23 March 2016

Petra Rosandić: - MAPO - INTERVISTË

Petra Rosandić: Poezia që vallëzon jetën


Gjuhëtare, koreografe, aktore, piktore  e poete… Petra Rosandić, mikja e parë e Rezidencës së  Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë në Tiranë rrëfen marrëdhënien me poezinë, letërsinë e angazhuar me problemet që shqetësojnë shoqërinë dhe lidhjet me artet e tjera,  që për të janë një rrjetë e madhe në shërbim të së tërës. Rosandić zbulon edhe jetën e një shkrimtareje të re në Kroaci…

 

Nga Suadela Balliu 

 

19 Mars 2016

 

http://www.mapo.al/2016/03/petra-rosandic-poezia-qe-vallezon-jeten

 

 

Lëvizja, ajo çka ndan jetën  nga ata që kanë reshtur së marri frymë.  Edhe kur është në formën e saj më delikate, në fëshfërimën e gjetheve, të një dege peme apo një fijeje të hollë bari, bëhet objekt magjepsjeje për poeten, e cila mund të rrijë me orë të tëra duke kundruar këtë shfaqje të natyrës së gjallë. Imazhe dhe ndjesi që përkthehen në vargje …ose në vallëzim. Është pikërisht lëvizja, ku  Petra Rosandić –poetja  e re kroate, mikja e parë e Rezidencës së  Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë "Tirana in Between" –gjen  pikëtakimin e poezisë me koreografinë, së cilës i ka kushtuar kohë dhe punë.

Poezinë nisi ta shkruajë kur ishte 8-vjeçe, atëherë kur i hidhte vargjet pa e ditur  ende se ç'do të thoshte poezi. Kuptimin ia mësoi pasi kishte bërë një copë rrugë duke shkruar . "Isha  19 vjeç kur ndjeva se isha lodhur duke shkruar . Mendova se nuk do të shkruaja më. Isha e frustruar"- kujton ajo, ndërsa citon një shprehje të shkrimtarit gjerman Thomas Mann, i cili e përkufizon shkrimtarin si dikush për të cilin të shkruarit është më i vështirë sesa është për njerëz të tjerë.

Kështu e ndjeu asokohe  poetja kroate, autore e dy librave me poezi "Ako dugo držiš usta otvorena" që në shqip do të përkthehej "Nëse do ta mbaje gojën hapur për një kohë të gjatë"  dhe "Antikrishti i tretë" , i cili do të botohet së shpejti në Kroaci dhe Serbi.

Ishte koha kur zbuloi pasionin për vallëzimin dhe iu kushtua vallëzimit dhe koreografisë si show dance choreographer . "Nuk kam studiuar koreografi, sepse në Kroaci nuk kemi një shkollë për koreografi, siç mësova që ka në Shqipëri. Kështu që e kam mësuar vetë" –rrëfen  Petra, ndërsa zbulon se ka punuar disa vjet si koreografe.

Lirikat janë  ato çka Petra Rosandić përkthen në lëvizje dhe figura koreografike në rrymën e kërcimit  modern "Lyrical Jazz dance", që në thelb ka pikërisht përshkrimin e tekstit të një kënge , të çfarëdolloj rryme, me anë të lëvizjeve trupore.

"Sigurisht që muzika është e mrekullueshme, por tekstet, lirikat janë ato çka më tërheqin shumë për t'i kthyer në vallëzim" – shton ajo. Por, ende nuk e ka bërë këtë me poezitë e saj. Ndoshta ngase marrëdhënia me krijimet e saj është diç e çuditshme. Një tëhuajësim që i ndodh me të përfunduar së shkruari. "Të shkruarit është betejë me veten. Shkruaj kur kam diçka për të thënë, por me t'i përfunduar… "nuk i shoh më si të miat. U them: tani bëni ç'të doni, nuk më përkisni!" – thotë duke qeshur.

Më 2014-ën, vit kur u botua libri i saj i parë, një përmbledhje me poezi të shkruara në dhjetë vite, mendoi se kishte diçka për të thënë, një kumt që nuk ishte krejt ai që lexonte në poezitë e shkruara në vite. "I mora, i rishkrova dhe aty pastaj e ndjeva se ishin të miat", thotë ajo, ndërsa  shton se ky libër i parë nuk kishte një fill pas të cilit do të ndërtonte mesazhin e saj poetik, siç ndodhi me librin e dytë "Antikrishti i tretë". Aty poetja mes vargjesh sjell fundin e këtij qytetërimi, pasi kjo botë dhe mbarë njerëzimi është bërë shumë i keq. "Ishte rraskapitëse ta shkruaja. Në fund u ndjeva e çliruar por edhe e zbrazur, pasi kisha thënë atë çka doja të thosha. Ndoshta edhe për shkak të mesazhit që mbartte. E gjitha është një poemë e gjatë, e ndarë me kapituj që janë numra. Njerëzimin e shoh si një të tërë"- thotë ajo, ndërsa shton se pas këtij libri të dytë me poezi, prej disa muajsh  ndjen se nuk mund të shkruajë më poezi, porse prozë.

"Të më thoshin para do kohësh që do të shkruaja prozë, do të thosha: "Jo! Unë do të shkruaj gjithmonë poezi. Aty jam unë.  Mendimet e mia vijnë në trajtë të shkurtër, të përmbledhur si vargje". Por ja që prej disa muajsh e kam të pamundur të shkruaj poezi dhe kam nisur me prozë"- thotë, ndërsa zbulon pak prej subjektit të tregimit të shkurtër, duke theksuar se është vetëm në fillim e ku i dihet deri në fund mund të marrë trajtë tjetër. Personazhet dhe temat që  Rosandić janë ato ku morali vihet në diskutim. Nga njëra anë mendon se personazhet bëjnë gjëra të gabuara, por  në të njëjtën kohë, nisur pikërisht nga ky moral nuk mundesh t'i gjykosh nëse veprimet e tyre janë të drejta a të gabuara. Është ky kurth i dyshimit, ku Rosandić dëshiron t'i drejtojë lexuesit e saj.  Janë temat e forta, ato të një angazhimi social, që tërheqin vëmendjen e saj, duke e kapërcyer kufirin e artit vetëm për art.

Për Petra Rosandić, një poet a shkrimtar duhet të jetë i informuar mbi çka ndodh në botë, në vendin tënd, në qytetin tënd… "Duhet të njohësh politikën, qeverinë, qeverisjen, të dish ç 'ndodh me emigrimin, si për shembull ajo që po kalon këto kohë populli sirian…Këto nuk mund të të lënë indiferente. Nëse je njeri i ndjeshëm, padrejtësitë që ndodhin do të të inatosin e kështu do të prodhosh diçka" – thotë ajo, ndërsa zbulon se të jesh një shkrimtar i ri në Kroaci, nuk është aspak e lehtë. "Qeveria aktuale, e krahut të djathtë nuk e mbështet aspak kulturën në vend"- pohon ajo, ndërsa merr shembull  librin e saj të parë, i cili fillimisht u botua në Serbi. "Për t'u botuar në Kroaci, duhet të kalojë përmes Shoqatës së Shkrimtarëve, e cila ka mosmarrëveshje me qeverinë për shkak të pikëpamjeve të majta që ka, ndërsa qeveria është e djathtë. Me shumë gjasa ata nuk do të marrin asnjë financim nga shteti këto kohë dhe nuk e di si do të shkojë kjo punë" – zbulon ajo, ndërsa shton se pavarësisht vështirësive, shkrimtarët apo artistët e rinj duhet të ecin përpara me punën e tyre dhe të mos presin mbështetjen nga shteti, e cila mund të mos vijë kurrë. "Arti mendoj se e gjen gjithmonë rrugën. Mund të zgjedhësh; të humbasësh kohë për të gjetur fonde a mbështetje apo të bësh art".  Edhe kur të bërit art bëhet shkatërrues edhe për vetë artistët. E pranon  sa e vështirë është të  botosh në këto ditë. "Ta pranojmë, se sot askush nuk lexon. Vetëm 10 për qind e të rinjve në shkolla lexojnë letërsi" –thotë  ajo e bindur pasi e ka njohur panoramën në shkolla ku ka dhënë mësim në gjuhë dhe letërsi për dy vite. "Askush nuk do t'ia dijë për artistët" – pohon ajo, por pa u dëshpëruar, pasi edhe ky frustrim, kjo parehati e bën të krijojë. Ky është bekim-mallkimi i krijuesve, për të mos qenë kurrë në paqe.

Procesi i krijimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për të shkruarit e një poezie- të cilat ajo i hedh  me fragmente apo vargje të shkëputura në celularin e saj – i duket edhe një rast i mirë për të analizuar veten dhe mendimet e saj në momentin kur ka hedhur një varg. "Nuk do të thotë që të shkruash një poezi, duhet ta bësh patjetër  menjëherë. Mua më ndodh të hedh një varg tani dhe jam e lumtur që më ka ardhur ky varg…pastaj një ditë tjetër një tjetër varg , derisa të bëhet e plotë poezia. Jo gjithçka që mendon duhet patjetër ta hedhësh në letër. Jo mes morisë së asaj çka të kalon ndërmend zgjedh më të mirën, që ti e di cila është. Një nga arsyet pse shkruaj është edhe të di se ç'kam menduar atë kohë. Më ndodh që kur i lexoj, nuk i kuptoj të gjitha ato që kam shkruar. Ka njerëz që ku lexojnë poezitë e mia  më pyesin se ç'kam dashur të them dhe më ndodh që kur i lexoj as unë nuk e di. U them ta  gjejnë vetë një kuptim. E nëse e gjejnë, cilido qoftë, atëherë ia kam arritur qëllimit përse shkruaj" – rrëfen Petra, e bindur se edhe në krijimtari letrare ajo çka është e rëndësishme është të ushtruarit. Ashtu si në çdo lloj tjetër arti. Disiplinën e njeh mirë prej vallëzimit, të cilin e ka ushtruar edhe si balerinë edhe si koreografe, por edhe prej pikturës të cilën e ka studiuar dhe ushtruar, por edhe aktrimit…rrëfen se dy vite ka punuar si aktore në teatër. Të gjitha këto shpalosje artistike pasqyrojnë elementët e tyre në poezinë e saj. Poezia herë vjen si art i gjuhës, herë si lëvizje koreografike e herë si një tablo e madhe…ose të gjitha të përziera njëherësh.

Një mbrëmje ku gërshetohen të gjitha talentet e saj dhe një lexim publik e bashkëbisedim  ka projektuar të realizojë në një nga kafenetë letrare në  Tiranë,  qytet me të cilin thotë se ka rënë në dashuri, fill pasi kaloi hutimi i  ditëve të para. Kjo është rezidenca e parë , për të cilën aplikoi në rrjetin Traduki dhe fitoi  dhe të gjithë përvojën njëmujore do ta hedhë në letër.  "Më pëlqen Tirana për ngjyrat, arkitekturën e larmishme, njerëzit miqësorë. Mund të them se në standard jetese nuk ka asgjë ndryshe nga Kroacia. Duket qytet i gjallë, po aq edhe i qetë, ku mund të ecësh netëve vetëm pa asnjë problem. Është interesante sesi nisemi gjithnjë me paragjykime për vendet që nuk i njohim. Miq të mitë në Kroaci më thoshin që është vend shumë i varfër, por nuk e shoh të jetë më i varfër sesa ne. Edhe fakti që ne tashmë jemi pjesë e Bashkimit Europian nuk ka sjellë ndonjë ndryshim. Nuk  na ka bërë më të pasur, përveç përfitimit të mos qëndrojmë në radhë në aeroport por të kalojmë në çdo portë ku shfaqet flamuri i BE-së. Kaq"- thotë ajo, ndërsa duke qeshur shton se kur të kthehet do të shkruajë një tregim të  shkurtër për gjelin që  netëve këndon çdo orë, pranë apartamentit ku po jeton, diku pranë Rrugës "Hoxha Tahsin" në kryeqytet. Si turiste letrare , vëzhguese e ngeshme e jetës në qytet,  por edhe si studiuese e gjuhëve,  shqipja  jo vetëm që i tingëllon e vështirë, por shqiptimi nga një njeri te tjetri i duket krejt i ndryshëm. "Nuk gjej dot dy njerëz të ma thonë një fjalë të shqiptuar njësoj" – thotë , duke bërë shaka. Në Tiranë nuk ka gjetur vetëm material për të shkruar letërsi – ndërsa një grua e re rome me një  foshnjë në krah avitet për të lypur në tavolinat e kafenesë-librari "Friend's book house" i lind ideja se mund të shkruajë  një tregim mbi atë çka mendon një grua që vendos të lindë shumë fëmijë, kur nuk ka me ç't'i ushqejë dhe si të kujdeset për ta –ka gjetur edhe njerëz për të ndarë eksperienca në fusha të tjera si aktrim, pikturë a koreografi, ndërsa ka ndjekur disa leksione në Akademinë e Arteve. "Vallëzimi është fantastik"- thotë ajo- "por poezia është arti për të cilën nuk të duhet asgjë tjetër për ta realizuar. As hapësirë, as kohë, as njerëz…", përfundon ajo, duke e parë poezinë si ajo lëvizja që bën të vallëzojë jetën.

Kurrikulum poetik 

 

Petra Rosandić (Split, 1985) është poete dhe koreografe e diplomuar në Fakultetin e Filozofisë në Split, ku studioi për gjuhë kroate, gjuhë angleze dhe letërsi.

Krijimtaria e saj e hershme letrare u botua në përmbledhje dhe antologji të ndryshme botuar në Kroaci, Bosnjë dhe Serbi. Ajo ka publikuar shpesh edhe në revista kulturore dhe letrare të njohura dhe të vlerësuara të rajonit, si në "Zarez", "Tema", "Poezija", "Agon", "Split Mind", "Kolaps, "Ulaznica", "Rukopisi 36", "Young Ex-Yu" – antologji poetike e botuar nga 'Meko tkivo' – Fakulteti i Filozofisë në Zagreb, "Ex-Yu underground poetry Collection" botuar nga Poezin, etj. Libri i parë me poezi i Petra Rosandić, me titull 'Ako dugo držiš usta otvorena' (Presing, Mladenovac – Serbi) u botua në vitin 2014. Ndërkohë që dorëshkrimi e saj në anglisht, titulluar "'Why I died" u përzgjodh si një nga 25 gjysëmfinalistët për Çmimin ndërkombëtar "Tomaž Šalamun 2015", akorduar nga revista letrare amerikane 'Verse'. Petra Rosandić është editore ekzekutive e "Kritična masa", një faqe letrare që botohet në tri gjuhë (kroatisht, anglisht, gjermanisht) lektore letrare në profesion të lirë dhe lektore universitare.

 

*****

ALESSANDRO MARCELLO:

 

Koncert për oboe në re minor

 

Mjalti pikoi mbi kurorën e pemëve

kurdo mund të zbres në Jug

rrugët e verdha gjithnjë t'i picërrojnë sytë

të sjellësh gjëra me mend, shpesh çlodh

Mërzitem kaq shumë që nuk do mundem kurrë

Të ulem në timon

Veç nëse bëjmë edhe një xhiro tjetër

Nuk mërzitem

Disa prej miqve kanë mbijetuar

Dua që makinës t'i japë

Dikush me të cilin s'kam ç'bisedoj

Ata premtojnë të më tregojnë

Një burrë fiks si Van Gogh

kur shohim tabelën Santa Maria di Leuca

të cilën e kishim humbur

më ngushëllojnë shumë gjëra

çdo gjë do të heshtë në ditët që do vijnë

Do ia ngul sytë pjatave bosh

Ende e qeshur prej festës

Do të jem edhe më e qetë

Shpeshherë dëgjoj vetëm trenat

Që fishkëllejnë mbi binarë

Të ngrohtë e të madhërishëm

Siç gulcon oboisti pranë daljes në pension

Natyra kujdeset gjithnjë

që të mirët

të vdesin në gjumë

Mund të zbres në Jug kur të dua.

 

*Përktheu: Silvana Leka

Total Pageviews