Atmosferë mjaft e këndshme letrare mbrëmë në Hemingway Bar, në takimin përcjellës të shkrimtares dhe studiueses sllovene Sonja Porle dhe shkrimtares e përkthyeses shqiptare Ana Kove.
Veprimtaria u organizua në kuadër të projektit kulturor READING BALKANS-Writers in Residence, e cila prej vitesh realizohet nga POETEKA -Tirana in Between !
Titulli përbashkues i veprimtarive të kë këtij vitit është "Ballkanasit lexojnë / Lexojmë ballkanasit !", si një thirrje për të lexuar autorët vendas dhe ata të vendeve fqinjë. Pjesë e tematikës është edhe dialogu mbi temën "I wanna be a paperback writer" / "Libri che leximi në epokën digjitale".
Pas qëndrimit njëmujor të Sonja Porle-s në Tiranë che Ana Koves në Novo Mesto, Slloveni, autoret ndanë me publikun përshtypjet mbi ato çka kanë të përbashkët dhe ku dallojnë dy kulturat, dy qytetet dhe njerëzit e tyre.
Interpretimi i ditarëve të udhëtimit të Sonja Porle-s nga Kastriot Ramollari, aktor në Teatrit Metropol, bëri që fragmentet e zgjedhura nga "Engjëlli i Zi, Mbrojtësi im" dhe "Ngjyra e çokollatës së ëmbël" të përjetoheshin nga të pranishmit si grishje për njohjen e "Tjetrit" dhe përshkrim të tij në mënyrë të këndshme, delikate, me humor dashamirës.
Pas Shqipërisë dhe Sllovenisë, ditari intim u bë lidhëza tjetër mes krijimtarisë së Sonja Porle-s dhe krijimtarisë së Ana Koves, e cila, përveç rrëfimit të përvojave të saj në rezidencën letrare sllovene, lexoi për publikn dy rrëfime në vetë të parë, nga libri me katër tregime, "Kambanat e së dielës", që autorja ua kushton kujtimit të gjysheve të saj, që e rritën me magjinë e rrëfenjave, të cilat ia ndikojnë jetën dhe krijimtarisë edhe sot e kësaj dite.
Ky takim u përshëndet nga Ambasadori i Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, z. Peter Japelj, që e cilësoi veprimtarinë dhe shkëmbimet e tilla ndërkulturore si ura ndërmjetësimi, që lehtësojnë marrëdhëniet mes dy kulturave dhe afrimin me Europën përmes artit, letërsisë dhe përkthimeve letrare.
Mbrëmja letrare u moderua nga Dr. Arian Leka, i cili solli në kujtesën e të pranishmëmve dhe interpretoi disa fakte kulturore të takimit mes dy kulturave, si jeta letrare e Ndre Mjedës në Goricia (kufiri italo-slloven) përkthimi në shqip i poetëve sllovenë, duke filluar nga poeti i madh romantik France Prešeren e deri te autorët bashkëkohorë Tomaš Šalamun, Drago Jančar, Aleš Debeljak, Juri Hudolin e deri te shkrimtarët në rezidencë Barbara Pogacnik, Barbara Korun, Gašper Malej si dhe përkthimet e autorëve shqiptarë në sllovenisht.