Sot, dt 17 Maj, 2018, ora 12.30, në kuadrin e veprimtarive "Ditënetët e Librit", pranë Atriumi i Muzeut Historik Kombëtar - , bisedojmë jo për "klasikët" dhe "emrat e mëdhenj", por për letërsinë më të re, letërsinë bashkëkohore të Ballkanit.
Një copëz Ballkan nga Ballkoni i Botimeve POETEKA - BALKAN FROM THE BALKONY.
Shkrimtarët e Ballkanit, përkthimet dhe përkthyesit e tyre si dhe roli i botimeve nga "gjuhët e vogla" të gadishullit që, edhe pse muret formalë janë rrëzuar, vazhdojnë të mos komunikojnë mirë mes tyre.
A e njohim letërsinë e "tjetrit fqinj" dhe a kemi ndaj letërsisë së fqinjëve paragjykime? Veprimtaria ka në vëmendje rolin e "Botimet Poeteka", që ka në fokus letërsinë e rajonit apo në letërsinë më të re nga Europa Juglindore.
Veprimtaria moderohet Arian Leka, i cili bashkëbisedon me përkthyesit Ben Andoni dhe Milena Selimi, kontributorë të spikatur të letërsisë ballkanike.
Ligjëratën mbi prirjet dhe zhvillimet e letërsisë bashkëkohore të Ballkanit e mban Dr. Silvana Leka ( "Botimet POETEKA").
E ftuar e veçantë në këtë veprimtari është shkrimtarja, gazetarja dhe psikologja nga Bosnjë-Hercegovina, Emina Žuna, e cila është fituese e bursës së Rezidencës letrare, "Poeteka-Tirana in Between", pjesë e programit "Reading Balkans, 2018"
Dr. Silnava Leka -
Paragjykimet ndaj letërsisë bashkëkohore të fqinjëve
Dy janë format më të shpeshta të paragjykimit, që ndeshen kur flitet për letërsinë e fqinjëve në Ballkan. Pyetjet mund të shtrohen kështu: a besojnë dhe a janë të gatshëm botuesit serbë, kroatë, maqedonas, malazezë, boshnjakë, sllovenë apo edhe më gjerë bullarë, rumunë apo grekë, të besojnë se prej autorëve shqiptarë mund të vijnë vepra me cilësi të lartë letrare?
Apo paragjykimi i tyre ndaj kësaj "letërsie të vogël" dhe "të re" është ende në veprim? A kanë botuesit e kësaj zone dijeni se çfarë po ndodh sot në arenën letrare shqiptare? Apo edhe atyre u mjaftojnë vetëm klasikët dhe nuk duan të ecin mbi akull dhe të zbulojnë emra ende të konfirmuar nga "autoritetet". A janë në kontakt këta botues me botuesit shqiptarë? A ndikojnë tek botuesit e huaj çmimet letrare që jepen në Shqipëri? Kanë botuar ata letërsi shqiptare apo askush nuk dëshiron të rrezikojë dhe ta sfodojë rendin e vendosur letrar?
Ana tjetër e pamjes është përjetimi ynë. Edhe prej Shqipërisë vjen i njëjti mosbesim ndaj letërsisë së re të fqinjëve. Duket se edhe botuesit shqiptarë dhe prej botuesve edhe lexuesit e tyre, mendojnë se kryeveprat e fqinjëve janë shkruar dikur dhe se sot prodhohet diçka që nuk mund të krahasohet me mjeshtrat e letërsisë.
Pak janë në Shqipëri ata që besojnë se letërisa që shkruhet sot në Ballkan ka të njëjtën përmasë, vlerë dhe rëndësi me letërsinë e paraardhësve letrarë.
Besohet se rekordet janë vendosur dikur dhe gjithë sa shkruhet sot nga autorët bashkëkohorë nuk matet dot me kryeveprat e Boris Pahor, Vladimir Bartol, Mirko Kovać, Ivo Andrić, David Albahari, Meša Selimović, Danilo Kiš, Luan Starova, Drago Jančar, Blaze Koneski, Odisea Elitis, Niko Kazanzaqis, Mircea Eliade, Lucian Blaga, Nikolay Haytov, Valeri Petrov etj.
Ky është pakashumë muri i pakalueshëm "bukurisë klasike" me të cilin ushqehen stereotipet e botuesit dhe lexuesit shqiptar. Nëse shkimtarët e rinj të rajonit nuk ngjasojnë me "dinozaurët letrarë" dhe nëse më të rinjtë nuk shkruajnë stilistikisht si ata, duke iu drejtuar temave të tyre "të mëdha universale e kombëtare, letërsia e tyre nuk vlen dhe nuk meriton vëmedje.
(fragment nga kumtesa)