ETËHEM HAXHIADEMI - Vepra 5: "Skënderbeu" - tragjedi me 5 akte, Botimet POETEKA, 2020 - së shpejti në duart e lexuesit...
"Skënderbeu" - Vepra 5 e Etëhem Haxhiademit: - tragjedi me 5 akte, sikurse të gjitha veprat e këtij autori të shquar të letërsisë shqiptare, që ishte "i pari ndër ne që ban tragjedija me vlerë e me teknikë", siç shkruan Aleksandër Xhuvani në vitin 1936 dhe që "me "Skënderbeun" hyri në histori", siç shkruan Vangjel Koça më 1937, vjen në këtë paraqitje sipas publikimin të Shtypshkronjës "Kristo Luarasi", viti 1935.
Përveç tekstit autorial, 84 faqe në botimin fillestar, edicioni i vitit 2020 nga "Botime POETEKA" sjell 36 faqe të reja, duke e paraqitur veprën e Haxhiademit në 120. Kjo paraqitje zgjon edhe më shumë interesimin e lexuesit të gjerë dhe të studiuesve jo vetëm se kthehet pas 85 vitesh me shijen e origjinalit, por edhe sepse botimi sjell edhe hulumtime të reja.
Rishtas dhe enkas për këtë botim publikohen 16 skanime profesionale nga botimi i parë i vepës (1935). Po ashtu botohen edhe 5 artikuj kritikë nga emra të shquar të kohës, mes të cilëve Aleksandër Xhuvani, Branko Merxhani, Bardhi Shtylla (Behar Shtylla), Gjergji Kuka, Jup Kastrati e Vangjo Nirvana (Vangjel Koça), botuar në revistat më të njohura të viteve '30. Botimi sjell edhe 18 faksimile nga revistat "Illyria", "Leka", "Revista Letrare", "Rilindja", "Shkëndija", "Përpjekja shqiptare", të cilat kanë shkruar mbi personalitetin krijues të Etëhem Haxhiademin dhe tragjedisë së tij "Skënderbeu".
Në rubrikën "GALERI" botimi sjell dokumente autentike nga këto revista, përfshi këtu edhe faksimile nga njoftimi i botuar në "Rilindja", No. 32, viti 1936, ku bëhet e ditur se Shoqëria e nxënësve me emrin "Naim Frashëri", pranë shkollës Normale të Elbasanit, do të vërë në skenë tragjedinë "Skënderbeu" të Etëhem Haxhiademit.
Po në këtë rubrikë, krahas fotografisë së autorit Etëhem Haxhiademi me trupën teatrore, që vuri në skenë tragjdinë "Skënderbeu" dhe emrat e aktorëve pjesëmarrës, lexuesit i paraqiten edhe faksimile nga posterit-bileltë, që njofton vënien në skenë të tragjedisë "Skënderbeu" të Etëhem Haxhiademit, më 2 Janar 1937, ku nënvijëzohet se qëllimi i shfaqjes është sjellja e eshtrave të Naim Frashërit në Shqipëri, dokumente këto që i paraqiten publikut për herë të parë.
Mbi frontespicin e vëllimit Etëhem Haxhiademi: "Skënderbeu" – Vepra 5, Botimet POETEKA, 2020, gjendet kushtimi i autorit Etëhem Haxhiademi për të birin, Eminin, lënë në 16 dhjetor 1935, si kujtim në përvjetorin e lindjes.
Edhe ky botim, si i gjithë opusi letrar i Etëhem Haxhiademit, u përgatit nga Hortensia Haxhiademi Pellumbi, Dr. Silvana Leka dhe Dr. Arian Leka.
Gjerdani i plotë i veprave të Etëhem Haxhiademit, përmban tragjeditë, krijimtarinë poetike, përkthimet dhe kritikë letrare, si pjesë e botimeve "Klasikët e letërsisë shqiptare".