Eja edhe SOT - 25 Prill, ora 19 - në Hemingway Tirana Bar:
Lexime në poezi e në prozë, autografë dhe bashkëbisedim mes autorëve Alen Brlek (Zagreb) dhe Armada Hysa (Tiranë), që paraqet rishtas në publik pjesë nga krijimtaria e saj.
______
Alen Brlek (Zagreb, 1988) është autori i ftuar në Rezidencën letrare "Tirana in Between", organizuar nga POETEKA, si pjesë e READING BALKANS, bashkëmbështetur nga Programi "Europa Krijuese" i Bashkimit Europian. Ai i përket gjeneratës më të re të poetëve kroatë. Në vitin 2013 u vlerësua me çmimim më të rëndësishëm që jepet në Kroaci për librin më të mirë në dorëshkrim (Metakmorfoze - titulli simptomatik për të gjithë veprën e autorit), i cili u botua në vitin 2014 nga shtëpia e njohur botuese "Algoritam." Poezia e Alen Brlek mbetet thellësisht brenda kërkimit dhe misterit të gjuhës, duke eksploruar shtigjet e saj të fshehura dhe duke provokuar qarqe të shkurtra si dhe duke vënë në pikëpyetje logjikën e saj. Libri i tij i dytë, "Pratišina", u botua në Serbi nga "Kontrast", 2017. Në bashkëpunim me poetin Darko Šeparović dhe muzikantin Emil Andreis, Alen Brlek po gjithashtu edhe eksploron hapësirat mes poezisë dhe muzikës.
ARKITEKTURË
Duhet të gjesh vendin, një qëllim të shpallur
që atë nuk e mohon. Si diga
ndërtuar nga kastorët. Të ngresh barkun
drejt qiellit, të ftosh Perëndinë,
të mbështesë kokën e të përpiqet të bjerë në gjumë.
Duhet të heqësh dorë nga këndet e drejtë
dhe nga të tjerat që nuk mund të arrihen,
të ndash zemrën gjithmonë më dysh
me gishtin e madh të dorës,
për t'ua dhënë fëmijëve si mollë.
Si tufa zogjsh në kurorën e pemës të derdhen
njerëzit në njerëz.
KOPËSHT FAMILJAR
Unë do t'ju mbaj, o, rrënjë,
edhe pas një mijë plugimesh,
mos kini frikë.
Perëndia është këtu, bërthamë,
prapa syve.
______
Armanda Hysa është etnologe-antropologe dhe historian nga Tirana, aktualisht drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike. Ajo ka qenë studiuese në Institutin e Kulturës Popullore, më pas Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, për 17 vite. Gjithashtu ka qene lektore dhe këskuese shkencore për dy vite pranë School of Slavonic and East European Studies, University College London. Është njohëse e zhvillimeve politike dhe kulturore të vendeve të Ballkanit, kryesisht e rajonit të ish-Jugosllavisë. Përve[ studimeve, artikujve e kumtesave të shumta, vitet e fundit Armanda ka nisur të lëvrojë poezinë dhe prozën e shkurtër.
* * *
Njeriu që shiti botën
me paratë e marra
pagoi gjithë kafenetë vërdallë
që më në fund të rrinte
me veten.
Njeriu që shiti botën
deshi të jepte dyfish më pas
për ta blerë prap atë
pasi vetja i kish mbetur atje.
Njeriu që shiti botën
vonë e mori vesh
se kishte shitur
veç shpirtin e vet.
* * *
Njeriu që bleu botën
pezulloi për pak çaste
gjithë mendimet e njerëzve
për të patur kohë
të fusë hundën në to.
Njeriu që bleu botën,
harroi se pezulloi dhe mendimet e veta
e bota mbet e shtangur
mbet pa kohë për një kohë.
Fëmijët e rritur në një botë pa kohë
pa mendim
pa të shkuar
nisën të mendojnë nga e para.
Arkeologjia u bë sporti i tyre i preferuar.
Arkeologët i ngritën një statujë
njeriut që bleu botën
e në varr i shkrojtën:
Fund!