NJOFTIM
PËR SHTYP
MBYLLET
ME SUKSES PROJEKTI I PARË NË MBËSHTETJE TË LETËRSISË DHE PËRKTHIMIT NË
BALLKANIN PERENDIMOR
Gjatë periudhës 2020-2023,
Shoqata Poeteka në bashkëpunim me shoqata të tjera nga rajoni, nën drejtimin e
Fondacionit Next Page, në Sofie, Bullgari ka zbatuar projektin Balkan
Translations Collider të bashkëfinancuar nga Programi Europa Krijuese e
Bashkimit Europian.
Kontributi kryesor i këtij
projekti qëndron në mbështetjen e letërsisë së përkthyer nëpërmjet disa
veprimtarive si botimi i studimi “Letërsia
shqiptare, përkthyer në gjuhët e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit
Perëndimor, (të dhëna, vëzhgime dhe analiza)“. Të dhënat e këtij
studimi pasqyrojnë gjendjen aktuale të përkthimit të letërsisë në Shqipëri dhe
Kosovë. Ky raport studimor, me anë të gjetjeve dhe rekomandimeve u vjen në
ndihmë institucioneve që hartojnë politika kulturore në mbështetje të përkthimit,
botuesve, autorëve dhe përkthyesve.
Duke ofruar një pamje të
qartë të gjendjes së letërsisë së përkthyer, hulumtuesit mëtojnë se ky studim duhet të ndikojë që
kriteret estetike e artistike të letërsisë së përkthyer të ngrihen mbi kriteret
kalimtare, të cilat janë hasur rëndom, kryesisht në dekadat e fundit. Mes të
tjerave, ky studim sugjeron që veprimtaria përkthimore të mbështetet në
kritere, të dhëna shkencore e planifikime strategjike. Në vijim janë organizuar
tryeza diskutimesh me përfaqësues të institucioneve politikëbërëse të letërsisë
dhe kulturës në Shqipëri dhe të vendeve të BE-së për të ndarë rekomandimet e këtij
studimi.
Për herë të parë, në kuadër
të këtij projekti, u zhvillua në Shqipëri edicioni i dytë i Akademisë Ndërkombëtare për
Menaxhimin Letrar dhe Promovimin e Përkthimit. 30 përfaqësues të shoqatave letrare
dhe të përkthimit nga Ballkani Perëndimor u mblodhën në Durrës, Shqipëri në maj
të këtij viti, për një trajnim për ngritjen e kapaciteteve ku kontribuan lektorë
dhe trajnerë me përvojë ndërkombëtare në këtë fushë.
Gjatë trajnimit pjesëmarrësit zhvilluan një vizitë studimore në qytetin e
Shkodrës, sesione të hapura dhe shkëmbim përvojash për forcimin e bashkëpunimit
ndërmjet organizatave kulturore në Ballkanin Perëndimor.
Projekti gjithashtu ofroi
mundësi për shkëmbime përvojash dhe praktikash për drejtuesen e shtëpiesë
botuese TOENA në Shqipëri për të përfituar eksperiencë në fushën e menaxhimit të
letërsisë, marketingut dhe shitjes, pranë shtëpisë botuese të mirëjohur
Psichogio (2,000,000 kopje), në Athinë. Ndërsa përkthyesja Vlora Konushevci nga
Kosova ishte e ftuar nga shtëpia botuese Verbrecher Verlag, në Berlin ku përftoi përvojë në aspektet praktike të menaxhimit letrar dhe industrisë
së botimit, promovimit të letërsisë dhe peizazhit kulturor.
Ky projekt theksoi nevojën për rritjen e kapaciteteve në fushën e
menaxhimit letrar e përkthimit në Shqipëri.
Video - Përkthimi, një akademi për menaxhimin letrar/ Diskutime për letërsinë në Ballkanin Perëndimor
https://www.youtube.com/watch?v=9lNoDZnNpac