Theresia Töglhofer është shkrimtarja fituese e bursës për qëndrim në ë Rezidencën Letrare POETEKA - Tirana in Between, tetor 2025, veprimtari si që vjen si pjesë e bashkëpunimit kulturor që POETEKA ka prej vitesh me Ambasadën e Austrisë në Tiranë.
Romani i saj "Tatendrang" (Residenz Verlag, 2024) sjell një pasqyrë të mprehtë të brezit të ri europian që hyn në skenën institucionale të BE-së me idealizëm dhe dëshirë për ndryshim, por përballet me realitetin kompleks të burokracisë, interesave të fshehta dhe kompromisit politik.
Përmes historisë së Hanna Fürst, një praktikante në "Europäische Außenzentrale", autorja shpalos kontrastin mes vizionit për një Europë të bashkuar dhe pengesave që e mbajnë atë pezull.
Projekti për paqe mes dy shteteve bëhet metaforë e procesit të integrimit europian – përplasja mes ëndrrës dhe realitetit, mes idealizmit të rinisë dhe kufizimeve të sistemit. Një reflektim i thellë mbi ambicien, moralin dhe mënyrën si ndryshimi kërkon më shumë se vetëm dëshirë.
Më shumë rreth kësaj vepre do të flitet në bashkëbisedimin mes shkrimtarëve Theresia Töglhofer dhe Arian Leka, më 30 tetor 2025, në Hemingway Bar, ora 18.00.
Gjatë qëndrimit të saj njëmujor në rezidencën shqiptare Töglhofer do t'i përkushtohet krijimtarisë letrare dhe do të marrë pjesë në aktivitete publike - lexime autori, bashkëbisedime apo veprimtari letrare në Tiranë dhe Shkodër — të organizuara nga POETEKA në kuadër të Javës Kulturore Austriake 2025, si dhe një takim me lexues në Prishtinë.
Në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë në Shqipëri, POETEKA ka sjellë prej më shumë se një dekade në Tiranë autorë, përkthyes e artistë të shumtë, si Robert Menasse, Erwin Einzinge, Christian Thanhauser, Ilir Ferra, Laura Freudenthaler, Evelyn Bubich si dhe ka realizuar programe të larmishëm kulturorë, si PostCard: "From Austria With Love", Festivali DADA, etj.