Jasna Dimitrijević: Të shkruash për të lënët mënjanë
Nëse do të kishte dy elemente që do e identifikonin Dimitrijeviç si shkrimtare do të ishte proza e shkurtër dhe subjektet e marra nga jeta margjinale. Tregimet e saj sillen gjithnjë rreth grupeve margjinale; emigrantë, refugjatë, gay, njerëz nga shtresa të varfra, me probleme sociale.
Tregimtarja serbe flet se si hoqi dorë nga kritika letrare për t'iu përkushtuar krijimtarisë, vështirësitë në botim të një zhanri që nuk përfillet shumë nga botuesit e mëdhenj dhe hapat e ngadaltë për ndërtimin e urave mes letërsisë së dy vendeve, Serbisë e Kosovës...
Nga Suadela Balliu
Gjatë studimeve për Letërsi nuk shkroi as edhe një rresht krijimtarie. Ngurrim që e mori me vete për dhjetë vite. Derisa një ditë, u ul përpara kompjuterit për t'u ngritur prej aty me një tregim të shkurtër. E kish mbajtur gjatë brenda vetes për ta çliruar në një ditë të vetme. "Ishte historia e një emigranti në Holandë" kujton Jasna Dimitrijeviç, prozatorja serbe, e cila muajin maj e kaloi si vizitore në kryeqytetin shqiptar, si fituese e rezidencës letrare "POETEKA – Tirana in Between – 2017", program që mbështetet nga rrjeti europian për letërsinë dhe librat – TRADUKI, nuk marrin pjesë Austria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Gjermania, Kosova, Kroacia, Lihtenshtejn, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Zvicra.
Kanë kaluar shtatë vite nga ai tregim i shkruar, që më pas u përkthye edhe në gjuhën gjermane, e prej atëherë ajo ka botuar librin e parë me tregime "Prepoznavanja" (Njohje) dhe pret të botojë së shpejti të dytin, sërish me tregime. Nëse do të kishte dy elemente që do e identifikonin Dimitrijeviç si shkrimtare do të ishte proza e shkurtër dhe subjektet e marra nga jeta margjinale. "Në Serbi tregimet nuk janë trend, që të bësh emër në fushën e letrave duhet të shkruash një roman. Është pak ofenduese kur njerëzit më thonë shpesh kur unë u them kam botuar një libër, reagimi është: "Oh, një roman!" Jo, u them, me tregime. Pastaj thonë -dhe kjo është më fyesja- "Kur do e presim romanin?". Dhe unë u them: "Kurrë". Nuk jam njeri romanësh. E di se tregimet janë sfond për roman. Mund të jenë romanë, por përse duhet?! Dua të eksploroj më shumë në tregime". Tregimet e saj sillen gjithnjë rreth grupeve margjinalë; emigrantë, refugjatë, gay, njerëz nga shtresa të varfra, me probleme sociale. "Janë histori vendëse, me sfond në Serbi apo në rajon. Sigurisht që pas tyre ka diçka rreth shoqërisë dhe politikës".
Megjithëse ka qenë aktiviste në organizata me bazë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, nuk e quan veten të tillë, kur e pyet mbase është ky ndikimi i fortë mbi prozën e saj. "Nuk e quaj veten aktiviste. Jam në disa raste, por kur e them më duket sikur gënjej. Nuk jam gjithnjë aktive. Ka kohë që e kaloj në izolim, kur nuk dua të di se çfarë ndodh me shoqërinë apo me botën dhe nuk mendoj se jam gjithnjë gati të merrem me probleme sociale apo padrejtësi, por është gjithnjë diku në mendjen time dhe në sfond të prozës sime. Jam e ndikuar gjithnjë nga këto subjekte" –thotë ajo, duke shtuar se mendon se përmes trillit të saj letrar, i duket se po gjen zgjidhje të problemeve në botë. "Së pari, dua të bëj veten njeri më të mirë përmes letërsisë sime", thotë ndërsa shton se këtë nuk e ka deklaruar kurrë më parë, e aq më pak në gjuhën angleze, si i vetmi mjet komunikimi mes dy njerëzish në Ballkan, ku e intervistuara nuk di shqip e as intervistuesja nuk njeh kurrfarë fjale në serbisht. Mesazhi që përçon ecën gjithnjë me dëshirën për të bërë art. Ajo nuk e harron qëllimin apo ambicien për të qenë shkrimtare. "Unë dua të krijoj art, së pari. Stili dhe kompozicioni është shumë i rëndësishëm për mua. Kështu gjej mënyrën si ta them një mesazh. Kur ka vetëm një mesazh të thjeshtë, nuk dua të botohet. Kjo është më shumë një empati sesa mesazh". Një nga tiparet dalluese të të shkruarit të saj, është dëshira për ta ditur gjithnjë fundin e një tregimi. "Nuk ulem të shtyp pa e ditur fundin". Edhe pse mund të tingëllojë si e fiksuar për të pasur gjithçka nën kontroll, jashtë spontanitetit, nuk i shpëton dot njëjtësimit me personazhet. "Shpesh e vendos veten në pozitën e karakterit kryesor që është i shtypur, ndonjëherë në petkat e dikujt që po shtyp. Ndonjëherë më ndodh të shkruaj në vetë të tretë dhe ato janë momentet ku bëhem shumë emocionale dhe duhet ta shkëpus veten nga personazhi. Por më pëlqen kur shkruaj në vetë të parë, sepse mund të jem më ironike dhe kur jam ironike me personazhin në vetë të tretë duket si cinike dhe moralizuese, e moralizimin përpiqem ta shmang". Të shkruarit e sheh si një rrugë për të kuptuar botën, për ta parë në një kënd ndryshe, për të hyrë në lëkurën e një tjetrit. "Ndonjëherë iu jap personazheve diçka nga kujtimet e mia personale, mendime, objekte, sende dhe kur ia dedikoj një personazhi të keq është e dhimbshme por dua ta bëj, si për shembull t'i jap këngën e fëmijërisë një njeriu të keq". Përpara se të njihej si shkrimtare, Jasna Dimitrijeviç njihej si kritike letrare. "Kam shkruar kritikë letrare, më shumë reviews, sepse ishte një pozicion pak i vështirë të shkruaj kritikë, ndërsa po përpiqem të jem vetë shkrimtare. Në një pikë, kuptova se isha shumë e butë me ta dhe ishte shumë keq për kritikën, por edhe për mua. Kështu që hoqa dorë". Ka kontribuuar në kolonën e kritikës letrare në revistën serbe "Beton" e më pas në revistën kroate "Booksa". "E lashë sepse doja të bëja diçka që të më përmirësonte mua si lexuese, njeri dhe shkrimtare dhe jo të lexoj gjithçka, edhe letërsi të keqe. Pikërisht në kohën kur hoqi dorë nga të shkruarit kritikë letrare lindi zyrtarisht shkrimtarja. Libri i saj i parë me tregime u botua pasi u shpall fitues i vendit të parë në konkursin e krijimtarisë në dorëshkrim, organizuar nga Biblioteka Karlo Bijelicki (Sombor), si dhe u përzgjodh në shortlistën e librave më të mirë që konkurronin për çmimin kombëtar Biljana Jovanoviç dhe Dusan Vasiljev (2015), e prej këtej më pas u bë fitues i çmimit Mirko Kovaç për shkrimtarët e rinj, në hapësirën e ish-Jugosllavisë.
"Tani po punoj për një libër të ri. Kam pesë e gjashtë tregime dhe i kam lënë vetes një afat, deri të dielës, sepse të hënën kthehem në shtëpi dhe dua ta kem gati për ta çuar te botuesit. Erdha këtu me idenë për të shkruar tregime rreth punëve të reja, të shpikura këto 20 vitet e fundit". Kur flet për këto punë apo 'profesione' që ajo i quan të reja ka parasysh ata që punojnë si audiencë në talk show, ata që paguhen për ti bërë pazarin në market dikujt, një maskotë, një shkrues anonim i komenteve pozitive për një kompani në rrjetet sociale. "Këta shkrues anonimë shpesh përdoren nga politikanët dhe në Serbi, shpesh tallemi me këtë fenomen, duke i quajtur këta njerëz botë, shkurtim i robotë. Këto tregime ka dy vjet që i mbaj me vete. Po punoja mbi diçka tjetër, por këto subjekte ishin në mendje dhe nuk mund t'i shmangia. Kam qenë gjithnjë e magjepsur nga një fenomen matematikor si Sekuenca e Fibonaçit dhe shkrova një tregim me këtë titull. Kështu dua ta titulloj edhe librin, por varet nga botuesit". Si kritike letrare i kanë rënë në duar autorë jo vetëm serbë, por të hapësirës ish-jugosllave, ndërsa si lexuese, letërsinë shqipe e njeh pak. "Nga Shqipëria i përkthyer është vetëm Kadareja", thotë ajo, ndërsa nga fqinjët, autorë të Kosovës rrëfen se ka lexuar disa, ndër ta Veton Surroin për të cilin shprehet se fare mirë mund të kuptohej e perceptohej nga lexuesi serb. "Kam lexuar gjithashtu një libër nga Dori Basha dhe Red Bajraj që ishte i pari i përkthyer pas luftës. Kam lexuar edhe poezi nga Arben Idrizi. Gjuha është një tjetër mur me Kosovën. Ndaj patëm idenë e konkursit "Biber". Deshëm ta thyenim atë barrierë e të gjenim një shteg". Jasna Dimitrijeviç ishte bashkë organizatore e konkursit të parë "Biber", mbi tregimin më të mirë shkruar rreth pajtimit, konkurs i organizuar për tregimet e shkruara në gjuhën shqipe, maqedonase, boshnjake, malazeze, kroate dhe serbe, ku nga Shqipëria konkurrente ishte shkrimtarja e re Lindita Komani.
"Me vendet e tjera të rajonit mbajmë kontakte nëpërmjet festivaleve të ndryshme letrare, por na ndihmon edhe gjuha. Në Kosovë është festivali "Polip" dhe mendoj po ndodh diçka, një urë. Po shkojmë diku por me hapa të vegjël, shumë të vegjël". Deri tani nismat thotë ajo vijnë nga individë, ndërsa shteti vetë nuk ka ndërmarrë ndonjë të tillë që do i afronte dy vendet, të paktën përmes artit. Në Tiranë është hera e parë që vjen dhe thotë se qytetin, për thuajse një muaj ka mundur ta njohë duke u futur në rrugicat e panjohura, aty ku ka pak luks e më shumë varfëri. "Kjo e bën qytetin të gjallë dhe kjo më shijon. Një ditë udhëtova drejt Shkodrës dhe pata një përvojë të paharrueshme. Njoha një grua rreth të tetëdhjetave, ulur pranë meje. Biseduam gjatë gjithë rrugës dhe u morëm vesh për bukuri, vetëm me duar. Ajo më pyeti nga vija dhe unë i tregova, më pyeti në isha e martuar dhe më qortoi pse isha veshur aq hollë pasi binte shi dhe ishte ftohtë e më pas u përpoq të më ngrohte. Mendova: "Ajo grua është Ballkani!". Mendoj se do shkruaj diçka rreth kësaj ndodhie", përfundon ajo. Lexuesit shqiptar krijimtaria e saj deri më tani i ka ardhur në formën e poezive të përkthyera nga Qerim Ondozi dhe botuar online në faqen e Facebook të Poetekës. "Por nuk mund të them se jam poete. Më duket sikur po gënjej. Shkruaj poezi vetëm kur nuk shkruaj dot një tregim të shkurtër, kur kam disa materiale por nuk janë mjaftueshëm për një tregim e kështu shkruaj një poezi. Tregimi i shkurtër është formati im, aty ndihem vetja dhe për këtë jam e emocionuar. Nuk dua ta lë tregimin e shkurtër, nuk dua të shkruaj roman e as poezi. Mendoj se kam qenë gjithnjë aty, te tregimi", përfundon Dimitrijeviç, e cila duket se nuk do i ndahet as prozës së shkurtër e as subjekteve që vijnë nga margjinat. Mbase janë më të çiltër, mbase prekin më shumë në thelb të problemeve sociale, mbase krijojnë më shumë empati, mbase të tilla personazhe është e lehtë t'i gjesh kudo, pavarësisht gjuhës, pavarësisht vendeve nga vijnë…