Silvana Berki
ËNDËRRA QË MARRIN FRYMË
(Mbi botimin e Antologjisë së poezisë bashkëkohore shqiptare në gjuhën finlandeze)
NA ISHTE NJËHERË SHPRESA, që u kthye në realitet nga datat 13 deri më 16 qershori 2019, kur në qytetet finlandeze Tampere dhe Lahti u përurua Antologjia më e re e poezisë shqiptare, përkthyer në gjuhën finlandeze nga Silvana Berki dhe botuar nga "Aviador Kustannus" me asistencën e Aleksanteri Kovalainen dhe kujdesin në botim të Vesa Tompuri-t.
Kjo Antologji, titulluar në mënyrë domethënëse "Olipa kerran toivo", ka bërë bashkë 25 poetë bashkëkohorë shqiptarë, që shkruajnë në gjuhën shqipe pavarësisht nga vendi në të cilin jetojnë. Për ta përuruar këtë antologji në veprimtaritë e organizuara me këtë rast morën pjesë poetja dhe skenaristja Natasha Lako dhe poeti e prozatori Arian Leka.
Në veprimtari, përveç dashamirësve të poezisë morën pjesë edhe emra të shquar të poezisë bashkëkohore finlandeze, si akademikët Kristi Kuuronen, Kari Aaronpuno, Saara Metsäranta, Hannu Luntiala si edhe u zhvillua një bashkëbisedim me porzatorin e njohur finlandez Hannu Salama. Përveç përzgjedhjes mbi kritere profesionale të autorëve dhe shënimeve shoqëruese për çdo autor, Antologjia – Olipa kerran toivo merr vlerë të veçantë edhe për organizimin e lëndës letrare, pasi në të, si rrallë herë më parë, bota poetike e shqiptarëve vjen e unifikuar në një panoramë të gjerë e gjithpërfshirëse, pasi në brendi të saj ka poetë të trevave ku poezia shkruhet shqip, si Shqiperi, Kosovë, Maqedonie Veriut, Mal i Zi dhe Arbëreshët e Italisë.
Antologjia përfshin këta poetë: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Mimoza Ahmeti, Suzana Zisi, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Sokol Zekaj, Gazmend Krasniqi. Adem Gashi, Ndue Ukaj, Sabri Hamiti, Kujtim Shala, Ramadan Musliu, Selajdin Saliu, Eqrem Basha, Xhevdet Bajraj, Anton Gjojcaj, Marg Shilipa, Zef Skiro Di Maxho, Mario Belizzi, Katerina Xukaro, Lindita Ahmeti, Lulëzim Haziri.
"Çfarë ka të veçantë në këto fakte dhe në këtë Antologji?",- më pyetën gjatë bisedës në një panel me përkthyes. Në pamje të parë duket sikur nuk ka asgjë të veçantë, të gjithë janë shqiptarë me rrënjë dhe të gjithë e flasin gjuhën shqipe dhe e shkruajne atë.
Por dua të theksoj faktin se gjatë procesit të përkthimit të poezive kuptova se nuk isha vetëm një përkthyese nga gjuhët shqip në finlandisht, por edhe shqip-shqip. Kjo për arsye sepse ashtu si jeta edhe gjuha zhvillohet dhe jeton brenda kohës së vet dhe brenda kufijve gjeografik.
Përmes këtyre poezive kupton më thellë larminë dhe dallimet jo vetëm të shqiptarëve me kulturat e tjera, por edhe mes kulturës së vendit ku shqipfolësit jetojnë mes gëzimeve dhe brengave të tyre. Përmes këtij libri kupton edhe pasurinë e madhe gjuhësore të këtyre trevave, ku jo vetem thellësia e mendimit të poetëve, por herë-herë ishin edhe të shorehurit e ndryshëm, ndikimi i dialekteve që edhe pse ma bënin përkthimin pak të vështirë, më pasuronin në të njëjtën kohë, duke më dhanë shumë dhe duke ma pasuruar fjalorin.
Parathënien e Antologjisë, kuhstuar kryeshisht gjuhës shqipe, historikut të saj dhe poezisê shqipe e ka shkruar poeti dhe studiuesi Gazmend Krasniqi i cili zbardh për lexuesin finlandez momente të spikatura në poezinë shqiptare, që prej fillimeve të saj e deri në ditët e sotme.
Gjithsesi, nuk dua të lë pa përmendur se, përveç poezisë, pikënisja e këtij projekti ka pasur edhe një dimension human. Kjo nisur edhe prej pozicionit tim si emigrante fillimisht dhe zhvillimet e mia të mëtejshme, ku rol të veçantë ka luajtur këndvështrimi i shkencave sociale (formimi im shkencor) që priret të mbështetesë kombet e vegjël, gjuhët e tyre dhe përhapjen e këtyre kulturave në mbarë Europën, pse jo edhe më tej, në rrang global.
"Kolonializmi gjuhësor" si përshembull, sidomos në kohërat postmoderne, është zgjeruar me anë të teknologjisë. Gjuha angleze, gjuha gjermane dhe ajo ruse, mes të tjerash, duket e kanë kolonializuar kulturalisht pothuajse të gjithë botën. Gjuhët e tjera të kombeve të vogla, si shqipja apo finlandishtja janë thuajse të panjohura në rrafsh më të gjerë dhe pak komunikojnë dhe kontribuojnë si letërsi (të mos ndalemi në faktin se shqipja flitet, madje edhe shkruhet, por mes emigrantëve).
Ndaj me përfundimin e kësaj nisme të bukur gjej të falenderoj institucionin KONE SÄÄTIÖ, që e mbështeti idenë dhe realizimin e këtij projekti poetim dhe kulturor. Përmbushja me sukses e këtij projekti dëshmon se sa nevojë kemi për mbështetjen e institucioneve të tilla që, përveç profesionializmit, promovojnë vlerat mes kulturave, gjuhëve, popujve dhe mbështesin humanizmin.
Ëndërra ndez ëndërrën. Shpresoj që tani, kur themelet janë hedhur mund të ecim drejt të panjohurave edhe më të bukura, duke menduar për projekte të tjera, edhe më të gjera, duke i dhënë kulturës dhe letërsisë shqiptare edhe më shumë frymëmarrje.
Falënderoj gjithkënd që ndau me mua këtë përvojë-ëndërr pothuajse trivjeçare, duke më mbështetur që nga çastet e para deri në finalizim.
Kjo ngjarje kulturore që nisi me Antologjinë, e cila mori vlerë dhe domethënie të veçantë tregon se veç ëndrrës dhe shpresës tani kemi një relalitet të prekshëm. Në katër ditë, qytetet finlandeze Tampere dhe Lahti organizuan veprimtari të shumëllojshme, në të cilat u përfshinë disa nga institucionet kryesore të jetës kulturore të qyteteve përkatëse, të cilat e bënë përurimin e Antologjisë – Olipa kerran toivo
pjesë të programeve kulturore kombëtare e ndërkombëtare, ku u fol për poezinë shqiptare, ku u dëgjua poezia e shkruar në gjuhën shqipe.
Përveç veprimtarive të tjera përuruese, Arian Leka mori pjesë si studiues edhe në "Lahti International Writers' Reunion - LIWRE", ku paraqiti punimin e tij mbi temën "Writer's nature".
Tema e artikullit të titulluar "Erasing the Other from the Weather Map", duke u ndalur më së shumti në temat e përjashtimit të "Tjetrit" nga kultura, mbi kulturën e "Tjetërsimi", tezën nacionaliste të eksperimentimit puritan mbi "letërsitë e vogla" dhe "luftën" absurde të spastrimit të gjuhës së "kulluar" letrare nga ndikimet dhe huazimet e çdo forme (oriantalizma, oksidentalizma, globalizma etj), mbi krijimin e një "gjuhe të (s)pastruar" shqipe, përfytyrimine gjuhës si një "kamp përqendrimi", në të cilin nuk ka vend për të ndryshmin dhe të huajin, mbi fjalët klandestine dhe fjalët emirante në trupin e gjuhëve ballkanike si dhe çështje të urrejtjes kulturore dhe armiqësimit të kulturave fqinje. Përveç pjesëmarrjes në bienalen unike "Liwre, 2019" (që, duke filluar nga vitit 1963 ruan reputanionin e një prej forumeve më të rëndëshishëm të letërsisë dhe mendimit europian, në të cilin kanë marrë pjesë më shumë se një mijë autorë, studiues e shkrimtarë, mes tyre disa laureatë të Çmimit Nobel), Arian Leka dha edhe një intervistë për gazetaren Erja Toumaala, e cila u translemua përmes valëve të Stacioni publik të Radios Finlandeze YLE.
https://www.sttinfo.fi/tiedote/albanialaisrunoilijat-arian-leka-ja-natasha-lako-vierailevat-tampereella-ja-lahdessa-kesakuussa publisherId=69817284&releaseId=69859426
https://www.liwre.fi/en/liwre2019-2/participants/arian-leka/
https://www.liwre.fi/wp-content/uploads/2019/06/1ArianLekaENGLANTI.pdf