09 January 2026

Zlatko Kramarić: Arian Leka dhe shpirti evropian, deti, izolimi dhe imagjinata kombëtare në Shqipërinë post- totalitare

Në gazetën "Panorama", dt. 7 janar 2026, u botua artikulli i autorit Zlatko Kramarić me titull: "Arian Leka dhe shpirti evropian: deti, izolimi dhe imagjinata kombëtare në Shqipërinë post- totalitare". 

Një studim i thukët letrar i kritikut dhe diplomatit kroat Zlatko Kramarić sjell një shikim të krijimtarisë së shkrimtarit shqiptar Arian Leka, duke e krahasuar atë krijimtari dhe me përfytyrimet e autorë të tjerë bashkëkohorë, si Kadare dhe Kongoli. Interesant është zbërthimi i metaforave dhe ideve të veprës "Ana e fshrhtë e kopshtit socialist shqiptar" nga kritiku letrar Kramarić dhe përcjellja e këtyre ideve të Arian Lekës për një auditor shumë më të gjerë ndërkombëtar. 
I organizuar në sythe të veçantë tematikë, të tillë si: Europa - një horizont mendor, Deti dhe izolimi, horizonte gjeografike dhe mendore, Nacionalizmi afatgjatë dhe mbyllja mendore,  Izolimi kulturor: Letërsia ruse dhe prohibicioni perëndimor, Perceptimi i Arian Lekës ndaj letërsisë kroate, Analizë krahasuese: Kadare dhe Kongoli, Korniza filozofiko-teorike, Fryma europiane si një proces i vetëzbulimit, studimi i  kritikut dhe diplomatit kroat Zlatko Kramarić hulimton mënyrën se si eseisti shqiptar Arian Leka, në librin e tij "Ana e fshehtë e kopshtit socialist shqiptar" e konceptualizon frymën europiane brenda kontekstit të nacionalizmit afatgjatë shqiptar, izolimit gjeografik dhe kulturor si dhe mentalitetit të frikësuar, që formon identitetin shqiptar. 
Vëmendje e veçantë i kushtohet motiveve të detit, izolimit kulturor, censurës, mbizotërimit të letërsisë ruse dhe angazhimit të Arian Lekës ndaj letërsinë kroate, veçanërisht ndaj shkrimtarit Miroslav Krleža. Eseja përfshin një kornizë krahasuese mes Ismail Kadarenë dhe Fatos Kongolit, duke nxjerrë në pah interpretimet e ndryshme letrare shqiptare të Europës dhe shpirtit europian.

Artikulli i plotë në shqip:

Full article in English.
👇



05 January 2026

JERKO BAKOTIN: REZIDENCA LETRARE POETEKA TIRANA IN BETWEEN - 2026

Jerko Bakotin, gazetar, shkrimtar, autor dokumentarësh dhe serialesh televizive dhe reporter investigativ i njohur kroat, është gjithashtu fitues i bursës së rezidencës letrare "POETEKA - Tirana in Between" 2026. Në hapësirën mediatike kroate Jerko Bakotin shquhet si zë i ndërgjegjes publike.

Jerko Bakotin lindi në Split, ku përfundoi arsimin fillor dhe të mesëm, për të studiuar filozofi dhe sociologji në Universitin e Zagrebit. Karriera e tij gazetareske filloi në vitin 2006, në të përjavshmen e Splitit "Feral Tribune", ku Bakotin u dallua si autor i teksteve të thella dhe analitike mbi tema shoqërore dhe politike. Pas mbylljes së "Feral Tribune", ai bashkëpunoi me disa media vendase, rajonale, dhe europiane mes të cilave "Novi list", "Tportal", "H-Alter", "Le Monde Diplomatique" dhe disa gazeta dhe revista të tjera letrare kroate (h-alter.org, Libra Libera, Quorum) dhe gjermane ( dhe "Der Freitag", "Neues Deutschland", German Times).

Shkrimet e Jerko Bakotin shprehin shqetësimet mbi çështjet e drejtësisë sociale, të drejtave të njeriut, problemet e varfërisë, korrpsionin, migrimit, mjedisit, ndryshimeve klimatike, të drejtave të punëtorëve dhe globalizimit, duke analizuar në mënyrë kritike pasojat e politikave neoliberale në Kroaci dhe më gjerë.
Nga viti 2011 deri në vitin 2016, ai jetoi kryesisht në Berlin, ku punoi si gazetar i pavarur dhe hulumtoi dhe shkroi artikuj mbi shoqërinë, politikën dhe kulturën gjermane.
Gjatë kësaj periudhe, Bakotin udhëtoi në vatra të ndryshme krize në të gjithë botën, duke përfshirë Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe Afrikën, gjë që i dha përvojave të tij një qasje më të thelluar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mbi gjeopolitikën, duke e bërë atë një zë të fuqishëm dhe aktiv në mbrojtje të lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes dhe një emër kritik ndaj censurës dhe represionit ndaj gazetarëve. Ai ka botuar një libër shënime udhëtimi dhe reportazhe letrare, "Bratstva i ubojstva, gajđin" (Algoritam, 2015.)

Përveç gazetarisë, Bakotin ka marrë pjesë në debate të shumta publike, punëtori letrare dhe leksione mbi temën e lirisë së medias, të drejtave të njeriut dhe përgjegjësisë sociale. Pasioni i tij për drejtësinë sociale, gazetarinë etike dhe luftën kundër padrejtësisë i ka siguruar atij një vend të rëndësishëm në skenën mediatike kroate, duke e vlerësuar me çmime të shumta.
Për reportazhin nga Rripi i Gazës dhe një seri tekstesh nga Lindja e Mesme, botuara në "Novi list" gjatë vitit 2009, Bakotin, së bashku me kolegun e tij Hrvoje Krešić, fituan "Çmimin e Shoqatës së Gazetarëve Kroatë" për tekstin më të mirë në gazetarinë e shkruar. Ai është bashkëfitues i disa çmimeve kroate dhe të huaja të medias për gazetari të shkruar, radiofonike dhe investigative. Mes tyre veçohen "Çmimi vjetor i Shoqatës së Gazetarëve Kroatë" për tekstin më të mirë, "Çmimi i Medias së Migracionit" për dokumentarin radiofonik nga kampi i refugjatëve Idomeni, "Çmimi holandez De Tegel", i dhënë Bakotin dhe një grupi kolegësh nga Europa për hulumtimin demaskimi i ushtrive hije të Europës (mbi dhunën ndaj refugjatëve dhe migrantëve në kufijtë e Bashkimit Europian).
Në vitin 2019, në bashkautorësi me Nikola Kuprešanin, ai realizoi e serialin e gjerë televiziv të dokumentarit historik me katër pjesë "Kurdi", transmetuar në HRT, prodhuar nga Restart. Prej këtij viti Jerko Bakotin është anëtar i Këshillit të Nderit të Shoqatës së Gazetarëve Kroatë. Prej vitesh shkruan recencione për librat.

Që prej vitit 2013, POETEKA, me mbështetjen e rrjetit europian Traduki, që lidh vendet e Europës Juglindore me botën gjermanofolëse nëpërmjet letërsisë, ka ndërtuar për më shumë se një dekadë një nga hapësirat më të rëndësishme të mikpritjes dhe krijimtarisë letrare në Tiranë, duke bashkuar rreth 70 shkrimtarë, përkthyes letrarë dhe artistë nga rajoni dhe Europa dhe duke lënë një gjurmë të qëndrueshme në jetën kulturore të kryeqytetit. Programi letrar "POETEKA - Tirana in Between" mbështet përkthimin letrar, botimin dhe shkëmbimin kulturor në Europën Juglindore dhe Lindore me vendet e BE-së, ka bashkëpunuar ndër vite edhe me programin Europa Krijuese (Creative Europe), Goethe Zentrum Tirana, Ambasadën e Austrisë dhe Ambasadën e Gjermanisë në Shqipëri si dhe të Ministrisë së Kulturës, në kuadër të projekteve "Reading Balkans" dhe "Translation in Motion", duke e përfshire rezidencën "POETEKA – Tirana in Between" në Hartën e Rrjetit Europian të Rezidencave të Përkthimit Letrar (RECIT).

Total Pageviews