22 May 2018

Intervistë me përkthyesja e mirënjohur Janka Trifonova Selimi - Botimet POETEKA -

Zonja e nderuar dhe përkthyesja e mirënjohur Janka Trifonova Selimi, që për "Botimet POETEKA" solli në shqip vepra të shkëlqyera, si "Hotel Grand", të shkrimtarit kroat Renato Baretić, "Roman natyral", të shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov, esenë "Tespihet prej qelibari", të shkrimtarit nga Mali i Zi, Jovan Nikolaidis dhe së fundi edhe "Fëmijët e Hansenit", të autorit Ognjen Spahić, vjen me një rrëfim të rrallë për jetën dhe përvojat e saj njerëzore e profesionale në Shqipëri. Nderim.  
Bashkëbisedim me gazetaren e kulturës Fatmira Nikolli, stenda "Botimet POETEKA". Në "Ditënetët e Librit"

Për më shumë në faqet e "Gazeta shqiptare", 21 Maj, 2018

Janka Trifonova: Përkthimi e jeta ime me Skënder Selimin, e lumtur që nuk e braktisa më 1960

Fatmira Nikolli – Romani "Hotel Grand" i shkrimtarit të njohur kroat Renato Baretiæ merr shtyse nga ndodhitë e gjysmës së parë të viteve 90 të shekullit të XX, kur ish-Jugosllavia fillon të shthuret dhe "Hotel Grand", nga një "shtëpi e zakonshme", shndërrohet në një çerdhe prostitucioni. Autori vë në qendër një familje dhe fëmijë, që rritet në atë mjedis, pranë nënës dhe babait, që tek merren më këtë "biznes" të fshehtë rreken të ruajnë një imazh të rregullt.
Romani në fjalë i sjellë në shqipe nga 83-vjeçarja Janka Trifonova- Selimi bëhet shkas për një bisedë me përkthyesen. Ajo thotë se "e kam përkthyer me kënaqësi, e në momente të veçanta e kam lënë dhe nuk e kam vazhduar, sepse jam emocionuar ose jam tronditur nga ngjarjet e tij".
Mandej, vetë jeta e Trifonovës, i ngjet një romani. Ishin vitet 1950 kur vajza e re bullgare shkoi për studime në Moskë. Që në vit të parë, u njoh me një shqiptar, Skënder Selimin. Të rinjtë, u dashuruan dhe vendosën të ndërtonin jetën në Shqipëri. Me t'u kthyer, Skënder Selimi vë në skenë baletet e para në Filarmoninë e Shtetit dhe Teatrin e Operës, si "Zarena e humbur", "Zhurale Fadeta", "Laurensia", "Sheherezada", "Anusha" etj. Njëherit, Janka punonte në Radio Tirana- në qytetin që u kthye në shtëpinë e saj të dytë të vetme, kur Shqipëria vendosi të izolohej nga bota.
Në intervistën e saj për "GSh" gjatë festivalit "Ditënetët e librit" (që u mbajt në Muzeun Kombëtar nga KlikEkspo Group 16-20 maj) 83-vjeçarja Janka Trifonova- Selimi rrëfen jetën me baletmaestron shqiptar deri kur ai u nda nga jeta, nisur që nga vendimi i vitit 1960, për të mos e braktisur atë.
Trifonova – Selimi, ka sjellë nën logon "Botime POETEKA", katër shkrimtarë të njohur shquar të Ballkanit "Hotel Grand", të shkrimtarit kroat Renato Baretiæ, "Roman natyral", të shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov, "Tespihet prej qelibari", të shkrimtarit nga Mali i Zi, Jovan Nikolaidis dhe "Fëmijët e Hansenit", të autorit Ognjen Spahiæ. Rrëfimi i mëposhtëm, nis me përkthimin.
-Cilën kohë të Shqipërisë ju kujton "Hotel Grandi", trazirat e 1997-ës?
Më kujton disi trazirat, sepse sollën shumë të këqija. Libri sjell në vëmendje ndarjet e shteteve, ka shumë dhimbje- edhe pse ishte një kënaqësi e mëvetësisë së këtyre vendeve, kishte edhe dhimbje për shkak të shkëputjes nga diçka që e ke jetuar. Personazhi kryesor i romanit rritet në një hotel, ku ndodh diçka e rëndë- hoteli është edhe shtëpi. Ata e edukojnë fëmijën, por në hotelin-shtëpi ka krim, korrupsion, prostitucion. Fëmija njihet po aty me botën tjetër, atë që prindërit nuk ia kishin prezantuar. Sheh vetë gjithçka që ata ia kishin fshehur, njeh trupin e tij dhe bëhet dëshmitar në skena të rënda.
-Pse e sollët në shqip "Romanin natyral"?
Është një vepër postmoderniste, por edhe klasike. Kur historia personale e njeriut shkatërrohet, atij nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëhet mbledhës historish të huaja dhe të kthehet në pjesë të atyre historive. Një tekst shumë i thjeshtë… Një roman që nuk është e lehtë ta klasifikosh në asnjë kategori, një rrëfim i ëmbël dhe i pamëshirshëm, sa i errët, po aq dhe me humor, siç cilësohet nga botimi i tij në frëngjisht, është njëkohësisht "një kryevepër e vogël dhe e plot hijeshi rrëfimi dhe stilesh, të cilat kanë ndikuar që libri të botohet në 17 gjuhë me një sukses të plotë.


-Për të përkthyer "Fëmijët e Hansenit", çfarë ju ngacmoi?
Përmes metaforës brilante komunizëm-lebër, në veprën e tij të mirënjohur, "Fëmijët e Hansenit", shkrimtari malazez Ognjen Spahiæ, sjell me elegancë, por edhe pa mëshirë, pamjet e një bote që lexuesi i ka ndeshur me përmbysjen e regjimeve totalitare: frikën për ta thënë deri në fund të vërtetën, trishtimin, humorin dhe horrorin në kohë krizash. Është fundi i viteve 1980. Europa është gati të ndryshojë
përgjithmonë. Ndodhitë zhvendosen në një cep të humbur të Rumanisë, ku dy burra presin që realiteti dhe fati i lebrozit, që u ka rënë për pjesë, të ndryshojë. Romani, është një tjetër dhimbje e madhe, sepse ka të bëjë me izolimin. Izolimi ka horror e dhimbje, e dëshirë për të shpëtuar, e kur më në fund shpëton, del se je i vetëm, askush nuk të afrohet më.
-A janë shqiptarët e sotëm?
Nuk janë doemos shqiptarët e sotëm, sepse është kohë që jetuam brezi im. Por, nga ana tjetër, ne sot nuk pranohemi. Kemi dalë nga izolimi, por kudo që shkojmë na shohin me sy tjetër, jemi ende brenda spitalit të lebrozëve.
-Sot, 83 vjeçe, sa kujtimet keni lënë pas?
83 vjeçe, doni të thoni që kam jetuar izolimin? Do thosha që kam jetuar kohën time. Më ka rënë për hise, por e kam nisur me një ideal. Me besimin e madh në një ideal. E di se sot të rinjtë nuk besojnë më në asgjë, por ne aq besonim e aq ishim të frymëzuar nga ideali, aq ishim të lumtur. Nuk e di nëse mund të ketë një lumturi të tillë apo jo më, as sikundër nuk e di nëse mund të ketë një zhgënjim të tillë më. Sepse lumturia qe e madhe, por po aq zhgënjimi. Po aq shumë qenë momentet që duhej të mbijetoje edhe pse ishe i zhgënjyer dhe duhej të ecje drejt, të ruaje veten. Unë që isha e huaj duhet të ruaja ende më shumë emrin tim, pikërisht se isha e huaj. Rrugës, dëgjoja që shpesh herë të thoshin, "ajo, bullgarja".
-E vuanit? Ju shihnin si spiune apo thjesht e vuanit ju?
Jo, nuk më shihnin si spiune. Unë kam pasur fat, kam punuar në Radio Tirana dhe atje kam shkuar mirë me kolektivin, edhe pse Albert Minga thoshte se "ne ju shihnim, por nuk ju afroheshim". Nuk na afroheshin vërtetë.
-Kur keni ardhur në Shqipëri?
Unë kam ardhur më 1958 dhe sivjet bëj 60 vjet në Shqipëri.
-Me bashkëshortin u njohët në Moskë. Kur erdhët në Shqipëri, 2 vite më pas, Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Lindjen. E menduat ndonjë moment të iknit?
Më 1961 kur ikën gratë ruse me të cilat unë kisha shumë miqësi, sepse i njihja që nga Moska, një prej shoqeve të mia më tha: a do vish? Avioni po niset dhe ka një vend bosh. Në asnjë çast nuk e mendova që të ikja.
-Po bashkëshorti çfarë ju tha, të rrinit?
Nuk ma tha asgjë. E vendosa vetë. Mund të them se çasti më vendimtar ka qenë më 1961, kur shkova në Bullgari. Im shoq më bëri një telegram ku më thoshte: Nisu sa më parë, se kështu është puna. U thashë prindërve, që duhet të iki. Im atë më kërkoi të mendohesha duke më bërë me dije se "do bëhet njësoj si me Jugosllavinë, do të mbyllen kufijtë". Unë isha me djalin e vogël me vete. U mendova gjatë dhe i thashë: "Nuk kam të drejtë të lë djalin pa baba". Nuk vura veten në plan të parë, nuk mendova për veten. Thjesht nuk doja që djali im, të humbte të atin, siç e kishte humbur im shoq.
Kur arritëm në Tiranë, im shoq më tha se ma kishte nisur telegramin, pasi e dinte që do mbylleshin kufijtë.
-Si e përjetuat ju Shqipërinë, si të vetmin fat tuajin?
Ka qenë e vështirë vitet e para. Më 1962, 1963, 1964 kam vuajtur jashtëzakonisht. Mendova se do mbetesha përgjithmonë jashtë dhe larg njerëzve të mi. U dobësova shumë dhe më mundonte mendimi se do mbetesha këtu, do vdisja këtu.
-Kishit dilema?
Po. Por më pas me kalimin e kohës, çdo gjë shqiptare mu bë e imja.
Im shoq ishte balet-maestro dhe bënte ekspedita, kthehej e më tregonte çfarë bënte. U mësova me çdo gjë.
-Si ka qenë jeta juaj me Skënder Selimin? Ai ishte i njohur e i vlerësuar, por si ishte në raport me ju?
Unë jam e lumtur që kam qenë pranë tij. Nuk kam asnjë peng, asnjë peng për ato vite. Ne, që kur jemi takuar, kemi vendosur të jemi bashkë dhe kemi qëndruar bashkë deri në fund, duke qenë e lumtur për çdo ditë që kam qenë pranë tij.
-Kur vendosët të rrinit me të e jo të ktheheshit në Bullgari, a ju tha bashkëshorti që bëtë gabim? A ndjehej fajtor që qëndruat këtu për të?
Ne kemi pasur lidhje të tillë, sa asnjëherë nuk e kemi vënë në dyshim nëse ai është fajtor, apo unë. Nuk mundesha të bëja atë fajtor, sepse ashtu mund të thuhet edhe se unë isha fajtore për jetën e tij, sepse e çuan pesë vite në Koplik.
-Prej jush?
Mua nuk më lëvizën, por lëvizën tim shoq. Unë punoja në radio dhe jepja mësim në një kurs për gjuhët e vogla siç quhej atë kohë. Skënderi që e çuan në Koplik, u përpoq të bënte çfarë mundej edhe atje. Bënte ekspedita në Malësinë e Madhe, krijoi një grup si ansambël dhe mbrojti disertacionin "Lirika koreografike".
-Ju kërkonte ndihmë Selimi për punën e tij?
Më kërkonte më shumë literaturë për temat që po trajtonte. Për çdo balet që vinte në skenë, unë kërkoja bibliografinë për të mësuar më shumë mbi arkitekturën e epokës, historinë, kostumet, e jo vetëm. I ndante me mua idetë e konsultohej. Por ai nuk kënaqej asnjëherë me atë që bënte.
-Kur u rikthyet në Bullgari?
Një herë pas 12 vitesh më 1972. Më pas më 1981 dhe pas 1990-ës. '90-ta ishte shumë e dhimbshme, sepse na u tha që mund të bëni kërkesë për pasaportë. Ikëm bashkë, unë me tim shoq dhe me djalin. Djali kishte lindur në Bullgari, por tani që do shkonte atje, do të vizitohej, se ishte i sëmurë. Unë e humba atje djalin, e u ktheva pa të.
-Kur keni filluar të përktheni?
Kur ishim në radio përkthenim pjesë letrare si "Kështjella" e Kadaresë. Kur kishte përvjetore poetësh e shkrimtarësh, e drejtori Thanas Nano na jepte 'viston' për përkthimet e leximet e ndryshme që duheshin bërë. Ndërsa, pas 1990-ës qe krijuar një kënd në një revistë për letërsinë ballkanike dhe nisa të përktheja tregime.

Total Pageviews