Pas përvojës së suksesshme të autorëve Magdalena Blažević, Jerko Bakotin dhe Hildegard E. Keller, Kalina Meleva është shkrimtarja e radhës, që ka fituar bursën për qëndrim në rezidencën letrare “POETEKA – Tirana in Between” 2026, organizuar nga shoqata Poeteka, me mbështetjen e rrjetit TRADUKI.
Kalina Maleska është shkrimtare, përkthyese letrare dhe profesore e letërsisë angleze në Fakultetin Filologjik “Blaže Koneski”, pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Ajo zë një vend të rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore maqedonase, duke ndërtuar profilin e saj përmes një krijimtarie të larmishme, që përfshin tregime, romane, letërsi për fëmijë, dramaturgji, studime letrare dhe përkthime.
Karrierën e saj letrare ajo e nisi si prozatore, me përmbledhjen me tregime Keqkuptimet (1998), vepër që u pasua nga vëllimet Emërtimi i insektit (2008), Itar Pejo, armiku im (2016) dhe Shkupi në zonën e lartë (2021). Tregimi Një lloj tjetër arme është përfshirë në antologjinë prestigjioze Best European Fiction 2018. Në prozën e saj të shkurtër Maleska eksploron marrëdhëniet njerëzore, identitetin, kujtesën dhe transformimet e shoqërisë bashkëkohore, duke krijuar botë narrative ku realiteti ndërthuret me elemente simbolike dhe imagjinative.
Në fushën e romanit, ajo është autore e veprave Bruno dhe ngjyrat (2006), Shfaqje me fije argjendi (2014) dhe Bota që zgjodha (2024). Ky i fundit u vlerësua me Çmimin “Romani i Vitit” për vitin 2024, vlerësim i dhënë nga Fondacioni për Promovimin e Vlerave Kulturore “Slavko Janevski”, që konfirmmon rëndësinë e kësaj autoreje në letërsinë bashkëkohore maqedonase.
Krijimtaria e Maleskës përfshin edhe dramaturgjinë, duke filluar me dramën Një ngjarje ndër shumë të tjera: Hipatia e Aleksandrisë (2010) për të vijuar me letërsinë për fëmijë, ku spikasin librat Arno ama (2018) dhe Alieni Lu-Ru-Su (2021). Dy nga tregimet e saj për fëmijë janë përshtatur për skenë dhe vënë në skenë nga Teatri për Fëmijë “Hijet dhe Retë”. Po ashtu, tregimet e saj janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë botuar në revista e antologji brenda dhe jashtë vendit.
Përveç krijimtarisë artistike, Kalina Maleska ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve letrare, teorisë dhe kritikës, ku interesat e saj kërkimore përfshijnë teorinë letrare, studimet utopike dhe postkoloniale si dhe analizën e letërsisë bashkëkohore. Ajo është autore e studimeve monografike Format e pushtetit në letërsinë bashkëkohore (2020) dhe Vizion, transformim: utopi, distopi dhe botë të tjera imagjinare (2023). Punimet e saj shkencore janë botuar në revista akademike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Maleska ka qenë gjithashtu redaktore dhe bashkautore e disa botimeve të rëndësishme. Ajo ishte bashkëredaktore e përmbledhjes ndërkombëtare Awake not Sleeping: Reimagining Fairy Tales for a New Generation (2021), e organizuar dhe botuar nga UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore, ku kontribuoi edhe me dy tregime. Më tej, ajo ka redaktuar dhe bashkëshkruar studimin Kon-tekstot: Shqyrtime digjitale (Letërsia maqedonase në dy dekadat e para të shekullit XXI)(2023), ka qenë bashkëredaktore e botimit Vizualizimi i letërsisë bashkëkohore maqedonase (2024), si dhe redaktore dhe autore e disa kapitujve në librin Nxitja e shkrim-leximit funksional në mësimdhënie (2025).
Një dimension tjetër i veprimtarisë së saj është përkthimi letrar. Nga anglishtja në maqedonisht ajo ka përkthyer vepra të autorëve të njohur botërorë, ndër të cilat Tristram Shandy të Laurence Sterne, Tregime të zgjedhura të Ambrose Bierce, Small Things Like These të Claire Keegan, si dhe vepra të autorëve të tjerë të rëndësishëm si Mark Twain, L. Frank Baum dhe Junichiro Tanizaki.
Përmes krijimtarisë së saj letrare, veprimtarisë akademike dhe punës si përkthyese, Kalina Maleska ka ndërtuar një profil të spikatur në kulturën bashkëkohore maqedonase, duke kontribuar në dialogun mes letërsisë, kërkimit shkencor dhe edukimit.
Që prej vitit 2013, Programi “POETEKA – Tirana in Between”, i mbështetur nga rrjeti europian Traduki, promovon shkëmbimin kulturor dhe përkthimin letrar, duke qenë një platformë e rëndësishme në Tiranë dhe më gjerë.


