"Botimet POETEKA" sjellin për herë të parë për lexuesin shqiptar vepër madhore për poezinë. Është përmbledhja e krijimtarisë së gjerë poetike të autorit të shquar polak Tadeusz Rozewicz.
Përveç poezive të qëmtuara me kujdes dhe që përfaqësojnë faza të ndryshme të krijimtarisë së këtij autori, botimi "Tadeusz Rozewicz – Përmbledhje poezish" shoqërohet edhe nga dy tekste që vihen në ndihmë të lexuesit për të komunikuar më mirë me krijimtarinë dhe për të pasur në duar disa çelësa, pa të cilët zor se mund të hysh brenda poezisë së njërit prej poetëve emblemë për shekullin XX si Tadeusz Rozewicz.
Dy emra të njohur në nivel ndërkombëtar, Tom Paulin me esenë "Fshehur në vetvete: poezia e Rơżewicz-it" dhe John Osborne, me esenë "Tadeusz Różewicz: Gërsheti" i bashkohen këtij botimi. Poezitë dhe esetë u përkthyen nga Astrit Beqiraj e Ben Andoni. Botimi u krye nga "Botimet POETEKA" në bashkëpunim me Institutin Polak të Librit.
Tadeusz Rozewicz për poezinë e tij. "Ne e kemi mësuar gjuhën nga mbishkrimet nëpër mure, këta njerëz dhe unë. Ajo ç'ka kam krijuar është poeti për të humburit nga tmerri. Për ata që janë shpënë në kasaphanë. Për të mbijetuarit."
Silvana Leka: (dy fjalë për autorin) Tadeusz Różewicz (1921-2014) - poet, prozator, skenarist, përkthyes dhe dramaturg - i përket brezit të parë të shkrimtarëve polakë të lindur pasi Polonia rifitoi pavarësinë në vitin 1918. Ai mbetet një nga vijuesit më të rëndësishëm të poezisë madhështore polake të shekullit XX dhe ndjekës i denjë i rrjedhave letare ndërkombëtare të avant-gardës. Emri i tij përmendet shpesh si kandidat për Çmimin Nobel.
Duke e filluar krijimtarinë që nga viti 1944, Tadeusz Różewicz krijoi 15 vëllime shumë të njohura e të vlerësuara me poezi, të përkthyera në 50 gjuhë të botës. Ai solli një formë të re poetike dhe ishte gjithashtu mjaft novator në dramaturgji, duke rindërtuar ndjenja e kuptime të tjera mbi jetën në përfundim të tragjedisë së Auschwitz-it. Sipas Theodor Adorno-s, pas kësaj traume të kryer nga njeriu, zor se kishte më vend për ndjenja delikate, përmendjen vend e pavend të fjalës "humanizëm" dhe thuajse pamundësi për të shkruar ndonjë gjë autentike. Në këtë kontekst, poezia "tepër të thjeshtë", e Tadeusz Różewicz-it ka stil prej asketi, me mënyra shprehjeje që mund ta kuptojë edhe fëmija.
Për t'i shpëtuar regjimit komunist, Różewicz-i u largua nga Polonia në vitin 1950. Rrëfimi i tij hidhur, por gjithë përulësi i drejtohet "të kaluarës bashkëkohore" dhe ilustron dramat e jetës së sotme. Gjuha e poezive të Tadeusz Różewicz-it përputhet me personalitetin e shpërbërë njerëzor, me gjendjen e njeriut të çliruar, por të humbur mes botës formale e të zvetënuar. Edhe sot poezia e Różewicz-it tingëllon mjaft bashkëkohore, pasi autori shpreh ankthet e trazimet e një brezi të përcaktuar nga lufta. Ai i shfaq lexuesit një botë të vlerave relative, njeriun e objektizuar dhe të sunduar nga biologjia apo teknologjia.
Tom Paulin: Poetë si Różewicz-i flasin së brendshmi për mungesë besimi në shumë doktrina të cilave, ne këtu në Perëndim, u përmbahemi gjysmëvetëdijshëm dhe verbtazi. Poezia e këtij poeti e ka flakur tej cilësorin "prekëse", çka nga kritikët e vendit tim i është ngjitur poezisë, si tipar i ndonjë bombe të padëmshme, boshe, që ata e admirojnë. Poezia-vazelinë, që u lëngëzon sytë, që të bën të mendosh mirë për shpirtin tënd, për hënën, yjet, rendin e botës – një poezi e tillë nuk do të dilte kurrë.
Me servirjen e sendeve të rastësishme, të vdekura, indiferente, publike, Różewicz-i i jep lexuesit mundësinë për reflektim, sesi dora e padukshme e pushtetit dhe padrejtësisë vret gjuhën, ngrin të folmen dhe, në vend të shpirtit të gjallë, ofron skemë të vdekur të formës nga penda e Różewicz-it.
John Osborne: Poezia e delikate e Tadeusz Różewicz-it, ngjan si gjurmë amebe mbi xhamin e mikroskopit. Poetët polakë, mes të cilëve edhe Różewicz-i, shkruanin mu në prag të heshtjes, duke testuar çdo fjalë kundër një realiteti kaq monstruoz. Si pasojë e kësaj kemi një poezi që nuk i beson fiksionit të vet, poezi që mëson gjuhën e respektit për të vdekurit dhe që zbulon etikën në kushtet e mungesës së estetikës. Le të marrim për shembull këtë poezinë "Gërshet", të Tadeusz Rozewicz-it.
Pasi të gjithë ngarkesës së grave
ia rruan kokat
katër të ngarkuar me fshesa degë mështeknash
pastrojnë
dhe mbledhin tok flokët
Pas xhamave të pastër
dergjen flokët e kufomave
të mbytur në dhomat e gazit
në këtë floknajë
plot gjilpëra me kokë dhe krehra
Floku nuk goditet përmes dritës
as nuk lëviz dot prej puhisë
s'mund ta prekë ndonjë dorë
as shiu apo buzët
Brenda gjokseve të mëdha
retë e flokëve të thatë
të atyre që u mbytën
qëndron një gërshet i venitur
me një fjongo
tërhequr mbase dikur në shkollë
nga djemtë çapkënë
Muzu – Oshvjençim, 1948
Nëse diçka ekziston vërtet, kjo është poezia, fjalët e të cilës, të zhvoshkura nga iluzionet, flasin përtej nesh dhe për ne, që banojmë interregnum midis gjenocidit dhe shfarosjes së të gjithëve dhe gjithçkaje, midis holokaustit, që është pjesë e së shkuarës dhe diçkaje më shumë rrënuese, të cilën deri tani po mundemi ta vonojmë.