READING BALKANS - POETEKA Writer's in Residence
Marko Tomaš - 3 poezi
NJERËZIT E MI
Njerëzit e mi janë shpërndarë në qytete të largët.
Zgjohen në Saigon dhe Managua.
Pinë në baret e Zagrebit dhe në parapetet e Splitit.
Ngadalësojnë ritmin gjatë netëve në Sarajevë.
Njerëzit e mi çojnë fëmijët në shkollë rrugëve të Vjenës.
Kanë vegime nën qiellin e Berlinit.
Ata nxitojnë për në punë përme Parisit.
Luajnë muzikë me banxho bareve të Edinburgut.
Dhe ushtrohen në joga në Sombor.
Njerëzit e mi urinojnë në hyrjet e banesave në Beograd.
Bëjnë dashuri në Bosfor.
Tregojnë shaka të kripura në kopshtet e Mostarit.
Lajnë enët në restorantet e Kopenhagenit.
Kërkojnë një qoshk me diell në Oslo.
Jetimë të pastrehë, si shumë nga djemtëe vajzat te Dickens-i.
Populli I'm - them.
BULEVARDI I REVOLUCIONIT POPULLOR
Asgjë përveç një reklame të madhe Qyteti i Dritave
disa automobila dhe shiut që bie papushim
ose të paktën ashtu duket
në Bulevardin e Revolucionit Popullor
Rruga e së vërtetës, rruga e rrenave, rruga kryesore e shkretëtirës
me rrënojat e apartamentit të teze Fatimesë
dhe dy radhë pemësht shterpë
në Bulevardin e Revolucionit Popullor
Këtu nuk ka adresa për të marrë postën
nuk ka kalimtarë të rastësishëm
Asgjë përveç atij shiut të imë që vret çdo gjë
në Bulevardin e Revolucionit Popullor
MËNGJES NË MËHALLË
Është mëngjes - e martë!
Pranvera është e majme
si maçok i tredhur.
Pas mureve të lartë të shtëpive në mahallë
dikush zgjohet nga kolla.
Pamja e përhumbur e Paul Celanit
mbërthyer në majë
të një selvie.
Pushon atje
si një Diell i fikur
duke lëshuar gjalpin verdhan të dritës.
Shtëpitë, kështjellat
Shpërthejnë nga brenda
Duke qëndruar mbi rrënoja.
Mënyra se si dikush përtyp ushqimin
mund të kthehet lehtë në përvojë të padurueshme.
Dikush gjen strehë në një ëndërr
sikur ikën përballë barbarëve.
Dikush zgjohet pa dëshirë duke u futur
Në koracën e së ardhmes afatshkurtër
shenjuar nga paratë
që duhen lënë mënjanë për shërbimet.
Në fakt, nata ka ngjyrën e kafesë.
Së shpejti proletarët e dikurshëm do të fillojnë grindjet e përditshme.
________
Marko Tomaš është autori fitues i bursës "Reading Balkans", për qëndrim në Rezidencën letrare "Tirana in Between" gjatë muajit Qershor.
ProgramI READING BALKANS organizohet nga POETEKA, bashkëmbështetur nga "Europa Krijuese" i Bashkimit Europian dhe TRADUKI. Gjatë qëndrimit të tij autori do të ketë takime dhe lexime letrare në mjedise publike dhe intervista. Krijimtaria e tij poetike si edhe esetë po përkthenen në gjuhën shqipe.
Poezitë dhe esetë e Marko Tomaš janë botuar në Kritična masa (kroatisht, gjermanisht, anglisht).
Marko Tomaš (Ljubljana, 1978) ishte një nga themeluesit dhe redaktorët e revistës letrare Kolaps në Sarajevë. Ai ka punuar si gazetar dhe radio dhe ka botuar gjerësisht në të gjitha gjuhët e rajonit.
Ai është poet i një sensualiteti të rrallë, mjeshtër i përsosjes dhe skalitjes emocionale të fjalës, ku spikat bohemianizmi, që të kujton disi një Leonard Cohen të ri.
Duke filluar nga viti 2002 e deri në vitin 2015 Marko Tomaš ka publikuar tetë libra, mes tyre janë edhe "Nënë, jam i suksesshëm (2004), Jeta është shaka (2005), Marko Tomaš dhe poema të tjera (2007), Lamtumirë fashistë (2009), Biseda mesnate (me Mehmed Begić) ), Bulevardi i Revolucionit Popullor (2013), Libri i lutjeve të zeza (2015) etj.
Marko Tomaš qëndroi 1 muaj në Tiranë, si mik i Rezidencës letrare POETEKA - Tirana in Between.
Në fundjavë Marko Tomaš do të ketë një lexim publik për miqtë e tij në Tiranë.