08 June 2021

Botimet POETEKA - Rose Ausländer në 120 vjetor

Në 120 vjetorin e lindjes së poetes Rose Ausländer, Botimet POETEKA sjellin poezitë e saj të zgjedhura:  "HESHTJE KUMBUESE" - përktheu nga origjinali: Anna Kove

BILBILI IM
Nëna ime dikur ishte drenushë
sytë ngjyrëmjalti
dhe hiri
i mbetën nga koh' e gazelës

Këtu ajo ishte
gjysmë engjëll gjysmë njeri -
qendërzuar nënë
kur e pyeta ç'do kish dashur të bëhej
bilbil më tha

Tash është bilbil
natë për natë i dëgjoj zërin
në kopshtin e ëndrrës sime të pagjumë
këndon për Sionin e të parëve
këndon për Austrinë e lashtë
këndon për malet dhe ahishtat
e Bukovinës
ninulla
më këndon natë për natë
bilbili im
në kopshtin e ëndrrës sime të pagjumë

Rose Ausländer është një nga poetet më të rëndësishme të gjuhës gjermane të shekullit të 20-të. Vepra e saj përfshin më shumë se tre mijë poezi, përmes të cilave autorja arriti të krijojë një rreth të gjerë lexuesish dhe njohje të gjerë në të gjithë botën, duke u vlerësuar me çmime të shumta letrare. Poezitë e Rose Ausländer-it vërtiten rreth temave të përndjekjes, arratisjes, judaizmit, mërgimit, tëhuajësisë, gjuhës - si mjet shprehjeje, dashurisë, vetmisë, pleqërisë dhe vdekjes. Një motiv tjetër që përshkon veprën e saj poetike është ai i humbjes së atdheut dhe kërkimi i një atdheu të ri. Atdheu i saj është zhdukur: peizazhi i butë kodrinor i Bukovinës, toka e fëmijërisë, ka humbur. Vendlindja e saj ra viktimë e përndjekjes naziste të hebrenjve. Meqenëse bota nuk i ofroi më asaj asnjë atdhe, ajo u detyrua të kërkojë një atdhe jashtë botës. Për të, si poete, ekzistonte kjo mundësi. Ishte "Mëmëdheu - fjalë", që e krijoi vetë. Fjala u bë mëmëdheu i saj shpirtëror dhe i pashkatërrueshëm: "Atdheu im ka vdekur / ata e varrosën atë / në zjarr / Unë jetoj / në mëmëdheun tim / në fjalë". Rose Ausländer kishte ndikim të padiskutueshëm në poezinë moderne gjermane dhe krijoi një vepër poetike magjepsëse, ku pasqyrohen përvojat e jetës së saj plot ngjarje, njohja e të cilave është e domosdoshme edhe për t'i shijuar e kuptuar më mirë poezitë e këtij vëllimi në përkthimin e tyre në gjuhën shqipe.

Përkthimi i këtij libri në gjuhën shqipe u mbështet nga TRADUKI

Total Pageviews