30 October 2024

Arian Leka në "Nesa isla hai pantasmes - Selección de poesía contemporánea global",

Poezi të Arian Lekës, nga "Hartë memece për të mbyturit", botohen në "Nesa isla hai pantasmes - Selección de poesía contemporánea global", Ediciones Trabe 2024. Në këtë antologji Arian Leka përfaqësohet me poezitë 'Fëmijët e bregut jugor të Shqipërisë', 'Hartë memece për Otranto', 'Lule me postë', 'Venë e prerë', 'Njolla', 'Plumb, bakër, ar, dyll', dhe me poemën 'Auschwitz detar'.
Përurimi i antologjisë u bë në Oviedo, Asturias, më 26 tetor 2024, nga Ciclu de Poesía (QED). Hartues të antologjisë janë dy nga shkrimtarët më të shquar në botën letrare asturiane, Miguel Rodríguez Monteavaro dhe Pablo Texón Castañón, i pari poet në dy nga gjuhët, asturiane dhe galike dhe i dyti, poet, narrator dhe autor tekstesh për grupe muzikore.
Pas spanjishtes dhe galicishtes, asturianishtja u bë gjuha pritëse e poetikës bashkëkohore dhe vjen si fryt i edicionit 10-të të Punëtorisë Ndërkombëtare të Përkthimit Poetik në ishullin San Simón (Pontevedra) 2021-2022 "Con barqueira e remador", koordinuar nga poetja galike Yolanda Castaño. Kjo antologji është produkti i përsosur i atyre takimeve, ku autorët nga bota përkthyen në gjuhët e tyre poezitë e njëri-tjetrit përmes përkthimit bashkëpunues.
Poezitë dhe poemat e kësaj antologjie janë përkthyer në spanjisht, asturianisht, galicisht dhe oksitanisht nga shqipja, anglishtja, greqishtja, suedishtja, sllovakishtja dhe flamandishtja. Secila prej gjuhëve ka shkallë të ndryshme dallimi e përafrimi ndaj tjetrës, por të gjitha paraqesin letërsinë bashkëkohore, me historinë dhe prirjet e tyre të veçanta dhe bashkëjetojnë si poetikë globale brenda asturianishtes në antologjinë "Nesa isla hai pantasmes - Selección de poesía contemporánea global."

28 October 2024

Evelyn Bubich në rezidencën letrare “POETEKA - Tirana In Between”

Nga data 1 deri në 30 nëntor 2024, shkrimtarja austriake Evelyn Bubich do të qëndrojë në rezidencën letrare "POETEKA - Tirana In Between", si fituese e bursës për autorë e përkthyes letrarë dhe si pjesë e bashkëpunimit kulturor që POETEKA ka prej vitesh me Ambasadën e Austrisë në Tiranë, mbështetur nga Raiffeisen Bank, Shqipëri.

Lindur në Klagenfurt, në vitin 1988, Evelyn Bubich ka studiuar letërsi krahasimtare, ka kryer gjithashtu shkollim për mediat digjitale dhe menaxhim përmes komunikimit. Jeton si shkrimtare, recenzente dhe redaktore e pavarur, duke punuar njëkohësisht si edukuese për ndërmjetësimin letrar te lexuesi. Ajo është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve austriakë.
Evelyn Bubich ka shkrua poezi, prozë poetike dhe prozë, të cilat i ka paraqitur në revista dhe në shtypin e përditshëm austriak, të tilla si Buchkultur, Buchmagazin Buchkultur, Spectrum | Die Presse, Kulturmagazin Tagebuch, Online Buchmagazin des Literaturhauses Wien dhe Lyrik-Plattform. Pjesa më e spikatur e krijimtarisë e saj është përfshirë në disa antologji dhe është përfshirë në programet radiofonike të leximit letrar, ku ajo ka dhënë edhe mjaft intervista. Ajo organizon veprimtari letrare dhe punon si redaktore për shtëpi të njohura botuese, mes të cilave Czernin Verlag, Danube books, De Gruyter, Harper Collins etj.
Përveç shfaqjeve të leximit autorial performativ, Evelyn Bubich punon për romanin e saj të parë, skrimin e të cilit do e vazhdojë edhe gjatë qëndrimit në rezidencën letrare "POETEKA - Tirana In Between", ku ajo do të hyjë në lidhje me skenën kulturore shqiptare, do të marrë pjesë në veprimtari leximi autorial organizuar nga POETEKA si dhe në 14 nëntor 2024 do të jetë pjesë e programit të leximeve autoriale në Lyrik-Festivals PoesieGalerie.
https://www.textzeit.at
Ndër vite dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë në Shqipëri, POETEKA ka sjellë në Tiranë autorë, përkthyes e artistë të shumtë, si Robert Menasse, Erwin Einzinge, Christian Thanhauser, Ilir Ferra, Laura Freudenthaler, Evelyn Bubich etj., si dhe ka realizuar programe të larmishëm kulturorë, si PostCard: "From Austria With Love", Festivali DADA, etj.

POETEKA - Tirana in Between është një nga projektet kryesore të shoqatës POETEKA, përmes së cilës realizohet Programi Rezidencial për Shkrimtarë, Përkthyes Letrarë dhe Artistë. Që nga themelimi i saj, në vitin 2013, kjo rezidencë pritur më 61 shkrimtarë, përkthyes letrarë dhe artistët, duke u bërë një hapësirë unike në Shqipëri për shkrimtarët, përkthyesit dhe artistët e vendeve të BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Programi "POETEKA - Tirana in Between" është zbatuar në kuadër të projekteve "Reading Balkans" dhe "Translation in Motion" të bashkëfinancuar nga TRADUKI, rrjeti europian për letërsinë dhe librat dhe Programi i "Europës Krijuese" të Bashkimit Evropian, si dhe nga Ambasada. të Gjermanisë, Goethe Zentrum Tirana, Ambasada e Austrisë dhe më hershëm edhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Së fundmi, "POETEKA - Tirana in Between" është përfshirë në Hartën e Rrjetit Europian të Rezidencave të Përkthimeve Letrare (RECIT – Réseau Européen des Centres de Traducteurs).

Total Pageviews