"ILI-ILI", shtëpia botuese nga Shkupi, e njohur për emrat cilësorë të katalogëve të saj letrarë, sapo ka publikuar përmbledhjen me tregime të Arian Lekës, titulluar "Shpina e Burrit".
Vepra është sjellë në maqedonisht prej origjinalit, nga përkthyesi i mirënjohur Kreshnik Ajdini, lekturimi letrar nga Sasho Kostovski dhe ballina nga Marija Smilevska
Janë 24 tregime me tematikën e tranzicionit, eksodeve, vendlindjes dhe fëmijërisë, jetës në socializëm dhe pasojat e saj mbi të sotmen. Mes tyre gjendet edhe tregimi "Brisk", përgjedhur nga Aleksandar Hemon në "Best European Fiction" ( Brothers of the Blade / Dalkey Archive Press, 2011) si dhe tregimi "Paranoja", botuar në "A Good European" përkthyer në gjermanisht nga Zuzana Finger dhe në anglisht nga Jonathan Uhlaner.
"Shpina e Burrit", me përkthim nga e Đorđe Božović, është botuar më herët në gjuhën serbe nga "Partizanska Knjiga", shoqëruar me parathënien e shkrimtarit Srdjan Sdrič. Ky botim është shoqëruar me vlerësime kritike në shtypin letrar dhe mediet kulturore në Beograd dhe Sarajevë, mes të cilëve dallon artikulli i kritikut letrar Đorđe Krajišnik botuar në "Oslobođenje".
"Arian Leka, si shkrimtar, gjykuar nga mënyra e ndërtimit të tregimeve, e ka përdorur padyshim si ushqim të parë letërsinë socrealiste. Mirëpo si autor ai e shpërfill atë dhe dyshemenë e saj e ka shfrytëzuar për të zhvilluar stilin e rrëfimit i cili, jam i lirë ta them, sot përbën një nga markat më autentike autoriale në këtë pjesë të Evropës. Ajo çka përmbledhtaz mund të merret si veçori bazë e tregimeve të Aria Lekës ndoshta gjendet në një fjali të tregimit të tij Terra Firma: ´Gjithçka arriti kulmin. Fabula nuk zhvillohej dot më tej, ndaj duhej bërë gërshetë. Përdora teknika postmoderne-metafiksionin, pastisin, fiksionin dokumentar, shfrytëzova paranojën koletive dhe euforinë e masave, futa edhe diçka nga realizmi magjik dhe….´Shpinë burri na tregon padyshueshmërisht se Arian Leka është një autor ndërmjetësues, që e kapërcen dukshëm një kulturë të vetme, autor që me talentin dhe vrullin e vet hyn në aradhën e mjeshtrave të mëdhenj të kohës sonë.Nëse do të flitnim për konturin tematik të këtij libri të Arian Lekës do të mund të përmendnim tri linja përmbajtimore që gërshetohen. Njëra syresh, e ngulitur thellë në Shqipërinë e postHoxhës, është pikërisht përplasja mes brezave, ndeshje që vjen pashmangshmërisht pas ndërrimit të një sistemi me një tjetër.
Kjo temë gjithsesi është deri diku familjare për lexuesit e hapësirës së Jugosllavisë së dikurshme, vetëm se Leka atë raport e ekzaminon mjeshtërisht në një sërë tregimesh. Autori merret para së gjithash me traumën e atyre që kanë përjetuar torturën e diktaturës së Hoxhës, por edhe të atyre që, të ndodhur nën trysni, lanë vendin. Sindromi i arratisë, i shpërnguljes dhe zbrazjes së Shqipërisë, në një numër tregimesh, shndërrohet në temë që sundon fatin e tyre...Arian Leka është autori që na ndriçon madhërisht kontekstin e letërsisë shqiptare. Ndonëse përkthimi i një libri të vetëm nuk do të thotë zbulim i gjithë letërsisë, gjithsesi, e nënvijëzoj, pa librin Shpinë burri do të kishim mbetur sot e gjithë ditën padyshueshmërisht më të varfër me një zë të fuqishëm tregimtar, i cili, në një formë a në një tjetër, me siguri na përket të gjithëve ne." - Đorđe Krajišnik .