrues i tij, Netflixi, tashmë 22 vjet pas krijimit të vet nuk godet më me ndonjë pasuri kushedi se sa të madhe idesh. Aspektet pjesërisht pozitive të digjitalizimit, konvergjencës mediatike apo intermedialitetit do ta ndryshojnë librin si medium, por veçoritë e tij bartëse të tekstit dhe figurës nuk do t'i zbojnë dot plotësisht – edhe pse forma e librit, veçoria e tekstit  apo manovrimi me autorësinë ndoshta duhen rimenduar.  

Nganjëherë jeta dhe puna me librat është për mua diçka që dëshiron të më kujtojë një qetësi të çuditshme në mes të detit me stuhi – për miliona e miliona lexuese dhe lexues të tjerë me gjasë nuk do të jetë ndryshe.               

                       Përktheu Sabina Dhrimo


Evelyn Bubich është fituese e bursës për autorë e përkthyes të rezidencës letrare "POETEKA - Tirana In Between". Gjatë muajit nëntor 2024 ajo do të qëndrojë në Tiranë për të realizuar projektin e saj letrar, që vjen si pjesë e bashkëpunimit kulturor që POETEKA ka prej vitesh me Ambasadën e Austrisë në Tiranë, mbështetur nga Raiffeisen Bank, Shqipëri. Evelyn Bubich ka studiuar ndër të tjera edhe Letërsi të krahasuar dhe merret me botime, me redaktime dhe me marrëdhënie me publikun. Për më shumë rreth autores mund të mësohet më linkun

https://www.textzeit.at/?fbclid=IwY2xjawGZRNVleHRuA2FlbQIxMAABHS9p0l6mZeGCo21LTGEli9IXbud92LWG_Tn8oect6n1h6U24WxxnDoZpEg_aem_vyLQ85kKlKvH3bXh3qm3uA

. 



Total Pageviews