09 May 2022

COLLIDER: Si përçohet letërsia shqipe në botë, çfarë dhe si përkthehet?

Si përçohet letërsia shqipe në botë: çfarë dhe si përkthehet? | JavaNews.al

Nga Astrit Beqiraj

"Letërsia shqiptare, përkthyer në gjuhët e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor, (të dhëna, vëzhgime dhe analiza: 2015-2020)" është titulli i studimit të botuar së fundmi nga POETEKA, me mbështetjen e BE-së, në kuadër të projektit Balkan Translations Collider, bashkëfinancuar nga Programi Creative Europe(European Union in Albania).

Si çështje e dialogut dhe e debatit shkencor, studimi mbi përkthimin e letërsisë shqiptare në gjuhë të huaja e vë theksin mbi procesin përkthimor, përkthyesit, letërsinë e migracionit dhe atë të dygjuhësisë, për të krijuar prej këtej panoramën e funksionimit të kësaj letërsie në kulturat pritëse.  Nga ata tjetër Studimi jo e vetëm konstaton, por edhe e merr në analizë procesin, për të nxjerrë prej aty përvojat.

Përmes kësaj synohet të bëhen të dukshme arritjet dhe problemet e hasura gjatë procesit si dhe mungesat apo vështirësitë me të cilat ballafaqohet sot letërsia shqipe gjatë përkthimit.

Studimi nuk mëton të jetë shterues, por paraprijës dhe fillesë e një rrugëtimi më të gjatë, që do të pasurohet dita-ditës me zgjerimin e zonës së kërkimit dhe elemente të tjerë më gjithpërfshirës.

Nga pikëpamja e gjeografisë së kërkimit studimi prek hartën kulturore të 25 shteteve të kontinentit europian, duke shqyrtuar 19 gjuhë të gjeozonës. Organizimi i lëndës zhvillohet nën termat e dendësisë së shkëmbimit, duke veçuar: I. Zonën e shkëmbimit të lartë; II. Zonën e shkëmbimit të mesëm; III. Zonën e shkëmbimit të ulët. Këtij kriteti i bashkëngjitet edhe ai i intensitetit në shkëmbim, duke veçuar: I. Zonën – letërsi e mirënjohur; II. Zonën – letërsi e njohur; III. Zonën letërsi pak e njohur. Prej këtej, termat "letërsi të vogla", "letërsi të mëdha", "gjuhë minore" apo edhe "literaturë e njohur / e panjohur", paraqiten si referenca identifikuese.

Veç tekstit, Studimi ofron edhe tabela të veçanta për Shqipërinë dhe Kosovën, lidhur me frekuencën e përkthimeve shqiptare drejt gjuhëve të shqyrtuara të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor si dhe grafikë përgjithësues e lista emërore të autorëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, që kanë libra të dhe botime publikuar në organe shtypi gjatë viteve 2015 – 2020, duke besuar se japim një ndihmesë nistore në përmirësimin e skenës letrare të letërsisë shqiptare në përkthim dhe vendosjen e këtij procesi mbi baza të kriteriale të konfirmuara, serioze e domethënëse.

Me këtë rast ky Studim u përurua në mjediset e "Goethe Zentrum-Tirana, ku morën pjesë studiues të fushës së letërisë, përkthyes, përfaqësues të botës akademike e universitare, përfaqësues të institucioneve publike e private, botues, gazetarë etj. Për t'i dhënë një dimension më të plotë dhe për ta pasuruar me të dhëna më të gjera hartën e kërkimit shkencor mbi letërsinë e përkthyer shqiptare, veprimtarisë iu bashkuan të ftuar nga Kosova (studiuesja dhe përkthyesja e njohur Nerimane Kamberi dhe studiuesja e letërsisë Lindita Tahiri), nga Maqedonia e Veriut (shkrimtari dhe përkthyesi Lulzim Haziri), nga Mali i Zi (lektorja e letërisë dhe shkrimtarja Dragana Tripković), shkrimtari dhe studiuesi Ardian Kyçyku, i cili iu bashkua veprimtarisë përmes fjalës përshëndetëse, drejtuesja e Katedrës së gjermanistikës Prof. Marsela Likaj, shkrimtarja dhe përkthyesja Manjola Nasi, përkthyesi Astrit Beqiraj-gjitashtu ekspert mbikëqyrës i Studimit, përkthyesja Elda Gjana-Boriçi, përkthyesi dhe gazetari Ben Andoni, punonjësi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Fari Laçka, botuesi dhe drejtuesi i shoqatës së përkthyesve shqiptarë Rexhep Hida, botuesi Mehmet Gëzhilli, përkthyese me përvoja më të reja, si Armanda Hysa e Jonida Burba, gazetarja e kulturës Dhurata Hamzaj etj., të cilët bashkëbiseduan përgjatë dy orëve me përkthyesin e njohur Edmond Tupja dhe shkrimtarin e studiuesin Arian Leka, që moderuan takimin.

Në takim u theksua se, më shumë se sa mbledhja e të dhënave dhe krijimi për herë të parë i statikës nistore mbi letërsinë shqiptare të përkthyer që, jashtë çdo dyshimi, kanë vlerë të veçantë, Studimi e vështron procesin si çështje të dialogut dhe e debatit shkencor, duke e vënë theksin mbi hallkat e rëndësishme që e shoqërojnë veprimtarinë përkthimore, kriteret që ndiqen në përzgjedhjen e autorëve, rolin e përkthyesit, të institucioneve që operojnë me fonde publike në mbështetje të përkthimit, strategjitë për promovimin e   letërsisë së përkthyer shqiptare drejt kulturave pritëse etj.

U theksua gjithashtu se vlerë e Studimit janë referencat, listat emërore të autorëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, që kanë libra të dhe botime publikuar në organe shtypi gjatë viteve 2015 – 2020, të dhëna që organizohen në tabela e grafikë ilustrues, që qartësojnë vështrimin mbi gjendjen, por edhe mbi prirjet e letërsisë shqiptare në përkthimin e saj drejt gjuhëve të shqyrtuara.

Përtej këtyre, Studimi thekson se duhet që "përmes kërkimesh e vëzhgimesh shkencore, të nxjerrësh nga një sasi cilësinë, jo anasjelltas, dhe të ndjekësh ecurinë e cilësisë", siç theksoi Ardian Kyçyku në "Disa fjalë e pyetje rreth letërsisë dhe statistikave", duke e ditur tashmë se vetë kriteret e vlerësimit të letërsisë në Ballkan, përfshi edhe Shqipërinë, janë shpesh të ndryshëm nga kriteret që përdoren në Europën Perëndimore e më gjerë. Kriteret e atyshme nuk janë përjashtuese, por as nuk bëjnë kompromise në kërkim të një të mesmeje të artë, për t'ia lëshuar hapësirën vendimarrëse jo kriterit estetik dhe vlerës letrare, por polikave të ekonomisë së tregut e prej nga, në shumicën dërrmuese të rasteve, përzgjedhjen e librave të autorëve shqiptarë për përkthim e botim në gjuhët e shqyrtuara e kanë diktuar financat, gjeopolitika, idhujtaria letrare, inercia kulturore dhe snobizmi, duke ndikuar në ecurinë jo normale të letërsisë shqiptare drejt kulturave të tjera e duke bërë që kjo letërsi të përjetojë vonesa, të mos ketë ende një fizionomi të qartë, të përfaqësohet kryesish me libra mesatarë dhe jo me vepra me vlerë e me rëndësi të veçantë, jo vetëm për kulturën kombëtare, por edhe më gjerë.

Përveç ndarjes së përvojave mes të pranishëmve, në takim u propozuan edhe mënyra alternative se si letërsia e përkthyer shqiptare mund të përfaqësohet e përurohet më mirë, rolin e revistave letrare dhe përurimeve jo thjesht në Shqipëri, por në kulturat pritëse ku veprat përkthehen, krijimin e një çmimi kombëtar për përkthyesin e librit më të mirë drejt gjuhëve të huaja, vlerësimin e posaçëm të përkthyesve nga shqipja drejt gjuhëve të huaja, përmes flesave për qëndrim në rezidenca letrare apo në punëtori përkthimore etj.

Disa nga përfundimet e këtij Studimi lidhen me sjelljen e fakteve se Letërsia e shkruar në gjuhën shqipe është e rrethuar nga zona me fluks të ulët ndërveprimi, duke qenë jo mjaft aktive dhe jo fort e pranishme në fushën e përkthimit / botimeve në gjuhë të huaja të vendeve Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor. Në rastet më të shpeshta dhe për një kohë të gjatë, ajo është shfaqur dhe vetëparaqitur si një "letërsi pak e njohur", ndërsa përsa u përket zhanreve, në të gjitha hapësirat e hulumtuara të letërsisë shqiptare të përkthyer, botimet më të shpeshta janë kryesisht të zhanrit letrar prozë (romane dhe tregime), ndërkohë që poezia, proza e shkurtër, skica dhe ese, përfshi edhe ato me natyrë kritike, shoqërore, ose filozofike, botohen shumë më tepër në revista letrare-kulturore, sesa si vëllime më vete – libër, format elektronik apo audio-book. Vihet re një përpjekje autorësh ende të pakonfirmuar për t'u zhvilluar më parë nga jashtë, sesa brenda letërsisë prej nga rrjedhin, si prirje për t'iu imponuar sistemiut dhe për të ngjizur hierarki vlerash të paverifikuara vetë brenda sistemit letrar. Ndër përkthyesit që sjellin letërsinë shqipe në gjuhët e shqyrtuara, pak vijnë nga fusha të kualifikimit mirëfilli letrar, sa të mund të cilësohen plotësisht të formuar e të paanshëm. Të dhënat dëshmojnë se, deri tani, shumica e vendimeve lidhur me përzgjedhjen e librave për përkthim nga shqipja e botim në gjuhë të huaja, në vend që të merren nga ekspertët e letërsisë, janë marrë nga nëpunësit e tregut të librit dhe të gjeostrategjive, ose nga qarqe politiko-letrare të interesuara të ruajnë sa më gjatë një status quo, pa mundësi zgjedhjesh të tjera. Mungesa e një baraspeshe estetike dhe logjike mes kritereve dhe vendimeve të përzgjedhjes nuk kanë lejuar që procesi i përkthimit nga shqipja në gjuhët e tjera t'i nënshtrohet harmonisë së cilësisë. E përfaqësuar si më sipër, letërsia shqipe krijon bindjen se paraqit veçse një interes të kufizuar letrar.

https://javanews.al/si-percohet-letersia-shqipe-ne-bote-cfare-dhe-si-perkthehet/?fbclid=IwAR2vv1hynhBU7Eb44dAzaFYbVI7u_59vPsc-JiZj6j22Z4L0hoUhT2xMVRw


#CreativeEurope4Books

#BalkanTranslationsCollider

#CreativeEurope

#StudimiMbiPërkthimin

#LetërsiaShqip


Total Pageviews